Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, të zhvilluar në Kukës:

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit që keni ardhur!  Këto 24 orë të fundit ishim këtu në Kukës për të zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe mbledhjen e qeverisë, ku kemi bërë një bilanc të punës së bërë në Qark dhe po ashtu kemi miratuar dhe një paketë të re investimesh prioritare për Kukësin, me synimin e nxitjes së një zhvillimi që ta shndërrojë Kukësin në një pikë referimi për gjithë këtë rajon, jo vetëm në këtë anë të kufirit, por dhe në anën tjetër të kufirit.

Një ndër projektet kryesore, besoj më i rëndësishmi dhe më strategjiku për zhvillimin e gjithë zonës së Shqipërisë verilindore, por dhe me një impakt të padiskutueshëm në ekonominë kombëtare dhe më lejoni të shtoj edhe në ekonominë e Kosovës, është Aeroporti i Kukësit. Kemi avancuar me procedurën sipas të gjitha hapave të parashikuara për procedurën ligjore dhe deri në javën e dytë të dhjetorit mbyllet procedura. Pastaj do të duhet një periudhë relativisht e shkurtër kohe për përcaktimin e termave përfundimtare të kontratës dhe ambicia është që brenda muajit janar, maksimumi në fillim të shkurtit, të fillojë puna në kantierin e aeroportit.

Dua ta theksoj, nuk bëhet fjalë për një çelje të aeroportit që kemi, bëhet fjalë për një aeroport të ri me një terminal të ri, me një pistë që do të jetë disa qindra metra më e gjatë dhe që parashikohet për të gjitha kategoritë e avionëve që përmban edhe projekti i të ardhmes së aeroportit.

Jemi shumë të inkurajuar nga studimet e bëra me ekspertët e fushës. Ekspertiza e huaj e marrë për këtë, na ka dhënë shifra inkurajuese që më bëjnë optimist lidhur me rolin e madh që do të ketë aeroporti në ekonomi dhe në zhvillimin e zonës. Parashikohet një nivel mesatar prej 300.000 pasagjerësh në vit, si fillim dhe pastaj në vite ka një rritje goxha inkurajuese.

Përpara se sa të zhvillonim mbledhjen e qeverisë ishim për të vizituar pikën e përbashkët doganore që do të kemi mbas pak kohe me Kosovën. Aty ishte dhe ambasadori i Kosovës i cili tha se hapja e aeroportit do të sjellë një impakt shumë të rëndësishëm dhe për zonën matanë dhe sidomos për turizmin në zonën e Brezovicës dhe kjo është një nga gjërat që del qartë dhe në planin e perspektivës së këtij aeroporti.

Nga ana tjetër, një projekt me rëndësi është edhe projekti afatgjatë, flasim për projektet me një impakt strategjik në ardhmërinë e zonës, që lidhet me linjën e gazsjellësit trans-Adriatik, e cila do të furnizojë Kosovën. Ashtu sikundër me përfundimin e linjave të interkonjeksionit në segmentet Elbasan – Fierzë – Kosovë dhe Burrel – Skavicë – Kosovë, ka një tjetër arsye për të qenë le të themi të inkurajuar, lidhur me të nesërmen.

Kemi përfunduar procedurat për zonën minerare të Vlahnës që është praktikisht zona e dytë më e madhe minerare në vend dhe parashikojmë një vlerë investimi fillestar prej 15 milionë dollarësh që në fazën e parë dhe një gjenerim të disa qindra vendeve të reja të punës, me paga të larta për standardet tona natyrisht, që fillojnë nga 700 e shkojnë deri në 1200 dollarë.

Profili turistik i Kukësit ka qenë në qendër të vëmendjes së qeverisë sonë, që në ditën e parë të këtij mandati të dytë sidomos dhe kemi prekur zonën e Shishtavecit, ku parashikojmë jo vetëm në kuadrin e 100 fshatrave, por dhe në funksion të nxitjes së turizmit, mbështetjen e një projekti të madh të iniciuar nga disa djem emigrantë që janë prej asaj zone, në bashkëpunim me investitorë të huaj.

Unë jam shpresëplotë se me vënien në lëvizje të atij projekti, së shpejti do të vendosen edhe dy teleferikët e parë të skive, të cilët kanë mbërritur dhe më pas do të fillojë puna paralelisht për hotelin e parë edhe për rrugët përkatëse që natyrisht do të financohen nga qeveria, duke u kombinuar me investimet e tjera të pritshme në agroturizëm ku ne kemi bërë një paketë nxitëse, në radhë të parë, duke pasur parasysh emigrantët që duan të investojnë për transformimin e shtëpive të tyre në bujtina apo në agroturizëm, mund të mendojnë pa shumë vështirësi që në katër apo pesë vitet e ardhshme do të kemi transformime të rëndësishme, në gjithë zonën, jo vetëm në Kukës, por dhe në zonën e Tropojës, në pjesën e lejueshme për ndërtim, në gjithë grykën e Valbonës, ku parashohim rindërtimin e qendrës turistike të Valbonës dhe ku ka marrë jetë një nga hotelet e iniciativës sonë për të çuar 5 yjet edhe në zonën malore të Shqipërisë dhe besoj që vitin e ardhshëm do të kemi hotelin e parë me 5 yje, në zonën e Valbonës.

Po ashtu, jemi të përgatitur që të mbështesim fuqishëm të gjithë fermerët e kësaj zone apo familjet që jetojnë në zonën rurale, jo vetëm për agroturizëm, por edhe për elementë të tjerë të prodhimit dhe të agropërpunimit, pasi kemi tanimë në dispozicion edhe skemën e financimeve europiane, gjë që bën që të kemi për vitin e ardhshëm volumin më të madh të investimeve të mundshme në bujqësi.

Më vjen mirë që po ecim me punën dhe me investimet në rrugën e Kombit. Ishim dhe vizituam dhe kantierin e njërës prej urave kryesore që po plotësohet me pjesën tjetër të trupit pasi ju e dini më mirë se unë që, jo vetëm që nuk ishin të përfunduara, por ishin në pika shumë të rrezikshme ku shpesh herë kanë ndodhur aksidente të rënda apo ku bllokohet rëndom trafiku në kohën e qarkullimit intensiv. Përfundimi i këtyre veprave dhe i aksit në tërësi, – sepse faktikisht nuk e kemi ende të përfunduar, jo më ta kishim përfunduar përpara 5 vitesh, – patjetër që do mundësojë një lidhje shumë më të shpejtë mes Kukësit dhe Tiranës, por edhe mes Kosovës dhe Shqipërisë sepse kemi parasysh këtu jo vetëm përfundimin e veprave dhe të pjesëve të lëna rrugëve, të Rrugës së Kombit në këtë anë, por dhe ecurinë e mëtejshme me pjesën tjetër ku hyn dhe vepra e madhe e programit 1 miliard, Thumanë – Kashar.

Nuk dua të zgjatem më tutje. Dua të shtoj që do të kemi një ndërhyrje të rëndësishme në rrugën Kukës – Has – Tropojë për të rigjeneruar pikërisht një pjesë të saj dhe lehtësuar ndjeshëm lidhjen kufitare me Kosovën. Do të kemi një paketë të re investimesh për rehabilitimin e shumë ujësjellësve. Ujësjellësi i Kukësit është një plagë e hapur që akoma, edhe pse janë bërë inaugurime dhe janë bërë goxha, në letër të paktën, investime, por dhe i Tropojës apo Krumës, Zarisht e të tjerë dhe po ashtu janë një sërë investimesh në shkolla, jo vetëm në Kukës, në Has, në Bajram Curri, Tropojë, por edhe në zonat rurale për shembull shkolla e mesme në Shtiqën, shkolla e mesme në Manëz, shkolla në Letaj dhe në një sërë pikash të tjera.

Për sa i përket infrastrukturës shëndetësore, më vjen shumë mirë që sot mundëm të shohim nga afër projektin dhe hyrjen në një fazë tjetër të transformimit të spitalit rajonal. Do të kemi aty një investim të konsiderueshëm për të plotësuar gjithë nevojat për shërbime, duke integruar dhe maternitetin dhe njëkohësisht në kuadër të projektit të 300 qendrave shëndetësore të reja gjatë këtij mandati. Një sërë prej tyre i përkasin edhe këtij qarku.

Sot kemi ndërhyrë në ligjin për ndalimin e tregtimit të alkoolit dhe për ndalimin e fëmijëve deri në moshën 18 vjeç në lokale gjatë orarit të mësimit. Ligji do të shkojë në parlament. Masat do të jenë shumë të rënda, duke e bërë të pamundur tregtimin e alkoolit për ata që janë nën 18 vjeç dhe duke sanksionuar rëndë të gjitha lokalet që do të shkelin këtë ligj dhe që do të pranojnë të lejojnë të hyjnë në derën e tyre vajza dhe djem nën 18 vjeç edhe gjatë orëve të mësimit, pavarësisht nëse marrin apo nuk marrin alkool, kjo është një temë tjetër.

Ndëshkimet do të jenë ekstreme sepse ne besojmë që mbyllja e gjithë rrjetit të pikave të basteve dhe të lojërave të fatit nëpër qytete, nëpër zonat e banuara është njëra anë, por ana tjetër është mbrojtja e domosdoshme e adoleshentëve nga alkooli. Kemi arsye të mendojmë që gjërat kanë shkuar në një pikë ku nuk mund të tolerohen më në asnjë mënyrë dhe duhet një masë drastike, në bashkëpunim me shkollën, në bashkëpunim me prindërit që i kanë dhënë një mbështetje shumë të fortë kësaj iniciative. Po ashtu do të ndalohet kategorikisht edhe frekuentimi i klubeve të natës nga shtetasit nën 18 vjeç.  Vetëm në rastet kur do të jenë të shoqëruar me prindër apo të jenë të shoqëruar me mësues, pra me persona që mbajnë përgjegjësi për ta, përndryshe do të jetë rreptësisht e ndaluar hyrja e tyre në klubet e natës.

Për të gjitha këto, ligji do të ketë sanksione të rënda dhe do të shkohet deri në mbylljen e lokaleve për periudha edhe një vjeçare duke jua bërë të pamundur edhe dhënien me qera të mjediseve.

Së fundi, dua t’ju falenderoj edhe njëherë për praninë dhe jam në dispozicion për çdo pyetje që mund të keni.

 

Zoti kryeministër, ju dhe të tjerët pas jush keni deklaruar shpesh herë për heqje të kufirit klasik Shqipëri – Kosovë, dogana të përbashkëta e të tjera, ndërkohë që unë kam kërkuar prononcimin e zonjës Vlahutin dhe zonjës Apostulova dhe ata flasin të kundërtën dhe deklarojnë që Shqipëria dhe Kosova pa dogana do jetë vetëm kur të shkojnë të dyja sëbashku në Bashkimin Europian.  Cili është komenti juaj dhe cila do të jetë e ardhmja e kufirit Shqipëri – Kosovë?

Nëse më lejon edhe një pyetje tjetër, meqë e përmendët interkonjeksionin, çfarë është bërë në lidhje me zgjidhjen e ngërçit për pengesat që i krijon Serbia kësaj linje?

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!  Së pari njëherë, nuk flasim për Shqipëri dhe Kosovë pa dogana. Flasim për bashkim doganor dhe kjo nuk ka asnjë lloj arsyeje që të shikohet me asnjë vështrim të vëngër. Është e drejta e të dy shteteve tona që të bëjmë një marrëveshje. Nga ana jonë, ne kemi qenë gati prej vitit të shkuar. Qeveria e Kosovës nuk ishte gati dhe marrëveshja e përgatitur në rrafshin teknik nuk u miratua në rrafshin politik, por ne po përgatisim mbledhjen tjetër që do të mbahet në fund të nëntorit në Kosovë dhe aty besoj që jemi gati bashkërisht të vendosim për bashkimin doganor që do të thotë se Durrësi do të bëhet dogana e përbashkët për të gjithë mallrat që hyjnë nga porti drejt Kosovës.

Ndërkohë që në pikën këtu, ne po bëjmë pikën e përbashkët policore dhe doganore. Pra do të kemi një shërbim me polici të Shqipërisë dhe të Kosovës, me doganierë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe jo dy palë kontrolle, dy palë shërbime, dy palë policë, dy palë doganierë dhe dy palë dhimbje koke.

Kjo është ajo që ne po bëjmë dhe e kam thënë dhe ia kam thënë dhe miqve tanë europianë që për ne, nëse Serbia do të bëjë bashkim doganor me ne, nuk ka asnjë problem, mund ta bëjmë dhe me Serbinë, por me Kosovën ne do ta bëjmë dhe nuk na ndalojnë dot, se nuk kanë se si dhe pse. Është shumë e mundur dhe është shumë e thjeshtë dhe lehtësuese për të gjithë. Ne nuk mendojmë këtu për asgjë tjetër, përveçse për ta lehtësuar maksimalisht sipërmarrjen, për të lehtësuar maksimalisht procedurat, për të mos i detyruar njerëzit që të humbasin kohë të tepërt dhe të frenohen nga burokracia e tepërt dhe kjo gjë duhet të ndodhë në gjithë Ballkanin. Ne kemi një diskutim të hapur edhe me Serbinë, edhe me Maqedoninë, edhe me vendet e tjera, në rrafshin e ecurisë së bashkëveprimit dhe të bashkëpunimit rajonal, ekonomik dhe tregtar që t’i lehtësojmë maksimalisht. Në Europë këta që na thonë ne se çfarë bëhet dhe çfarë nuk bëhet, këta i kanë kufijtë fluid komplet. Lëvizin pa asnjë lloj problemi.

Këtë duam të bëjmë dhe ne këtu, sepse nga një llogari e bërë nga Banka Botërore, llogariteni, brenda një viti, maunet që bëjnë tregti në kufijtë e Ballkanit kanë një kohë pritjeje më shumë se 1 mijë vjet, brenda 1 viti, brenda 365 ditësh pra, po të mbledhësh të gjithë kohën e pritjes të të gjithë llojeve të kamionëve, mauneve, trajlerëve, a ku di unë, çfarë të doni quajeni, e kanë kohën e pritjes më shumë se 1 mijë vjet. Tani, ne duhet të marrim të gjitha masat që kjo kohë pritjeje të reduktohet.

Për sa i përket pyetjes tuaj të dytë, është e lidhur drejtpërdrejtë me dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, nuk ka lidhje me ne, apo me shtete të tjera të Bashkimit Europian. Është pjesë e dialogut, është pjesë e marrëveshjes që duhet realizuar mes Serbisë dhe Kosovës. Nga moskonkludimi i dialogut humbasin të gjithë, nuk diskutohet. Askush nuk fiton, pavarësisht se, dikujt mund t’i duket se po fiton duke mos e çuar dialogun deri në fund, por në fakt, vetëm çuarja e dialogut deri në fund e çon në një epokë tjetër Ballkanin dhe shqiptarët e serbët bashkë. Kur them shqiptarët, kam parasysh, shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë.

-Kjo paketë investimesh që prek problemet më të mëdha sociale që ka rajoni dhe që ju e konsideroni të plotë, besoj jemi të një mendimi të gjithë që, nëse do ishte implementuar më parë do të ishte dhe më mirë. Mendoni që do të nisë shërimi i një plage mjaft të madhe siç është braktisja e vendit, e këtij rajoni, sidomos nga të rinjtë, sepse dita-ditës njerëzit po ikin. A mendoni që tashmë mund t’i thuhet ndal këtij fenomeni që po e gërryen?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, njëherë, patjetër që do kishte qenë mirë që Kukësi ta kishte stadiumin e vet kur doli kampion, apo që skuadra e Kukësit të mos jetë e detyruar të shkojë të luajë në Elbasan ndeshjet ndërkombëtare, ose të shkojë të luajë aty ku luan, se unë nuk e ndjek me thënë të drejtën kampionatin, me çantë në krahë, sikur janë një skuadër refugjatësh, brenda Shqipërisë. Mirëpo, gjërat bëhen kur jepet mundësia. Tani ne e kemi mundësinë ta ndërtojmë stadiumin e ri të Kukësit dhe do ta ndërtojmë. Kemi përcaktuar financimin. Do bëjmë një stadium model, një stadium të standardeve që kërkon UEFA, në mënyrë që, jo vetëm të kenë atë që u takon të gjithë sportdashësit, jo vetëm të ketë atë që i takon ky qytet, por edhe kur iu takon të lozin në aktivitete ndërkombëtare të lozin këtu në Kukës. Stadiumi nuk është thjesht për sportdashësit. Stadiumi është për komunitetin. Stadiumi është edhe për ekonominë, se, vetëm nga lëvizja që krijohet, po diskutonim me Presidentin e klubit edhe po thoshte, “aeroporti sjell 300 mijë kafe në vit më shumë”, simbolikisht tregon se çfarë ekonomie lëviz me aeroportin. Po kështu lëviz ekonomia edhe me sportin, aq më tepër kur qyteti ka një skuadër që i mbron ngjyrat e komunitetit, kjo krijon edhe psikologjikisht një lloj lidhjeje, është e provuar. Bota, nuk janë të marrë, që investojnë kaq shumë te sporti. Por, nga ana tjetër, më lejoni t’ju them që në Shqipëri nuk po ndodh asgjë e veçantë, pavarësisht se, politika në Shqipëri është shumë e veçantë në kokëtrashësinë e vet. Në Shqipëri po ndodh një fenomen që të tjerët e kanë kaluar më parë. Po të shikojmë shifrat, nuk ka asnjë ikje të veçantë nga Shqipëria në këtë periudhë. Ka shqiptarë që ikin. Ka shqiptarë që vijnë. Ata që vijnë janë më pak se ata që ikin. Kjo nuk diskutohet. Por, nga ana tjetër, kush ikën është komplet në të drejtën e vet që të provojë të ketë një jetë më të mirë, të krijojë një eksperiencë dhe ata që vijnë sjellin eksperienca, sjellin dije, sjellin, po ashtu, edhe pasionin, por edhe rrugë për të investuar, për të ndryshuar.

Kështu që, ndryshe nga të gjithë ata që derdhin lot krokodili dhe që mund të jenë shumë më tepër shkaktarë të situatave të ikjeve nga ky vend në 30 vite, unë hyj tek ata, – e di që s’jam shumicë, – që nuk e shohin fare si tragjedi, përkundrazi, është pjesë e historisë sonë ky fenomen. Kemi qenë në bunker për gjysmë shekulli. Lavdi popullit shqiptar nuk jemi më në bunker. Jetojmë në një botë që është e hapur edhe për ne. Kështu që s’është këtu fare problemi. Problemi është si ne t’i bëjmë të interesuar ata që largohen, ata që janë larguar, ata që kanë kursyer për të investuar këtu. Pastaj se ku vendosin të jetojnë e të punojnë është e drejta e gjithsecilit. Por unë di të them që, me aeroportin, së pari njëherë ne do tu japim të gjithë atyre që jetojnë në Angli, p.sh., mundësinë që të shkojnë e të vijnë nga Kukësi me shumë më pak para sesa duhet të harxhojnë sot që është një biletë që duhet ta mendosh shumë herë për të marrë rrugën, edhe për shkak të tarifës së lartë të aeroportit të Rinasit, por dhe për shkak se duke qenë se ka shumë kërkesë rritet çmimi, pasi ka pak avionë në dispozicion. Po ashtu, t’i bëjmë që të shikojnë oportunitet tek fakti, që, nëse duan të investojnë tek shtëpitë e tyre, për t’i kthyer në agroturizëm, unë shoh që këtu investojnë shumë për të mos i lënë shtëpitë të rrënohen, edhe në raste kur nuk i banojnë, edhe nëpër fshatra ka shumë shtëpi që investohen, mbahen në këmbë, rindërtohen edhe pse nuk jetojnë aty.

Atëherë mesazhi është ky, që, këto shtëpi mund të kthehen në agroturizëm, mund të kthehen në bujtina, është vetëm 5% tatimi i fitimit në vit, është vetëm 6% TVSH-ja dhe faktikisht, ky është një vend i bekuar për nga bukuritë. Unë isha në Stanin e Hoxhës, po i bëj reklamën e merituar, sepse ishte një gjë e pabesueshme. D.m.th. nuk ka asgjë në Alpet e Zvicrës më shumë sesa aq. Por, sigurisht, ndryshe nga Alpet e Zvicrës, ne kemi bukurinë e natyrës, por nuk kemi investime në infrastrukturën pritëse. Ta bëjmë këtë gjë, hap pas hapi dhe unë jam i bindur që do kemi përfitim të madh nga e gjithë kjo.

-Duke qenë se Qarku i Kukësit është një ndër qarqet më të varfra dhe emigracioni është shumë i lartë, ju keni mbyllur në 2014-ën Universitetin e Kukësit. Sivjet keni mbyllur 3 degë të arsimit profesional në qytetin e Kukësit dhe po mbyllni edhe bastet në të gjithë Shqipërinë. Çfarë do bëni për rininë kuksiane?

Kryeministri Edi Rama: Një gjë shumë e mirë për rininë kuksiane është mbyllja e basteve. Pra, nuk është një fatkeqësi për rininë që nuk do shkojë më të lërë ato lekë për fatin e Barcelonës, apo të Realit. Nga ana tjetër, mbyllja e universiteteve përsëri ka qenë një veprim në favor të prindërve, në favor të të rinjve për t’i larguar një orë e më parë nga farsat dhe nga maskaradat ku kanë lënë lekë njësoj si nëpër bastet dhe nuk kanë marrë mbrapsht as dije, as atë që kanë merituar me investimin që kanë bërë. Këtu e kam fjalën për prindërit. Ndërkohë që, për sa i përket arsimit profesional, mbyllja e degëve që janë tërësisht jashtë çdo funksioni nuk do të thotë se nuk do të ketë zëvendësim, apo, për më tepër, shumëfishim të mundësive për aftësim profesional edhe këtu dhe kudo. Pra, në rast se për universitetin ne e mbyllëm dhe nuk do të hapim një të ri, se nuk ka asnjë kuptim, as këtu dhe as aty ku i kemi mbyllur, për sa iu përket degëve të arsimit profesional, patjetër që është një mundësi dhe është një domosdoshmëri që ta stimulojmë sa më shumë, sepse kemi sot të rinj të cilët nuk dinë të bëjnë asgjë dhe prandaj kanë përfunduar nëpër lloto, sepse kanë shkuar në universitete, si universiteti këtu, s’kanë mësuar asgjë dhe nuk dinë të bëjnë asgjë, për fat të keq.

Ne do t’iu japim mundësi të trajnohen dhe të marrin kualifikimet e nevojshme, minimale për të filluar një punë, por kjo vjen si rezultat i asaj që është bërë për vite të tëra. Për vite të tëra janë lënë me iluzionin që do bëhen të gjithë juristë dhe krijuam vendin me numrin më të madh të juristëve për frymë në botë, por me drejtësinë më të degraduar për popullin. Kështu që, besoj që jemi në rrugën e duhur dhe besoj që nga mbyllja e basteve e kazinove, e bixhozit do të kemi një përfitim të madh si shoqëri, por do të kemi dhe një impakt të madh dhe pozitiv në ekonomi, sepse të gjithë ato para nuk do shkojnë më për lumin e humbjeve, apo për llumin e krimit të organizuar, po do shkojnë për konsumin e shëndetshëm familjar, sepse ato para merreshin nga arka e familjes dhe janë qindra milionë që do të konsumohen në mënyrë më të arsyeshme, kështu që ky është një avantazh edhe për të rinjtë.

-Përmende disa investime të cilat janë të mirëseardhura për banorë e Kukësit, por unë kam një shqetësim lidhur me qytetin e Kukësit. Nuk e di se sa jeni njohur me gjendjen e Kukësit, me infrastrukturën, me ndriçimin etj., etj.. Bashkia gjithmonë ankohet se nuk ka fonde. “Kërkojmë nga qeveria dhe nuk na jep”. A do të ketë ndonjë fond të paktën për qytetin e Kukësit për përmirësimin e jetesës së banorëve të këtij qyteti?

Kryeministri Edi Rama: Qytetin e Kukësit e kam parë, e njoh prej vitesh. Nuk më duket se është i njëjti që ka qenë para 4 vitesh. Duket që është ndryshe. Është ndryshe, sepse ne e kemi mbështetur Bashkinë e Kukësit. Kemi dhënë financime për Bashkinë e Kukësit. Natyrisht që nevojat, jo në Kukës, por edhe në SHBA janë shumë herë më të mëdha sesa mundësitë, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, por, duke thënë këtë, dua që të them dy gjëra: E para, e kemi mbështetur Kukësin sa kemi mundur, por kjo nuk do të thotë që kemi të drejtë t’iu themi kuksianëve duhet të jeni të kënaqur, se s’duhet të jenë të kënaqur, s’kanë si të jenë të kënaqur, sepse duhet shumë më tepër.

E dyta, ne do ta fitojmë Kukësin vitin tjetër dhe do të kemi këtu një bashki me të cilën do punojmë shumë ngushtësisht për të bërë shumë më tepër. Me këtë, nuk dua të them, sepse realisht do të ishte e padrejtë që të thoja se me kryetarin aktual të Bashkisë kemi pasur probleme. S’është e vërtetë, ai është i partisë tjetër, por është nga të paktët e partisë tjetër që nuk kemi pasur asnjë lloj problemi, si p.sh., me zonjën e mirënjohur të Shkodrës. Por thënë këto, besoj se nuk është çështje thjesht e një individi, por është çështje e një mënyre të kuptuari të gjërave, e një mënyre të punuari për gjërat. Kështu që, duke e fituar bashkinë e Kukësit vitin e ardhshëm, ne do kemi mundësi që të bëjmë shumë më tepër për Kukësin dhe besoj që do t’i japim Kukësit edhe një alternativë të padiskutueshme edhe nga pikëpamja individuale që s’do ketë asnjë konkurrent këtu.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.