Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama mbi situatën e Covid19

Është e kotë të përsëris se sa herë ju kam thënë që Covid-i është një armik i padukshëm dhe se sa shumë u shtuan zërat tuaj se kjo është lojë politike, ky është konspiracion ndërkombëtar, këtë e bëja unë se jam diktator, autokrat, se kisha frikë nga protestat e ku di unë se çfarë të tjera.

Por nuk i vë dot faj askujt prej jush që u mërzit apo u nervozua nga ajo mbyllje e madhe, kujtdo që donte të shkonte në punë, të kthehej në normalitet, nuk i vë faj as atyre prej jush që gjithnjë e më të shumtë, me kalimin e javëve e javëve kujtuan krejt gabimisht se rezultati fantastik që arritëm në fazën e parë nuk lidhej as me masat që morëm e as me sakrificën që gjithë shqiptarët bënë. Nuk i vë faj madje as atyre që me politikën e tyre hip se të vrava, zbrit se të vrava, dhanë mesazhe e shembuj skandaloz me fjalët dhe deri me tubimet rrugëve.

Kur vendosëm javë pas jave të heqim masat e ta lirojmë përfundimisht lëvizjen, punën, ndërveprimin, ishim të qartë se hapja do të sillte me vete dhe rrezikun e harresës, por bëmë gjënë e duhur. Do ta ribënim, përsëri sikur të ktheheshim aty ku ishim dhe e bëmë  në kohën e duhur duke bërë dhe protokollet e duhura për të gjithë.

Unë isha e jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, javë pas jave kthimin në normalitet duke thënë përditë e më shumë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar.

Nga ana tjetër, kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe të mirëkuptimit, jo të ndëshkimit e as të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollin e sigurisë, sepse kemi dashur të jemi mirëkuptues. Të bëjmë çmos t’ia lehtësojmë secilit, sa të mundemi, hallin që na zuri të gjithëve bashkë. E kemi ditur dhe e kemi thënë që numrat do të rriteshin. Gjëja më normale, pasoja më e natyrshme që ndodh pas hapjes dhe që po u ndodh faktikisht të gjitha vendeve, ku më shumë e ku më pak.

Ashtu sikundër ju kam kërkuar, ju kemi kërkuar vijimisht, të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullit. Secili të respektojë rregullin, sepse edhe me policë dhe me ushtarë mund të kontrollosh mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen nëse qytetarët nuk bëjnë të gjithë secili detyrën e tyre të thjeshtë.

Unë nuk kam ndryshuar mendim, ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, që nga koha e Skënderbeut, por ama po kaq e vërtetë është edhe tjetra. Një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, për çdo familje dhe për burimet e energjisë së rimëkëmbjes. Ajo që dua ta ndaj dhe me ju dhe duhet ta dini të gjithë është se nëse ne do të vazhdojmë kështu, fatkeqësisht do të mund të na duhet të rimbyllemi e në atë pikë do të na duhet pastaj të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam kur u mbyllëm dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë.

Por nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po u rimbyllëm, sepse as në mend nuk dua ta çoj që kjo do të ndodhë pasi kam bindjen që ende jemi në kohë. Ende e kemi vetë në dorë ta kontrollojmë rikthimin e armikut të padukshëm. Po! Armikut të padukshëm, i cili nuk ka ikur, asnjë ditë, asnjë herë dhe është aty, kudo ku i japim një shesh gati për të bërë një përshesh.

Numrat, e shihni, janë shqetësues por ende janë nën kontroll. Testimet janë rritur dhe përpjekja në frontin e shëndetësisë vazhdon njësoj, si ditën e parë, me përkushtim dhe angazhim total, heroik, të mjekëve, infermierëve e të gjithë ekipeve. Gatishmëria jonë vazhdon të rritet në atë front me shtimin e investimeve e të mjeteve në rast se larg qoftë do duhet të përballojmë më të keqen fare, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët, jo nga bluzat e bardha. Vendoset nga si dhe sa detyrat e thjeshta i bën çdo individ dhe nga respekti për protokollet e çdo biznesi. E mbi të gjitha, vendoset nga distancimi social në kushtet e këtij normaliteti që nuk duhet të jetë si normaliteti përpara se sa të hynim në këtë luftë.

Pasi kam folur gjerë e gjatë me ekspertët dhe ministren e Shëndetësisë, të gjitha këto ditë, po ju bëj me dije sa më poshtë:

E para, nuk do të lejojmë më në asnjë mënyrë, asnjë lloj grumbullimi, qoftë dhe politik. U them të gjithëve vazhdoni punën, liria e lëvizjes është e garantuar, liria e shprehjes nuk ka qenë kurrë e diskutuar, por grumbullime më shumë se sa numri i personave të lejuar nga protokollet e sigurisë, nuk do të lejohen më.

Policia e Shtetit duhet e do të bëjë detyrën, pa bërë më asnjë dallim, kudo qoftë e ndaj kujtdo qoftë, në çdo kilometër katror të Republikës së Shqipërisë e kush merr pjesë në grumbullime apo në grupime më të mëdha se sa numrat e lejuar nga protokollet e sigurisë do të penalizohet drejtpërdrejt, individualisht.

E dyta, bizneset që nuk respektojnë protokollet e sigurisë, nuk do të tolerohen më dhe u kujtoj të gjithë atyre që kanë një biznes, më vjen keq por duhet t’jua kujtoj, se përveç gjobave, rrezikojnë edhe heqjen e lirisë në rast se kapen në shkelje të protokolleve duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e njerëzve të cilëve u shërbejnë.

E treta, vetë qytetarët do vijojnë të qarkullojnë lirisht, pa kufizime, pa largqoftë autorizime të asnjë lloji por ama, edhe ata do të penalizohen nëse kapen në shkelje të rregullave të thjeshta, por shumë të bezdisshme të distancimit social në hapësirat e përbashkëta publike.

Motra dhe vëllezër, të më ndjeni 1000 herë por kështu jo, kështu nuk vazhdohet më tutje, nëse nuk duam të vrasim me papërgjegjshmërinë e indiferencës ndaj rregullave, për t’ia dalë mbanë deri në fund kësaj lufte, më të moshuarit e më të dobëtit fizikisht mes nesh. Kush thotë akoma çfarë është kjo luftë, nuk ka luftë; çfarë është ky armik, nuk ka armik; cçfarë është ky virus, nuk ka virus, nuk e ka ditur asnjëherë çfarë flet. Por, sot kur të gjithë po e shohim se si po rriten numrat dhe se si po rishfaqet madje përmes numrave më kërcënues se sa dukej më parë, rreziku që është i njëjti, në fakt, i një skenari katastrofik duhet minimalisht të heshtë e të zbatojë rregullat si gjithë të tjerët.

Virusi nuk ka këmbë, por përdor këmbët e budallëkut njerëzor e për budallëkun në këtë rast, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç tolerancës zero kudo që ai të shfaqet e me këdo që ai të shfaqet në krah.

Ky është një moment kur duhet të mendojmë e të punojmë bashkërisht për rimëkëmbjen. Duhet të mendojmë e të punojmë bashkërisht për lehtësimin e barrës së të gjithë atyre që krijojnë punë dhe japin punë e njëkohësisht për përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit në një fazë kur pasi të kemi formëzuar planin tonë ambicioz të ri kombëtar të Shqipërisë 2030, do të na duhet hap pas hapi të provojmë me njëri tjetrin e për njëri tjetrin se ia dolëm, jo vetëm përballimit të rrezikut në aspektin shëndetësor, por edhe përballimit të sfidës në aspektin ekonomik.

Unë kam shumë besim se nëse ne sot bëjmë të gjithë ato detyrat e bezdisshme, por të thjeshta sidoqoftë të distancimit social e të mbrojtjes së vetes, familjes e njëri – tjetrit, jemi në një rrugë të mbarë e pa diskutim. Vitin e ardhshëm do të fillojmë të shohim fryte që nuk i kishim menduar më parë me thënë të drejtën pas dy goditjeve që morëm, tërmetit dhe goditjes globale, që na ra edhe ne mbi kokë, të Covid-19.