Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama mbi situatën e Covid19

Numrat e të infektuarve, e shihni, po rriten dhe po ashtu po rriten shtrimet në spital. Cka është më shqetësuese është se trendi në rritje, po vazhdoi kështu, jo vetëm mund të na sjellë dëme të rënda në jetë njerëzish dhe në shëndetin e shumëkujt, por edhe, largqoftë, do të na detyrojë të kthehemi mbrapsht tek i vetmi ilac i sigurtë deri në daljen e vaksinës, karantina.

Si do ia bëjmë? Do bëhemi njerëz dhe të respektojmë ato rregulla të thjeshta, sado të bezdisshme, apo do e bëjmë si lopa, kur thotë populli, që i bie me shkelm kovës së qumështit pasi e mbush?

Nuk dua të bëhem fare i bezdisshëm dhe as të përsëris ato që kam përsëritur deri në mërzi për të gjithë ju, por jam shumë i shqetësuar dhe dua që ta dini se nuk kam ndërmend të bëj sehir se si shumëkush ka harruar fare se armiku i padukshëm nuk ka ikur.

Prej 3 ditësh kemi më shumë shtrime në spital sesa në kulmin e agresionit të tij kur ishim mbyllur nëpër shtëpi. Nuk dua ta bëjmë me të keq gjënë e duhur në këtë situatë. Nuk dua që të lëshojmë ofensivën ndëshkimore për bizneset që nuk respektojnë protokollet. E di mirë se sa kanë vuajtur dhe se sa plagë kanë për të shëruar, por nuk kam për ndryshuar mendim.

Në fund të fundit, ekonomia bie dhe ngrihet. Të vdekurit nuk ringjallen. Nuk dua as që ndëshkimet të jenë e vetmja rrugë për qytetarët që e shfaqin me kaq moskokëcarje harresën dhe indiferencën ndaj rrezikut real të rënies pre e armikut të padukshëm pikërisht tani që jemi hapur. E di mirë se sa kanë duruar, se sa kanë kontribuuar në këtë luftë kur u detyruam të gjithë të hidhemi në mbrojtje brenda mureve të shtëpive dhe kur solidariteti i pashoq na nxori faqebardhë. Nuk dua as ta mendoj, jo më ta them fjalën karantinë përsëri, lëre pastaj të lëshojmë kushtrimin e rimbylljes nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje, të gjithë urgjent, që sot, menjëherë dhe nëse numrat e të shtruarve vazhdojnë të rriten dhe rritet largqoftë edhe numri i atyre që kanë nevojë për atë tubin e frymëmarrjes, atëherë me keqardhje, por, realisht nuk do kemi cfarë të bëjmë dhe do të na duhet të fillojmë nga e para, sic po ndodh fatkeqësisht në disa vende të tjera, dhe jo shumë larg nesh, prandaj, ju lutem t’i thërrasim mendjes, të bëjmë gjënë e duhur për familjen tone, për njëri-tjetrin, për Shqipërinë. E kemi vetë në dorë, e keni vetë në dorë, secili prej nesh e ka në dorë që të bëjë gjënë e duhur dhe gjithë së bashku duke bërë gjënë e duhur shkojmë përpara, të rinigrihemi shpejt, të shërohemi nga plagët dhe të bëjmë atë që na takon.