Kryeministri Rama mikpriti sot Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos në vizitën e saj të parë në Shqipëri.
Pas takimit mes tyre, Kryeministri Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi dhe shumë faleminderit! Sot është një ditë që do ta donim me diell, por nuk arritëm dot, kështu që po e presim Komisioneren për zgjerimin në vizitën e saj të parë në Shqipëri me shi. Megjithatë, unë ia sqarova që shiu është bereqet dhe kam bindjen që do të jetë një ogur i mirë për ecurinë e planit të ri të rritjes dhe për disbursimin e fondeve shtesë për Shqipërinë.
E nderuar Komisionere dhe e dashur Marta,
Është kënaqësi që ju presim këtu në Tiranë dhe qysh në fillim dua ta përsëris dhe publikisht që ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj sepse ju jeni edhe e Bashkimit Europian, por edhe e jona, duke qenë nga një vend i rajonit, i cili ka shkëlqyer në rrugën e vet dhe sot është një anëtar krenar i BE, Sllovenia dhe sidoqoftë duke pasur gjakun më pranë nesh sesa pranë Brukselit besoj dhe jam i bindur në fakt dhe pse ju s’do e thoni këtë.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që takohemi në një moment, kur ne kemi arsye të kemi arsye të jemi krenar për çfarë kemi bërë. Ju keni arsye për të na mbështetur pa rezervë, por dua ta theksoj që ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë një herë e mirë, por si diçka që duhet fituar çdo ditë. Është mbështetja e një institucioni të madh dhe shumë kërkues siç është BE, të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë çdo ditë sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar europiane.
Ne e dimë se nuk ka asnjë alternativë tjetër pikërisht sepse nuk ka alternativë tjetër të lirisë individuale, nuk ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, nuk ka alternativë tjetër të bashkëjetesës në diversitet dhe të standardeve europiane të kësaj bashkëjetese.
Ne folëm me Komisioneren dhe për të shkuarën, e cila ne na ka mësuar në mënyrën më brutale që pse rruga e vetme e jona është rruga e BE.
Nga ana tjetër, ne jemi shumë të vendosur që ta përmbushim me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës dhe ambicia ime, ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Dhe të munden që kur ulen në aeroportet e Europes të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan: Të tjerët.
Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek “të tjerët” me shekuj.
Dhe e fundit sepse sot ka rëndësi se çfarë do thoni ju, jo çfarë them unë, është që parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë dhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që, e dashur Marta ne duam leket tona!
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Faleminderit i nderuar kryeministër, i dashur Edi! Vërtet që do të më pëlqente shumë që të kishte diell në Tiranë, por më thanë që në rast se bie shi gjatë një vizite të tillë, atëherë i bie që jemi me fat.
Kështu që, me këmbë të mbarë dhe shpresoj shumë që të jem me këmbë të mbarë sepse vendi juaj ka ecur vërtet shumë mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Sigurisht që është gjeopolitika që na tregon që gjithçka mund të jetë dhe mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt Bashkimit Europain është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë.
Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën Kryenegociatoren dhe e shoh që jeni kaq pasionatë, plot me pasion për vendin tuaj, por edhe për Bashkimin Europian dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe më kanë thënë që janë objektiva realistë, jo thjeshtë ambiciozë. Dhe ju citoj kur ju thoni që dëshironi që negociatat të përmbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur, pra jemi mirë në udhën e duhur, në udhë të mbarë sepse janë hapur tashmë grup-kapitujt e caktuar 2, 3 gjithashtu do të jenë edhe të gjithë grup-kapitujt e tjerë dhe siç e dimë edhe ne nuk bëhet fjala vetëm për hapjen e këtyre grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Dhe jam e sigurt që me të gjitha reformat që ju po kryeni, kjo do të jetë e mundur.
Pra, me shumë dëshirë duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ju e meritoni.
Sepse me ju brenda Bashkimit Europian, Europa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Gjëja tjetër e rëndësishme që dëshiroj të them që ju jeni ishull stabiliteti. Ju keni marrëdhënie të mira të fqinjësisë së mirë në rajon dhe kjo është ndonjëherë diçka që ne shpesh e harrojmë.
Ju jeni kampion për bashkëpunimin rajonal dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë jam Komisionerja e parë që në fakt vij nga ky rajon, kështu që unë e di vetë se çfarë do të thotë të luftosh fort e të bëhesh anëtar i Bashkimit Europian. Nuk është se vjen thjeshtë sot për nesër, por do shumë punë dhe të bëhesh pjesë e këtij klubi, pra gjithë puna që ju po bëni. Edhe ky është angazhimi im ashtu si edhe i juaji dhe jam e sigurt që ky do të jetë suksesi ynë i përbashkët. Dhe sigurisht edhe fakti që ju jeni të harmonizuar dhe në përputhje të plotë 100% me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së Bashkimit Europian është vërtet fantastike.
Po, unë shpresoj që ne sot do të kemi ratifikim në parlament të të dyja marrëveshjeve, të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që ne t’i japim Shqipërisë shifrën 1 miliardë euro, një pjesë në hua, një pjesë tjetër me grante, në mënyrë që të kryhen të gjitha reformat e domosdoshme për Shqipërinë, por edhe për të bërë të mundur që ju të jeni gati për të qenë shtet anëtar.
Sepse ky është edhe objektivi kryesor i Planit të Rritjes, që është edhe pjesë e integrimit gradual ku ju po ecni vërtetë shumë mirë.
Ju keni thënë shumë herë në të shkuarën që do të ishte gjë e mirë sikur vendet kandidate përpara se të bëheshin shtete anëtare të bëhen pjesë e BE-së me anë të rrjeteve të ndryshme. Për shembull kjo po ndodh me SEPA-n, kjo po ndodh gjithashtu edhe me korridoret e gjelbra, po ashtu edhe me planin e rritjes. Dhe më ka lënë shumë, shumë mbresa në fakt edhe reputacioni juaj për mikpritjen, për mirësinë dhe ma kishin thënë këtë gjë më parë, por unë e kam përjetuar tashmë dhe nuk është thjeshtë puna se si më keni pritur, por se si keni pritur Kolegjin e Europës, edhe se si Parlamenti Europian ka vendosur që të hapë zyrën e vet rajonale pikërisht këtu në Tiranë.
Pra, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal, bashkëpunimin rinor.
Ju keni organizuar Samitin e Ballkanit në vitin 2022, Procesin e Berlinit, samit që organizuan vjet, por gjithashtu edhe për komunitetin politik europian që do të organizohet sivjet në maj dhe natyrisht ju jeni shumë i suksesshëm dhe keni sjellë edhe organizatën e futbollit për nën 21 vjeçarët dhe që kjo do të ndodhë në vitin 2027.
Kështu që, është super fantastikë kjo që po bëni ju, është madhore.
Ne të gjithë e dimë tashmë që fokusi, vëmendja duhet të jetë te zbatimi i reformave, të cilat janë miratuar, por natyrisht edhe tek përshpejtimi i konfirmimit të të gjitha reformave të tjera, e në veçanti sa i përket reformës në drejtësi, të cilën e mbështes tërësisht vetë, sepse është edhe gur themeli i procesit të integrimit europian.
Më lejoni të them që ecuria për grup-kapitullin themelor është shumë i rëndësishëm, sepse me atë u hapën negociatat, me atë do të përmbyllen, me atë do të përcaktohet edhe ritmi i negociatave. Ne të dy nuk jemi thjeshtë pasionatë për Europën, por jemi edhe të fokusuar e të orientuar drejt objektivave, që do të thotë që ne e dimë se çfarë duhet të arrijmë për të sjellë rezultate. Ne do t’i japim këto rezultate edhe nëse vetë qytetarët shqiptar, publiku shqiptar do ta mbështesë tërësisht të gjithë këtë punë që ne po bëjmë.
Prandaj, për mendimin tim është shumë e rëndësishme që procesi i anëtarësimit në BE të jetë një projekt i të gjithë shoqërisë shqiptare. Pra, jo thjeshtë vetëm çfarë po bëni ju qeveria, apo çfarë po bën kuvendi, por që të përfshihet shoqëria civile, organizatat e ndryshme, OJQ, por të përfshihet çdo qytet, çdo fshat, çdo rajon që qytetarët të arrijnë të kuptojnë se përse është e rëndësishme kjo gjë, ky proces dhe pse Shqipëria do të bëhet shtet anëtar.
Pra, me ç’shoh unë kjo është më shumë detyrë e juaja, ndërsa detyra ime dhe angazhimi im është që unë duhet të marr masat, të kujdesem për faktin që Shqipëria të njihet akoma dhe më shumë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye, ne do të fillojmë një fushatë komunikimi, ku me anë të së cilës dëshirojmë të tregojmë se përse Shqipëria do të bëhet, jo vetëm shtet anëtar i Bashkimit Europian, por çfarë vlere të shtuar do t’i sjellë Shqipëria Bashkimit Europian, pra nëse ju bëheni pjesë e familjes tonë.
Kështu që, në këtë aspekt së shpejt ne do të kemi edhe një sondazh për zgjerimin, se si po ecën zgjerimi, cili është perceptimi për zgjerimin në Shqipëri dhe në bazë të gjetjeve, do të ndërtojmë edhe një fushatë. Dëshiroj shumë që të vijnë sa më shumë gazetarë të Bashkimit Europian në Shqipëri, për ta parë Shqipërinë nga afër. Për të parë pikërisht këtu se çfarë ndodh, jetën në Shqipëri. Dhe natyrisht angazhimi im do të jetë edhe që të bashkëpunojmë me shtetet anëtare, që kur ne themi dëshirojmë që ta përmbyllim procesin e negociatave deri në vitin 2027 për këtë na duhet mbështetja e shteteve anëtare. Kështu që, thirrja ime për të vepruar për median është: Ju lutem na ndihmoni që Shqipëria të njihet akoma më shumë dhe të vlerësohet në shtetet anëtare sepse kjo do ta bëjë vendimmarrjen nga ana e shteteve anëtare shumë më të lehtë.
Kam folur për një angazhim që ishte fushata e ndërgjegjësimit, por edhe një angazhim që dëshiroj ta propozoj, por përpara se t’ju tregoj për këtë angazhim timin, ose më saktë t’ju them që kam një dhuratë për ju. Angazhimi im është që unë jam shumë sportive, meqenëse vij edhe nga një familje sportive që është marrë me sport dhe ne kemi parë edhe Kampionatin Europian të futbollit dhe kam mësuar se sa të shpejtw jeni ju dhe Nedim Bajrami bëri për shembull edhe golin në sekondën e 23 dhe tashti e kuptova se sa të shpejtw mund të jeni ju edhe për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ishte goli që bëtë kundër Italisë, kështu që urime, përgëzime sepse në fakt futbolli luan një rol të rëndësishëm edhe në jetën e shoqërisë shqiptare. Ndërsa basketbolli ka luajtur një rol të posaçëm në jetën tuaj kryeministër, kështu që dhurata ime për ju sot dhe në fakt kjo është simbolike për të gjithë Shqipërinë, se duam, aty thotë skuadra Europe, ekipi Europe dhe duam që e gjithë Shqipëria të bëhet pjese. Dhe ja ky është numri im në fakt, kështu që prandaj ju dhamë edhe numrin 11 me ekipin tonë. Është numri im vërtet.
Kështu që angazhimi im është që unë nuk luaj dot basketboll me ju nga njëra anë, por kur ne të përfundojmë procesin e negociatave, unë do të ngjitem në malin më të lartë të Shqipërisë. Do të arrij majën e Korabit 2764 metra që është 100 metër më pak se mali më i lartë në Slloveni, kështu që shpresoj shumë që do t’ia dal mbanë.
Por do të doja shumë që të vini me mua.
Kryeministri Edi Rama: Nëse kur të hyjmë në Bashkimin Europian do t’ju jap një kryeministër të ri e të freskët që të vijë me ju dhe të ngjitet deri në majën më të lartë. Vërtetë faleminderit, jam mjaft i prekur nga kjo. 11 është një numër i shkëlqyer.
Jam mjaft i angazhuar dhe krenar të kem një ekip që është mjaft i përkushtuar dhe dua të shpreh këtu përpara jush dhe përpara delegacionit tuaj mirënjohjen time, falënderimet për Majlindën dhe Adean që janë dy zonjat e BE-së të Shqipërisë dhe po kështu gjithkujt tjetër që është i angazhuar me këtë gjë dhe së fundmi në radhë por jo nga rëndësi, edhe ambasadorin Ferit Hoxha i cili është Lionel Messi ynë në punët e jashtme sepse e hodhëm përtej oqeanit të luante në Amerikë pastaj e sollëm prapë në Europë kështu që ai është për këto punët e vështira dhe i bën më së miri ato. Jam i sigurt që ministri i jashtëm bie dakord me mua dhe ai vjen nga një zonë e Shqipërisë ku burrat presupozohet të jenë më të fortët kështu që do të përshtatet duke bërë përpjekje që t’i çelë rrugën grave të reja.
Faleminderit Marta, faleminderit. Le të dëgjojmë disa pyetje.
-Pyetja e parë për Komisioneren. Me dhuratën që i bëtë kryeministrit duket sikur ju e dini se kush do të jetë në krye të qeverisë në 2027 por unë doja t’iu pyesja sesa do të ndikojnë zgjedhjet në procesin teknik? Nëse do të ketë një rotacion politik, kemi dëgjuar kryeministrin që kjo mund të vonojë procesin, ju si e mendoni këtë?
Zoti Rama, në këtë mandat ju kishit sfidë anti-korrupsionin. Ngritët një komision të posaçëm dhe po ashtu një komision të posaçëm për desinformimin? A do të vazhdojë kjo të jetë , nëse do të keni një mandat të katërt, a do të vazhdojë të jetë një prioritet? Dy drejtuesit e komisioneve të posaçme i pamë që janë në det të hapur, nëse do tu referohesha kështu asaj që ju thatë në “SY m’Sy” për disa kandidatë të opozitës, janë në listat e hapura apo ju mendoni që çdonjëri që do të vihet në krye të asaj pune mund ta bëjë fare mirë drejtimin e këtyre komisioneve?
Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos: Unë nuk pres që zgjedhjet të ngadalësojnë procesin e integrimit në BE sepse do të ndodhë në një kohë të gjatë dhe është një proces i thellë dhe jam e sigurt që të gjitha ato reforma do të vijojnë dhe këto reforma nuk po kryhen nga Shqipëria sepse i do Bashkimi Europian por sepse ky është një proces shndërrues, transformues për Shqipërinë dhe janë vetë qytetarët shqiptarë që do ta vendosin se çfarë qeverie do të keni në të ardhmen, pra me zgjedhjet e ardhshme por për mendimin tim, Europa është kaq e mishëruar në Shqipëri sa unë shoh vetëm një të ardhme europiane për ju.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, po është e vërtetë, ne kemi ndërmarrë një udhëtim në det të hapur dhe e kemi ndërmarrë prej ditës së parë që unë kam marrë përsipër të drejtoj forcën më të madhe politike të shqiptarëve në opozitë kur kemi vendosur që do të reformojmë rrënjësisht drejtësinë dhe ky ka qenë një vizion dhe një objektiv i pandashëm i yni deri kur arritëm që në mandatin e parë t’i hapim rrugë një procesi historik transformues dhe realisht unikal në rajon për të luftuar dhe rrëzuar mitin e pandëshkueshmërisë dhe për të vendosur themelet e një sistemi të barazisë përpara ligjit.
Sot ne kemi për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, qysh nga viti 1912 ku Shqipëria u shpall e pavarur nga Perandoria otomane dhe për herë të parë krijoi shtetin e vet, njerëz me profile të larta publike të lidhur me pushtetin politik që janë para drejtësisë, që hetohen dhe gjykohen nga prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga qeveria, të pavarur nga pushteti politik. Më kujtohet që kur ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe bënim anketime për të pyetur qytetarët, mbështetja për reformën në drejtësi ishte masive, ishte nga ato pak raste kur shqiptarët që përgjithësisht janë të ndarë edhe për nëse po bie shi apo nëse ka diell, sot ishin në të njëjtën valë. Mbi 90% donin reformën në drejtësi, donin vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, donin hapjen e këtij procesi, por pyetjes “A mendoni se në jetën tuaj do shikoni ndonjëherë ndonjë ministër apo ndonjë pushtetar përpara drejtësisë” ata 90% që thonin duam reformë bëheshin 90% brenda atyre që thoshin “Jo, nuk e mendojmë”.
Sot ky është realitet dhe nëse ju më thoni që na jep një arsye të vetme se ka shumë për të nënvijëzuar se çfarë kemi bërë në këto vite, është kjo. Kemi arritur të thyejmë një tabu dhe të fusim në një kthesë shumë të fortë një traditë shumë, shumë të vjetër dhe komplet të kundërt me standardet e bashkëjetesës së familjes europiane.
Natyrisht që kjo nuk do të ndodhte pa Bashkimin Europian dhe pa perspektivën europiane. E kam thënë dhe e përsëris dhe sot, edhe afganët donin të bënin demokraci, donin të bënin shtet të së drejtës, donin të ndërtonin një sistem lirish individuale dhe barazie përpara ligjit por nuk ia dolën. Edhe irakianët me siguri e donin këtë por nuk ia kanë dalë dhe nuk ka shans t’ia dalë askush me traditën kundër dhe me mungesën e institucioneve si pjesë të historisë së vet përveç atyre që kanë bekimin të kenë Bashkimin Europian dhe ne e kemi këtë bekim që jemi në mes të Europës dhe kemi Bashkimin Europian që është aty me të gjithë kapacitetin e dijes për të na treguar, për të na shoqëruar dhe për të na ndihmuar po dhe monitoruar se si bëhet një shtet i së drejtës.
Thënë të gjitha këto, natyrisht që ky proces është në fillimet e veta, natyrisht që ka problematikat e veta, natyrisht që nuk bëhet fjalë thjesht për pavarësi të pushtetit gjyqësor por bëhet fjalë dhe për standarde demokratike, bëhet fjalë për mbrojtjen nga vetë pushteti gjyqësor i lirive dhe të drejtave të njeriu. Ky është proces dhe ne jemi të pangopur në këtë proces me rezultate. Duam më shumë e më shumë në të gjitha proceset prandaj dhe kemi ngritur edhe një komision parlamentar i cili do të jetë aty deri kur ne të futemi në Bashkimin Europian, do të jetë aty për të siguruar që parlamenti është epiqendra që koordinon të gjitha forcat e tjera dhe të gjithë faktorët e tjerë në funksion të mirëqeverisjes, në funksion të sundimit të ligjit, në funksion të anti-korrupsionit duke ruajtur dhe duke mbrojtur me fanatizëm patjetër pavarësinë e pushteteve.
Kjo është e gjitha dhe sa i përket pastaj pyetjet det i hapur, det i mbyllur, ky është një diskutim tjetër. Partia Socialiste nuk mund të jetë partia e atyre që janë brenda. Partia Socialiste duhet të jetë partia edhe e atyre që janë jashtë saj dhe Partia Socialiste nuk është qëllim, Partia Socialiste është mjet dhe është mjet që duhet të jetë në dorën e shoqërisë për ta përdorur dhe ata që janë brenda dhe që kanë kontroll mbi këtë mjet, nuk mund ta përdorin Partinë Socialiste si mjet për të penguar të tjerët që të disponohen për të ndërtuar Shqipërinë. Kështu që, me sistemin që kemi ne kemi preferuar që në listat e mbyllura të fusim njerëz që ndryshe nuk do arrinin dot të ishin në Parlament, në listat e hapura të fusim njerëz që i kanë të gjitha mundësitë, kanë eksperiencën, kanë lidhjet, kanë njohjen e organizmit të partisë që të marrin votat e tyre. Kjo është shumë e thjeshtë.
– Shqipëria është tashmë në një proces intensiv negociatash kur vendi është vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare. Sa i rëndësishme është standardi në këto zgjedhje pasi në fakt në procesin e integrimit e kam fjalën, pasi në fakt nuk është përmendur nga ndërkombëtarët ndryshe nga zgjedhjet e kaluara. Deri më tani nuk ka të paktën ndonjë reagim.
Kryeministër, duke ndjekur çdo ditë retorikën tuaj politike kuptojmë që fushatën tuaj elektorale po e ndërtoni mbi procesin e integrimit europian, mbi ambicione për tu anëtarësuar në BE. Do të keni ju, PS një program të mirëfilltë elektoral përpos integrimit që jo gjithmonë varet nga qeveria?
Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos: Zgjedhjet parlamentare janë një nga proceset më të rëndësishme në një demokraci, në çdo vend në fakt dhe kjo është zgjedhje. Është zgjedhja e qytetarëve që të kryejnë detyrën e tyre demokratike që të votojnë dhe duke votuar dhe shpresoj shumë që njerëzit të votojnë dhe të ketë një numër të lartë zgjedhjesh. Dhe jam e sigurtë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe që kjo gjë do bëhet e mundur dhe që jam shumë e kënaqur dhe mirëpresim faktin që dhe shqiptarët që jetojnë jashtë do kenë mundësi që të votojnë në këto zgjedhje. Shpresoj që e gjithë kjo fushatë do të pasqyrojë në një farë mënyre edhe gjithë dëshirën e qytetarëve shqiptarë, për Shqipërinë që të bëhet shtet anëtar në BE. Dhe që të gjithë të jenë pjesë e kësaj fushate dhe të flasin me anë të votës për ato gjëra që janë të rëndësishme edhe në mënyrën tonë europiane të të jetuarit, për ato parime dhe themele të demokracisë duke bërë kështu vendimin e duhur. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani, nga mënyra se si ju e bëtë pyetjen duhet t’ju them që integrimi dhe anëtarësimi në BE nuk është një udhëtim me autobus apo me aeroplan për në Bruksel, por është krijimi këtu i të gjithë kushteve dhe i të gjitha standardeve për të qenë anëtar i asaj familje atje dhe është përfshirja e këtij vendi në atë familje që do të thotë zgjerimi i mureve të asaj familje duke futu brenda dhe Shqipërinë.
Pra bëhet dhe Shqipëria Bashkim Europian! Pse e them këtë? Kjo gjë s’mund të bëhet dot nëse ne s’kemi program. Ne nuk kemi program elektoral për të ardhur në qeveri sepse ne jemi qeveria, por kemi program për të gjitha fushat dhe Shqipërinë në 2030 në BE ne e shohim si realizim të këtij programi që kemi. Natyrisht që punët e këtij programi do t’ia bëjmë të njohura patjetër publikut, por e gjithë rezymeja e programit është një pasaportë për ty që shkruan Bashkimi Europian, Republika e Shqipërisë dhe që kur të shkosh në Bruksel të hysh nga korridori i parë dhe jo nga të tjerët dhe të jesh gazetare e akredituar në Bashkimin Europian.
E njëjta gjë për të gjithë, për të gjithë pa përjashtim. Për gazetarët, për studentët që kur të shkojnë në universitet të mos jenë studentë të huaj sipas kuotave dhe me para ekstra etj, por të jenë studentë europianë. Për të gjithë ata që duan të shkojnë, jo vetëm të shohin, por dhe të ndalojnë, jo vetëm të ndalojnë, por dhe të shohin nëse mund të punojnë diku në BE pa pasur nevojë të bëjnë sikur janë të persekutuar se s’janë, pa pasur nevojë të bëjnë sikur po i gjëmon nga mbrapa dikush dhe duan mbrojtje, por thjeshtë të ofrojnë çfarë mund t’i ofrojnë ata kësaj familjeje dhe çfarë familja mund t’i japë dhe pastaj të kthehen prapë. Dhe nëse larg qoftë kur janë atje kanë nevojë të shkojnë tek doktori, të shkojnë tek doktori njësoj siç shkojnë këtu nw një spital, në një ambulancë të së njëjtës familje. Dhe të kenë po ato kushte siç i kanë të tjerët dhe të rimbursohen njwsoj si të tjerët, pa hyrë pastaj tek fondet se fondet i ka Marta për momentin, nuk dua ta prek këtë temë, por ky është programi dhe natyrisht për t’i bërë këto, kur Marta thotë në 2027 duam të mbyllim negociatat, negociatat nuk janë muhabete, janë të bazuara në rezultate. Janë të bazuara në çfarë duhet të bëjmë ne, jo çfarë duhet të themi. Ne mund t’i themi të gjitha gjerat bukur, por Bashkimi Europian nuk të fal, nuk të jep asnjë gur të vrasësh veten siç e themi ne fjalën: një gur për të çarë kokën nuk ta japin këta po nuk bëre detyrat. Edhe ti thuash: shiko më jepni një gur se dua të vras veten, thonë i ke bërë detyrat. Se dhe gurin s’ta japin jo më të të japin mbështetje dhe të të fusin atje. Këta për të penguar, të pengojnë sa herë të duan edhe pa të drejtë. Për të të dhënë një gjë më shumë ti duhet të bësh detyrat, ndryshe nuk ka.
Lerë se ç’thotë Marta do shkojmë në mal bashkë dhe do kënaqemi. Mbasi të kemi bërë detyrat. E pe si tha? Hajde shkojmë në mal tani bashkë. Bëni detyrat tha, futuni në BE pastaj do shkojmë në mal bashkë. Ky është Bashkimi Europian!
Marta ka qenë kampione olimpike, e dini këtë? Olimpic champion, medalje ari. Kështu që, mund të thoshte hajde shkojmë. S’thotë! Futemi në BE, pastaj shohim!
Faleminderit!