Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca

Komisioni Europian publikon Raportin e Progresit 2021 për Shqipërinë, ku konfirmon ecurinë e qëndrueshme të vendit tonë dhe përmbushjen e detyrave të procesit, duke nënvizuar po ashtu edhe sfidat e mëtejshme, në një rrugë që vazhdon, teksa Shqipëria pret nga Këshilli Europian të mbajë fjalë për uljen në tryezë me Shqipërinë për negociatat e anëtarësimit.

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Siç e dini, është tanimë një traditë që Raporti i Progresit Vjetor të Komisionit Europian dorëzohet në mënyrë protokollare edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet që janë në këtë proces, nga përfaqësuesi më i lartë i delegacionit. Duhet ta falënderoj ambasadorin Soreca, jo vetëm për këtë prani në një moment që është momenti më i rëndësishëm në fakt i ndërveprimit mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian përgjatë harkut të një viti, por sinqerisht për punën e madhe dhe të palodhur të të gjithë ekipit të delegacionit të BE në Shqipëri, një punë që zhvillohet përditë, pa orar, larg vëmendjes së publikut e të mediave, në një ndërveprim kompleks me të gjithë ministritë, agjencitë, departamentet, nëpunësit civil të përfshirë në procesin e përafrimit dhe që na ndihmon për atë çka e bën këtë proces një instrument unikal për vendet në funksion të modernizimit, shtet ndërtimit dhe njehsimit të gjithë ngrehinës së tyre institucionale, ligjore dhe në tërësi sociale me Bashkimin Europian.

E kam thënë në më shumë se një rast, që ky është një instrument, të cilin e ofron në këtë botë ku jetojmë, vetëm Bashkimi Europian, për vende që për 1001 arsye janë në një fazë të ndërmjetme kalimi nga një stad i caktuar dhe në rastin tonë stadi i caktuar quhej diktaturë, në një demokraci funksionale. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme për të gjithë, ta kuptojmë se përtej vetë anëtarësimit, ky është një proces i brendshëm, i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm, për të pasur këtu ku jetojmë, një shtet që funksionon me të gjitha normat, standardet e një shteti demokratik dhe modern.

Raporti që marrim sot është një tjetër, në një vazhdë të disa të tjerëve tanimë, ku Komisioni e rikonfirmon edhe një herë bindjen e vetë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht, atë që është vendosur më parë, në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë sëbashku me Bashkimin Europian, diskutimin e anëtarësimit.

Po ashtu, dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimësisht në të gjitha instancat dhe në forumet e nivelit më të lartë të pjesëmarrjes së vendit tonë e të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, dhe në takimet e mia bilaterale me liderët e Bashkimit Europian, se ne gjejmë tek Komisioni Europian një partner të drejtë, një partner të paanshëm, një partner rigoroz që e vlerëson progresin, duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren. E për këtë arsye, do ta përsëris edhe sot, nuk ka, nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare, një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit e për nga drejtësia e gjykimit, delegacionin e Komisionit Europian e të Bashkimit Europian këtu në vendin tonë, sepse këtu bëhet fjalë për një skuadër të madhe që punon 24 orë në 7 ditë të javës, pikërisht për të monitoruar gjithçka ndodh. Ndërsa, kur dëgjojmë pranë afateve dhe ditëve të vendimmarrjeve në nivelin politik të Bashkimit Europian se në një vend apo në një vend tjetër ngrihen pretendime apo thuhet prit se është dhe kjo, është edhe ajo, kjo është politikë. Këto nuk janë gjykime teknike dhe prandaj Raporti i Progresit është dokumenti për ne udhërrëfyes, ndërkohë që të gjitha të tjerat janë interferenca në proces me natyrë politike, krejtësisht të mirëkuptueshme, çohet një parlament andej, del një parlament këtej, vjen një grup deputetësh nga një anë, shfaqet një grup nga ana tjetër, bëjnë deklarata apo nxjerrin promemorie që janë të lidhura me çfarë hallesh kanë ata në vendet e tyre. Komplet legjitime e natyrisht ne nuk mund të mos i marrim parasysh, por ama nuk ka krahasim fare me çfarë përfaqëson Raporti dhe vetë Komisioni në pikëpamje të objektivitetit.

Nuk dua të zgjatem, kjo është një konferencë shtypi me liri të plotë për të gjithë të ftuarit tanë nga të gjitha mediat e interesuara për të bërë pyetje e ne do të japim përgjigje, por dua të them shumë shkurt se së pari, Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit e të përputhjes me standardet e me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Së dyti, se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe, që janë në thelb reforma të shtetndërtimit dhe të konsolidimit të institucioneve demokratike, që nga reforma në drejtësi, ku procesi i vettingut përsëri nënvizohet si një histori suksesi; ku reforma në administratën publike përsëri referohet si një proces që përparon; ku lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit përcaktohet si një luftë që përparon; ku respekti për liritë e të drejtat e njeriut rikonfirmohet si vlerë bazike e proceseve demokratike në vendin tonë; ku politika e drejtpeshuar në aspektin e barazisë gjinore nënvizohet dhe vlerësohet; ku përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me Bashkimin Europian vihen re dhe vlerësohen; ku progresi në funksion të një ekonomie funksionale tregu përtej gjithë pengesave dhe goditjeve nga pandemia referohet si një përpjekje që përparon; ku angazhimi shumëpalësh i Shqipërisë dhe ndjekja e një politike të jashtme, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian rinënvizohet si një vlerë në këtë proces.

E pra, këto janë pikat kyçe. Nga ana tjetër, që të jemi të qartë, Raporti i Progresit nuk është thjesht dhe vetëm një dokument që bën vlerësime pozitive, por është edhe një dokument që nxjerr në pah sfidat, problemet dhe çështjet që duhen adresuar për të përparuar më tutje. Shqipëria sot, përtej progresit që ka bërë nuk është një vend, ne e dimë shumë mirë, jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, që mund të bëhet sot, tani që flasim, anëtare me të drejta të plotë të Bashkimit Europian, edhe sikur të donin të tjerët që nuk duan e nuk duan sepse në këtë moment, në Europë nuk ka një oreks për zgjerimin, por kjo do të thotë që për të shkuar në atë pikë ne duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë përpjekjet.

Në mbyllje dua të them këtë. Ne nuk duhet të vlerësojmë dhe gjykojmë të gjitha përpjekjet tona në bazë të sa, si, pse hapet apo nuk hapet drita jeshile në çdo stacion, në kohën që ne e meritojmë sipas Komisionit sepse ky proces nuk bëhet sepse na e kërkojnë apo na e imponojnë në Bruksel, në Paris apo në Berlin. Ne nuk e bëjmë për ta, fare. Ne e bëjmë për veten tonë, ne e bëjmë për fëmijët tanë, ne e bëjmë që në këtë vend, gjeneratat e tjera të kenë një shtet që funksionon me të njëjtën cilësi si një vend dinjitoz, anëtar i BE. Kjo është për ne, kjo është për Shqipërinë, kjo nuk është për të tjerët dhe si e tillë Shqipëria pastaj të ulet me dinjitet, si e barabartë, në tryezën e Bashkimit Europian dhe ky proces është një proces i vështirë, është një proces me shumë të përpjeta, është një proces me shumë sfida por është e vetmja rrugë, nuk ka asnjë alternativë tjetër, nuk ka asnjë mundësi tjetër, nuk ka asnjë anashkalim, nuk ka asnjë shmangie, asnjë gjë, që na çon aty ku Shqipëria meriton e ku shqiptarët meritojnë.

Shumë faleminderit ambasador, fjala është për ju.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Faleminderit i nderuar kryeministër!

Zonja e zotërinj, dje Komisioni Europian miratoi paketën e zgjerimit të vitit 2021 përfshirë këtu edhe raportin vjetor për Shqipërinë, të cilin e kam me vete e dëshiroj kryeministër që t’jua kaloj juve.

Pas këtij takimi unë do të prezantoj edhe gjetjet kryesore të këtij Raporti tek Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në Kuvend. Sapo kisha mundësinë që këtë raport t’ia dorëzoja Kryetares së Kuvendit zonjës Nikolla dhe më vonë gjatë javës do të bëj të njëjtën gjë dhe me Presidentin Meta.

Kryeministri në fakt sapo shpjegoi që gjatë javës së shkuar është treguar qartë që Ballkani Perëndimor është në fakt përparësi për Bashkimin Europian. Edhe vizita e Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen, e cila e nisi vizitën e rajonit nga Tirana, theksoi edhe më tej pikërisht këtë angazhim të Komisionit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë vizitës së saj, ajo konfirmoi vendosmërinë e Komisionit për të ecur përpara me konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e presidencës së Sllovenisë, pra përpara fundit të vitit. Në datën 6 tetor në Samitin e udhëheqësve në Brdo në Slloveni, udhëheqësit po ashtu rikonfirmuan këtë angazhim për procesin e zgjerimit, si dhe për hapat e mëtejshëm për Shqipërinë në këtë kontekst. Po ashtu pati dhe mbështetje mjaft të fortë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë pas COVID-it e në veçanti me anën e planit të investimeve ekonomike.

Raporti vjetor që ne kemi prezantuar sot bazohet tek metodologjia e re dhe për mendimin tonë është një vlerësim i drejtë i situatës në Shqipëri, në lidhje me rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian që prej vitit 2020. I janë dhënë meritat që i takojnë Shqipërisë, aty ku i takojnë këto merita dhe janë theksuar ato fusha, ku përparimi ka qenë i pamjaftueshëm e ku kërkohet më shumë vëmendje. Në përgjithësi, vlerësimi është që në raport thuhet që pavarësisht sfidave, në një kontekst të shënuar nga pandemia, Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian e me rezultate të prekshme. Raporti po ashtu, konfirmon që Shqipëria i ka përmbushur kushtet që ishin përcaktuar nga Këshilli. Ne theksojmë dhe një herë që konferenca e parë qeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur e përpara fundit të vitit.

Po ndodh punë intensive nga të gjithë udhëheqësit e Bashkimit Europian, për të punuar me shtete anëtare për të tejkaluar ato çështje dypalëshe në mënyrë që kjo gjë të ndodhë sepse shtyrjet ose vonesat me lançimin zyrtar të negociatave për anëtarësim do të kenë një ndikim negativ për besueshmërinë e BE-së.

Tani më lejoni të them disa fjalë për disa nga çështjet më të rëndësishme në raportin vjetor.

Në fushën e sundimit të ligjit, raporti tregon që rezultate konkrete kanë vijuar me ecuri apo përparim në reformën në drejtësi dhe për procesin e vettingut. Shqipëria po ashtu, ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke krijuar ato trupa të reja të specializuara për zbatimin e ligjit dhe duke marrë pjesë në formë aktive në një sërë operacionesh ndërkombëtare të sundimit të ligjit, gjë që ka çuar në disa arreste, por kjo punë për reformat në sundimin e ligjit duhet të vijojë e në veçanti ne presim që të ketë ecuri në lidhje me një bilanc apo historik të zbatimit të ligjit.

Në raport po ashtu, thuhet qartë që edhe njëherë Shqipëria është 100% në përputhje me politikën e Be-së  për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Ne e dimë që ndonjëherë këto vendime janë të vështira për autoritetet shqiptare e kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë ta përgëzojmë Shqipërinë për arritjet e bëra.

Po ashtu, më lejoni që të flas për një çështje për të cilën ka shqetësime dhe e cila duhet shprehur. Një prej këtyre fushave është liria e fjalës, e të shprehurit. Pikërisht, kjo atmosferë e sulmeve verbale dhe fushata baltosjeje e këto veprime frikësimi kundër gazetarëve, nuk duhet të vijojnë e më shumë duhet bërë edhe për të patur pavarësinë e rregullatorit të medias, si dhe fuqizimin e pavarësisë dhe standardeve profesionale dhe po ashtu dhe aspektin financiar të transmetuesit publik. Vetërregullimi i mediave online duhet të sigurohet dhe parlamenti dhe qeveria që ka rrjedhur nga zgjedhjet e 25 prillit, duhet që të angazhohen pikërisht për të siguruar ndryshime të mundshme për ligjin e medias, të cilat duhet të jenë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

Një fushë tjetër që është shumë e rëndësishme e ne do ta ndjekim edhe këtë çështje, është ajo që ka të bëjë me pakicat. Pra, duhet të miratohen ligjet që kanë të bëjnë me këtë fushë, si edhe procesi i regjistrimit të pronave, shpronësimi ose pikërisht kompensimi duhet të avancojë.

Sa i përket kritereve ekonomike, është shumë e rëndësishme që pas krizave që janë parë në raport, thuhet që si qeveria, ashtu dhe banka qendrore e Shqipërisë, kanë marrë veprimet të shpejta e të duhura për të mbështetur bizneset, familjet, por edhe sektorin e shëndetësisë pas krizës së COVID-it, që do të thotë, për të ulur e për të zbutur ndikimin që kishte kjo krizë në tregun e punës por dhe për të ruajtur stabilitetin makro ekonomik dhe të sektorit financiar.

Më duhet ta theksoj dhe është hera e tretë që e them këtë sot, që Komisioni është i mendimit që ka ardhur koha tashmë për të patur konferencën ndërqeveritare përpara fundit të vitit. Por ndërkohë që ne presim që me zor të ndodh kjo gjë është vendimtare që Shqipëria të vazhdojë përmbushjen e të gjitha kushteve  dhe të vazhdojë të japë rezultate. Fusha kyçe ku pritet kjo ecuri apo ky përparim është procesi i vettingut si dhe zgjatja e tij, pra historiku, bilanci në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin europian siç e tha edhe kryeministri, së pari janë në interesin strategjik të qytetarëve shqiptarë dhe që japin, sjellin përfitime për qytetarët. Integrimi europian po jep rezultatet dita ditës dhe ndodh dita ditës duke përmirësuar hap pas hapi jetën e shumë qytetarëve të Shqipërisë. Prandaj ne jemi besimplotë dhe shpresëplotë që si qeveria, ashtu dhe Kuvendi dhe të gjithë aktorët e tjerë janë të gatshëm për të bërë punën e mëtejshëm dhe e dinë që vetëm duke bërë këtë gjë mund të kenë që kjo përparësi kombëtare dhe ndërpartiake integrimit në BE të Shqipërisë të mund të arrihet. Shumë faleminderit.

 

– Komisionieri gjatë prezantimit të progres-raportit e nënvizoi që nuk ka një numër të lartë të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të dënuar nga drejtësia. E di që kjo nuk është një çështje e ekzekutivit, është krejtësisht çështje e gjyqësorit, por a mund të jepni ju një dorë nëse pranoni propozimin e Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve? Mund të ishte kjo një mënyrë për ta ndihmuar drejtësinë? Pyetja tjetër lidhet po me propozimin e Partisë Demokratike, tani që e fituat mandatin e tretë dhe u rikonfirmua që Partia Socialiste është forca e parë nëse futet në garë pa koalicione, do të pranoni të riktheni koalicionet, duke bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është besoj unë, etike që t’i komentoj këtu këto propozime, duke patur parasysh që ne kemi dhënë disponim total për t’i diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogut që sipas meje duhet të ushqehet me vullnet të mirë mes palëve dhe për këtë arsye do të më ndjeni që të mos japë opinione përpara sesa t’i japim këtij dialogu një shans real dhe natyrisht të kemi mundësinë që t’i ballafaqojmë opinionet tona me palën tjetër, duke patur vullnetin e mirë të dëgjojmë pa paragjykuar dhe duke kërkuar të dëgjohemi.

Në fund të fundit, cilësia e një bashkëjetese në çdo instance që nga familja e vogël deri të një bashkësi e madhe nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra sesi nuk biem dakord. Tjetër është të mos biesh dakord, duke ushqyer me bonsens dhe duke u ushqyer me frymë konstruktive ndërveprimi, tjetër është të mos biesh dakord, duke u kapur për flokësh. Unë dëshiroj që ne t’i japim një shans të plotë dialogut, opozita ka bërë tre propozime, mund të bëjë edhe më shumë, është në të drejtën e vet. Ne kemi detyrën që t’i japim mundësi këtyre propozimeve të diskutohen pa dëmtuar këtë proces diskutimi, duke dhënë paraprakisht opinione përfundimtare sepse thashë nuk do të ishte etike, në raport me respektin ndaj këtij procesi dhe në raport me mishërimin praktik të një vullneti të shprehur me fjalë nga ana ime, nga ana jonë që jemi gati, jemi gati, jemi gati. Jemi gati po, por t’i diskutojmë drejtpërdrejtë me ta dhe të mos i diskutojmë me pasqyra ku secili flet vetë dhe nuk dëgjon se çfarë thotë tjetri.

-Në progres raport thuhet se Shqipëria ka shënuar përparim me reformat, por nga ana tjetër nuk kemi rezultate përsa i përket integrimit të vendit. Çfarë duhet të bëjë më tepër Shqipëria në mënyrë që të ulet në konferencën e parë ndërqeveritare?

-Ndër të tjera në Progres – Raport thuhet se Shqipëria nuk ka shëruar përparim përsa i përket lirisë së fjalës dhe mediave. Për paketën antishpifje, çfarë po ndodh me të? A do të rikthehet në Kuvend për shqyrtim?

 Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Unë mendoj që integrimi ndodh dita ditës dhe Shqipëria po integrohet dhe qytetarët e Shqipërisë po integrohen në bashkimin Europian edhe në sajë të shkëmbimeve të frytshme që ndodhin me anën e asistencës financiare të Bashkimit Europian. Për hapat e mëtejshëm besoj se kam qenë tejet i qartë, Shqipëria treguar, ka dhënë rezultate dhe tashmë është koha që Bashkimi Europian të mbajë premtimin e vet. Pra shtetet anëtare të lexojnë raportin dhe të gjejnë në këtë raport pikat e forta për të kaluar tashmë ato çështje dypalëshe që kanë mbetur dhe që të lejohen Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ulen në atë tryeze ku e meritojnë të ulen sepse i kanë arritur të gjitha gjërat që është kërkuar prej tyre.

 Kryeministri Edi Rama: Ka një nuancë që duhet theksuar në fjalën rezultat në procesin e integrimit. Shqipëria i ka arritur rezultatet që duhet të arrinte në këtë fazë. Është Bashkimi Europian që nuk po arrin rezultatet sepse është Këshilli Europian që e ka thënë duhet të ulemi në tavolinë dhe nuk është gati të ulet në tavolinë. Në këtë rast është Bashkimi Europian që nuk po arrin rezultatin, jo Shqipëria. Shqipëria ka arritur rezultatet. Rezultatet që ka arritur Shqipëria janë këtu, janë të rëndësishme këtu. Nëse ne vazhdojmë procesin e reformave, duke filluar nga Reforma në Drejtësi dhe Komisioni Europian që është gjykatësi i vetëm sipas meje objektiv në këtë proces se të tjerët janë subjektivisht të influencuar nga politika e tyre e brendshme dhe kjo është normale, nëse ne vazhdojmë në të gjitha drejtimet që të bëjmë përparim, këto përparime nuk i bëjmë se do të shkojmë të marrim provimin atje dhe do kalojmë lumin. Këto përparime i bëjmë që këto përparime qëndrojnë këtu që Shqipëria të bëhet çdo ditë dhe më e mirë. Këto janë rezultate që pavarësisht se çfarë ndodh në aspektin formal atje, janë rezultate të arritura këtu. Kjo është e rëndësishme të mos harrohet asnjëherë. Ta zëmë se Bashkimi Europian do të vazhdojë të bëjë këtë punë edhe për 10 vjet të tjera. “Po, po, po” foli. Çfarë do bëjmë ne? Do t’i lëmë punët, nuk do ta çojmë deri  në fund procesin e transformimit dhe konsolidimit të gjithë ngrehinës demokratike dhe sociale të vendit? Kujt do t’i bëjmë dëm? Kujtoni se do humbasin gjumin në Berlin apo në Paris? Do t’i bëjmë dëm vetes. Ne këtë e bëjmë për veten tonë. Këtu, në këtë proces Bashkimi Europian është i pazëvendësueshëm, pikërisht sepse përmes Komisionit na ndihmon me instrumente, na ndihmon me dijen e madhe që ka mbledhur në gjithë historinë e vetë për sesi bëhen këto punë që kanë të bëjnë me ngritjen e gjithë ngrehinës së shtetit, na ndihmon edhe me gjykimet e veta  kritike, na ndihmon edhe me financimet e veta.

Kështu që, rezultatet do t’i shohim në të dyja anët. Nëse këtu sot, “dikush”, duhet të japë llogari pse nuk ke arritur rezultate, është Bashkimi Europian që ka 3 vjet që e merr nga Komisioni të shkruar e zeza mbi të bardhë “Sot Shqipëria duhet të ulet në tavolinë për të filluar bisedimet për anëtarësim” dhe nuk paraqitet. Pse nuk paraqitet i kemi shpjeguar shpeshherë dhe nuk është fare fjala për t’i fajësuar.

Gjërat kanë logjikën e tyre në Bashkimin Europian dhe ne duhet ta pranojmë. Nuk mundemi as ta ndryshojmë, as të humbasim pasionin tonë për integrimin dhe për përfshirjen në atë familje pse sot, në këtë fazë, ajo familje ka ca probleme që nuk ja kemi krijuar ne dhe as nuk ia zgjidhim  dot ne.

Nga ana tjetër, kjo pyetje lidhur me lirinë e medias është një mundësi shumë e mirë për t’ju thënë sesi ne duhet të adoptohemi, në përpjekjen që të bëhemi pjesë e kësaj familjeje.

Unë nuk jam dakord, personalisht, as me atë që thotë Raporti, as me idenë që këtu liria e medias është në pikëpyetje. Nëse ka një vend ku mund të thuash ca të duash dhe nuk të hyn gjemb në këmbë, madje mund të shkosh përtej kufijve të imagjinatës, duke sajuar për kë të duash, ky vend quhet Shqipëri.

Por nga ana tjetër, pavarësisht se unë nuk jam dakord, përgjegjësia ime dhe e jona është që të kuptojmë që në këtë familje ka disa koncepte, ka disa mënyra të të parit të gjërave që ne duhet t’i bëjmë tonat. Unë e kam filluar nga vetja. Të paktën në progres-raportin e 2021, unë nuk kam dhënë  ndonjë kontribut duke kthyer përgjigje, siç unë në fakt i mendoj dhe më vijnë prapë, por nuk i nxjerr më nga goja me ju. Nuk e kam bërë më parë me idenë që t’iu vë në pozitë të vështirë, as me idenë që t’iu kërcas dhëmbët si i pari i punës, por e kam bërë thjesht si një individ që vjen nga aty ku keni qenë ju, që ndihet në të drejtën e vet që të kthejë përgjigje njësoj si të ishte si ju, por mesa duket, duke harruar që në fund të fundit nuk jemi njësoj dhe më takon mua t’i shtrëngoj dhëmbët dhe nuk ju takon juve mbase. Unë për veten time, tek ai Raporti nuk kam asnjë gisht. Ambrosia mund ta dëshmojë, nuk kemi pasur asnjë problem.

Në aspektin pastaj të antishpifjes, ne nuk e kemi çuar përpara. Se për çfarë tani është shqetësimi kur ai nuk ekziston. Nëse më thonë që kemi shqetësim me pavarësinë e Televizionit Publik Shqiptar, nuk e di kur ka qenë ndonjëherë në histori më i pavarur dhe ku është më i pavarur, që bën ca të dojë dhe nuk ka asnjë ndikim asnjë komunikim mes nesh dhe tyre. Janë njësoj si gjithë të tjerët.

Megjithatë, ne dëgjojmë dhe adaptohemi dhe kështu që është një proces.

Përsa më takon mua, këtu liria e shpifjes është në nivelin e vet më të lartë.

Nuk ekziston një liri shpifje, mendoj unë të paktën mesa shoh unë, se unë nuk ndjek të gjitha mediat e botës, në asnjë nga vendet, ku mund të them se e kam një ide, nuk ekziston. Liria e shpifjes në Shqipëri është në nivelin më të lartë. A është kjo liri e medias? Mua nuk më duket, por do adoptohemi, nuk kemi dy rrugë, sepse qëllimi jonë është të hyjmë në këtë familje. Nuk është që ku ka pëlqen ne, të themi “Po keni të drejtë” e kur nuk na pëlqen ne, të themi “ne jemi sovranë”. Ne jemi sovranë patjetër, por vendimi për të hyrë në këtë familje është vendimi sovran i të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të proklamojmë sovranitet individual apo nuk mund t’i bëjmë thirrje sovranitetit kur nuk na pëlqen për interesa personale, politike, partiake etj.

Mua personalisht nuk më pëlqen. Nuk e fsheh, nuk më pëlqen qasja e tyre në raport me situatën e shpifjes në Shqipëri, por çfarë të bëj.

Pyetja për ambasadorin Soreca. Para disa ditësh, një nga juristët e rëndësishëm të Shqipërisë, Ledi Bianku, në një artikull të tij, e mbyllte artikullin duke thënë se titulli i atij artikulli mund të ishte dhe “Komisioni kundër Komisionit” ose “Europa kundër Europës”. Ai i referohej faktit se Europa të tjera standarte kërkon për gjyqësor polak dhe të tjera për atë shqiptar. Gjithashtu, dhe ministrat e Kosovës dhe Maqedonisë në Tiranë kanë pohuar se Komisioni nuk u ka sugjeruar të ndjekin modelin e reformës në drejtësi që ka ndjekur Shqipëria. Çfarë standardi ka Komisioni Europian për drejtësinë në Shqipëri që nuk u ngjan vendeve të tjera të Europës apo të Ballkanit Perëndimor.

-Për kryeministrin Rama, në progres-raport përmendej keqpërdorimi i burimeve dhe funksioneve publike me pretendimin e blerjes së votës dhe rrjedhjen së të dhënave personale të ndjeshme që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve, duke iu referuar patronazhistëve të Partisë Socialiste. Pasi në progres shprehet ky shqetësim, a vazhdoni ju të jeni krenarë për patronazhistët e Partisë Socialiste dhe do vazhdoni t’i përdorni ata në zgjedhje?

 

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Faleminderit për pyetjen. Mendoj se Komisioni Europian është shumë i qartë për standartin e sundimit të ligjit në Bashkimin Europian. Në Bashkimin Europian po merren hapa kundrejt atyre shteteve anëtare, të cilët nuk iu përgjigjën këtyre kritereve. Në lidhje me Shqipërinë, reforma në drejtësi është përkthimi i të njëjtave parimeve. Kur u mor vendimi qartësisht nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar reformën në drejtësi, kemi patur një situatë specifike për gjyqësorin dhe kjo është arsyeja pse në atë kohë u mor vendimi për të kaluar procesin e vettingut, i cili po jep rezultate dhe ky proces duhet të zgjatet.

Në fakt, pikërisht si i tillë, ai po shihet dhe nga vende të tjera, të cilat janë të interesuara, jo domosdoshmërisht në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë tonë më të gjerë. Po studiohet kjo reformë. Nuk aplikohet tani, por mund të aplikohet në vende të tjera në të ardhmen dhe është e rëndësishme dhe për këtë arsye që procesi i vetting-ut, jo vetëm të vijojë, por të përfundojë në Shqipëri, pikërisht për këtë arsye, sepse po bëhet pikë referimi dhe për vende të tjera në rajon dhe gjetkë.

Kryeministri Edi Rama: Që nga SHBA,  qoftë nga ana republikane dhe demokrate, në Britaninë e Madhe, pastaj në Europën Perëndimore, pastaj në Europën Lindore, por pjesë e BE, deri në Zelandë të Re dhe në Australi, nuk ka parti politike pa patronazhistë, që të jemi të qartë.  Mund të kenë emra të ndryshëm, por patronazhimi është infrastruktura e një partie politike që hyn për të fituar zgjedhjet dhe unë, jo vetëm jam krenar për patronazhistët, meqë nuk kam folur për ta pas zgjedhjeve, por jam edhe më krenar seç isha para zgjedhjeve sepse pa ta, ne nuk do ishim një makineri e pathyeshme, por do ishim një foltore. Ndërkohë që, Raporti flet për pretendime që po hetohen. Nuk flet as për patronazhistë, as për socialistë etj. Kjo është për publikun se nuk do e lexojnë raportin njerëzit në detaje. Flet për pretendime që po hetohen dhe natyrisht do hetohen deri në fund.

Unë nuk do zgjatem më tutje për të përsëritur që këtu nuk ka pasur asnjë problem me asnjë të dhënë personale sepse për shumëkënd në vende europiane, kur flet për kartë identiteti, flet për një kartë, e cila përmban brenda të dhëna sensitive për personin, shëndetësore, financiare, sociale. Karta jonë është një targë që nuk ka brenda asgjë, me një numër që nuk do të thotë asgjë, nga pikëpamja e të dhënave sensitive personale, flas.

E dyta, të dhënat, targat kanë qenë në internet prej vitesh.

Së treti, ato nuk janë të vlefshme dhe nuk kanë asnjë lloj peshe dhe nuk duhen në punën e patronazhistëve. Për këtë arsye ne nuk kemi pasur në bazën tonë të të dhënave këtë element. Këto janë çështje që le t’i hetojnë deri në fund, nuk ka asnjë problem.

Që ta mbyll, jam shumë krenar për patronazhistët, edhe më krenar seç isha para zgjedhjeve sepse e thashë. Do kishim marrë, jo 74, por 77 mandate nëse jo patronazhistët, por shumë nga ata që na votuan nuk do kishin ngatërruar numrin e deputetit me numrat e partive të tjera. Në këtë fitore, kontributi i patronazhistëve është i pazëvëndësueshëm.

-Për ju zoti ambasador, a mund të konsiderohet Shqipëria si një kazus që Bashkimi Europian të mund të ndryshojë metodologjinë e tij të zgjerimit?

-Për ju zoti kryeministër, a do duhet që Shqipëria të ndërmarrë ndonjë reformë tjetër të madhe, siç ishte ajo në drejtësi, që të mund të sigurojmë një raport të katërt pozitiv nga Komisioni Europian?

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Mund të përgjigjem shumë shpejt. Shqipëria është pjesë e politikës së zgjerimit dhe kur je pjesë e lojës, nuk ndryshohen rregullat gjatë kohës që luhet loja. Tani është e rëndësishme që të gjitha ato merita që Shqipëria i ka, edhe njëherë, për herë të parë, janë shkruar shumë qartë e zeza mbi të bardhë në raportin vjetor me Komisionin Europian që ka thënë që të gjitha kushtet janë përmbushur dhe ka ardhur koha të ecim përpara. Ne punojmë fort dhe po punojmë fort në nivelin e BE, në nivel të çdo shteti anëtar që Shqipërisë t’i japim atë që meriton, Konferencën e Parë Ndërqeveritare përpara fundit të vitit.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që nuk është e këndshme situata kur të thonë bëj këtë, këtë, këtë dhe ne jemi gati e pastaj ti i bën dhe për arsye se nuk janë gati vetë të thonë se “Shiko është dhe kjo, se dolën ca deputetë atje, dolën ca ashtu atje e kanë shtuar disa” i bën dhe ato në fund fare, pasi të gjitha këto i ke kapërcyer, del një tjetër andej që bllokon një tjetër dhe të thonë “prit se janë ata të dy”.

Maqedonia e Veriut e ka marrë statusin e kandidatit, kur kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut ishte në gjimnaz, ka dhe më keq d.m.th.

Kështu që, durim, ne do bëjmë tonën. Progres-raporti nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë. Çdo vit duhet të arrish objektivat që të kesh mendimin pozitiv se mund të mos i arrish objektivat vitin tjetër dhe Komisioni mund të thotë “Ishim gati vjet, por nuk janë gati sivjet”. Atëherë do ishte, çdo ishte. Kështu që ne kemi punën tonë.

E keni dëgjuar atë, se ju jeni të vegjël, kur shkoi i madhi Loro Borici në Kinë, të çonte atje futbollin, – se ne e kemi çuar futbollin në Kinë, që ta dini se kinezët nuk luanin futboll më parë. Ai ishte trajneri i ekipit kombëtar dhe bëri një seleksion kinez atje. Po stërviteshin dhe filloi shiu. Kinezët nuk ishin mësuar, nuk ia kishin idenë që futbolli luhej edhe në shi dhe ikën me vrap. “Ku shkoni? Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë”. Kështu që, në këtë rast Këshilli Europian ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Ne e kemi punën me Komisionin. Ata nuk dëgjojnë Komisionin, do na dëgjojnë ne. Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë, mos e harroni asnjëherë.

-Kam një pyetje për zotin ambasador. Thuajse në të gjithë progres-raportet, fjalia “për stabilitet politik dhe dialog si nevojë për të çuar përpara reforma”, haset pothuajse në të gjitha raportet. Partia Demokratike, opozita më saktë, ka tre kërkesa si nevojë për të ndryshuar Kushtetutën, por që prek tre çështje të rëndësishme. E para lidhet me vettingun politik, e dyta me reformën zgjedhore dhe e treta me reformën territoriale. A e inkurajoni ju këtë proces dhe a mund të bëhet delegacioni pjesë e këtij procesi duke dhënë ekspertizë?

-Për kryeministrin, nga ’98 është ndërhyrë dhjetëra e qindra herë në Kushtetutën e Shqipërisë. Ekspertët kanë ngritur nevojën për rishikimin e thellë të Kushtetutës. A jeni ju për një reformë të thellë kushtetuese, si nevojë për të rregulluar në kohë afatgjatë të gjitha pushtetet?

 

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Faleminderit për pyetjen. Mendoj se ma dhatë pëgjigjen. Ne kemi vijuar të përmendim dialogun dhe konsensusin mes partive politike dhe këtë e kemi bërë në shumë pjesë të raporteve. Kemi mirëpritur rikthimin e opozitës në Kuvend, pasi Kuvendi është foltorja dhe vendi ku diskutimet, dialogu dhe negocimet në rast se është e rëndësishme mes partive duhet të ndodhin. Ne inkurajojmë të dyja palët që të ulen në tryeza dhe të diskutojnë ato tema që vihen për diskutim. Kështu funksionon demokracia. Në rast se ne na kërkohet që të japim asistencë,  ne do  shikojmë nëse kjo gjë është e mundshme dhe do jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjithë spektrin politik në Shqipëri, siç kemi bërë ngahera.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, Kushtetuta siç është, nuk ka asnjë problem që të mund të justifikojë problemet që krijohen nga mosrespektimi i saj.

Së dyti, vetëm Biblën dhe Kuranin nuk mund ta ndryshojmë, çdo gjë tjetër mund të ndryshojë, përfshirë dhe Kushtetutën, sepse nuk është e shkruar në gurë.

Së treti, një reformë e thellë kushtetuese, që do ndryshonte të gjithë arkitekturën konstitucionale të shtetit, mund të ketë vend për diskutim, por është ndërmarrje që kërkon angazhim të një natyre tjetër dhe sigurisht kërkon shumë kohë. Unë, në parim, jam gjithmonë për ndryshimin dhe them se gjithmonë ka mundësi për të bërë ndryshim dhe se asgjë nuk është e pandryshueshme

Nevoja për ndryshim dhe dyshimi mbi çfarë ke rreth e rrotull apo çfarë ka në një moment të caktuar si arritje, janë shtysa për të shkuar përpara.

Thënë kjo, nuk jemi në këtë moment sot, nuk më duket se jemi në këtë moment dhe nuk është në vizionin apo qëllimet tona që t’i hyjmë këtij ndryshimi sepse nuk na duket se është domosdoshmëri e kohës sot. Nëse të tjerët kanë një ide të kësaj natyre, janë të mirëseardhur ti diskutojmë. Çdo gjë mund të diskutohet dhe çdo gjë do ta diskutojmë, duhet të mësohemi të diskutojmë. Pastaj, biem apo jo dakord është një gjë tjetër. Por, një gjë dua të them në fund. Do ta përsëris edhe në sy të ambasadorit publikisht se e  kam thënë disa herë, në këtë vend të paktën sa të jem unë këtu, dialog mes qeverisë dhe opozitës në anglisht nuk do bëhet më. Nuk kemi asnjë arsye që t’i vëmë në pozitë edhe miqtë tanë edhe partnerët tanë, hajdeni këtu, futuni në mes, shko tek ai, hajde këtu, na mblidhni tek ai, futuni atje. Ne nuk kemi pse flasim anglisht me njëri-tjetrin, ne kemi gjuhën shqipe, këta i kanë përkthyesit, janë të pazëvendësueshëm në të gjithë procesin tonë të rritjes dhe të konsolidimit sepse thashë, kanë në radhë të parë interesin e tyre strategjik e kanë këta, edhe BE edhe SHBA për ta patur Shqipërinë të integruar plotësisht, në të gjitha strukturat e tyre dhe patjetër kanë një dije shumë të madhe se tonën të akumuluar në dekada dhe në shekuj që mund të na e transferojnë dhe kur të na duhen patjetër që ata janë gjithmonë këtu, por dialogje anglisht mes shqiptarësh mund të ketë, por pa praninë time dhe pa praninë e PS për sa kohë PS do të drejtojë vendin dhe unë do të jem kryeministër.

-Gjashtë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias para disa ditësh i kanë kërkuar qeverisë që të tërhiqet nga ngritja e Agjencisë për Media dhe Informim dhe i kanë kërkuar BE të mbajë një qëndrim. Cili është qëndrimi juaj për këtë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca: Mendoj se sot kemi diskutuar gjatë për lirinë e fjalës dhe të të shprehurit dhe besoj në raport do të gjeni edhe përgjigjen e pyetjes suaj e cila ka të bëjë pikërisht me Agjencinë për Median dhe Informimin. Ajo që ne themi në raport është që medias duhet t’i jepet akses dhe qasje në aktivitetet e qeverisë, në institucionet e qeverisë në një mënyrë të tillë që e lejon median të kryejë detyrën e saj, një detyrë që është qendrore dhe thelbësore për demokracinë gjithandej, përfshirë edhe Shqipërinë. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Sot kam vetëm një përgjigje. A e dini ju se çfarë është Agjencia për Median dhe Informimin, ju të gjashtë organizatat? E kam në formë pyetjeje. E modestisht nuk e keni idenë për çfarë flisni, kur ngrini këtë shqetësim. Megjithatë, unë jam shumë i gatshëm që të gjashtë organizatat t’i pres personalisht, së bashku me drejtorin e Agjencisë të ulemi dhe si të dëshironi ju me kamerat tuaja, pa kamerat tuaja, me mikrofonë, pa mikrofonë dhe të flasim. Ju të pyesni, ne të japim llogari dhe në fund me mendje të hapur të kuptoni se kjo Agjenci është e kundërta e asaj që thoni ju. Është komplet e kundërta. Është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju. E kuptoni këtë?! D.m.th. për të garantuar që nëse ju hasni një problem me një institucion dhe pengoheni që të merrni informacionin zyrtar në dispozicion, ju t’i drejtoheni këtij mekanizmi dhe të thoni, po na pengon ky institucion dhe ky mekanizëm të vihet në lëvizje për ju. Kjo është një, për të tjerat që janë disa, jam i gatshëm kur të doni, kë të doni, ku të doni, unë do vij para jush dhe do ju jap llogari. Se keni një keqkuptim aq të madh, sa është vërtetë  për të ardhur keq. Dhe ajo që është edhe më për të ardhur keq para se sa të flisni shqip me qeverinë tuaj, mbushni botën me alarme fals për fantazma që janë në imagjinatën tuaj dhe që nuk ekzistojnë. Dhe unë ju jap fjalën që nëse ju nga dialogu që do kemi, arrini në përfundimin se kjo Agjenci duhet hequr, unë do ta heq. Ju jap fjalën, por ama pasi të dëgjoni argumentet dhe pasi të sillni një fakt, një provë, një shembull, një arsye, një gjë që bën sens, Agjencia do të shkrihet.

Ama, në të kundërt – ju mund të bëni çfarë të doni se ju jeni të lirë, unë s’jam i lirë, media është e lirë, qeveria nuk është e lirë, – ju duhet t’i shkruani të gjithë këtyre njerëzve që i keni alarmuar që, na falni por ishte alarm fals.

Ju faleminderit shumë!