Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi i Kryeministrit Edi Rama me median pas takimit me një përfaqësi të naftëtarëve të Ballshit:

 

Kryeministri Edi Rama: Patëm një bashkëbisedim shumë të hapur, të drejtpërdrejtë. Më vjen shumë mirë që u krijuan këto kushte, sepse, natyrisht, në kushtet e grevës nuk mund të bisedohej. Ne kemi ardhur me idenë për të qarë një hall që nuk e kemi krijuar ne, por që sigurisht kemi detyrimin ta qajmë së bashku me gjithë këto njerëz, Natyrisht, duke pasur parasysh se janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë e faktikisht kemi ndarë kohën, në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private në kushtet e sistemit që kemi zgjedhur, janë çështje, të cilat nuk i takojnë qeverisë, por, natyrisht, çështja e këtyre njerëzve sot, është një çështje që na takon ne që ta adresojmë së bashku me ta. Natyrisht, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë, ligjore, do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën, por në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional në një fushë që ne nuk kemi absolutisht luksin ta zhbëjmë dhe për këtë arsye, ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre, sepse faktikisht rafineria është e fikur, por natyrisht nuk flasim për pagën e asistencës.

– Në sa përqind të pagës së prapambetur?

Kryeministri Rama: Nuk merremi ne, nuk është çështja jonë paga e prapambetur. Ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë dhe vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin është një vendim gjyqësor që lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me detyrimet e qeverisë. Qeveria, në një sistem si ky që e kemi zgjedhur para 30 vitesh, nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje, të cilat janë kompanitë që i zgjidhin. Bëhet fjalë për një kompani që faktikisht ka kaluar në një rrugë që nuk mund të ishte ndryshe me atë privatizim skandaloz, një lojë kriminale financiare që u krye në kohën kur u bë privatizimi nga qeveria e mëparshme dhe nuk i takon qeverisë të adresojë atë vendim gjyqi. Qeverisë i takon të adresojë këtë hall sot e natyrisht, duke marrë parasysh që, në ndërkohë, ne nuk jemi dorëzuar lidhur me të ardhmen e kësaj rafinerie, sepse të gjitha analizat dhe konsultat tona tregojnë që rafineria nuk është për skrap, sot që flasim.

– A keni komunikim me ndonjë nga investitorët që mund të rindezë motorët e rafinerisë? Nëse po, kur mund të nisë?

Kryeministri Rama: Sikur ta dija kur mund të nisë, do të ishte shumë më e thjeshtë, por unë nuk mund ta di se kur mund të nisë për sa kohë ne nuk kemi një investitor, i cili është i gatshëm që të nisë, aq më tepër në këtë moment, aq më tepër në këtë sektor që është një sektor që kalon një vështirësi të madhe botërisht. Ju e dini çfarë ndodh me naftës sot, botërisht. Sigurisht, unë i tregova që ne kemi bërë përpjekje dhe jemi duke bërë përpjekje çdo ditë, por ne jemi në një pozicion jashtëzakonisht specifik, pasi, faktikisht, çfarë bëjmë ne? Ne bëjmë ndërmjetësin duke kontaktuar jashtë vendit që nga presidentë, siç ishte rasti i Presidentit të Azerbajxhanit, por nuk është vetëm ai, për t’i kërkuar ndihmë, mbështetje, nxitje të kompanive të tyre. Pastaj kompanitë kanë ato të tyret, janë të painteresuara, kur janë të interesuara thonë dakord, por në këto kushte, sot në këto kohë, çfarë jep shteti për këtë punë e të tjera e të tjera. Pastaj ka nevojë të shohin gjendjen e kompanisë. Pastaj, nëse ka një kompani që është e gatshme të hyjë në këtë rrugë, çfarë duhet të bëjë? Duhet të shkojë të merret vesh me bankën, sepse ky aset është një aset që ka mbetur në derë të një banke.

– Zoti Rama, nëse nesër nuk do të ketë dakordësi për ofertat që ju i keni bërë sot dhe nesër, naftëtarët i rikthehen grevës, a do të jetë kjo oferta juaj e fundit për ta?

Kryeministri Edi Rama: Ky nuk është opsion. Për mua nuk ekziston si opsion. Është e drejta e tyre, por në kushte grevash, unë nuk negocioj. Kjo është një ofertë e arsyeshme, sepse ne marrim përsipër të paguajmë që ata të rrinë në shtëpi. Në kuptimin që ata mund të bëjnë dhe punë të tjera, nëse duan, por marrim përsipër t’i paguajmë, duke marrë parasysh që nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh, por janë punëtorë të specializuar në një sektor dhe për këtë rafineri dhe ne nuk duam t’i humbasim përsa kohë ne nuk mendojmë që rafineria është një kauzë e humbur dhe duhet çuar për skrap. Prandaj, ne do të vendosim në dispozicion të tyre një mbështetje financiare të arsyeshme që nuk do të jetë paga që ata marrin kur punojnë, por nuk do të jetë as asistenca sociale.

– E keni bërë një llogaritje Zoti Rama, se sa do të jetë kjo faturë?

Kryeministri Edi Rama: Unë këtë, nëse nuk ua thashë atyre, nuk mund tjua them juve, sepse fillimisht biseda e sotme ishte për të marrë vesh në parim, pra, për të ndarë kohët. Ne jemi shumë të gatshëm për të folur e në fakt, folëm dhe për kohën e shkuar, për raportin e tyre me kompanitë, me investitorët, për borxhet, për detyrimet, por këto, ne mund t’i ndajmë si hall që mund t’i qajmë, por është një hall që nuk mund ta zgjidhim ne dhe nuk na takon neve ta zgjidhim. Koha nga sot e mbrapa, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje, që është zgjedhja e një investitori që mund ta rindezi rafinerinë, është një kohë ku ne jemi të gatshëm t’u japim këtyre njerëzve një mbështetje të arsyeshme financiare që t’u krijojë atyre mundësinë të jenë të lehtësuar, të mos kenë problemin e të kthyerit në shtëpi në kushte papunësie, që të shlyejnë të gjitha ato detyrime familjare që shlyen çdo familje çdo muaj nëpërmjet punës.

– A ka investitorë të interesuar për të marrë rainerinë në përdorim?

Kryeministri Edi Rama: Jua thashë përgjigjen, por mbase nuk e kishe mendjen.

– A ishte fundi i dialogut?

Kryeministri Edi Rama: Dialogu nuk ka fund asnjëherë.

– Kryetari i Sindikatës tha që …[e padëgjueshme]

Kryeministri Edi Rama: Unë jam i kënaqur që ata lanë grevën dhe ne po flasim. Jam i bindur që ajo që ne po ofrojmë është zgjidhja optimale, në kushtet që jemi, për ta dhe besoj që ata janë të kënaqur. Unë ja thashë dhe sot, merrni kohë, konsultohuni, ne jemi këtu. Çdo moment që ata do thonë po, ne jemi dakord, ne do kthehemi dhe do themi konkretisht kohën, shifrat dhe objektivin e përbashkët. Ne nuk jemi dy palë. Ne jemi faktikisht, në të njejtën anë. Jemi këtu për t’i qarë hallin si një familje.

– Sa do të zgjasi pagesa? Ka një afat për këtë? Sa do të paguajë qeveria?

Kryeministri Edi Rama: Këtë gjë nuk e kam hapur me ta, sepse kjo gjë bëhet me hapa. Fillimisht duhet të biem dakord me këtë parim, duke mos kërkuar nga qeveria ato që nuk i takojnë qeverisë dhe kur ata të bien dakord me këtë parim, unë do të kthehem këtu, do të ulem dhe do t’i them gjërat konkretisht e pastaj do dalim këtu t’ua themi dhe ju.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.