Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca për median e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë:

 

Faleminderit! Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm, për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën për furnizimin e energjisë elektrike. Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Kështu sot, me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër.

 

– A keni përllogaritur një kosto financiare, sa do kushtojë kjo paketë e për sa kohë kjo do shtrihet?

Kryeministri Edi Rama: Natyrisht i kemi përllogaritur të gjitha, por nesër do të publikojmë për të gjithë qytetarët planin e posaçëm. Në ndërkohë nuk mundet veçse t’ju referohemi analizave të ekspertëve dhe njëkohësisht, analizave që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme. Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në kuptimin që të gjithë janë të afektuar. Natyrisht që ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë disa karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim për se si duhet ta përballim këtë situatë.

Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë, edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin përpara shfaqjes së krizës, por kjo është për t’u parë. Ajo që ne na takon, është që të mbrojmë konsumatorët tanë, sigurisht me një rend prioritetesh nga poshtë – lart, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë e pastaj duke shkuar lart, përmes biznesit të vogël e më tutje dhe atyre me të ardhura më të larta. Rendi i prioriteteve është nga më të dobëtit, tek më të fortit, jo e kundërta.

Në ndërkohë ia vlen t’ju sjell në vëmendje që e vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në periudhën e qeverisjes sonë i takon vitit 2015, kur hymë në reformën e energjisë. Edhe aty, jo vetëm që çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston, por në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve familjarë dhe të biznesit të vogël. Nga ana tjetër, diferenca, – kjo është shumë e rëndësishme, – mes çmimit të vjetër dhe të riut në atë kohë për rreth 200 mijë individë dhe familje paguhet sot e gjithë ditën nga shteti, që të jemi shumë të qartë. Pra, pensionistë, familje në ndihmë ekonomike marrin nga shteti rreth 30 milionë dollarë çdo vit, si kompensim për atë rritje mes çmimit të vjetër e çmimit të ri, sot që flasim. Bëni llogaritë. Janë disa gjëra që normalisht humbasin nga vëmendja dhe sot është mirë t’i rikujtojmë.

 

– Zoti Kryeministër, shqetësimi …(e padëgjueshme)…. më shumë para nga ekonomia vjetore, nisur edhe nga fakti që edhe një pjesë e madhe e produkteve ushqimore rriten dita-ditës. A do të ketë një rritje të çmimit të energjisë dhe sa përqind do të jetë ajo? E nëse do të ketë rritje, do të jetë e qëndrueshme, pra, do të jetë gjithmonë ky çmim apo do të ketë një ndryshim për ta ndryshuar atë, kur të kemi kaluar krizën energjetike?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ky nuk është shqetësimi i çdo qytetari, ky është shqetësimi ynë, së bashku me çdo qytetar. Nëse zgjidhja do të ishte, po rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do të bënte çdo qytetar për veten e tij. Ne jemi këtu për të mishëruar shqetësimin e çdo qytetari dhe duhet ta dini që për shkak të detyrës, unë sot fle më pak se çdo qytetar, pikërisht sepse e ndjej këtë shqetësim të çdo qytetari.

Nga ana tjetër, sot për sot është shumë e rëndësishme që ne ….[e padëgjueshme] … këto janë çmimet në tregje. Kjo është situatë e përgjithshme, por unë e kam të pamundur ta mendoj se mund të vrapoj bashkë me vrapin që kanë marrë çmimet e energjisë. Shumë dakord, ama, nga ana tjetër, është mirë që edhe ata që e kanë këtë shqetësim dhe që e thonë me të drejtë, të dëgjojnë kur u themi që broçkullat që Shqipëria ka ujë, Shqipëria nuk varet nga kriza e përgjithshme, që Shqipëria e prodhon energjinë vetë, e prodhon naftën vetë, por kjo situatë vjen ngaqë këtu bëhet e pabëra, duhen lënë mënjanë që të kuptojmë mirë njëri-tjetrin se për çfarë flasim.

E para, Shqipëria nuk e prodhon, – ky është fakt, – të gjithë energjinë që i duhet.

E dyta, natyrisht që Shqipëria shet energji, por pse e shet?

Sepse në momentin kur ka reshje me tepri, ka dy rrugë; ose ta shesë, ose ta derdhi prurjen e reshjeve dhe jo ta derdhi, por edhe të përmbysë. Atëherë e shet. Natyrisht, kur është mot i përgjithshëm reshjesh dhe lagështie, çmimi është më i ulët dhe ti e shet në një kohë kur kërkesa rretherrotull teje nuk është e lartë. Shqipëria e blen energjinë kur ka thatësirë, sepse një ekonomi e varur 100% nga Zoti, pra, nga reshjet, ka të mirën e vet sepse ka energji të gjelbër, por ka edhe të keqen e vet sepse nuk ka burime të planifikueshme në mënyrë objektive dhe në momentin kur e shet, e shet më lirë, sepse kërkesa përreth është më e ulët. Në momentin kur e blen, në kulmin e thatësirës e të nxehtit, e blen më shtrenjtë sepse kërkesa është më e  lartë dhe çmimet në treg nuk i vendos Shqipëria, por i vendos kërkesa dhe oferta.

Atyre që thonë, çmimi i energjisë është kaq, por rrogat e pensionet janë kaq, ju them që nuk e vendos Shqipëria, tregu nuk të pyet si e ke emrin kur shkon për të marrë energji, a quhesh Gjermani apo quhesh Shqipëri. Në këtë sens, ne sjellim në vëmendje faktin që kjo është një gjë e përgjithshme. Nuk krahasojmë fuqinë blerëse të Gjermanisë me të Shqipërisë, por themi që pikërisht pse është kështu, për ne është ende më sfiduese, është ende më e vështirë dhe nuk është më sfiduese dhe më e vështirë vetëm për qytetarët, por dhe për qeverinë, se në fund të fundit, qeveria ju vjen në ndihmë qytetarëve me mundësitë e veta financiare, që janë mundësi të krijuara nga kontributi i gjithë qytetarëve, nuk janë mundësi të krijuara nga shiu.

Këto janë gjëra që duhet t’i kuptojmë në mënyrë që të jemi të qartë se për çfarë po flasim. Natyrisht, thelbi është që qeveria duhet të mbrojë konsumatorët e kjo nuk diskutohet. Nëse do ishim këtu, për të thënë thjesht që çmimet u rritën, kështu që paguani, atëherë ne thjesht do bënim rripin e transmisionit e do jepnim lajme. Ne nuk jemi këtu për të dhënë lajme e për të bërë rripin e transmisionit. Ne jemi këtu për të ngritur një digë midis furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar dhe derës së shtëpisë së çdo shqiptari. Për këtë punë jemi këtu dhe siç nuk i kemi lënë njerëzit në rrugë kur u ra çatia nga tërmeti, siç nuk i kemi lënë në rrugë kur u doli përpara armiku i padukshëm, natyrisht që nuk do t’i lëmë as tani. Kjo nuk diskutohet, por këto gjëra nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, nuk bëhen me sustë, nuk bëhen me propozime apo me ide që nuk bazohen fare në fakte e në shifra.

Sepse pyetja ka rëndësi dhe për një aspekt tjetër; Kjo është vetëm për tani apo është përgjithmonë? Kush e di këtë?

Sot, ekspertët thonë që kriza do të ketë një kulm që do të zgjasë deri në mesin e vitit të ardhshëm, por thonë edhe që nuk parashikohet që çmimet të kthehen aty ku ishin. Atëherë duhet parë, sa i saktë është parashikimi, sa do të bien çmimet e energjisë.

Për çmimet e tjera, të jemi shumë të qartë. Ne e kemi zgjedhur këtë sistem 30 vjet përpara. Nuk kemi çfarë diskutojmë më se si ndodh me çmimet. Nëse marrim çmimin e bukës nga viti ’90-të e këtej, do shikoni që çmimi i bukës ka ardhur në rritje dhe rritja e çmimet reflekton tregun, kërkesën dhe ofertën. Nuk do prodhohej bukë, nëse do mbetej në magazina apo furra ngaqë nuk e blen njeri. Çmimet i vendos tregu, nuk i vendosin qeveritë. Në komunizëm vendoste shteti dhe këtë e kemi mbyllur ka 30 vjet.

Nga ana tjetër, pyetja ose kërkesa, meqë rriten çmimet, rrisni rrogat, nuk funksionon kështu, sepse rrogat nuk rriten se dua unë. E kam thënë edhe herë të tjera, nuk ekziston një kryeministër që nuk do të donte t’i rriste rrogat dhe pensionet menjëherë apo sa herë që njerëzit do të kërkonin. Por kjo është njësoj si të thuash në shtëpinë e vogël, pse nuk i rrit paratë që u jep fëmijëve. Po ku ti gjej?

Do t’i gjesh nga puna, ose do t’i marrësh borxh. Nëse do të marrësh borxh, para që do t’i japësh për të shpenzuar më shumë shtëpia, jashtë mundësive të tua, do detyrohesh në fund të shesësh shtëpinë.

Këto janë ekuilibra dhe po të ishte se rrogat do të rriteshin sipas dëshirave, atëherë mirë ne, se nuk kuptokemi, po Gjermania, Franca pse nuk i rrisin dhe nuk i bëjnë nga 20.000 euro për person? Pse nuk i bëjnë pensionet nga 10.000 euro për person? Pse rajoni rretherrotull nuk e paska bërë këtë?

Rrogat rritjen sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike. Kapacitetet ekonomike të vendit rrisin gjithë zinxhirin e vlerës dhe krijojnë më shumë të ardhura. Të adhuruat shpërndahen në formë rrogash e pensionesh. Që të rrisim kapacitetet ekonomike të vendit, duhet të punojmë më shumë e duhet të ecim  me më shumë vendosmëri dhe durim përpara. Por thënë kjo, ne nuk do t’i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë. Kemi thënë që rroga minimale do të rritet vit pas viti dhe në janar të 2022-it do të bëhet 320 mijë lekë. Objektivi është ta çojmë në 380 deri në 400 brenda mandatit. Këtë kemi thënë dhe këtë do bëjmë. Pagat e tjera, patjetër do t’i rrisim siç kemi thënë, vit pas viti, për mësuesit, mjekët, infermierët, administratën, për të gjithë. Natyrisht, edhe sektori privat do të bëjë të njëjtën gjë.

– Zoti Kryeministër, ju thatë që nesër do të bëni publik planin e posaçëm sa i përket krizës së energjisë elektrike, por a ka marrë në konsideratë qeveria propozimet e bëra më herët nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili ka dalë me një plan konkret prej 7 pikash, mes të cilave kërkon edhe heqjen e taksës për karburantin, uljen e TVSH-së nga 20 në 6% për prodhimet e shportës, respektimin e ligjit për çmimin real të energjisë, si dhe ndalimin e shpenzimeve luksoze të OSHEE-së?

Kryeministri Edi Rama: Së pari do t’ju kërkoja juve të verifikoni atë që thashë dje, në Parlament. Verifikoni sa ka qenë çmimi i naftës dhe benzinës në vitin 2013. Verifikojeni sa ka qenë në pikat e karburantit të Republikës së Shqipërisë, sa e kanë blerë drejtuesit e automjeteve karburantin në Shqipëri në 2013-të. E kanë blerë më lirë apo më shtrenjtë se sot? Pastaj diskutojmë për të tjerat, sepse teoria “ul këtu, hiq aty” ka një problem. Këto janë të gjitha para, të cilat ikin dhe pastaj me çfarë do t’i bëjë qeveria mbështetjen, nëse heqim të gjitha mundësitë financiare që krijohen nga kontributet. Ne flasim për Gjermaninë, Francën, Italinë, por bëjeni një llogari, sa paguajnë nga rrogat e tyre qytetarët për shtetin atje? Shteti, paratë me të cilat mbështet, i nxjerr nga kontributet. Sa paguajnë sigurime shoqërore atje, për të marrë një pension më të lartë? Sa paguajnë sigurime shëndetësore atje, për të marrë një shërbim shëndetësor më të mirë? Vijnë nga kontributet. Bëni krahasimet.

Në aspektin e instrumenteve të mbrojtjes, ne jemi shumë të qartë se çfarë do bëjmë, kurse kërkesat me “bëje rrafsh arkën e shtetit, se shihemi nesër” janë atavizma të kohës së Sudes e të Vehbiut.

Ne nuk jemi partia e Sudes dhe Vehbiut , nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vehbiut.

 

– Të tilla kriza prodhojnë goditje të forta në buxhetet e shteteve. Çfarë rreziqesh ka për buxhetin tonë të shtetit pikërisht kjo krizë?

Kryeministri Edi Rama: Arsyeja pse ne kemi punuar ditë-natë dhe jemi ulur duke e parë çështjen nga të gjitha anët dhe pse unë insistoj që kur adresojmë shqetësimin jemi në të drejtën tonë absolute sepse në fund të fundit çdo qytetar në momentin kur sheh që i vjen përballë një rrezik për stabilitetin financiar të familjes do ta nxjerri shqetësimin dhe do t’ia adresojë qeverisë sepse për këtë punë e ka qeverinë, për këtë punë ka votuar, por në të atë moment është shumë e rëndësishme që të jetë i hapur për të dëgjuar argumentet në mënyrë që pastaj të kuptohemi se çfarë mund të bëjmë, si do ta bëjmë dhe për sa kohë do duhet të përballemi me një krizë që na vjen. Kështu që, në këtë aspekt kjo është e rëndësishme, ashtu sikundër qëllimi ynë është që ta mbrojmë konsumatorin në këtë moment, por të mos cenojmë në tërësi planet e rritjes së mëtejshme ekonomike.

Ekonomia nuk rritet me subvencione, ekonomia nuk rritet me indulgjenca. Ekonomia rritet me rritje të prodhimtarisë në tërësi dhe natyrisht ekonomia rritet me rritje të investimeve. Kështu ne nuk duam t’i cenojmë këto të dyja. Bëmë të njëjtën gjë edhe në kohën e tërmetit, edhe në kohën e  pandemisë dhe prandaj e kemi sot rritjen 18 % më të lartën në rajon, të tremujorit të dytë. Atyre që nënqeshin apo bëjnë ironi ju them që rritja 18 % nuk është një rritje e ekonomisë 18 % më shumë se c ‘ishte përpara se të rrëzoheshim, por është rritje e ekonomisë që po ringrihet fuqishëm pasi u rrëzua. Se rritjet dyshifrore janë tanimë në shumë vende, nuk është vetëm në Shqipëri, por rritja dyshifrore është e panatyrshme, ama është një rritje që vjen sot si rezultat i reagimit, ndaj goditjes, ndaj rrëzimit.

Ekonomia është ringritur. Sot kemi në punë më shumë njerëz se c’kishim para fillimit të pandemisë, në regjistrat e shtetit flas, jo në opinion. Pra ka njerëz të regjistruar në punë më shumë sesa para se të godiste pandemia. Pra ekonomia është ringritur dhe duhet të vazhdojmë. Nuk duhet ta ndalim rrugën e rritjes ekonomike, – përmes investimeve që kemi planifikuar, përmes edhe rritjes së pagave që kemi planifikuar, – duke u zhytur e duke u mbytur në këtë krizë dhe duke u marrë vetëm me të, se s’është vetëm kjo.

Do të ishte gjëja më e thjeshtë hajde t’i biem të gjithave, hiq tvsh këtu e hiq atje. Le që heqja e TVSh ose ulja e saj nuk ka treguar historikisht, dhe kemi rastin e imputeve bujqësore që është një mësim për të gjithë për ta kuptuar se kjo ul çmimet, se tregon, se çmimet i vendos tregu dhe qeveria në një sistem të ekonomisë kapitaliste të tregut, nuk ka asnjë kapacitet që t’i imponojë privatëve se sa duhet ta shesin produktin e tyre.

Ndërsa tek energjia kapaciteti i qeverisë në Shqipëri vjen nga fakti që ne kemi mundësi të ushtrojmë një kontroll të caktuar mbi çmimin, jo një kontroll të plotë, por një kontroll të caktuar, pasi këtu është edhe shteti në mes si prodhues dhe si shpërndarës sepse po të ishim në kushtet që janë disa vende të tjera, p.sh. Spanja sot e ka problemin se nuk ka mbështetje asnjë gjë në prodhimin e energjisë dhe e ka të gjithën  private dhe duhet të flasë me privatin. Britania e madhe e ka problemin se nuk ka mbështetje asnjë gjë, madje në Britaninë e Madhe – ju e dini kush ka qenë atje – që është si karta e telefonit, ti shkon rimbush dhe nuk të pyet njeri fare, jo kam, jo s’kam. Shko merre mbush kartën dhe merr drita, nuk do apo nuk ke lekë, hiç mos merr. Ky është fakti. Ne nuk jemi në këtë egërsi maksimale kapitaliste sepse nuk kemi mundësi të jemi dhe liberalizmin e tregut,  që është gjëja e duhur,  e kemi bërë me shumë kujdes dhe më vjen shumë mirë që nuk kemi shkuar më tutje siç na sugjeronin të tjerët në momentin që ishim mirë,  sepse ja ku vjen dita dhe po të ishim me treg komplet të liberalizuar do të ishin të gjithë në mëshirën e fatit dhe nuk mund të bënim asgjë, ashtu sikundër nuk kemi çfarë i bëjmë asgjë fare si shtet, çmimit të dieselit, benzinës.

Sot, shteti  e mban çmimin e furnizimit me energji të furrave të bukës, çmim preferencial të kontrolluar. Deri këtu mund të shkojë shteti. Dhe rritja e përgjithshme e çmimeve është një proces i pandalshëm qysh nga viti ’90 kur kemi hyrë në këtë sistem. Çmimet ngrihen, çmimet ulen sipas kërkesës, sipas ofertës. Janë mallra që prodhohen në tregun e lirë, që shiten dhe blihen dhe pyetja që i duhet bërë vetes është që me sa duket fuqia e konsumatorëve të Shqipërisë është më ë madhe se ajo që komentohet, se përndryshe do të mbeteshim pa shitur.

 

-Në vitin 2013 ju u shprehet se do të ulnit taksën për energjinë nga 20 % në 6 % për familjarët A jeni duke  e parë si mundësi uljen e TVSh për konsumatorët familjarë? Po jua bëj këtë pyetje nisur nga fakti që Franca, Spanja, Italia, por ndërmarrin nisma të tilla për një pezullim të taksës për të përballuar këtë krizë  dhe nga ana tjetër a është kjo një fatkeqësi që nuk mund ta shmangim dot , apo është një krizë keqmenaxhimi dhe i referohem faktit që këtu në verë është shitur energjia shumë lirë, nga 40 deri në 80 euro, ndërkohë që çmimi në bursë ka qenë 120 euro, ndërkohë që po e blejmë tani shumë shtrenjtë deri në 230 euro.

Kryeministri Edi Rama: Ajo që ju nuk doni të kuptoni dhe në këtë rast ju qe jeni midis nesh dhe publikut sepse qytetarët janë në një tjetër pozicion dhe janë në të drejtën e tyre që në kushtet e ankthit që po rritet çmimi edhe të mos jenë shumë të vëmendshëm për të dëgjuar argumentet , – është që energjia shitet lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët si rezultat i faktit që ne nuk e mbajmë dot se përndryshe duhet të përmbytim dynjanë. Do ta kuptoni këtë? Për çfarë arsye do ta shisnim? Për çfarë arsye po e ndërtojmë Skavicën sot? Skavica është rezervuari që balancon dhe që na jep mundësinë që prurjet që mund të mos na duhen në atë moment, të mos i derdhim, por t’i mbajmë aty si rezervë.

Në momentin do të kemi Skavicën atëherë ne do të bëjmë një lojë komplet tjetër nga pikëpamja e lojës në treg sepse do të kemi fuqinë që ta diktojmë ne se kur dalin në treg për të shitur, jo ta diktojë pamundësia për ta mbajtur, sepse dy rrugë ka, ose do ta derdhim, ose do ta shesim. Cila është rruga që preferoni? Rrugë të tretë nuk ka. Skavica që ka filluar tani puna  dhe që do të ndërtohet brenda këtij mandati, – me ndihmën e Zotit se gjithmonë ndodhin gjëra që ne nuk e dimë se çfarë janë rrugës, – do të na japë mundësinë të ruajmë rezerva, se ujë mund të kesh, por po nuk pate se ku ta rezervosh çfarë do të bësh? Do të rrish në dush gjithë ditën apo do ta lesh të iki. Nga ana tjetër është e vërtetë ajo që kam thënë unë siç është e vërtetë kjo që po them sot. Nuk ka prova që këto ulje sjellin benefit tek konsumatori, jo. Siç ndodhi me imputet bujqësore. Kush përfitoi nga ulja, përfituan ata që i shesin sepse është tregu.

Përsa i përket Francës mos bëni ngatërresa, sepse Franca është në pozicion tjetër sepse Franca ka centralet nukleare. Franca nuk ka problem nga kjo krizë sot siç kanë të tjerët, sepse Franca e ka me sustë, hap centralin rrit prodhimin dhe nuk e ka problem. Dhe nuk po bën asgjë nga këto që thoni ju.

Gjermania problemin e ka se ka mbyllur centralet nukleare dhe ka ulur parashikueshmërinë, duke u varur më shumë nga gazi që vjen nga Rusia dhe të gjithë këto kanë lidhje me ne për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne jemi pjesë e së tërës. Për sa kohë dalin në treg jashtë për të blerë energji tregu nuk pyet a quhesh Muhamed Veliu apo quhesh Edi Rama. Do të blesh xhaketë? Xhaketa kushton kaq.

 

– Zoti kryeministër, në vitin 2013 çmimi i naftës për lirët ka qenë 107 lekë, sot është diku tek 70 e ca lekë dhe me standardin e 2013 çmimi i naftës do ishte diku tek 150 lekë.

Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë, krahasimi im është shumë i thjeshtë. Sot, ankesa është se na është rritur çmimi i naftës përtej të tëra…

 

Është 27 lekë më shumë. Pyetja ime ishte diçka tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Pyetja ishte diçka tjetër që nuk kishte lidhje me çfarë them unë. Kuja sot është që çmimi i naftës ka shkuar aty ku s’mban më. Po si nuk mban më çmimi i naftës, kur paska mbajtur më shumë seç është sot, në 2013-ën.

Çmimin në benzinatë nuk e vendos shteti. Duhet ta kemi të qartë këtë gjë. Nuk ka lidhje shteti fare, sesa është çmimi në benzinatë. Atë e vendos tregu. E kemi zgjedhur këtë sistem ku sapo ju kishit lindur, ose ishit në lindje e sipër, sepse disa nga ju jeni me të vegjël se demokracia këtu. Nuk e vendos shteti sesa shitet nafta, sa shitet molla apo pjeshka. Këtu, ankesa vjen si rezultat i një rritjeje që qenka e paparë? Jo, ka qenë më e lartë nafta sesa është sot. Pikë. E ka blerë yt atë, nëse ti s’kishe patentën në atë kohë, më shumë sesa e blen sot. Shumë e thjeshtë. Po flas për çmimin e naftës. Iu ftova të bëni verifikimin e kësaj që po them. Mesa shikoj e keni bërë verifikimin që dje dhe ju rezulton se po them një të vërtetë. Dieseli dhe benzina në 2013-ën kanë qenë më të shtrenjta. Pastaj ishte bursa, nuk ishte bursa është muhabet tjetër. Megjithëse ne, brenda çmimit të naftës kemi dy komponentë plus, komponentin e taksës së qarkullimit që ka qenë më parë dhe një taksë karboni, çmimi i naftës është më i ulët seç ishte. Fakt.

Taksa e karbonit është aty dhe do rrijë aty, sepse pensionistët, të cilëve ju qani hallin, nuk janë ndotës të mjedisit dhe konsumatorë të ajrit që ata thithin për vete, por nuk ndotin për të tjerët. Kur flasim për ata pensionistë, kur flasim për të tjerët, kur flasim për të pamundurit që kanë nevojë për më shumë mbështetje, nga vjen kjo mbështetje, nga shiu? Nga shiu vjen energjia. Mbështetjet e tjera vijnë nga kontributet. Kështu që kush ndot më shumë do të kontribuojë më shumë, nuk diskutohet. Këtë nuk po e mohoj, por po them që çmimi është sot, më pak seç ishte. Nuk kemi të bëjmë me një çmim të paparë, por kemi të bëjmë me një çmim më të lirë sesa ishte. Duhet të kujtohemi dhe duhet të bëjmë krahasime faktuale që kanë lidhje me realitetin.

Ndërsa ishte në bursë aq e ishte kaq, këto janë çështje që nuk kanë lidhje me temën. Këtu flasim për një sektor totalisht privat. Thoni se Shqipëria prodhon mjaftueshmërisht naftë, saqë të mos ketë nevojë.

Nuk e kuptoj ku jetojmë. E para, Shqipëria nuk prodhon mjaftueshmërisht naftë. E dyta, nafta që Shqipëria prodhon është naftë e rëndë me një përmbajtje të lartë squfuri, e cila shitet jashtë sepse prodhuesit e saj janë privatë si gjithë bota. Shitet kryesisht për nënprodukte industriale, bitum në radhë të parë. Nuk shkon jashtë për të ushqyer mercedesa dhe alfa romeot, shkon për nënprodukte. Shqipëria importon 600 mijë tonë në tregun ndërkombëtar. E kur them Shqipëria, e importojnë subjektet private, siç ndodh në gjithë botën demokratike. Nuk ka vend demokratik, në dijeninë time, ku naftën e prodhon shteti, e shet shteti e shpërndan shteti nëpër benzinata. E kemi zgjedhur këtë sistem. Unë nuk mendoj që duhet të diskutojmë sistemin. Mendoj që duhet të diskutojmë që përgjegjësitë janë të ndara dhe qeveria ka detyrimin të bëhet digë midis atyre që nuk e përballojnë dot këtë furtunë dhe furtunës.

Qeveria nuk është këtu për të lehtësuar streset e atyre që i kanë të gjitha mundësitë që ta përballojnë këtë situatë apo situata edhe më të rënda, apo për të lehtësuar streset e atyre që janë me nga dy makina dhe që janë ata që bërtasin më shumë. Jo, qeveria është këtu për ata që janë më të prekshëm nga kjo. Ata janë konsumatorët familjarë e bizneset e vogla, në radhë të parë.

Biznesi i vogël – është fjalë e madhe biznes, por ato pjesa më e madhe janë familje dhe për ata jemi ne këtu, në radhë të parë. Këto diskutime “si ta bëjmë Shqipërinë, ku çmimet të jenë përtokë dhe rrogat të jenë përpjetë” janë diskutime që lidhen me një realitet që nuk është dot fizik, është imagjinar.

Rruga është kjo. Ne jemi në rrugë të drejtë dhe do vazhdojmë në këtë rrugë me të gjitha dhimbjet, me të gjitha sakrificat që kjo ka. Po t’i kishin bërë këto gjëra që po bën kjo qeveri dhe që po bëjmë ne prej tetë vitesh, qysh në ’91-in, sot do diskutonim gjera të tjera. Por nuk u bënë. Përkundrazi, sektori energjetik ishte në humnerë. E nxorëm nga humnera, por nuk e kemi sot ende në kushtet që duhet të jetë sovran, varet nga faktorë të tjerë. Duhet ta bëjmë sovran që lëvizjet, shitjet – blerjet t’i diktojë Shqipëria. Kjo bëhet duke investuar te Skavica, duke investuar tek një burim i planifikueshëm. Ne nuk kemi një burim të planifikueshëm, ne kemi një burim të gjithin të lidhur me motin, në kushtet kur ndryshimet klimatike po e bëjnë gjithmonë e më problem.

Burim i planifikueshëm është gazi i lëngshëm që do ta sjellim me mbështetjen e qeverisë amerikane. Kemi filluar punën duke investuar në energjinë diellore ku po bëjmë investimet e para. Po ashtu me energjinë e erës. Po të ishin bërë këto me kohë, sot do të diskutonim gjëra të tjera. Por nuk i diskutojmë dot gjërat e tjera.

 

Zoti kryeministër, përveç çmimit, kriza energjetike do të thotë një dimër pa drita?

Kryeministri Edi Rama: Në qoftë se do ishte dimër pa drita, do t’i kishim rënë shkurt, do ju thonim “bëhuni gati, lajmet vetëm në orën 3, në orën 7 errësirë”. Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare. Nuk jemi këtu për t’u rënë kollaj fare gjërave. Nuk jemi këtu as që askush të më qajë hallin mua se nuk jam këtu për këtë unë, por po kërkoj që të gjithë të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe, shtëpisë së përbashkët. Sot, Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerjeje të energjisë elektrike. Foli dikush këtu për Italinë, gaboi. 40% e ka rritur Italia çmimin në fature. Mario Draghi tha ky nuk është çmimi real, sepse nuk është. E subvencionon shteti një pjesë tjetër. Keni njerëz në Itali, pyetini sa të lumtur janë me rrogat, pensionet e situatën dhe goditja është shumë e  rëndë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri, nuk ka ndodhur në Tiranë që të hapen pika për të marrë bukë falas. Ka ndodhur në Milano, gjatë kohës së pandemisë. E keni dhënë ju në televizor. Ka ndodhur në Milano, radhë të tëra për të marrë bukë fals.

Të jemi realistë dhe të mos harrojmë që një pjesë e madhe dhe kryesisht, ata që qahen më shumë janë ata që kanë më shumë të ardhura sesa tregojnë. Mos e harrojmë edhe këtë, sepse përndryshe, nëse i besojmë vetëm të ardhurave të deklaruara, atëherë shumëçka nuk do të shkojë siç shkon në të vërtetë. Verifikojeni këtë. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla, nuk po flas për depozitat e të pasurve. Ka sasinë më të lartë të depozitave të vogla nëpër banka dhe kjo tregon që gjendja është alarmante apo që gjendja është e qëndrueshme? Nuk po them e bukur.

Sot, Shqipëria është në nivelin më të lartë të eksporteve. Kush i krijon këto eksporte, i krijojmë ne? Ne eksportojmë fjalë, ju importoni deklarata dhe i shisni në ekran. Eksportet i krijojnë njerëzit që punojnë.

Të gjitha këto duhet të na vendosin në kushte që të kuptojmë se ku jemi, ku duam të shkojmë, të mos e humbasim toruan. Ta dinë të gjithë, përsa kohë unë jam këtu, nuk ka asgjë të mundshme që mund të bëhet  për ata që janë në nevojë dhe që ne do ta lëmë pa e bërë. Nuk ekziston. Por ajo që nuk bëhet, nuk bëhet se përndryshe, e bëjmë sot, por nesër gjendemi siç u gjendëm pas rendjes mbrapa politikave të Vehbiut dhe Sudes.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.