Komunikim me gazetarët i Kryeministrit Edi Rama nga Praga, ku mori pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian:
– Zoti Rama, a pati një vendimmarrje dhe si u prit propozimi juaj dhe zotit Rutte?
Kryeministri Edi Rama: Ky është në proces tani, por e rëndësishme është që është lancuar një format i ri bazuar në një ide që nuk është e re, por është ide e cila ka hasur gjithmonë në situata apo pengesa që nuk e kanë lënë të zhvillohet dhe faktikisht besoj që edhe për shkak të gjithë frymës së krijuar nga solidariteti me Ukrainën, që faktikisht e ka bashkuar gjithë këtë familje demokracish në Europë, pavarësisht nëse janë BE apo janë vetëm E. Besoj që projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe të konsolidohet më tutje.
Edhe formati i takimit ishte shumë i pazakontë sepse pas seancës plenare ku kam pasur nderin të jem një ndër folësit, një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, në një format me më shumë se 40 vende. Ne jemi ndarë në një sërë tryezash të rrumbullakëta ku jemi fokusuar më në detaje për çështjet që lidhen me propozimin tonë dhe njëkohësisht dhe për ato që janë çështjet më të nxehta, që nga kriza e përbashkët dhe e përbotshme energjetike tek inflacioni i Putinit dhe patjetër dhe tek forcat e “rublave” në gjirin e shoqërive tona.
– Zoti Rama, ju folët dhe për frikërat. A kishit skepticizëm nëse do të arrijë t’ia dalë të dëgjohet zëri i të gjithë vendeve të Europës në këtë format të ri?
Kryeministri Edi Rama: Ky është një proces, e thashë dhe e përsëris. Frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një Komunitet Politik Europian ashtu siç ka qenë një forcë goxha penguese në momente të caktuara për të gjitha formatet, përfshirë dhe vetë Bashkimin Europian. Por në një situatë si kjo, Europa është në pikën ku për të parashikuar të ardhmen, duhet ta krijojë.
– Kryeministër, përsa i përket angazhimit europian, a morët ndonjë angazhim për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket kalimit të krizës energjetike pasi në fjalën tuaj, mësohet se ju e keni shprehur një lloj frike për të mos u përsëritur skenari siç ndodhi me vaksinat?
Kryeministri Edi Rama: Lajmi i mirë është që në kërkesën time drejtuar kryetares së Komisionit pak javë më parë, është pranuar që të thirren dhe ministrat tanë të energjisë, pra ministrat e energjisë të rajonit tonë në Ministerialin e jashtëzakonshëm që do të zhvillohet po në Pragë, me të gjithë ministrat e energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje europiane dhe jo si një çështje thjesht e Bashkimit Europian. Ndërkohë, në tryezën e rrumbullakët që unë kam qenë së bashku me kryeministrin e Holandës, fokusi kryesor ka qenë pikërisht kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do të mund të ndihmohen drejtpërdrejtë ndërkohë që unë kam insistuar që këtu nuk duhet të kenë diferenca dhe duhet të përfshihen të gjitha vendet, të gjashtë vendet, pavarësisht se i kanë hapur apo jo negociatat.
– Drejtpërdrejtë, do të thotë me një fond?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk jemi akoma në këtë pikë, por jemi në një proces.
– Zoti Rama, mendoni se Komuniteti i ri Politik do të shërbejë njëjtë si Ballkani i Hapur dhe cili do të jetë fokusi kryesor?
Kryeministri Edi Rama: Nuk më kishte shkuar mendja në këtë krahasim, por është një krahasim i dobishëm për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Është një komunitet vendesh që bashkohen për të adresuar çështje që janë gjithmonë e më të përbashkëta. Nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza e energjisë, nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza e klimës, nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza demografike dhe kështu me radhë. Për këtë arsye, gjithmonë e më shumë, e ardhmja na i sjell bashkarisht problemet sepse jemi në një epokë të re rreziku. Kemi dalë nga epoka e perspektivës së sigurt dhe jemi futur në epokën e rrezikut dhe kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe faktikisht i ka nxitur dhe po i nxit të afrohen sa më shumë, për shkak të inflacionit të luftës dhe për shkak të gjithë pasojave të një lufte që nuk e kemi filluar ne, por që nuk e shmangim dot ardhjen e saj tek ne, në formën e inflacionit të luftës, në formën e rublave në duar të pista që përpiqen të ngatërrojnë punët dhe patjetër në formën e çmimeve marramendëse të energjisë.
Aty, duke dëgjuar kolegët për rritjet e bëra dhe për rritjet që priten të bëhen, realisht ishte tronditëse dhe për pamundësinë për të mos vazhduar rritjen e çmimeve ndërkohë që ne do të vazhdojmë të insistojmë në Shqipëri që të mos rriten çmimet për familjarët, për biznesin e vogël dhe ne po përpiqemi madje dhe për një sërë sipërmarrjesh që janë goditur egërsisht nga dalja në tregun e lirë, të gjejmë mënyra se si tua relativizojmë këtë dhimbje dhe tu japim një farë mbrojtjeje.
Pamë dhe një tabelë të inflacionit që lidhet me energjinë dhe pashë me shumë, jo kënaqësi se këtu nuk ka vend për kënaqësi, por le t themi një lloj lehtësimi që në tabelën e të gjitha këtyre vendeve që ishin këtu, vetëm Hungaria ka një inflacion më të ulët në këtë drejtim sesa ne.
– Zoti Rama, ju do të keni dhe disa takime bilaterale, mes të cilave dhe me kryeministrin e Greqisë. A do të jetë çështja e detit një nga çështjet që do të diskutohet dhe a mendoni se brenda këtij viti do t’i drejtohemi, në mënyrë të përbashkët me Greqinë, Gjykatës së drejtësisë?
Kryeministri Edi Rama: Do ulemi të flasim. Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve.
– Zoti Rama, sa pritet ta ndihmojë Shqipërinë ky organizim, meqenëse ishte dhe i pari në rrugën drejt integrimit?
Kryeministri Edi Rama: Të gjitha duhen. Me këtë format jemi në një tjetër hapësirë të integruar dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që Shqipëria ka komplet një zë tjetër dhe një peshë tjetër sepse e përfaqëson më së miri një pjesë të Europës që nuk është në Europën e Bashkuar, por që mbetet Europë.
– Faleminderit!