Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Itali në një vizitë zyrtare, zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Italisë Mario Draghi e më pas dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Kryeministri i Italisë Mario Draghi: Mirëdita të gjithëve! Do doja të falënderoja kryeministrin Rama për këtë vizitë, për të cilën jam jashtëzakonisht i kënaqur.
Patëm një bisedë vetëm ne të dy pak më parë shumë interesante dhe na bëri të njiheshim pak më shumë të dy. Ne ishim takuar edhe më parë, por nuk kemi patur mundësinë të flasim sy më sy për disa kohë. Do doja ta falënderoja kryeministrin Rama për sinjalin e jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe afërsisë që ai dhe Shqipëria i kanë dhënë Italisë në periudhë më të errët të pandemisë.
Marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Është një marrëdhënie shumë e lashtë, shumë e fortë, është një marrëdhënie e suksesshme. Nuk ka nevojë për fjalë, por vetëm për përforcime. Bashkësia italiane dhe bashkësia shqiptare në Itali është një bashkësi shumë e gjerë. Më duket shumë mirë e integruar.
Studentët shqiptarë janë të shumtë dhe frekuentojnë me përfitim shumë të madh universitetet tona. Sipërmarrjet italiane në Shqipëri janë vërtetë shumë, si ato me pronësi vetëm italiane, ashtu edhe ato me pronësi të përbashkët që do të thotë që edhe në këtë sektor, kategoritë e sipërmarrësve janë pranë.
Bashkëpunimi me Shqipërinë ushtrohet edhe në rrafshin e bujqësisë, turizmit, shërbimeve dhe tanimë edhe tranzicionit ekologjik.
Italia gjendet pranë Shqipërisë në çdo gjë, në çdo centimetër të politikës së saj të jashtme, sa i përket afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Italia ndjek nga afër dhe duke ndjekur përshtatjen e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian do vazhdojë ta bëjë dhe e ka bërë dhe kohët e fundit.
Është shumë e rëndësishme si për Italinë, ashtu edhe për Shqipërinë për stabilitetin në Ballkan sepse procesi i hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do ndodhte vetëm, por duke konsideruar edhe hyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit.
Edhe bashkëpunimi sa i përket gjyqësorit dhe sigurisë ecën shumë mirë dhe sot folëm për këtë. Ka nisma të ndryshme mbi të cilat dy vendet do të punojnë dhe në këtë ditë sot, në mënyrë të veçante, Kryeministri Rama do nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme pjesëmarrjen në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë. Me pak fjalë mund thjesht të them që Italia do i japë një mbështetje të bindur dhe të plotë Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Si gjithmonë është një nder të jem në këtë pallat, por kësaj here nuk është vetëm një nder të takoj kryeministrin italian, por edhe një privilegj që takon Mario Draghi dhe dua ta falënderoj edhe për këtë privilegj sepse është një mundësi kjo për të mësuar dhe folur e diskutuar, jo vetëm për gjërat e tashme, por edhe për të projektuar drejt së ardhmes. Për këtë folëm edhe në drejtim të integrimit europian që të mund të çelim një korsi më të shpejtë, në mënyrë që të integrohet më shpejt sesa vendet e Ballkanit Perëndimor për disa kategori të rëndësishme siç janë të rinjtë, gjë që do ishte shumë e rëndësishme nëse do të mund të integroheshin sistemet universitare europiane me sistemet universitare të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo sistemet europiane të bujqësisë me sistemet tona të bujqësisë, sistemet e kërkimit dhe inovacionit me sistemet tona të kërkimit dhe inovacionit dhe pa dyshim edhe në sfera të tjera, pa harruar tranzicionin ekologjik, që është sfidë e përbashkët, por nuk ka kuptim të ketë dy korsi të ndara, një e Bashkimit Europian dhe një e Ballkanit Perëndimor për arsye të ndryshme dhe për një arsye shumë themelore, të cilën e nënvijëzoi kryeministri.
Çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor, si në të mirë a në të keqe, ka një ndikim të menjëhershëm mbi Europën sepse mjafton të mendojmë që Bashkimi Europian është e vetmja krijesë gjeografike me një kufi të jashtëm dhe një të brendshëm dhe jashtë këtij kufiri të brendshëm janë 6 shtete, të cilët praktikisht jetojnë në zemër të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, munda t’i kërkoj Kryeministrit një përshpejtim të procesit të njohjes së pensioneve. Ka shumë shqiptarë, të cilët punojnë prej vitesh dhe paguajnë kontribute në shtetin italian.
Folëm, ashtu siç e tha dhe kryeministri, për sigurinë dhe drejtësinë dhe mendoj se kemi mundësi për t’u zhvilluar projekte, të cilat t’u drejtohen më shumë të rinjve, të tërheqin më shumë të rinjtë drejtë një arsimimi dhe edukimi me cilësi të lartë, siç është ai që njihet ndërkombëtarisht Akademia Italiane e Policisë, apo ajo shumë e vlerësuar, Shkolla Italiane e Magjistraturës për çështjet e ligjit dhe të drejtës.
Është bërë shumë. Italia ka pasur një rol kryesor në të gjithë këtë periudhën e këtij kalimi jo të thjeshtë nga një regjim i mbyllur diktatorial në një demokraci funksionale.
Nuk do jetë asnjëherë e mundur për ne që ta shprehim me fjalë të gjithë mirënjohjen kundrejt këtij vendi, kundrejt gjithë atyre që kanë qeverisur dhe që asnjëherë nuk e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Shqipërisë, si ata të së djathtës apo të majtës apo atyre grumbullimeve të mëdha italiane të qeverive.
Ne tani mund të bëjmë shumë më tepër sepse sot nuk janë vetëm shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, por janë të shumtë italianët që nga sipërmarrësit, studentët apo pensionistët italianë. Është një e ardhme që do të na lidhë gjithnjë e më tepër.
Sigurisht, Italia është një vend i madh, i fortë ekonomikisht, vend shumë i zhvilluar. Shqipëria është vend i vogël, në zhvillim e sipër, por sidoqoftë duhet që të gjehen rrugët, mënyrat për ta përforcuar lidhjen sepse është diçka që i bën mirë të dy vendeve dhe më në fund, shpresojmë që kryeministri do ketë mundësinë të vizitojë Shqipërinë dhe pas i të kemi organizuar së bashku me të gjitha autoritetet një javë të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë për të kremtuar gjithçka që na lidh, edhe pse për ta bërë në mënyrë të përkryer nuk mjaftojnë 7 ditë, por na duhen 365 ditë.
Kryeministri i Italisë Mario Draghi: Faleminderit Kryeministër! Faleminderit edhe për italishten tuaj të përkryer!
Kryeministri Edi Rama: Për këtë unë falenderoj gjyshen time.
–Presidenti Draghi, ju folët për zgjerimin me të gjithë zonën e Ballkanit dhe në terma të stabilitetit të zonës dhe duke menduar për çështjen e madhe të emigracionit që prek të gjithë Europën, ju mendoni nëse kjo gjendje mund t’i ngadalësojë negociatat apo çfarë lloj influence do të ketë? Siç e ka kërkuar kryeministri polak, një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit Europian përpara Këshillit të dhjetorit, për sa po ndodh në kufi mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Dhe Kryeministrit Rama pikërisht në lidhje me këtë, do të doja ta pyesja çfarë mendon për Europën e për temën e mureve për të cilën flasim shumë në Bashkimin Europian?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Mua më është dashur ta mësoj personalisht këtë, që procesi i integrimi europian tw atyre vendeve që nuk janë akoma anëtarë, wshtw i lidhur me dinamikat e brendshme të vendeve të ndryshme, ndërsa vende si Italia apo të tjerë, asnjëherë nuk kanë patur ndonjë diskutim të brendshëm, nuk i kanë lidhur asnjëherë këto çështje me pozitën e tyre shumë të qartë mbi zgjerimin. Ka disa vende, të cilat kanë ndjekur një vijë të ndryshme, por siç do të thoshte legjendari Donald Trump, “it is what it is”, nuk mund ta ndryshojmë këtë, por ajo që mund të bëjmë është të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, sepse integrimi europian i Shqipërisë apo i Ballkanit nuk është diçka që na e kanë detyruar.
Ne nuk e bëjmë se na e kanë kërkuar nga Berlini, nga Parisi apo nga Roma. Është diçka që është pjesë e borxhit që ne i kemi brezave të rinj dhe është pjesë e fatit të Shqipërisë. Ka qenë gjithmonë ëndrra e të gjithëve ne dhe edhe të etërve themelues, të cilët gjithnjë kanë synuar bregun tjetër, bregun e përtejmë të detit. Pra, ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që jemi duke bërë. Italia është një partner absolutisht i pazëvendësueshëm në këtë, me gjithë “know how”, me gjithë ndihmën që na jep për të kuptuar më mirë, për të ecur më shpejtë në rrugët e duhura, ashtu si vendet e tjera partnere, mike. Pastaj pak durim, zgjerimi është fati i Bashkimit Europian nëse Bashkimi Europian dëshiron të përmbyllë, të përkryejë projektin e etërve themelues, kalon përmes historisë së saj që nuk është shumë e thjeshtë.
Kryeministri i Italisë Mario Draghi: Siç vërejti shumë mirë kryeministri Rama, integrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian nuk është diçka që varet nga shkaqe rrethanore, është shkruar në të ardhmen e BE, pra çfarë po ndodh tani në Bjellorusi nuk ka ndikim në këtë proces. Në çdo rast, Italia nuk mendon që duhet të ndikojë në këtë proces, por nuk mendoj se vendet e tjera mendojnë kështu. Nuk kam pasur ndonjë lajm për ndonjë mbledhje të jashtëzakonshme për këtë, nuk e di nëse do të jetë, do të diskutojmë për këtë pra. Tani po përdoren emigrantët si një instrument i politikës së jashtme.
– Përshëndetje! A do të marrë Italia ndonjë hap apo ndonjë masë nëse Bullgaria do të vijojë të bllokojë integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut? Për ju zoti Draghi. Ndërsa për kryeministri Rama, a do të kërkojë Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut nëse Bullgaria do të vijojë të bllokojë procesin e integrimit?
Kryeministri i Italisë Mario Draghi: Edhe një herë unë i referohem fjalëve të Kryeministrit Rama. Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një proces që i sheh vendet të gjitha sëbashku. Duhet të konsiderojmë që edhe integrimi i Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm. Cilat janë hapat që do bëjë Italia, sot është herët për ta thënë. Këto do kapërcehen konkretisht dora, dorës që procesi i integrimit të Bullgarisë do të vazhdojë. Unë përgjithësisht jam optimist, por këto janë gjëra, nuk e di nëse e kujtoni, nuk mund ta kujtoni se jeni shumë të rinj, por zgjerimi i parë i Bashkimit Europian për shumë vende që tani konsiderohen si partnerë të qëndrueshëm, u është dashur shumë vite vërtetë. Pra, duhet të mendojmë të arsyetojmë për kohët e gjata. Kjo nuk është diçka që bëhet duke ju përgjigjur çështjeve të politikës së jashtme, kontingjenteve, çështjeve të lidhura me emigracionin apo me aksidente ndërkombëtare, por është një strategji afatgjatë që përkufizon identitetin e Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama: Do doja ta jepja përgjigjen në shqip. Së pari, është e qartë që procesi i mëtejshëm për thirrjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian apo mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian, nuk varet fare as nga Shqipëria, as nga Maqedonia e Veriut në këto kushte, por varet nga një veto e vendosur nga Bullgaria e në këtë rast Shqipëria është dëmi më i çuditshëm kolateral që mund të imagjinohet. Nga ana tjetër, për ne nuk është e rëndësishme se ka një datë apo nuk ka një datë. Për ne është e rëndësishme që të jemi çdo ditë në lartësinë e duhur dhe gati për të filluar procesin dhe i takon Bashkimit Europian që të mbajë fjalën e të gjejë rrugën për të mbajtur fjalën sepse tanimë u bënë dy vjet që duhet të kishim filluar këtë proces dhe nëse kjo nuk ndodh, i takon Bashkimit Europian që ta marrë përsipër përgjegjësinë dhe gjithçka tjetër që lidhet me të. Në sensin e thjeshtë që ne i kemi bërë detyrat tona, nuk i kemi bërë për Bashkimin Europian, por i kemi bërë për vete, do vazhdojmë t’i bëjmë për vete, jo për BE dhe në çdo moment që do të ketë zhbllokim të rrugës, ne do të jemi gati të ulemi në tryezë.
Pastaj çështja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, sot është një çështje që është shumë herët për ta diskutuar sepse në Bullgari ka pasur zgjedhje, duhet të presim qeverinë e re, duhet të presim Presidentin e ri të Bullgarisë e do të shikojmë çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re në Bullgari dhe shumica e re parlamentare e natyrisht do të shikojmë se deri ku do të kenë efekt të gjitha demarshet që po bëhen në të gjitha nivelet nga të gjitha shtetet nga bullgarisë sepse tani nuk është vetëm Italia në një grup të madh vendesh, por është edhe Franca, është edhe Holanda që janë në vijën e parë të përpjekjes për të bindur Bullgarinë që të hapë rrugë. Faleminderit!