Komunikim për mediat pas mbledhjes së qeverisë në Fier

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Fier:

Mirdita!

Faleminderit që keni ardhur!

Për këtë muaj, mbledhja e qeverisë dhe më pas, qëndrimi i qeverisë në një qark është në Fier. Më vjen shumë mirë që përkon me një moment kaq të rëndësishëm historik, saç është momenti i marrjes së rekomandimit të drejtpërdrejtë për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

E po ashtu më erdhi shumë mirë që në hyrje në Fier, me një diell të bukur mund të shihje të gjithë transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit në këto thuajse 3 vite të fundit, pas ndryshmit që solli vota në Bashkinë e Fierit. Dua ta përgëzoj me gjithë zemër kryetarin e Bashkisë së Fierit për lidershipin dhe për gjallërinë e jashtëzakonshme që ka sjellë në punën e bashkisë, për kantierët e shumtë dhe për cilësinë e admirueshme të punës dhe të përkushtimit të të gjithë ekipit të Bashkisë së Fierit.

Ne e kemi mbështetur fuqimisht bashkinë. Do vazhdojmë ta mbështesim. Sigurisht që tani jemi në fazën kur duhet të realizojmë sëbashku edhe projektin e transformimit rrënjësor të qendrës dhe të zonës së çliruar të lumit që përshkon mes për mes qytetin dhe që deri pak muaj më parë ishte jo vetëm i fshehur pas ngrehinave pa leje, por edhe një burim problemesh shumëvjeçare për qytetin e Fierit.

Sidoqoftë interesimi ynë nuk është thjesht vetëm transformimi urban në bashkinë e vjetër dhe në zonën shumë më të gjerë të bashkisë së re, por edhe një sërë politikash nxitëse, në funksion të zhvillimit rural dhe në mbështetje të fermerëve, të cilët në këtë zonë janë veçanërisht të përkushtuar dhe veçanërisht të interesuar që të zhvillojnë ekonominë e tyre përmes punës së palodhur me tokën.

Sot, ne kemi miratuar një dokument orientimi të zhvillimit përmes projekteve të integruara publike dhe një paketë ndërhyrjesh prioritare në këtë qark për vitin 2018 deri në 2021. Një pikë të veçantë në këtë dokument zë mbështetja e sektorit të turizmit, me Apoloninë dhe Ardenicën si dy qendra të rëndësishme dhe me një potencial të madh për të nxitur zhvillimin e turizmit, por dhe përmes disa projektesh, si rrugët bregdetare, apo ndërtimin e infrastrukturës së mikpritjes, pra, të hotelerisë në zonën e plazhit.

Energjia gjithashtu zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e qarkut. Qarku gjendet në hartën e zhvillimeve të rëndësishme strategjike përmes projekteve të gazsjellësit, si dhe ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Fier-Elbasan dhe pastaj në Maqedoni.

Përfundimi i By-Pass-it të Fierit, një plagë e hapur prej disa vitesh, por edhe angazhimi i marrë prej nesh pas zgjidhjes së një kontrate katastrofike dhe zhvillimit të procedurës me një vlerë të konsiderueshme edhe financiare, si dhe rindërtimi i rrugës Fier-Seman janë dy projekte që do fillojnë së shpejti, vërtetë së shpejti, më në fund.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është projekti i ndërtimit dhe administrimit të inceneratorit në rajonin e Fierit, që i jep zgjidhje përfundimtare problemit të grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane dhe njëkohësisht çel edhe rrugën për prodhimin e energjisë së gjelbër për zonën.

Projekti për rehabilitimin e zonës së ish Azotikut në Fier, me synim uljen e nivelit të ndotjes që shkaktohet aty prej kaq shumë vitesh nga mbetjet industriale.

Janë të gjitha investime që faktikisht i shtohen investimeve të kryera në këtë Qark gjatë mandatit të shkuar, ku me financimin e buxhetit të shtetit janë zbatuar plot 406 projekte. Nga këto janë 48 projekte që i përkasin infrastrukturës, 34 arsimit, 57 bujqësisë, 22 ujësjellës-kanalizimeve, 8 kulturës dhe me radhë.

Dy vendime të rëndësishme që prekin drejtpërdrejtë edhe Qarkun janë miratuar sot dhe kanë përfitues direkt dy bashkitë më të mëdha të Qarkut, Bashkinë e Fierit dhe Bashkinë e Lushnjës.

Po ashtu kemi miratuar edhe një listë përfundimtare të pronave të paluajtshme që transferohen në përdorim të Njësisë Administrative të Mbrostarit. Pronat që kalojnë në pronësi të bashkisë përdoren për ushtrimin e funksioneve bashkiake në të gjitha fushat, që nga arsimi e sporti, tek shëndeti publik, strehimi, mbrojtja civile, shërbimi funeral e kështu me radhë.

Gjithashtu është miratuar një shpronësim i rëndësishëm për interes publik për sistemimin e një blloku të tërë banimi në Bashkinë e Lushnjës.

Ndërkohë që për Divjakën është hapur drita jeshile për një investim strategjik në bujqësi, për ngritjen e 800 ha të tjera plantacione që do të kultivojnë shegë, avokado dhe disa fruta të tjera shumë të volitshme në fushën e eksporteve në zonën e Karavastasë, aty ku janë prej shumë e shumë vitesh të ashtuquajturat toka të kripura dhe të papërdorura.

Dy vendime të rëndësishme me impakt kombëtar janë marrë sot;

Së pari, vendimi për listën e re të barnave të rimbursueshme, e cila është zgjeruar për të mbuluar më shumë nevoja të qytetarëve. Përveç 36 barnave të reja që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë për medikamente, do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, një medikament jetik në trajtimin e kancerit të gjirit, një trajtim shumë i shtrenjtë, që për shumë vite, pikërisht sepse është shumë i shtrenjtë, ishte dhe shumë problematik dhe zhvillohej në mënyrë të ndërprerë. Tanimë do të përfitohet tërësisht falas dhe do të mbulohet plotësisht nevoja për herceptinë në të gjitha spitalet publike të republikës. Kështu që bëhet më në fund realitet një zotim me peshë jo të vogël financiare dhe nuk do të ketë më asnjë mungesë në trajtimin me herceptinë të të gjitha grave dhe vajzave që fatkeqësisht duhet të kalojnë në kalvarin e përballjes me tumorin e gjirit.

Po ashtu kemi marrë një vendim tjetër të rëndësishëm për biznesin, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, një vendim që ka si qëllim nxitjen e investimeve në sektorin e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme, kryesisht të energjisë diellore. Një vendim që incentivon prodhuesit bujqësorë që zhvillojnë veprimtari ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar.

Këtu dua të shpjegoj se deri më sot, për të gjithë prodhuesit bujqësorë ka qenë një problem kapërcimi i masës 5 milionë të reja të xhiros për shkak të përfshirjes në TVSH. Ndërkohë që ajo që ne bëjmë me këtë vendim është t’iu themi të gjithë prodhuesve, bashkohuni për të mos paguar TVSH mbi xhiro, që do të thotë se pavarësisht se një sipërmarrje bujqësore, një shoqëri, një bashkim fermerësh mund të ketë një xhiro shumë më të lartë sesa 5 milionë, nuk do të jetë subjekt i TVSH-së. Pra, ka një interes shumë të madh që të realizohet bashkimi. Është një nxitje e mëtejshme për të krijuar premisa për bashkime që janë të domosdoshme në ekonominë e sotme bujqësore dhe që janë të domosdoshme edhe për të pasur shumë më tepër impakt në të gjitha aspektet, kur vjen puna tek vlera e prodhimit bujqësor, që janë të domosdoshme edhe kur vjen puna tek fondet e Bashkimit Europian, që ne tanimë i kemi në dispozicion dhe që do të jenë gjithmonë e më shumë fokusi edhe i fondeve të mbështetjes financiare të shtetit për bujqësinë.

Me këtë rast, edhe njëherë dua të përsëris, bashkohuni, bashkohuni, bashkohuni, sepse është në interesin e çdo fermeri të bashkohet dhe është në interesin e ekonomisë bujqësore dhe të ekonomisë kombëtare që të kemi sa më shumë bashkime fermerësh.

Dua të theksoj se po në këtë vendim, për të nxitur sipërmarrjen, ne kemi krijuar edhe Fondin e Mbështetjes së Sipërmarrjeve të Reja, ndryshe të njohura me ermin Start-Up. Një mbështetje e drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për këtë kategori biznesi, që ka si qëllim përmirësimin e klimës dhe të kushteve të operimit të sipërmarrjeve të reja, duke krijuar kështu një tjetër instrument për të gjithë ata që duan, apo mund të shikojnë te sipërmarrja e re rrugën e punësimit të tyre dhe punësimit të të tjerëve. Në këtë drejtim dua të theksoj se përfshihen sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorët e industrisë së lehtë, sektori i turizmit, fusha e kërkimit dhe e zhvillimit, procesi i agropërpunimit dhe fusha e dizenjimit, e modelimit dhe e artizanatit.

Gjithashtu, një vend të veçantë zë dhe Fondi i Inovacionit, një vendim që vjen pas lehtësimit fiskal që i është bërë sektorit në paketën e fundit fiskale, por që synon fuqizimin e mëtejshëm të kompanive vendase nëpërmjet përmirësimit të kushteve për t’u marrë më shumë me teknologji dhe me inovacion.

Kemi marrë një vendim për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, një autoritet që do të ketë mandatin për të kryer inspektime në veprimtaritë minerare, për të bërë të mundur që të gjitha kompanitë të respektojnë standardet e sigurisë dhe për të mbyllur kështu, përfundimisht, kapitullin transformues që kemi çelur prej disa vitesh në funksion të mbrojtjes së minatorëve nga aksidentet e nëntokës.

Kemi miratuar edhe një Plan Veprimi, bazuar në Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, një Strategji e miratuar edhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe me një Task-forcë ndërsektoriale që drejtohet nga ministrja e Drejtësisë.

Së fundi, edhe një akt, besoj që ka rëndësi, që lidhet me përcaktimin e notës mesatare për pranimin e kandidatëve në Programin e Ciklit të Parë dhe të Dytë të studimeve që vlen për të gjithë ata që janë të interesuar në këtë proces.

Jemi gati për të lancuar edhe programin e mbështetjes së agroturizmit me incentiva të rëndësishëm fiskalë, me uljen e TVSH-së në 6% për të gjithë ata që do të ndërmarrin investime në agroturizëm. Është një element i ri i politikës sonë për rritjen dhe zhvillimin e industrisë së turizmit në Shqipëri dhe është një instrument i sprovuar në të gjitha vendet kundër varfërisë, kundër papunësisë dhe për zhvillimin e zonave, ku mjaftojnë disa komponentë të bukurisë natyrore, të kombinuara me traditën dhe me trashëgiminë kulturore që familje që jetojnë në këto zona, përmes investimeve në agroturizëm të mund të krijojnë dhe të zhvillojnë një biznes që sjell të ardhura të rëndësishme. Me këtë lehtësim fiskal besoj që interesimi që kemi parë të ngjallet do të rritet ndjeshëm dhe ne kemi synimin që në këtë mandat të kemi një numër të konsiderueshëm agroturizmesh që do të popullojnë hartën e Republikës së Shqipërisë, që në të gjithë territorin e vet, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim ka potenciale të jashtëzakonshme dhe të pashfrytëzuara për agroturizmin.

Në respekt të të gjithëve që jeni këtu si gazetarë të zonës jam i gatshëm t’iu përgjigjem për aq sa do mundem përgjigjeve tuaja.

-Problemi i një komuniteti të gjerë banorësh fermerë, kanë qenë për disa vjet përmbytjet nga Vjosa. A ka qeveria që ju drejtoni një projekt për ndaljen e pasojave katastrofike të lumit Vjosë në të ardhmen për vetë pasojat që sjell ky lum? Pyetja e dytë, në fushatën e vitit 2013 por dhe të 2015 keni premtuar spitalin e ri për Fierin. Mbetet ende ky premtim?

Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e parë, jo më larg se sa sot, një ekip prej rreth 10 vetash i Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Ujërave të Turqisë është këtu në qarkun e Fierit, për të vijuar një punë të nisur dhe një bashkëpunim në funksion të planit tonë për mbrojtjen nga përmbytjet. Kemi punuar me disa projekte. Projekti i Vjosës është gati si projekt në Ministrinë tonë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po ashtu dhe projekti i Bunës dhe i Drinit e tani po bashkëpunojmë për të ndërtuar një projekt të integruar dhe një plan veprimi për investimet përkatëse që duhen bërë. Pra, përgjigja është, po, jemi në proces dhe sigurisht që janë procese që kërkojnë kohën e tyre sepse bëhet fjalë për projekte e pastaj për gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me sigurimin e financimeve.

Për sa i përket spitalit të Fierit, ai është një prioritet dhe pas një procedure që për fat të keq ka përfunduar jo siç duhet në periudhën e qeverisë së krijuar nga nevoja për të pasur zgjedhjet, ku projekti ngeci dhe pastaj shkoi në drejtim të gabuar, Ministria e Shëndetësisë ka rifilluar nga e para gjithë procesin. Kështu që kemi humbur kohë, por ka qenë një nga kostot e asaj qeverie në raport me punët që duhet të bënin ministritë. Siç për shembull një kosto tjetër e asaj qeverie ka qenë mosmiratimi për herë të parë pas shumë vitesh i listës së barnave për vitin që jemi, sepse ministria e kohës në atë moment duhet të bënte dhe miratimin e listës dhe nuk e bëri.

-Zoti Kryeministër, a ka një plan konkret për lumin Gjanica pasi bashkia ka pasur një projekt në të cilin dikur Gjanica ka qenë një nga problemet kryesore për banorët dhe për biznesin. Pra, deri këtu bashkia ka ecur shumë mirë, por aktualisht sot, lumi Gjanica po ta shohësh, sikur i filloi përsëri nga e para problemet e saj. A ka ndonjë plan konkret?

Kryeministri Edi Rama: Në dijeninë time bashkia ka punuar për projektin. Tani jemi në fazën që duhet të përmbyllim edhe projektin e qendrës, sepse fola në fillim për hyrjen në Fier dhe është vërtetë një spektakël krahasuar me si ishte deri para 2-3 vitesh, mirëpo është një spektakël që përfundon në mënyrën më të keqe të mundshme sepse në momentin kur hyn në qendër, nuk hyn në qendrën e qytetit, por hyn në një parkim të madh. Kështu që parkimin e madh që është në vend të qendrës do ta kthejmë në qendër qyteti dhe ky projekt i integruar pastaj, do të futet në procesin e zbatimit, pra edhe lumi, edhe qendra bashkë.

Zoti Kryeministër, ju e thatë në fjalën tuaj pak më parë se ndërtimi, përfundimi i inceneratorit do t’i jepte zgjidhje përfundimtare përpunimit të mbetjeve urbane në qarkun e Fierit. Në fakt ka pasur protesta të njëpasnjëshme prej një viti nga banorët, të cilët kanë pretenduar edhe se nuk u është marrë mendimi lidhur me nisjen e punës së këtij projekti. E duke qenë se inceneratori ndodhet rreth 900 metra nga qendra e fshatit Vërri dhe rreth 400-500 metra nga shtëpitë më të afërta me të, a do ketë një zgjidhje për këta banorë, të cilët pretendojnë ende se nuk janë dakord me ndërtimin e inceneratorit?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, që ta kemi të qartë, ky është një projekt i bashkisë të cilin qeveria e mbështet. Në informacionin tim, bashkia i ka bërë të gjitha proceset e nevojshme për të shpjeguar projektin. Do të ishte ideale, por gjithmonë është thuajse e pamundur që të gjithë të jenë dakord me të gjitha, kur vjen puna për një projekt.

Megjithatë, unë dua ti siguroj të gjithë që projekti është mëse i domosdoshëm dhe jo vetëm kaq, por investimi do të bëjë të mundur aty, një strukturë të standardeve më të larta ndërkombëtare, që nuk ka asnjë lloj rreziku, asnjë lloj ndikimi negativ dhe mbi të gjitha që po ta krahasosh me çfarë ndodh sot, me mbetjet që janë rrugëve është e kotë që të bëjmë diskutime të tjera. Që do të thotë, mbetjet që janë sot rrugëve, që janë nëpër lumenj, që janë nëpër fusha, që janë nëpër cepa, çdo ditë ndikojnë rëndë në cilësinë e ajrit dhe në shëndetin e njerëzve. Ndërkohë që, kjo strukturë është absolutisht e garantuar dhe struktura të tilla, në vendet e BE, janë struktura që rëndom gjenden shumë pranë zonave të banuara.

-Lidhur me problematiken me të cilën hasen prej rreth gati 1 dekade, naftëtarët e kombinatit të përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, në vjeshtë të 2016 nga qeveria u tha se IRTC, kompania që e mori në administrim në atë periudhë ishte një kompani amerikane, e cila do t’i jepte një zhvillim të ri këtij kombinati. Ndërkohë, pak muaj më parë u has e njëjta vështirësi. Naftëtarët mbetën përsëri pa paga, kemi një kompani tjetër të radhës, Bylis Energy dhe nuk e di nëse qeveria i ka verifikuar kapacitetet e kësaj kompanie të re, e cila mund ta vazhdojë punën e të mund t’i japi njëherë e mirë zgjidhje problematikës me pagat e prapambetura.

Pyetja tjetër ka të bëjë me një vendim të qeverisë lidhur me dëmshpërblimin e rreth 71 banesave që janë vlerësuar nga Enti Kombëtar i Banesave si të pabanueshme në zonën e Zharrëzës. Deri tani, bashkitë kanë shlyer rreth 40% të këtij dëmshpërblimi  që është dhënë nga buxheti i shtetit, por ndërkohe ka qenë e pamundur dhënia e pjesës tjetër. Gjithashtu lidhur me ndotjen si pasojë e naftës në gjithë fushën e Patos-Marinzës, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit janë rreth 1400 pellgje me mbetje të naftës, të cilat vazhdojnë ende të krijojnë ndotje, jo vetëm në mjedis, por edhe sjellin pasoja në shëndetin e njerëzve. A ka një strategji për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtarë kësaj.

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket rafinerisë, dua ta rikujtoj që bëhet fjalë për një sipërmarrje private dhe për një marrëdhënie private, kjo është e rëndësishme të kujtohet sepse gjithmonë ngatërrohemi me faktin se shteti, qeveria, i ka shumë të kufizuara mundësitë për t’i dhënë zgjidhje nga lart situatës. Ju e thatë mirë, ka rreth 10 vjet dhe fillimi i gjithë këtij procesi i mbushur me peripeci ka qenë privatizimi komplet absurd që u bë dhe që hapi këtë plagë.

Është e vërtetë që pati një interesim dhe një përfshirje të një kompanie serioze amerikane në këtë proces, siç është e vërtetë që problemi gjithmonë lidhet, jo vetëm me bankën dhe me situatën financiare të trashëguar të kompanisë, por edhe me furnizimin. Pra, ecuria e projektit të çdo investitori në rafineri, lidhet me garancinë e furnizimit që vjen nga kompania Bankers. Kështu që në këtë aspekt, ne përsëri kemi bërë përpjekjet tona për të ndihmuar drejtpërdrejtë edhe nëpërmjet Albpetrolit furnizimin, por është një marrëdhënie midis dy kompanive private, nuk është një marrëdhënie ku shteti ka mundësinë të thotë, bëje kështu sepse në fund të ditës është çështje çmimesh dhe interesash private.

Sidoqoftë, çka unë kam marrë si informacion së fundmi është inkurajuese dhe shpresojmë që të përfundojë me sukses. Ajo që ne kemi parë me vëmendje është që sidoqë të jetë puna, punonjësit që janë të përfshirë në një sindikatë aty në atë kompani, të trajtohen ashtu siç meritojnë dhe të ketë një kontratë, ashtu siç duhet për të garantuar punonjësit.

Ndërkohë që, ne kemi ecur me pagesën e papunësisë dhe me statusin e naftëtarit, që mjafton që secili prej punonjësve të plotësojë dokumentacionin e duhur dhe merr atë statusin. Këto janë gjërat që mund të them për këtë fazë. Shpresoj që ky proces të finalizohet dhe që puna të fillojë normalisht e që të mos kemi probleme. Por është një vatër që është gjithmonë vulnerabël dhe që gjithmonë mund të shkaktojë probleme për shkak të qëndrueshmërisë së furnizimit. E për sa i përket asaj tjetrës që thatë, është e vërtetë, por nga ana tjetër besoj që të gjithë janë të vetëdijshëm që të gjitha këto operacione kushtojnë, kanë kosto kështu që ne e kemi në vëmendje, por ende nuk mund të them që kemi nesër një operacion të gatshëm financiar për të trajtuar çështjen e fundit që ju shtruat. Është bërë thuajse  gjysma dhe sipas marrëveshjes kompania Bankers duhet të financojë gjysmën tjetër. Ju e dini që kompania Bankers ndërkohë ka ndërruar pronar në një periudhë pas kontratës kështu që ne, ministria, ka kontaktuar dhe ka marrë dakordësinë dhe ka marrë fjalën që kompania do ti qëndrojë marrëveshjes pavarësisht se janë pronarë të rinj.

Po flitet shumë për turizmin, a ka plane konkrete qeveria juaj për të investuar në bregdetin e qarkut të Fierit, me planin konkret që fierakët, ndonëse kanë afër Semanin, dynden duke shkuar drejt Vlorës dhe Sarandës?

E dyta, janë bërë rrugë për zonën rurale që prodhimet e tyre fermerët ti nxjerrin në treg. Po për zonat kodrinore që kanë vreshta dhe ullinj, a do investohet në ato rrugë që fermeri ti sjellë në treg?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që të gjitha duhen, por kemi filluar nga qendra, kemi shkuar në fushë, do ngjitemi edhe në kodër, nuk diskutohet, por me radhë sepse këto janë mundësitë tona dhe nuk mund t’i bëjmë dot të gjitha përnjëherë. Ndërkohë që thashë që do të fillojmë ndërtimin e rrugës së Semanit që është aks kryesor pikërisht për të nxitur pastaj vazhdimin e punës me investimet në turizëm. Kemi disa shprehje interesi, kuptohet që investimet në turizëm nuk i bën shteti, nuk i bën bashkia, i bëjnë privatët. Legjislacioni që ne kemi sot është shumë i favorshëm dhe kemi disa shprehje interesi. Sigurisht që për momentin nuk mund të them më shumë sepse nuk kemi asgjë ende të finalizuar që të them që po, do të ndodhi kjo e do të ndodhi ajo. Di që edhe bashkia është në komunikim me investitorë potencialë, do shikojmë. Unë kam shumë besim që në këtë mandat do të shikojmë lindjen e disa strukturave hoteliere të standardeve më të larta edhe në këtë zonë.

-Është përfolur kohë më parë për ndërtimin e një parku të madh në qytetin e Fierit edhe pse parku qendror është mjaftueshëm në zonën periferike. Për sa i përket bujqësisë, duke qenë se po flitet për projekte konkrete dhe Fieri njihet si hambari i Myzeqesë, a ka projekte për sa i përket bonifikimit, duke qenë se është bërë shumë për sa i përket kullimit, por përsëri ka pasur probleme.

Kryeministri Rama: Parkun e përfolur e ka për detyrë ta projektojë bashkia. Unë ju siguroj që nëse bashkia do ta projektojë, ne do ta mbështesim dhe nuk mund të them më shumë se kaq për këtë, por di që është përfolur jo pa të drejtë sepse është një plan i Kryetarit të Bashkisë. Ndërkohë që, për sa i përket bujqësisë, unë kam qenë me kryetarin e bashkisë para pak ditësh në Itali për të mbështetur një iniciativë të tijën lidhur me një marrëveshje që sipas gjasave do të shkojë drejt materializimit dhe do të jetë një gjë shumë e rëndësishme për bujqësinë në Fier për të garantuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes 2-3 ndër kompanitë më të mëdha të grumbullimit dhe të eksportimit të frutave në Itali dhe fermerëve të bashkisë së Fierit. Tani është një punë e tërë që bashkia e Fierit duhet të bëjë me fermerët, por është e sigurt që nëse do të materializohet kjo marrëveshje që në parim do të thotë që kompanitë italiane t’ju japin fermerëve fidanët për një sërë produktesh të frutikulturës që kanë një vlerë të lartë në tregun europian, dhe fermerët të prodhojnë me mall të garantuar nga të  gjitha aspektet dhe njëkohësisht me një vlerë të konsiderueshme në treg, -kjo do jetë një kthesë e jashtëzakonshme në bujqësi për zonën. Të shikojmë nëse do të materializohet ashtu siç unë shpresoj, por kam shumë besim.

Shumë faleminderit!