Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi me mediat i Kryeministrit Edi Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u morën disa vendime të rëndësishme, mes të cilëve, ai për rritjen e sigurisë në shkolla, intensifikimin e luftës kundër krimit, si dhe mbylljen jo vetëm të kazinove elektronike, por edhe të basteve sportive në zonat e banuara:

Mirëmëngjes të gjithëve!

Arsyeja e kësaj konference është nevoja për të komunikuar me publikun disa masa, që gjykoj se kanë një vlerë të posaçme dhe besoj do të jenë më shumë sesa të mirëpritura në çdo familje.

Së pari, sot kemi vendosur të nisin zbatimin e programit të ri për oficerët e sigurisë në shkollat e vendit. Fillimisht, ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme, të konfirmuara nga komuniteti i mësuesve, nga komuniteti i prindërve dhe nga Policia e Shtetit, në 15 shkolla. Tani do të shtrihet në 150 shkolla, gjimnaze kryesisht, ku do të fillojnë nga puna menjëherë 150 oficerë sigurie, të trajnuar enkas për këtë program. Është një program, që, sikundër na e ka dëshmuar projekti pilot, siguron një rritje cilësore të ndërveprimit mes shkollës, familjes dhe Policisë së Shtetit, në funksion të mbrojtjes së fëmijëve nga hyrja në kanalet e lëndëve narkotike, por edhe në funksion të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo të bullizmit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga duhani dhe në funksion të mos lënies së orëve të mësimit.

Janë një sërë avantazhesh, të cilat çdo prind, çdo shkollë, ne të gjithë si shoqëri jemi të interesuar dhe sigurohet një hallkë e munguar, pasi oficeri i sigurisë nuk është një polic, por është një kujdestar, është një ndërmjetës mes fëmijëve, mësuesve, prindërve dhe një vëzhgues i posaçëm, me një trajnim shumë specifik. Besojmë shumë që, çka kemi parë në këto 15 shkolla të projektit pilot, jo vetëm do të konfirmohet, por do të na japë një bazë të re sigurie dhe rregulli në shkolla.

Më lejoni t’ju them, pa dashur të zgjatem shumë në këtë pikë, se, edhe gjatë takimi të ministrave të Brendshëm këtu në Tiranë pati interes të posaçëm për këtë program dhe ministri i Brendshëm i Austrisë, jo vetëm u interesua në mënyrë të posaçme, por shprehu dëshirën që të ketë një bashkëpunim për këtë program, me të gjithë buzëqeshjet që kjo shkakton, e vërteta është se problemet në shkolla, sidomos në gjimnaze, janë probleme që nuk janë vetëm shqiptare, por i hasin të gjitha vendet. Vendet e pasura hasin gjithnjë e më shumë në shkollë problemin e drogave të forta, që edhe kushtojnë.

Nga ana tjetër jemi duke punuar për të zbatuar dhe vendimin e heqjes përfundimtare të celularëve nga ambientet e shkollës për nxënësit dhe për mësuesit, për të gjithë.

Së dyti, kemi vendosur të ndërmarrim një ndryshim ligjor për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit. Është një model që mund ta shihni në detaje, duke iu referuar atij aspekti të legjislacionit peniteciar, që italianët e pagëzojnë me emrin “41-bis”, që do të thotë se këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për të gjithë kohën e vuajtjes së dënimit të tyre.

Së treti, kemi vendosur ngritjen e një salle operative monitorimi non-stop me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë, duke filluar nga burgu “313” dhe nga godina e operacionit “Forca e Ligjit”. Ndërkohë, në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve do të ngrihet një sallë operative monitorimi non-stop e të gjitha institucioneve peniteciare të Republikës së Shqipërisë. Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon përgjegjësinë e të gjithë atyre që punojnë dhe shërbejnë në shërbimin peniteciar të Republikës së Shqipërisë në një nivel të panjohur më parë dhe kjo e çon monitorimin e të gjithë atyre që vuajnë dënimin në një nivel të panjohur më parë, non-stop, 24 orë, për të gjithë kohën e dënimit. Duke mundësuar reduktimin në nivele krejt minimale, për të mos thënë në zero, të të gjithë atyre aspekteve dhe fenomeneve si “futu e dil dhe fut e nxirr celular” dhe garanton se burgjet janë vende ku vuhet dënimi, jo vende ku komandohet bota e krimit.

Së katërti, besoj se ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi dhe ka të bëjë me një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit. Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare. Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati.

Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin për ligjin ekzistues, me metodat që e çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare, sqaroj dhe një gjë tjetër, që Lotaria Kombëtare nuk do ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare “VLT”. Duke qenë se Lotaria Kombëtare është në koncesion i bërë, siç e dini në të shkuarën, bazohet në një ligj të veçantë dhe tej argumenteve të biznesit, të punësuarve, të të ardhurave, të cilat për hir të së vërtetës janë thuajse dyfishuar në raport me të shkuarën, – 54 milionë dollarë nga rritja e formalitetit dhe nga taksat përmes formalizmit, pavarësisht se 40 komani kishte në të shkuarën dhe mblidheshin gjysma e taksave, tani ka 20 dhe mblidhen dyfishi i taksave, – në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë.

Po sot, qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili deri në 31 dhjetor do të transformohet dhe do të robotizohet përmes teknologjisë digjitale, për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri.

E fundit, qeveria ka nisur draftimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për të fortët. Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve, përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të Policisë së Shtetit në çdo territor, do t’u rezervojmë dhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit.

Së shpejti, natyrisht, duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime në Kodin Penal, këtë paketë do ta ndajmë me opozitën, duke shpresuar në mundësinë e kthimit të saj nga bota e filmave në terrenin e përballjes reale me kriminalitetin.

Këto ishin vendimet dhe masat e marra sot nga qeveria.

Zoti Rama, a ka ndikuar qeveria shqiptare që Telekom Albania të mos pranojë ofertën e Telekom Serbia dhe a keni komunikuar ju me Presidentin Vuçiç, sepse ai një ditë më parë ka deklaruar që do të ketë një komunikim me ju për këtë çështje.

Pyetja e dytë, a jeni njohur me paketën që prezantoi PD një ditë më parë për çlirimin e zgjedhjeve, një platformë? Keni thënë herë pas here që do të jeni i hapur për çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore. Do ta shqyrtoni këtë platformë, si një mundësi për t’u ulur në tryezë e për t’i pranuar kërkesat?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit. Besoj që konferenca ishte e bollshme për nga pikëpamja e tematikave, megjithatë në respekt të mundimit tuaj për të ardhur këtu po ju them shkurtimisht që, së pari, qeveria shqiptare nuk është pjesë e transaksionit që do të kryejë një kompani private si Deutsche Telekom, e cila ka një strategji tërheqjeje nga tregjet e vogla dhe po bën shitje, jo vetëm në Shqipëri, me kompaninë që do të zgjedhë të shesë biznesin. Por ky është një sektor strategjik dhe natyrisht, qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë, bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë.

Përsa i përket platformës, të them të drejtën kam qenë i zënë dje me demaskimin e kinostudios dhe nuk kam parë ndonjë platformë, por duke sjellë në vëmendjen tuaj faktin që në filmin “Babale 1”, kemi bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar, të burgosur për krim të organizuar, kemi korrupsion, kemi përfshirje të drejtpërdrejtë të partisë politike në bashkëpunim dhe me oferta korruptive dhe kemi edhe më shumë se kaq, sepse filmi është konceptuar dhe skenari është shkruar në dy skuta të shtetit shqiptar, unë do ju ftoja që të jepnit një ndihmesë për publikun që kjo shfaqje ekstreme e brutalitetit të politikës më të ulët ndaj opinionit publik të mos kalojë si një nga shfaqjet e radhës.

Përsa i përket zgjedhjeve, ne kemi një rekomandim. Në konkluzionet e Këshillit Europian, një rekomandim, i cili është futur fillimisht në procesin e marrjes në konsideratë nga institucionet në Bruksel përmes grupit parlamentar të CDU/CSU-së, që natyrisht ka marrë shqetësimin e shprehur nga Partia Demokratike lidhur me zgjedhjet dhe kemi marrë shumë seriozisht edhe këtë rekomandim si të gjitha të tjerat, është përfshirë në këtë proces qeveria gjermane përmes ambasadës së saj këtu, sëbashku me dy fondacionet, fondacioni social-demokrat dhe fondacioni konservator, Friedrich-Ebert dhe Konrad-Adenauer, me të cilët ne kemi punuar, në mungesë të palës tjetër dhe kemi gati të gjithë draftin e propozimeve, bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Plus kemi punuar për muaj të tërë për të eksploruar mundësinë e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik. Edhe për këtë jemi gati, mjafton vetëm që pala tjetër të vijë dhe të pranojë të diskutojë dhe të biem dakord për të zbatuar në frymë, në germë, fije e për pe, të gjitha rekomandimet. Çfarë mund të bëjmë më tepër?

Me aq sa ju keni dijeni për filmin që e quani “Babalja” 1, a ka deputet të Partisë Demokratike që meritojnë të përballen me akuza penale? E dyta, kur flisni për dy skuta shtetërore, a dyshoni ju tek Shërbimi Informativ Shtetëror? 

Kryeministri Edi Rama: Jua kam lënë juve të bëni gazetari e të mos tundni dybekun në kazan. Po të bëni gazetari, i jepni përgjigje shumë thjesht këtyre pyetjeve dhe ia kishit dhënë përgjigjet shumë më përpara sesa prokuroria të arrinte në gjysmë konkluzionet që ka arritur deri më tani.

Unë nuk dëshiroj të them më tepër. I di të gjitha, nga fillimi deri në fund, sepse kam angazhuar një grup të posaçëm që është marrë nga fillimi deri në fund për të ditur unë vetë, në radhë të parë, të gjithë të vërtetën dhe pres që e vërteta të dalë e plotë, nuk kam për ta lënë pa e nxjerrë edhe sikur për 1001 arsye të mos arsyes të mbulohet, apo të zbutet. Natyrisht që unë nuk jap vendime, as bëj pretenca, për fat të mirë, jemi në një sistem ku detyrat janë të ndara, pushtetet janë të ndara, por të jeni të bindur që shqiptarët do ta mësojnë nga A-ja tek ZH-ja, jo me institucionet, por me emra e me mbiemra, kush është përfshirë në këtë konspiracion të mirëfilltë për rrëzimin e qeverisë, se i tillë është.

Meqë ju përmendët një grup të ngritur nga ana juaj, cili është roli i ish kreut të kundërzbulimit të FBI, Lou Bladel, i cili është marrë dhe me zbulimin e Snowden, në grupin që ju keni ngritur për çështjen Babale? A ka pasur dhe ai një sugjerim duke nisur dhe tek quarantuno – bis (41-bis), ka pasur një sugjerim nga ana e tyre për këto lëvizje?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment. Ne jemi shumë serioz në gjithë përpjekjen tonë në luftën kundër krimit, në luftën kundër burimeve që financojnë krimin, në luftën kundër shmangies nga detyrimet, të pastrimit të parave dhe të evazionit. Do të shikoni të tjera me siguri, sepse kjo është detyra jonë. E nga ana tjetër, ne nuk jemi në pozitën dhe unë sidomos, që të bëj detyrën tuaj e të bëj analistin, apo të ngutem në reagime. Juve mund ta kishit zbuluar të parët me shumë shpejtësi që kamerat e Fushë-Krujës kanë të vërtetën brenda. U tha në deklaratë, por nuk është detyra ime të bëj punën tuaj e as të krijoj idenë që po ndërhyj në një proces që ka marrë rrugën e vetë.

Kamerat janë në prokurori, ikni gjeni Taulant Ballën, gjeni dhe atë oficerin në ditën ku ai pretendon se i kanë vënë revolen në kokë. Jo revolen, po nuk është as vetë aty. Mirëpo çfarë taksirati kanë familjet shqiptare, çfarë taksirati kanë të rejat e të rinjtë e këtij vendi, çfarë taksirati kanë prindërit në këtë vend, çfarë taksirati kanë gjyshërit dhe gjyshërit që të bombardohen çdo ditë me këtë baltë e mos ta marri vesh i pari të dytin. E në fund të ditës, kë duhet të besojnë? Njëra palë thotë kështu, pala tjetër thotë ashtu. Po ju ku jeni? Ju jeni tavolina që jepni mundësinë për të luajtur ping-pong.

Mirupafshim!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.