Komunikim për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Sot jemi në aktivitetin e përmuajshëm të qeverisë në qark dhe për këtë muaj jemi këtu në Gjirokastër, ku kemi kryer mbledhjen dhe do të vazhdojmë me të gjithë aktivitetet e tjera të të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave në të gjithë territorin.

Kemi kaluar edhe një dokument, Orientimi i zhvillimit përmes projekteve të integruara publike për vitin 2018 dhe 2021. Dua të përmbledh shumë shkurtimisht, duke nisur që nga projektet e programit të Rilindjes Urbane, të cilat kanë vijuar.

Para mbledhjes, unë isha në Libohovë dhe pashë nga afër transformimin e të gjithë qendrës së qytetit, që nga një zonë ku në çdo pore të teksturës urbane ndjehej braktisja dhe pluhuri i harresës, në një zonë ku jam i bindur që falë edhe potencialeve të mëdha turistike, kjo ndërhyrje dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera që kemi bërë, do të sjellin shumë më tepër turistë këtë vit dhe në vijim.

 Ju jeni dëshmitarë të faktit se ka një rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve në Gjirokastër, po ashtu. Ka përfunduar faza e parë e Programit të Rilindjes Urbane dhe posaçërisht projekti i të gjithë zemrës së qytetit në 10 blloqet e para të Qafës së Pazarit, ku janë zëvendësuar plotësisht çatitë e vjetra dhe të dëmtuara, janë zëvendësuar dritaret, vetratat, janë bërë ndërhyrjet thella restauruese në shtëpi që ishin rrezik shembjeje dhe përgatitemi për të filluar fazën e dytë. Faza e dytë është gati, por është rënë dakord që për të mos penguar lëvizshmërinë e sezonit turistik, punimet do të fillojnë në muajin shtator dhe implikojnë të gjithë ndërhyrjen, sëbashku me të gjithë infrastrukturën nëntokësore të rrugëve, plus ndriçimi e kështu me radhë.

 Fillon së shpejti ndërtimi i By-pass-it të Tepelenës, një pjesë e rëndësishme e segmentit kombëtar. Po ashtu fillon së shpejti, edhe ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, një investim i rëndësishëm strategjik, që më në fund bëhet realitet duke nisur nga ky vit.

 Janë një sërë projektesh të tjera që lidhen me të gjitha bashkitë e qarkut. Kam parasysh edhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në ujësjellës nga Dropulli, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Tepelenë, Libohovë, si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore, të cilat do të transformohen rrënjësisht në qendra shëndetësore moderne, si dhe me 52 shkollat që nisin rindërtimin në muajt e ardhshëm, ku edhe Gjirokastra ka pjesë. Dua të përmend ndër të tjera edhe rindërtimin e shkollës profesionale, duke vazhduar dhe me shkollat e mesme në Përmet, në Këlcyrë, si dhe me shkollat e tjera 9-vjeçare në të gjithë Qarkun.

Gjirokastra si qark është edhe pjesë e Programit të 100 fshatrave, me 13 fshatra specifikë, të përzgjedhur për të nxitur më tutje zhvillimin e turizmit, të agroturizmit dhe të agropërpunimit, ku ka një traditë të rëndësishme në të gjithë zonën.

Besoj se jeni të interesuar edhe për atë pikën kritike këtu në qytet, ku prej vitesh ka pasur përsëritje të një situate të vështirë, që arriti edhe në një kulminacion dramatik, në një rrëshqitje të konsiderueshme të dheut. Për fat të keq nuk ka pasur shumë gatishmëri nga ana e Bashkisë, por është kapërcyer me kryerjen e studimit të plotë dhe të projektit nga qeveria dhe pavarësisht kostos relativisht të lartë të projektit, ne jemi angazhuar që ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë problem në atë pikë të qytetit, që është edhe një shqetësim real për shumë banorë në atë zonë.

Vitet e fundit, Gjirokastra po renditet gjithnjë e më shumë në krye të klasifikimit si Qarku më i plakur, madje 2017-ta e ka renditur edhe si Qarkun me numrin më të lartë të vdekjeve dhe numrin më të ulët të lindjeve, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po braktiset nga qytetarët e saj, ndërsa fshatrat janë pothuajse të boshatisura, nga një numër i ulët të moshuarish. Ndërkohë që të shkolluarit duket se shkojnë në Tiranë dhe nuk pranojnë që të kthehen në Gjirokastër për shkak të mundësive të pakta që ofron Gjirokastra sidomos në punësim, që për hir të të vërtetës janë minimale. A ka një strategji për ndryshimin e kësaj panorame pesimiste dhe nëse ju do të thoni që ka një strategji të tillë dhe ajo ka nisur të zbatohet, atëherë cilat janë rezultatet e saj? A ka një projekt për thithjen e investimeve në Gjirokastër?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, njëherë, unë besoj që shifrat flasin vetë. Në Gjirokastër, në këto 3-4 vite është investuar më shumë se në 20 e ca vite të marra sëbashku. Ju solla vetëm një fakt, që deri përpara 3-4 vitesh në Gjirokastër numëroheshin 2-3 hotele dhe bujtina, sot, numri i tyre ka shkuar në mbi 15 dhe janë të tjera që janë në prag të hapjes. Që do të thotë se ka një kthesë të rëndësishme përsa i përket ekonomisë familjare dhe mundësive për ekonominë familjare. Përsa i përket lëvizjeve demografike, këto janë lëvizje që janë jashtë kornizës së veprimtarisë së përditshme të qeverisë dhe të çdo qeverie. Gjirokastra është një zonë kufitare, ka jetuar me emigracion, do të vazhdojë të jetojë si një zonë kufitare me lëvizje që janë dalëse dhe hyrëse. Ajo që është e rëndësishme është që ne t’i japim mundësi zonës që të ngrihet mbi potencialet e veta, pra, mundësi zhvillimi të potencialeve. Besoj se, nëse kthejmë kokën pas, mjafton të hapësh sytë dhe të shikosh dhe shikon qartësisht dallimin mes Gjirokastrës sot dhe dje, mes Tepelenës sot dhe dje, mes Libohovës sot dhe dje, mes Përmetit sot dhe dje, mes Këlcyrës sot dhe dje dhe mes Dropullit sot dhe dje. Patjetër që ka endë shumë për të bërë.

Përsa i përket punësimit, unë mund t’ju them se nga shifrat e fundit, vetëm në dy muajt e fundit janë në Gjirokastër mbi 320 të punësuar. Gjysma janë individë familjesh të dalë nga ndihma ekonomike, por ajo që shohim jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë, është shkalla e lartë e refuzimit të punës në privat, pasi tendenca kryesisht është për të marrë një punë shteti dhe ndërkohë është e qartë që ata që refuzojnë kanë të ardhura të tjera që vijnë nga emigracion, apo nga ndihmat e familjarëve e kështu me radhë.

Natyrisht, unë nuk e shikoj rozë, por e shikoj padyshim peizazhin, si një peizazh që merr përditë, pak nga pak, ngjyra dhe patjetër ka nevojë për ngjyra shumë më të forta dhe shumë më të larmishme. Por që të diskutojmë sot, plagët e vjetra të Gjirokastrës, a thua se i zbuluam sot dhe të vëmë në diskutim se puna po bëhet për kurimin e këtyre plagëve është në drejtimin e duhur, më duket diskutim i pakuptimtë. Siç e thashë, fillon faza e dytë e projektit të transformimit të të gjithë hapësirës ku ka potencial të madh turizmit dhe nëse doni të shikoni një element shumë të thjeshtë të ndryshimit, pyesni për çmimet e shtëpive, çmimet e metrit katror në Gjirokastër. Në një vend që është në rënie, çmimet bien, nuk rriten. Rritja e çmimeve vjen si rezultat i rritjes së vlerës së pasurisë së patundshme, që ka të bëjë me të gjitha këto ndërhyrje dhe me faktin që, pak nga pak, njerëzit po shohin se ka realisht mundësi. Natyrisht duhet të rrisim më shumë fluksin e turistëve. Gjirokastra, si shumë vende që janë me natyrën e saj, turizmin ka parësor. Ka qenë tërësisht e braktisur, ka pasur një turizëm shumë më minimal. Do të ketë një turizëm shumë më intensiv dhe duhet të përgatitemi për të kthyer këtë potencial në ekonominë familjare si një vlerë të shtuar. Ndërkohë që e njëjta gjë mund të thuhet për agroturizmin. Në zonën e Gjirokastrës qark ka bukuri të paimagjinueshme dhe nxitja e agroturizmit, duke u bazuar edhe tek shembujt ekzistues që tregojnë se kush ka imagjinatë dhe kurajë që të ndjekë imagjinatën dhe vullnet  për punë për të nxjerrë të ardhura nga bukuria e vendit dhe pika ku ndodhet, – ia del. Por sigurisht për këto gjëra duhet iniciative. Ne jemi këtu për të mbështetur iniciativën.

-Pyetja e parë i referohet edhe fjalës që ju mbajtët pak më parë, duke folur edhe për projektet, por dhe për problematikat. Si një gazetare terreni në Gjirokastër kemi parë dhe prekur nga afër sezonin e dimrit që lamë pas. Ka qenë mjaft i vështirë për Gjirokastrën. Ju folët dhe për pjesën e bashkisë dhe për situatën që është krijuar për të gjithë banorët nga rrëshqitja dhe erozioni i tokës, por në fakt ne të paktën na ndajnë edhe 4 muaj nga koha e shirave në Gjirokastër. Çfarë po ndodh në të vërtetë dhe a ka ndonjë plan për të filluar sepse nëse do të vijë ky sezon, banorët do të duhet të përballen sërish me një situatë të tillë.

Pyetja e dytë ka të bëjë me pjesën e kulturës. Ajo që shikojmë ne nga Gjirokastra sepse vijmë shpesh në Tiranë, qoftë si gazetarë apo qoftë për problemet tona, është fakti që Gjirokastra është vërtetë djepi i kulturës dhe është vërtet një qytet që po prekim ndryshime, por ajo që mungon në Gjirokastër lidhet me të rinjtë.  Të rinjtë në Gjirokastër dhe adoleshentët nuk e njohin as kinemanë, as filmin dhe nuk e njohin pjesën e kulturës, as aktivitetet kulturore. Unë kam një djalë adoleshent 16 vjeç dhe i vetmi argëtim për të është telefoni. A ka një projekt të veçantë që edhe këto qytete të vogla dhe aq më tepër një qytet si Gjirokastra, qoftë dhe qytetet e tjera që kemi përreth të jenë të aktivizuar këta të rinjtë dhe të ketë një projekt të veçantë për më tepër sepse nëse i drejtohemi bashkisë përballemi me faktin që nuk ka fonde për të bërë një gjë të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket pyetjes së parë, unë ju thashë që ne kemi bërë studimin, kemi bërë dhe projektin dhe do ta financojmë në mënyrë që ajo situatë të zgjidhet një herë e mirë. Besoj që projekti e zgjidh dhe besoj që koha që kemi në dispozicion na lejon që të ecim përpara me financimin dhe me zgjidhjen dhe njëherë e mirë ata banorë që janë në atë pikë aty që është një pikë e kthyer në një plagë në Gjirokastër, si rezultat i papërgjegjshmërisë së administratave të mëparshme, nuk do të jetojnë më me atë ankth.

Për sa i përket pyetjes tjetër, kjo nuk është çështje kinemash. Sigurisht që praktikisht dhe teorikisht do ishte mirë që  të kishim kinema në të gjithë territorin, por kini parasysh që shteti nuk ndërton kinema. Kinematë i ndërton sipërmarrja dhe sot ka një rënie të biznesit të kinemasë dhe në vende shumë më të zhvilluara se sa vendi ynë kur flasim për zona dhe pika periferike e jo më pastaj këtu. Kështu që nuk është diçka që ka lidhje me shtetin po themi, që shteti  të ndërtojë kinema. Shteti nuk ndërton kinema. Mund të mbështesim në fillim siç u mbështet dikur në fillim një kinema e parë pas shumë e shumë vitesh pa asnjë kinema në të gjithë republikën e Shqipërisë, por nuk është ky thelbi. E këtu, unë nuk dua të jem në polemikë me askënd, por është një çështje e pushtetit vendor sepse nuk i bën qeveria këto gjëra se nuk është qeveria edhe qeveri, edhe bashki, edhe komunë, edhe njësi fshati dhe nuk është çështje fondesh, por është dhe çështje projektesh. Është çështje projektesh, çështje idesh dhe mund t’ju them që në realitete të tjera, po në Shqipëri, ka zhvillime shumë pozitive në këtë drejtim me shumë pak fonde dhe nganjëherë edhe me mbështetje nga qeveria. Ne jemi të gatshëm të mbështesim, por ne nuk mund të bëjmë projektet për bashkitë.

Ashtu sikundër, edhe njëherë e përsëris, kjo është një zonë ku është e qartë perspektiva. Këtu, potenciali turistik është shumë i madh. Mundësia për të pasur një ekonomi familjare të qëndrueshme dhe që rritet është reale për të gjithë. Çfarë mund të bëjmë ne është që të ripërtërijmë sa më shumë infrastrukturën, të ripërtërijmë sa më shumë të gjithë ato pjesë të përmbajtjes fizike të qytetit e të zonës që lidhen me trashëgiminë kulturore, të nxisim bizneset që lidhen me turizmin dhe me agroturizmin. Ne kemi bërë një paketë të posaçme për agroturizmin që krijon lehtësira shumë të mëdha për ata që shtëpinë e tyre mund ta kthejnë në një agroturizëm, por duhet inicativë dhe duhet vullnet për punë dhe në këtë pikë, shembujt i kemi këtu, nuk është se i kemi parë në ëndërr apo se i kemi parë jashtë shtetit.

Shembujt i kemi parë këtu, kemi parë shembuj shumë pozitivë në Gjirokastër. Kemi parë shembuj shumë pozitiv në Përmet, në Tepelenë, kudo, edhe në pika më të thella. Kështu që duhet ndjekur ky shembull.

Për sa i përket pastaj punësimit, po ju them që në Gjirokastër ka vende pune. Kjo është e vërteta. Ka vende pune dhe zyra e punës në Gjirokastër ka punuar jashtëzakonisht mirë me shumë motivim në bazë të planit të ri që ne kemi  për të futur në punë, në vendet e punës që janë në dispozicion dhe që planifikohen deri në fund të vitit, 25 000 njerëz.

Problemi është që shumë shpesh ndeshet në refuzim. Unë e kuptoj që për njerëz që janë të papunë dhe që duan rroga të larta, rrogat mund të mos jenë të mjaftueshme, por nuk kuptoj se si është më mirë pa punë, sesa me një punë me një rrogë që është 5-6-7-8-fish i ndihmës ekonomike. Por sidoqoftë, 102 individë të dalë nga ndihma ekonomike, sot në Gjirokastër janë në punë.

-Përpos investimeve dhe projekteve që ju i përmendët dhe të tjerave që do të vijnë në Gjirokastër dhe në gjithë qarkun, në fakt gjirokastritët shpresonin për ndërtimin ose vënien në funksion të paktën të aeroportit të Gjirokastrës. Pse u aneksua Gjirokastra dhe iu dha mundësia qytetit të Vlorës?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë kjo nuk është çështje zgjedhjeje diskriminuese apo favorizuese. Kjo është çështje llogarish dhe investimi në aeroportin e Vlorës ka tjetër ekonomi shkalle dhe investimi i mundshëm në raport me aeroportin e Gjirokastrës ka tjetër ekonomi shkalle. Kështu që është çështje e interesit dhe e potencialit. Ne nuk kemi hequr dorë, por ajo që mund t’ju them është që jemi në diskutime, ka disa opsione, natyrisht nuk do bëjmë dy aeroporte, një në Gjirokastër e një në Sarandë se kjo nuk ka asnjë kuptim dhe jemi duke eksploruar disa opsione dhe me siguri do t’i vijë radha edhe aeroportit të zonës. A do jetë në Gjirokastër a do jetë në Sarande, kjo është  një çështje që përsëri do ta vendosin shifrat, do ta vendosin llogaritë, por është e sigurt që ne do fillojmë të ndërtojmë aeroportin e Vlorës. Është e sigurt që ne do të fusim në operacion aeroportin e Kukësit, kështu që nga një aeroport në tre aeroporte, është një hap. Patjetër që nëse do të vlerësohet që do të ketë një opsion realist për Gjirokastrën, për zonën, do ta bëjmë, por kjo varet nga interesimi i sipërmarrjes që ka fuqi të financojë operacione të tilla. Nuk janë operacione që i financon qeveria.

-Një ndër investimet më të rëndësishme që janë bërë në Gjirokastër është dhe parku i Viroit që në fakt është e vetmja hapësirë e lirë ku qytetarët e Gjirokastrës mund të kalojnë kohën e lirë, por problemi më i madh që ka ky park është liqeni i Viroit, i cili së fundmi po kënetëzohet. Ne kemi zili eksperiencën e liqenit të Tiranës që e ka kthyer në një liqen brenda të gjitha parametrave siç ka qenë dikur edhe liqeni i Viroit. A ka ndonjë mundësi që të bëhet një praktikë e tillë edhe në Gjirokastër?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, gjithmonë thonë që mollët e komshiut duken më të kuqe. Mos jini kaq e sigurtë që janë më të kuqe. E së dyti, e përsëris, nëse do të shikojmë se sa shumë gjëra ka akoma për të bërë, sigurisht që na duhet të jemi modestë dhe të bëjmë zgjedhjet e duhura të radhës së gjërave. Nuk mund t’i bëjmë dot të gjitha përnjëherë se nuk kemi se si, por nëse shikojmë se nga jemi nisur, besoj se ka vend për optimizëm dhe besim sepse unë Gjirokastrën e njoh shume mirë, kam ardhur këtu për shumë shumë herë dhe për shumë vite dhe e gjithë zona, Libohova, ishte një depresion i gjallë. Po të shkoni sot në Libohovë është një situatë krejt tjetër nga pikëpamja e vendosjes së një platforme mikpritjeje për ata që shkojnë. Tepelena, për çfarë mund të ndaloje në Tepelene deri para pak vitesh? Sot ndalojnë njerëz dhe Tepelena ka plot turistë.

Përmeti që është një zonë e mrekullueshme. Sot ka hyrë në një rrugë tjetër dhe ka një frymëmarrje tjetër. Këlcyra po bëhet një transformim shumë i rëndësishëm brenda për brenda qytetit që do të sjellë të tjera gjëra pozitive.

Gjirokastra po e po, e këto janë shembuj që të shoqëruara se çfarë ndodh pastaj me vlerën e pasurisë, tregojnë se këto ndërhyrje nuk janë zbukurime, këto ndërhyrje janë ekonomi. Sigurisht që do ishte mirë të ishin bërë 20 e ca vjet përpara në mënyrë që sot të ishim në kushte të tjera. Nuk u bënë, na është dashur që shumë gjëra t’i fillojmë nga e para. Tani, nuk dua që të them se kush e ka përgjegjësinë se në këndvështrimin tim kjo është e qartë në raport me prapambetjen e trashëguar, por dua të them që hap pas hapi, sigurisht që do bëhen dhe shumë gjëra të tjera.

Faleminderit!