Komunikim me mediat i Kryeministrit Edi Rama mbi konkluzionet rreth vizitës në Berlin:
Jam në këtë komunikim këtu, menjëherë pas vizitës në Berlin, e cila këtë herë kishte një rëndësi të posaçme për momentin historik në të cilin ndodhet Shqipëria, por edhe një ngarkesë të pazakonshme për domosdoshmërinë e kryerjes së sa më shumë kontakteve, në mënyrë që mesazhet tona të mbërrinin në sa më shumë drejtime. Për këtë kemi takuar jo vetëm Kancelaren, Presidentin e Bundestag-ut, anëtarët e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, por edhe deputetë të veçantë e grupe deputetësh të fraksioneve të ndryshme të Bundestagut.
Besoj që takimi me Kancelaren, që ka pasuar konferencën e përbashkët për shtyp, përmbajtjen e të cilës ju e dini, ka qenë një moment shumë i rëndësishëm i vizitës, e cila na ka dhënë mundësinë të shkëmbejmë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë të hapur opinionet lidhur me Raportin e Progresit, lidhur me rezultatet e arritura në procesin e përgatitjes për çeljen e negociatave, me përmbushjen e parakushteve, siç i konsideroi Kancelarja ato që janë në fakt pjesë të procesit të integrimit në marrëdhëniet me Komisionin Europian për të ardhur tek rekomandimi pozitiv.
Po ashtu kemi pasur edhe një bisedë goxha të gjerë lidhur me rajonin, me zhvillimet në rajon, situatën në të gjitha vendet e rajonit dhe padyshim me perspektivën e qershorit, duke pasur parasysh se më parë do të kemi një stacion tjetër shumë të rëndësishëm në Sofje, ku do të organizohet Samiti Europian për Ballkanin Perëndimor, në praninë e të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe nën kujdesin e presidencës bullgare.
Besoj që kjo vizitë mund të konsiderohet e suksesshme për përmbushjen e objektivave që kishim dhe jam i bindur që në fund të vizitës ka një kuptim më të plotë dhe më të detajuar nga ana e të gjithë aktorëve lidhur me pozicionin në të cilin gjendet sot, Shqipëria dhe me legjitimitetin e plotë të kërkesës tonë, që Raporti i Komisionit të mbështet nga qeveria dhe nga parlamenti gjerman.
Sigurisht që më e rëndësishme është pjesa e pyetjeve tuaja, të cilave jam i gatshëm t’iu jap të gjitha përgjigjet që kam të mundura.
Zoti Kryeministër, a ua përmendi Kancelarja Merkel, Saimir Tahirin, me emër apo ish funksion?
Kryeministri Rama: Me kancelaren kemi folur në detaje për të gjitha aspektet e Raportit të Progresit, për ecurinë në të 5 prioritetet, në mënyrë të veçantë ecurinë e reformës në drejtësi dhe patjetër për progresin e bërë me vetting-un, që, siç e dini dhe ju, përbën një moment shumë të rëndësishëm dhe ka një vëmendje shumë të veçantë nga të gjithë, por edhe nga vetë kancelaria gjermane.
Zoti Rama ju sapo e cilësuar si një vizitë të suksesshme vizitën në Gjermani, që i ka përmbushur objektivat tuaja, megjithatë përpara se ju të uleshit në Rinas deputeti gjerman, njëherazi kryetar i Komisionit për Çështjet e BE në Bundestag, zoti Kirchbaum tha se në takimin që ju keni bërë në Berlin, ai ju ka shprehur personalisht se rekomandimi i Komisionit Europian ishte i parakohshëm dhe me këto reforma që janë bërë deri tani dhe ky progres është i pamjaftueshëm për të çelur bisedimet në qershor. Ju si i jeni përgjigjur zotit Kirchbaum?
Zonja Merkel gjithashtu foli për një numër parakushtesh në konferencën e djeshme në Berlin. Cilat janë këto parakushte zoti Rama?
Kryeministri Rama: Po e filloj nga pjesa e rëndësishme e pyetjes, që lidhet me zonjën Merkel. Parakushtet për të cilat ajo foli janë pikërisht parakushtet që përbëjnë të gjithë procesin e derikëtushëm për të ardhur tek Raporti i Progresit, nëse e keni dëgjuar me vëmendje fjalën e saj. Pra, nuk foli për parakushte të tjera, por foli për këto parakushte. Sigurisht që në bisedën me të i kemi prekur me radhë të gjitha parakushtet. E kur thashë që vizita për mua ishte e suksesshme në raport me objektivin, nuk kemi pasur objektiv që të marrim “po”-në publike të Kancelares apo të Gjermanisë gjatë kësaj vizite, sepse vetëm ata që nuk e kanë idenë sesi funksion ky proces mund të prisnin këtë gjë. Ndërsa për ne që jemi shumë të qartë sesi zhvillohet procesi ka qenë absolutisht e qartë që në fillim se vizita i shërben shpjegimit të të gjitha aspekteve dhe dhënies së informacioneve të nevojshme për çdo aspekt, në funksion të përgatitjes së opinionit, për të cilin vetë Kancelarja tha se Gjermania si çdo vend tjetër anëtar do të marrë kohën e vet, deri në momentin e duhur, kur duhet të japë edhe qëndrimin e vet zyrtar.
Përsa i përket asaj që më thoni për zotin Kirchbaum, mund t’ju them që ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është një surprizë për mua. Ai kështu e mendon dhe është një nga nuk e di sesa qindra deputetët e Bundstag-ut. Kështu që mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as nuk më gjen të papërgatitur dhe as nuk përbën një arsye për mua që të më ulet kënaqësia e rezultateve të kësaj vizite.
Së pari, nëse më lejoni, që prej 17 prillit kjo është mundësia e parë që ne komunikojmë bashkë, prandaj më lejoni modestisht t’ju shpreh urimet juve dhe të gjithë aktorëve të tjerë për marrjen e negociatave, përfshirë dhe opozitën. Pyetja ime është, duke perifrazuar fjalët tuaja në dy konferencat e fundit me zonjën Mogherini dhe me Tusk: kemi marrë dëftesën më të rëndësishme nga Komisioni më i pamëshirshëm për vlerësimin e çështjeve teknike dhe tani jemi në fushën ku luhet politikë, ku vendet kanë dinamikën e tyre të brendshme dhe jo vetëm. Ju jeni i mandatuari i këtij shteti ex officio për ta fituar këtë lojë politike, nëse mund themi në këtë mënyrë. A e garantoni ju që në fund, këtë lojë politike do ta fitoni dhe negociatat do i marrim në qershor?
Kryeministri Rama: Unë garantoj që ne do të bëjmë gjithçka që na takon. Unë personalisht, nëse flasim për Gjermaninë, jam sot më optimist seç isha përpara se të niseshim. Përsa i përket opozitës, dua të them se konstatova me keqardhje në dëgjesën e Komisionit të Çështjeve Europiane, që çka lidhej me çështje që nuk janë pjesë e Raportit të Progresit ishte thjesht transmetimi gjermanisht i atyre që i dëgjojmë këtu shqip, deri në bezdi. Ky është roli që ka luajtur deri tani opozita shqiptare dhe kështu i ka shfrytëzuar deri tani ato pak lidhje, gjithmonë e më pak, që ka në arenën ndërkombëtare, duke përcjellë, duke eksportuar pa u lodhur baltën e përditshme dhe duke e kthyer atë në një pengesë për të lejuar që Shqipëria të shikohet nga të gjithë për atë që është në këtë moment dhe që Raporti i Progresit të lexohet nga të gjithë, pa vendosur përpara paragjykimet e krijuara nga ato të pavërteta, – për t’i quajtur me një fjalë të edukuar, – që opozita ka propaganduar pa pushim në gjuhë të huaj.
Zoti Kryeministër, për takimin tuaj në Komisionin e Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestag, në Tiranë ka pasur në fakt raportime të ndryshme. A mund të na thoni me objektivitetin që mund të keni se cilat janë rezervat kryesore që kanë aktorë apo faktorë të ndryshëm në Bundestag në raport me Shqipërinë? A keni marrë përsipër të përmbushni detyra të caktuara në qershor, në raport me Gjermaninë?
Kryeministri Rama: Aty nuk është shprehur as edhe një rezervë, sepse formati i takimit ka qenë i tillë, që më ka dhënë mua mundësinë të bëj një paraqitje të përgjithshme dhe pastaj u ka dhënë të gjithë përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare mundësinë të pyesin për aspekte apo detaje të lidhura me aktualitetin e Shqipërisë dhe unë kam dhënë përgjigjet e mia. Të them të drejtën, nga asnjë prej atyre që kam folur nuk kam dëgjuar konsiderata përfundimtare, apo qëndrime përfundimtare. Mund t’ju them që atmosfera ka qenë mjaft pozitive. Dëshira për të dëgjuar drejtpërdrejtë prej meje më shumë ka qenë e dukshme dhe të gjitha grupet pa përjashtim e kanë respektuar praninë time, gjë për të cilën, unë u kam shprehur dhe falënderimet e mia në fund, duke kapërcyer edhe orarin e përcaktuar. Pas meje ishte takimi i Komisionit me ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe faktikisht, me shumë dashamirësi, edhe ajo vetë është ulur dhe ka asistuar në një pjesë të fundit të pyetje-përgjigjeve, duke më dhënë mundësinë që të zhvillojmë një bashkëbisedim shterues. Kështu që atmosfera në Berlin është pozitive. Sigurisht që kohën e kemi të gjithën përpara, për të vazhduar këtë proces komunikimi dhe sigurisht që, siç e kam thënë, vendimmarrja për Shqipërinë, përjashto ndonjë individ tek-tuk, që ka arsyet e tij të kuptueshme, ose të pakuptueshme, do të jetë e lidhur ngushtë, jo thjesht me çfarë ka bërë Shqipëria, por edhe me dinamikën e brendshme në parlamentin gjerman, që në këndvështrimin tim, sot që flasim, është një dinamikë që nuk më duket se do të jetë pengesë.
Ndërkohë, a keni filluar të mendoni për grupin negociator, pra, do shkoni në qershor në Këshillin Europian me grupin negociator gati, apo ky është një moment që ndodh më pas?
Kryeministri Rama: Në këshillin Europian nuk shkojmë ne. Në Këshillin Europian shkojnë vendet anëtare, të cilat marrin vendimin. Në momentin që vendet anëtare marrin vendimin, nëse vendimi është pozitiv dhe nëse Shqipëria ka dritën jeshile për të filluar përgatitjet për çeljen e negociatave, ne do të fillojmë edhe ngritjen e grupit negociator, për të cilin jemi gati sigurisht.
A ishin çështjet ekonomike temë e diskutimit në Berlin dhe a u kërkua ndonjë reformë konkrete në këtë drejtim? Së dyti, i referohem një lajmi të publikuar në Agjencinë e Lajmeve Reuters për një kartë ndoshta të luajtur prej jush në drejtim të radikalizmit mysliman dhe të rritjes së ndikimit rus në Ballkan, në qoftë se BE i kthen kurrizin Shqipërisë.
Kryeministri Rama: Unë nuk kam luajtur asnjë kartë, unë thjesht kam bërë një analizë që besoj nuk duhet asnjë shkencë e madhe për ta bërë dhe ma ha mendja që çdo buf që merret me gjeopolitikën nuk e ka aspak të vështirë që ta bëjë.
Përsa i përket pyetjes së parë, në parlament jo, por me Kancelaren kemi pasur një seksion të veçantë të bisedës lidhur me zhvillimin ekonomik në Shqipëri dhe sigurisht lidhur me mundësitë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin bilateral edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare.
Pas Gjermanisë është edhe Franca një vend skeptik. A ka ndonjë vizitë të programuar dhe takim me Presidentin Makron?
Kryeministri Rama: Më lejoni ta ritheksoj edhe njëherë. Gjermania nuk ka qene kurrë dhe nuk është kurrë një vend skeptik. Franca nuk është një vend skeptik. Gjermania dhe Franca janë dy shtyllat e mëdha dhe të forta mbajtëse të projektit të Bashkimit Europian dhe përçuesit e frymës së etërve themelues të BE-së. Në Gjermani dhe ne Francë ka forca, që janë edhe në parlamentet e këtyre vendeve, që janë antieuropiane. Ka individë edhe brenda shumicave qeverisëse, që janë skeptikë, por kjo nuk e bën as Gjermaninë, as Francën, pjesë të një familje vendesh skeptike. Sigurisht që në këtë fazë, qoftë Gjermania, qoftë Franca, qoftë vende të tjera që mbajnë një peshë në këtë proces janë në një situatë ku duhet të përballen me këto forca, duhet të përballen me një frymë jo pozitive ndaj zgjerimit, një frymë jo optimiste për Europën dhe kjo e bën vendimmarrjen edhe në qershor, një vendimmarrje me një peshë më të madhe, sesa ka në fakt si peshë, hapja e negociatave të Shqipërisë, apo të Maqedonisë, në kontekstin e Europës së bashkuar.
Janë dy ngjarje shumë të mëdha për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Janë dy momente historike për këto vende. Është një hap i jashtëzakonshëm për vendin tonë, por në kontekstin e Europës së bashkuar janë dy ngjarje shumë minore. Kështu që fakti që në këtë proces, ne kemi këto vështirësi nuk lidhet me peshën që kanë këto ngjarje në fatet e sotme të Europës, por lidhet me faktin që brenda këtyre vendeve ka rryma dhe ka rezistenca, të cilët, forcat politike në pushtet dhe liderët duhet t’i konsiderojnë dhe menaxhojnë.
A do të ketë udhëtime të tjera për të diskutuar me vende të caktuara, ndoshta edhe para takimit të Sofies?
Kryeministri Rama: Diskutimet tona nuk bëhen vetëm në udhëtime, bëhen edhe në komunikime të drejtpërdrejta telefonike. Ato ndodhin përditë. Ne do ta bëjmë këtë proces deri në fund, me të gjithë intensitetin e nevojshëm. Për këtë edhe ne Berlin, axhenda ka qënë shumë më e zgjeruar se çdo të ishte zakonisht dhe në fund të ditës është një proces që për mua personalisht dhe për ne është tejet motivues dhe në një farë mënyrë edhe tërheqës, sepse ne e kemi dëftesën në dorë. Tani çështja është që të fitojmë të gjithë kohën që mund të fitojmë dhe të mos kemi asnjë boshllëk kohor, se që ne do t’i hapim negociatat, kjo është diçka që tanimë nuk ka diskutim. Problemi është që të mos kemi zvarritje në kohë dhe shtyrje, që në njëfarë mënyre na bëjnë të humbasim atë moment energjie dhe fuqie që ka dhënë ky rekomandim dhe faktikisht na bën të humbasim një kohë që mund ta shfrytëzojmë shumë më mirë duke qenë në proces.
Zoti Rama, a është e vërtetë që kryeministri belg në këmbim të mbështetjes së Belgjikës ju ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë përsa i përket synimit të Belgjikës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Ka pasur disa raportime mediatike lidhur me këtë, ndaj ju pyes.
Kryeministri Rama: Këto janë vendime që janë shumë në disproporcion nga pikëpamja e peshës dhe ju siguroj që Europa nuk funksionon kështu. Përsa i përket votës, çështja e votës për Belgjikën është një çështje e mbyllur mes nesh dhe miqve belgë, qysh në sesion e shkuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Kështu që në atë kohë as ishte në teme rekomandimi i Komisionit dhe nuk ishte në kalendar 17 prilli i para pak ditëve.
Një pyetje sa i përket faktit që vizita juaj në Berlin bëri shumë jehonë dhe ne mediat atje. Tagesspiegel ka shkruar në fakt duke iu referuar një episodi në takimin që ju keni pasur me deputetet e Bundestag-ut. Në fakt, Zoti Rama jeni distancuar ju nga mediat shqiptare, të cilat ofenduan deputetin gjerman Kirschbaum dhe a ja shpjeguat ju atij se si ka qenë situata?
Kryeministri Rama: Tani sa i përket Tagesspiegel,, unë nuk e di se kush është. Unë kam bërë shumë kontakte me mediat në Berlin. Kam dhënë më shumë intervista se në ndonjëherë tjetër për shkak të rëndësisë që ka ky moment për ne, por për shkak të interesimit të madh që ka pasur. Lidhur me çka më pyesni, unë kam sqaruar që në fillim se e gjithë historia e treguar në Tiranë e përkthyer në gjermanisht, e çuar në Berlin dhe e ritreguar në gjermanisht është një histori e kazanit të thashethemeve të Tiranës. Këtë kam thënë unë atje dhe sigurisht kam shpjeguar edhe sesi funksionon kazani në Tiranë. Këto po, i kam thënë të gjitha. Edhe fjalën “kazan” e kam thënë në turqisht dhe jam munduar ta përkthej edhe në anglisht, në gjermanisht nuk e di.
Unë në fakt sa desha tu pyesja si thuhet “kazan” në gjermanisht , zoti Rama, sepse referuar edhe pyetjes sime të parë, edhe Deutche Velle ka raportuar se gjatë vizitës suaj në Gjermani ju është kërkuar gjatë takimeve që ish ministri i Brendshëm Tahiri t’i dorëzohej drejtësisë. Ndaj më lejoni të insistoj edhe njëherë tjetër. A është kërkuar gjatë takimeve tuja një gjë e tillë?
Kryeministri Rama: Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve Europiane lidhur me këtë çështje dhe lidhur me pozicionin tonë në këtë proces. Pyetje që sigurisht ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit të vet edhe me baltën e eksportuar atje dhe me tregimin e deformuar të kësaj historie. Por ne kemi qenë në Gjermani, nuk kemi qenë në Venezuelë, ku të na kërkohet që të kapim dikë dhe ta çojmë përpara drejtësisë, sepse kjo është një çështje e drejtësisë dhe këtë në Gjermani e dinë që kur marrin qumështin e nënës.
Shumë faleminderit!