Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Várhelyi

Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Olivér Várhelyi:

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Jemi mbledhur në Tiranë dhe dua t’i falënderoj të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të pranishëm nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë falenderoj Komisionerin, i cili shprehu menjëherë gatishmërinë për të ndryshuar axhendën e tij dhe për të ardhur në këtë takim, i cili, në këndvështrimin tim është i një rëndësie të veçantë për dy arsye. Së pari, sepse të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi se si e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e 4 lirive të Europës në rajonin tonë dhe nga ana tjetër, sepse ky proces tanimë është i mbështetur nga një paketë financiare, në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të Bashkimit Europian që, për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore-hekurudhore-portuale të interkonektivitetit dhe të gjithë sektorit të energjisë, si dhe të digjitalizimit, përbën lëvizjen më të madhe historike të Bashkimit Europian ndaj apo në drejtim të Ballkanit Perëndimor.

Ishte një kënaqësi sepse më në fund takimi nuk ishte virtual sepse ne kemi mundësinë që t’i mikpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj se edhe Komisioneri edhe delegacioni nga Brukseli ndjehet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë dhe patjetër sepse gjërat tanimë janë konkrete, planet e punëve janë konkrete dhe ky është një nga ato momente kur duhet ta pranojmë që Bashkimit Europian, Komisioni Europian të vetën deri këtu e ka bërë plotësisht. Na takon ne të bëjmë tonën.

Nuk diskutohet që qeveria e Republikës së Shqipërisë, unë personalisht kemi qenë qysh në momentin e parë dhe mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se projekti i atij që unë e quaj Shengeni Rajonal, dikush tjetër e quan Minishengen, dikush tjetër mund të mos e thërrasë fare në emër, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale, por në fund fare edhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që tanimë sinergjia e këtij vizioni me Bashkimin Europian është e plotë.

Procesi i Berlinit është zanafilla dhe tani jemi në kushtet ku po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e Komisionit Europian, nën udhëheqjen e Presidentes së Komisionit, me dëshirën dhe ambicien që takimi i 5 korrikut në kuadër të Procesit të Berlinit, të jetë i fundit që bëhet në formatin e deritanishëm dhe ai i vitit të ardhshëm të bëhet me një format nën kujdesin e Komisionit, me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me praninë e vendeve të BE.

Kjo është një ambicie e jona dhe një dëshirë që fatmirësisht me Komisionerin e ndajmë plotësisht. E fundit që ka rendësi është se në ndërkohë, kemi vendosur paralelisht me çka lidhet me programet në ato tre drejtime që fola me planin, edhe një sërë pikash ambicioze për të ndërlidhur progresin e bërë së brendshmi në rajonin tonë me vetë mënyrën e funksionimit në ato drejtime ku ne do bëjmë progres, të hapësirës së BE. Që do të thotë se nëse ne këtu bëjmë hapa në drejtim të jetësimit të 4 lirive të BE, këto hapa, ambicia është të na njihen edhe në hapësirën e Be në aspektin e tregtisë, në aspektin e qeverisjes së të dhënave, në aspektin e mundësive nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik.

E fundit fare, ne, siç e dini, brenda rajonit, por përpara dy ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë në post-pandemi pa detyrime ekstra, teste e histori të tjera për shkak se nuk jemi anëtare të Bashkimit Europian, ndërkohë që sot të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionerit dhe nëpërmjet Komisionerit edhe Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë, në aspektin e sigurisë shëndetësore, të njihet në të gjithë hapësirën e Bashkimit Europian dhe edhe ne të lëvizim lirisht, siç lëvizin qytetarët e Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit edhe njëherë i dashur Oliver, zoti Komisioner dhe fjala është për ju, me nënvizimin që edhe pse vizitat së fundmi në rajon, por edhe këtu kanë qenë të shpeshta, në çdo vizitë ka pasur diçka të re dhe një lajm të ri shumë të mirë për ne po ia lë Komisionerit që ta thotë.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Olivér Várhelyi: Faleminderit kryeministër! Shumë faleminderit që më keni ftuar në Tiranë! Jam veçanërisht i kënaqur që shoh që ndoshta ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë Covid 19 dhe ndoshta do fillojmë t’i rikthehemi mënyrave së mëparshme të punës dhe të kryejmë takime të tilla kaq të rëndësishme të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në formë fizike dhe të kemi mundësinë të shtyjmë përpara axhendën tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Kjo, pasi ky takim ka të bëjë pikërisht me këtë axhendë të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, axhendë e cila nuk krijohet vetëm nga Komisioni Europian, por nga vetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe ndaj ky takim është kaq i rëndësishëm. Ne shikojmë një angazhim dhe përkushtim shumë të qartë të këtyre udhëheqësve. E kemi parë tashmë, u formësua edhe vitin  e shkuar për të krijuar tregun e përbashkët rajonal dhe sot ne kemi patur mundësinë të hedhim sytë pas dhe të shikojmë se çfarë ecurie e përparimesh kemi bërë. Nuk kemi arritur ende aty ku dëshirojmë që të arrijmë, por duhet të arrijmë atje deri në korrik kur të kemi në fakt dhe samitin tjetër të radhës.

Shikojmë  tashmë dhe rezultatet e para që ndryshojnë, po ndryshojnë jetën e qytetarëve me lançimin e marrëveshjes pa tarifa roaming në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kjo vërtet që është një arritje shumë e madhe e do të ketë ende gjëra shumë të mëdha, si përshembull qytetarët që të mund të lëvizin me letërnjoftime, karta identiteti, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë, pra të gjitha këto gjëra sëbashku do të bëjë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor t’u ofrojë shumë gjëra qytetarëve të Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe tregtinë online apo atë që njihet si e-tregtia. Ne jemi të gatshëm që të rikonfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan të cilin e kemi treguar që në vjeshtë që  mobilizon 1/3  e PBB të rajonit, pra, pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon.

Por, ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se ne nuk kemi një treg rajonal, nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave në rast se të gjithë automjetet e mëdha do të ndalojnë në pika kufitare ndërmjet, pra kufijve, çdo 100 kilometra të themi. Nuk ka kuptim për të punuar më shumë për këto hekurudha në rast se edhe trenat do të hasin vështirësi, ose rrugë të reja tregtie, në rast se do duhet të ketë 6 lloje të ndryshme certifikatash për mallrat ose tatime të ndryshme për këto lloj mallrash.

Ky plan ekonomik dhe plan investimesh do të japë rezultatet e veta vetëm në rast se vetë ky rajon punon për këtë treg rajonal dhe ky është edhe mjedisi ku do të funksionojë ky treg rajonal.

Nga ana ime, lajmi që unë solla sot këtu për ju është se ne kemi një marrëveshje tashmë në Bashkimin Europian për financimin e këtij plani. Kemi arritur javën e shkuar këtë marrëveshje me Këshillin dhe me Parlamentin Europian për programin IPA 3 siç e quajmë ne, pra asistenca e para aderimit, pra fondet e para aderimit, i cili do të jetë edhe mekanizëm me anë të të cilit do të financohet ky plan.

Ne, nga ana jonë jemi mëse të gatshëm edhe me fondet që të fillojmë këtë plan ekonomik dhe investimesh dhe ne duam që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të fillojnë me këtë plan sa më shpejtë të jetë e mundur. Siç e shihni, ne po hyjmë në një muaj, muajin qershor, që është një muaj kritik për Ballkanin Perëndimor. Kemi shumë çështje mbi tryezë.

Ne në Bashkimin Europian dëshirojmë që të organizohen konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi, që ato të vazhdojnë negociatat e tyre të anëtarësimit. Duam që të organizohen dy konferenca te para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut dhe kemi këtë Samit të sotshëm që të tregojmë rezultatet për qytetarët e këtij rajoni. Pra, ky muaj, ky vit, mund të jetë vërtetë muaji apo vitit i Ballkanit Perëndimor, por ne të gjithë duhet të tregojmë rezultate, arritje dhe ky është mesazhi që doja të sillja, jo vetëm këtu, por dhe për shtetet anëtare. Faleminderit!

– Një pyetje për Komisionerin dhe për ju zoti Kryeministër. Mendoni se Shqipëria do të sakrifikohet edhe këtë herë për shkak të problemeve që ekzistojnë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut? A parashikohet se sa mund të zgjasë kjo situatë dhe a jeni përpjekur ju të gjeni një zgjidhje për faktin se Shqipëria i ka përmbushur të gjithë detyrimet e saj? Duket se deri më tani nuk ka asnjë kontestim sa i përket vendeve anëtare për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ju faleminderit!

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Olivér Várhelyi: Ashtu siç e thashë, ky muaj është muaj kritik. Është qershori i këtyre vendimeve, pra do duhet të merren këto vendime. Ne po punojmë vërtetë fort, edhe në këto momente, prapa kuintave të themi, sepse kjo është ajo periudhë e demokracisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE-së është e angazhuar dhe e përkushtuar për të gjetur zgjidhje dhe po ashtu e njëjta gjë vlen dhe për Komisionin Europian. Por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne jemi tërësisht të angazhuar dhe duam që kjo gjë të ndodhë.

Kryeministri Edi Rama: Për sa më takon, përgjigja ime mbetet po ajo që ka qenë. Ne, e para, ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht sepse nuk i bëjmë pse na i kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo Haga, por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë e ndaj brezave të ardhshëm. Detyrat e shtëpisë të integrimit europian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë europiane në sistemin e saj të drejtësisë, në sistemin e saj të institucioneve të mirëqeverisjes, të shërbimeve ndaj qytetarëve, në sistemin e saj të përgjithshëm demokratik në sensin çdo element të sistemit demokratik.

Për sa kohë ne, Komisioni Europian, jo këtë vit, por tanimë prej 3 vitesh na ka thënë që detyrat i keni bërë si duhet e i ka kërkuar Këshillit Europian që të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë më tutje fazën tjetër të procesit, ne jemi  të qetë.

Këshilli Europian ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje fare me ne. E kam thënë dhe e përsëris, sado të thonë ata kanë lidhje dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet, sot fatmirësisht nuk ka kontestim për detyrat tona, jo vetëm nga Komisioni që nuk ka pasur dhe më përpara, por as nga shtetet anëtare. Por miqtë e mi, ky është një rast tjetër për të mësuar Europën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe ku gjërat janë gjithmonë e më shumë të ndërlidhura me njëra tjetrën, ka një ngërç mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe sigurisht që mënyra si funksion i tërë sistemi i zgjerimit dhe integrimit dhe sistemi i brendshëm i BE, kërkon që ky ngërç të zgjidhet para se të vazhdojë procesi e në këtë moment, ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi apo arsyeje për të thënë që ne po sakrifikohemi sepse në ndërkohë ne këtu jemi me Bashkimin Europian e po vazhdojmë punën për të përmirësuar jetën e të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm nga pikëpamja e gjithë arkitekturës së re legjislative dhe të funksionimit të institucioneve, por dhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e gjithë elementëve të tjerë të ekonomisë. Kam një pyetje legjitime që deri kur vazhdon kjo histori, se kemi parë që sa shumë u zgjat një tjetër histori mes Maqedonisë së djeshme, asaj të Veriut sot, me fqinjët në jug, por kësaj pyetje nuk po ia kërkojmë përgjigjen sot. Të presim mbledhjen e Këshillit, të shikojmë a do ketë apo nuk do të ketë zhvillime dhe më tutje, këtu jemi prapë, nuk ka asnjë minutë të humbur nga ana jonë, kjo ka rëndësi.

– Ju kryeministër e prekët pak më parë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve në këtë periudhë, edhe pse zyrtarisht jemi në pandemi. Çfarë duhet të bëjë më tepër Shqipëria. Dhe ju zoti Komisioner çfarë është i gatshëm të bëjë Komisioni për ta rikthyer lëvizjen e lirë të qytetarëve si para pandemisë.

Kryeministri Edi Rama: Ma bëre mua të parit pyetjen, por i pari duhet të flasë Komisioneri sepse është BE që vendos këtë punë, sepse lëvizim në oborrin e tyre se në oborrin tonë jemi në rregull, jemi më mirë se ata nga ana e situatës  shëndetësore.  Por për në oborrin e tyre flasin këta.

Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Olivér Várhelyi: Siç e dini, Komisioni ju ka bërë shteteve anëtare një rekomandim, pasi si kompetencë dhe përgjegjësi kjo është e shteteve anëtare për të vendosur për udhëtimet jo thelbësore siç e quajmë ne nga vendet e treta, që do të thotë për turizmin. E deri më tash janë vendet anëtarë ato  që duhet të shikojnë se në c’kushte janë ato gati për të hequr ato kufizime, të cilat tashmë ekzistojnë. Sigurisht, faktori kyç këtu është ai epidemiologjik, pra situata epidemiologjike në rajone apo vende të ndryshme.

Shikojmë që kjo lloj situate në Ballkanin Perëndimor është përmirësuar. Shikojmë që ka edhe marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjellë të certifikatave të Covid 19.  Kështu që me këtë lloj certifikatë të BE-së dhe në të gjithë BE që prej datës 1 korrik , ky proces në fakt do të përshpejtohet dhe ndërkohë që ne në BE arrijmë një nivel shumë të lartë të vaksinimit, atëherë dhe rreziqet janë shumë të ulëta sa u përket personave që vijnë dhe udhëtojnë nga vendet tuaja.

Sigurisht që ne do të shikojmë një lehtësim në udhëtim.

Të gjithë e kemi vuajtur këtë gjë dhe sigurisht është e pakëndshme, nuk besoj se është e këndshme për askënd, por e gjitha kjo, në fakt varet nga situata e pandemisë Covid 19. Askush nuk duhet ta shikojë si çështje diplomatike apo politike, por kjo është vërtetë një çështje që ka të bëjë me shëndetin publik. Por unë besoj se me fillimin e sezonit veror në fillim të korrikut, kjo çështje do të jetë pjesë e historisë sonë të përbashkët.

Kryeministri Edi Rama: E shikoni atë traun atje. Ai trau ku kemi lidhur fijet ne është BE. Ne jemi këtu, vazhdojmë tezgjahun tonë, pak nga pak, fijet janë lidhur por është gjithë kjo rrugë për t’u bërë. E çfarëdo që të bëjnë ata që janë te trau po t’u shkojmë ne atje me standardet, me vlerat, me parimet, me sistemin që funksion, mbaroi puna. Por na takon ne. Kështu që kini besim se jemi në rrugën e duhur dhe në këtë rrugë jemi me fat se ajo që ka ndryshuar në historinë tonë mes shekujve përpara se të shfaqej BE dhe periudhës pasi u shfaq BE, është pikërisht BE që na ka dhënë mundësinë që të kemi traun atje për të lidhur fijet.

Faleminderit shumë!