Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me gazetarët shqiptarë në Vienë:

 

– Cilat janë sfidat e Kryesisë suaj deri në përfundim të mandatit të Shqipërisë?

Kryeministri Rama: Është e vështire të thuhet se ka një relaksim nga ana e autoriteteve Bjelloruse, por mund të thuhet me plot gojën që sot pati një shkëmbim shumë intensiv, interesant dhe të hapur të opinioneve. Nga ana tjetër, unë përfitoj nga rasti që t’ua përsëris që të gjithë atyre që thonë se “ç’punë kemi ne me këtë punë”, “ç’do t’i që shkon atje”, “shiko Shqipërinë, ca merresh me Bjellorusinë” e të tjera e të tjera, ashtu sikundër dhe atyre të tjerëve që i nxisin këto lloj mënyrash të të qasurit të kësaj çështjeje, që ky është një ndër i madh për Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në aspektin e imazhit të Shqipërisë reale dhe në aspektin e respektit për Shqipërinë nga të gjithë partnerët tanë. E këtu pak rëndësi ka se në këtë rol më qëlloi mua që ta luaj përderisa ishte diplomacia jonë, qeveria jonë që u përpoq për të marrë kryesimin e OSBE-së dhe ne e morëm kryesimin e OSBE-së. Këtu ka rëndësi që Shqipëria drejton OSBE-në dhe që drejtimi i OSBE-së nga Shqipëria po merr nota tejet të larta vlerësimi nga të gjithë partnerët tanë. Kjo duhet të bëjë të kënaqur të gjithë.

Nuk është një proces elektoral që po zhvillohet në Vjenë, nuk është as një proces ku ne po përpiqemi të bëjmë politikë të brendshme. Është një proces ku ne po bëjmë çmos që të nderojmë vendin tonë dhe që pas kësaj, Shqipëria të jetë në një kuotë më të lartë, qoftë në imazhin ndërkombëtar qoftë dhe në respektin e miqve, partnerëve dhe të botës mbarë që përfshin gjithë hartën e komunitetit të OSBE-së.

 

– Kryeministër, do doja të ndalesha në një çështje tjetër, në fakt në atë me Greqinë. Kryeministër, gjatë ditës së sotme është publikuar një hartë se si konfigurohet kufiri detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Keni ndonjë informacion? Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë çështje, e cila vijon të prodhojë debat?

Kryeministri Rama: Çfarë është publikuar?

 

– Është publikuar një hartë nga mediat greke ku konfigurohet kufiri detar mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Kryeministri Rama: Së pari, nuk jam në dijeni për këtë, por edhe një herë, deklarata e Kryeministrit Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territorialë të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë territorialë, nuk ka lidhje me marrëveshjen për të cilën ne po punojmë, por nuk e kemi arritur akoma me palën greke, nuk ka lidhje me asgjë nga ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme, ose nga padituria për të nxitur një shqetësim në mënyrë artificiale. Pse nuk ka lidhje? Sepse shtrirja në 6 milje plus në ujërat territorialë është një e drejtë e çdo vendi. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar. Ne jemi shtrirë ndërkohë në ujërat tanë territorialë me 6 miljet, që në vitin 1990. E kemi ushtruar këtë të drejtë. E kemi depozituar, shteti shqiptar, në mars, në OKB. Greqia nuk e ka kontestuar dhe nuk ka çfarë konteston.

Atyre që pyesin, po mirë, deri sa ata po shtrihen, ku po shtrihen? Ju them edhe një herë, në mënyrë të thjeshtë: midis ujërave territorialë të vendeve ka ujëra të ndërmjetëm, ujëra ndërkombëtarë, pra, njësoj siç ka rrugë midis vendbanimeve dhe midis shteteve për të kaluar, ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike, të përcaktuar nga Konventa, është e drejtë e çdo shteti.

Disa ngrenë çështjen që shiko çfarë bëhet midis Turqisë dhe Greqisë. Nuk ka lidhje me këtë aspekt. Nuk ka lidhje me të drejtën për t’u shtrirë në ujërat territorialë në bazë të Konventës së Detit. Ajo që ndodh mes Turqisë dhe Greqisë është ekzaktësisht një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territorialë të njërit dhe të tjetrit. Një mosmarrëveshje që ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por për të cilën akoma nuk kemi një rezultat përfundimtar dhe për të cilën akoma nuk kemi dakordësimin e të dyja palëve. Kështu që harta që dalin siç dilnin ato hartat që do copëtohej Kosova, siç dilnin harta të tjera që do copëtohej nuk e di se kush vend tjetër, apo siç dalin harta se si do shtrihet Shqipëria përtej vetes dhe si do shtrihet Serbia përtej vetes dhe si do shtrihet dreqi e di përtej vetes, janë spekulime që nuk kanë lidhje me realitetin. E fundit, dua të them që një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. E kam thënë këtë sa herë kam hyrë në debatin për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk bëhet dot fshehurazi! Nuk është një konspiracion që bëhet midis dy palëve dhe nuk e merr vesh njeri. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj. Nuk është diçka që bëhet fshehurazi.

Përsa i përket transparencës, për sa kohë, ne jemi në negociata, negociatat nuk bëhen në popull, por ama një gjë është e sigurtë. Qëndrimi ynë është i qartë dhe puna e bërë me palën greke është një punë me frymë konstruktive. Ndërkohë që deklarata e bërë – ky debat ka shpërthyer dhe një herë tjetër, kur të njëjtën deklaratë bëri ministri i Jashtëm i Greqisë, apo jo? – është pa lidhe me temën, nuk ka lidhje. Çdo palë ka strategjinë e vetë të komunikimit, ka rrugën e vetë për të komunikuar me publikun dhe ajo deklaratë është bërë në kuadrin e një qëndrimi tërësor të mbajtur nga Kryeministri  Greqisë për ujërat territorialë dhe për marrëveshjen me Egjiptin, me Italinë e kështu me radhë. Kështu që besoj se kush do të dëgjojë nuk ka asnjë gjë këtu për të mos kuptuar. Kush do të kuptojë, mjafton me pak durim të ndjekë fillin e arsyetimit dhe edhe një herë të kuptojë, këtë që Greqia do ta bëjë tani, Shqipëria e ka bërë në vitin 1990, shteti i atëhershëm. Shteti, në mars të ’90-s ka depozituar para zgjedhjeve të para pluraliste, pasi ka bërë procesin, ka depozituar në OKB që Shqipëria shtrihet këtu. Mbaroi.

 

– Presidenti ka deklaruar dje që unë jam këtu për të mbrojtur Kushtetutën…

Kryeministri Rama: Këtë e dimë, nuk ka nevojë që të na e përsërisë, apo të ma përsërisni. Sigurisht që këtë e dimë. Ajo që unë di është që në radhë të parë, njëherë Presidenti duhet të informohet mirë dhe në vend që të thotë se për çfarë është aty, se këtë e dimë se për çfarë është, të bëjë atë që duhet të bëjë sepse është aty e të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë që buron nga Konventa e të drejtës së detit në Montego Bay dhe që nuk ka lidhje fare me Shqipërinë. Mos ta ngatërrojë, mos të hedhë fjalën sikur kapeni ju tani dhe hajdeni mbroni me mua Kushtetutën, se këtu, për fat të mirë të Kushtetutës, Presidenti nuk ka lidhje fare, sepse nuk hyn fare e drejta kushtetuese shqiptare në të drejtën e vendit fqinj për të ushtruar atë që jep konventa ndërkombëtare e që nuk prek ujërat territoriale të Shqipërisë. Pra, është si puna e kanioneve të Skraparit, ka shkëmbinj nga një anë, shkëmbinj nga ana tjetër dhe në mes ka një rrjedhë ujore. Konventa u ka dhënë të dy shkëmbinjve mundësinë që të marrin nga ajo rrjedhë ujore brenda anës së tyre, ama, jo të kapërcejnë lumin e të kapin shkëmbin tjetër, të marrin milje në mënyrë të barabartë. Shqipëria i ka marrë, Greqia do i marri dhe kështu që Presidenti të jetë shumë i qetë, sepse nuk është rasti për të bërë rafting me Kushtetutën dhe me një çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë.

 

– Zoti Rama, edhe një pyetje që ka lidhje me sezonin e ri politik..

Kryeministri Rama: Ta lëmë për në Tiranë këtë se jashtë Shqipërisë, unë nuk flas për çështje të brendshme, por, meqë kjo me Greqinë është një çështje marrëdhëniesh ndërkombëtare, meqë njerëz të mirë, shqiptarë të mirë janë shqetësuar pse kanë dëgjuar diçka të hedhur në treg nga ata që nuk kanë hallin e vendit, por kanë hallin e pushtetit të tyre, ishte e udhës ti përgjigjesha.

 

– Për Bjellorusinë, kur do të shkoni në Minsk?

Kryeministri Rama: Nuk e di, kjo është diçka që nuk e di askush. Nga ana bjelloruse nuk ka refuzim. Edhe sot, ambasadori i tyre në marrjen e fjalës nuk ishte aspak refuzues, thjesht tha që në kohën e duhur, ne do të japim përgjigjen tonë. Koha e duhur përcaktohet prej tyre. Kështu funksionon OSBE-ja. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që ne kemi pasur një ndërveprim absolutisht pozitiv edhe me palën amerikane me të cilën kemi qenë dje, kemi diskutuar në darkë. Edhe me palën ruse me të cilën kemi qenë sot dhe kemi diskutuar në një mëngjes pune. Edhe me miqtë e shtrenjtë dhe partnerët e pandarë gjermanë, edhe me të tjerët. Kështu që do shohim si do shkojë procesi. Por edhe një herë e përsëris, ky është një nder i madh për Shqipërinë. Ky është një moment kur Shqipëria udhëheq OSBE-në, jo thjesht formalisht, por me ide dhe me një lidership që vlerësohet nga të gjithë nga pikëpamja e qasjes, e komunikimit. Dua të përfitoj nga rasti të falënderoj me shumë respekt ambasadorin tonë, që pavarësisht se e shikoja dhe sot, nga pikëpamja e moshës rezulton të jetë më i riu në atë sallë, absolutisht gëzon respektin e të gjithëve dhe bën një punë të shkëlqyer. Por dhe gjithë skuadrën tonë mikse, me shqiptarë dhe me të huaj, që ambasadori ka ngritur sëbashku me ne të tjerët dhe që absolutisht po vlerësohet në mënyrë maksimale. Kjo është gjëja e rëndësishme për të gjithë ata që flasin për këtë temë dhe dalin jashtë teme duke u marrë me gishtin, kur gishti tregon hënën. Nuk është çështja këtu se çfarë pune kemi ne me Bjellorusinë, kur ne kemi hallet tona. Nuk kemi ardhur këtu për t’i dhënë mend botës, se kështu na erdhi. Ne jemi këtu sepse bota ka zgjedhur të na japë një detyrë. Në këtë detyrë, ne po shkëlqejmë. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe kjo është për Shqipërinë, nuk është për mua. Faleminderit!

 

– Faleminderit Zoti Kryeministër!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.