Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisma për Ballkanin e Hapur bëri bashkë në takimin e radhës të zhvilluar në Beograd, tre vendet e rajonit; Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut të përfaqësuar përkatësisht nga Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, dhe zv/Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov.

Në kuadër të kësaj nisme u zhvillua po sot, takimi i Këshillit të Atlantikut me përfaqësues biznesi dhe ministrat e linjës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Më pas, liderët zhvilluan një takim me përfaqësues të 15 kompanive të vendeve pjesëmarrëse, me fokus lehtësimin e tregtisë, përmes krijimit të hapësirave pa barriera burokratike.  

Në vijim, liderët zhvilluan një takim mes tyre, në përfundim të të cilit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić: Zonja dhe zotërinj! Të nderuar gazetarë, të nderuar miq! zoti Rama, zoti Dimitrov.  Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të prisja miqtë tanë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot. Do përpiqem të flas më pak sesa 5 minuta sot dhe të flas me terma konkrete, të cilat i diskutuam me dy bashkëbiseduesit e mi.

Jam i sigurt që ata do të flasin dhe për dokumente dhe deklarata që i miratuam ose do t’i miratojmë sot. Do të them diçka lidhur me takimet që ne kemi zhvilluar dhe çfarë do të arrijmë në periudhën që vjen. Patëm konkretisht një takim mjaft të rëndësishëm me përfaqësues të komunitetit të biznesit të 3 vendeve tona.

Ne vendosëm dhe pamë që të gjithë njerëzit nga komuniteti i bizneseve janë 100% në favor të këtij projekti dhe të kësaj nisme dhe shohin shumë të mira që mund të nxjerrin prej kësaj. Por ajo që është dëshpëruese për të gjithë ne është fakti se ajo për të cilën ramë dakord është se nuk jemi në gjendje ta zbatojmë plotësisht, por ramë dakord për atë çka duhet të bëjmë në të ardhmen nga diçka që ne besojmë fort sepse kjo është një nismë shumë e madhe.

Në emër të Serbisë, mund të them që “Ballkani i Hapur” është një nismë shumë e mirë, e jashtëzakonshme dhe që bën dallimin.

Kjo nismë nuk u ngrit për shkak të Edi Ramës, Alexandër Vučić, Zoran Zaev apo Nikola Dimitrov, por për njerëzit që jetojnë në çdo qytet e fshat të vendit tonë.

Ne ramë dakord sot që të ngremë Këshillin e Zbatimit dhe përbërjen e saktë të këtij Këshilli do biem dakord më vonë. Do të ketë takime për 10 ditë nga përfaqësuesit e institucioneve përkatëse doganore, fito-sanitare të inspektimeve veterinare për të analizuar situatën me qarkullimin e lirë të mallrave.

Për herë të parë folëm më seriozisht për qarkullimin e lirë të shërbimeve dhe jam shumë mirënjohës ndaj Këshillit Atlantik dhe miqve tanë në emër të SHBA që na ndihmuan me pjesën teknologjike dhe jo vetëm aty, por na sollën njerëz nga Sarajeva dhe Prishtina, jo vetëm brenda kuadrit të “Ballkanit të Hapur”, pra ofruan një kontribut të jashtëzakonshëm, në këtë pjesë të takimit, për këtë transformim digjital të të gjithë rajonit. Puna jonë, në periudhën që pason është të shohim se ku aktualisht kemi patur gjëra që nuk kanë qenë në terren apo që janë përjashtuar në terren.

Morën pohime nga sipërmarrësit, ata thonë për shembull që për të eksportuar qumësht në Maqedoninë e Veriut vijnë të premten në mbrëmje dhe presin deri të hënën në mëngjes në kufij dhe kjo nuk duhet lejuar. Në momentin që duam të importojmë fruta apo perime nga Maqedonia e Veriut për të pasur vlerë të shtuar në fabrikat serbe, ata duhet të presim mes 24-30 orësh në kufijtë tanë, edhe pse ne kemi përcaktuar çdo gjë me detaje me Maqedoninë e Veriut.

Kjo është arsyeja pse do të kemi nga ana jonë një kontroll të plotë për të gjitha gjërat, do punojmë të shtunë dhe të dielë, gjithë këto ditë sepse ekonomitë tona varen nga kjo; nëse do jemi në gjendje të japim rezultatet më të mira për prodhuesit tanë bujqësorë, për fabrikat tona, për punonjësit tanë, për kompanitë tona.

Ramë po ashtu dakord edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm sepse duam realisht të bëjmë dallimin që njerëzit tanë, për një vit a një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri nga Tirana në Shkup apo Tirana në Nish. Do jetë e njëjta gjë si nga Nishi në Shkup e nga Nishi në Beograd, që askush të mos ndalojë askënd në kufi.

Kjo do forcojë ekonomitë tona.

Në këtë drejtim, askush nuk po ndërhyn në gjëra politike, nuk po hyn në të drejta të shteteve tona, por thjesht po përpiqemi që qytetarët tanë të jetojnë më mirë dhe sipërmarrësit të jetojmë pakrahasueshmërisht më mirë.

Është shumë e rëndësishme që të lidhim dhe ata që janë në industrinë e softëare në kuadrin e transformimit digjital dhe këtu kemi pasur mbështetjen e ekspertëve të Këshillit Atlantik për t’u përpjekur e për ta shtyrë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet të fluturojmë për një normë më të lartë rritjeje, për një zhvillim më të shpejtë sepse kemi mbetur pas vendeve më të zhvilluara europiane dhe na duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë më të lehtë për njerëzit tanë për të pasur një përparim më të mirë dhe përmirësim më të madh.

Kemi vonesa të jashtëzakonshme që i diskutuam sot dhe do të përpiqemi t’i zgjidhim si p.sh. reciprociteti për blerjet e pasurive të paluajtshme, pra po i ndalojmë sipërmarrësit të investojnë në vendet tona dhe e kundërta, dhe Zoti e di se çfarë arsyesh burokratike janë në qendër të saj dhe është diçka që duhet ta zgjidhim sa më shpejt.

Besoj se për Samitin e Tiranës do kemi një takim pas Krishtlindjeve, më 25, do jetë 26-27-28 dhjetor, por kjo i takon mikpritësit, z. Rama që ta vendosë dhe do nënshkruajmë në atë kohë atë që duhet të nënshkruajmë p.sh memorandumin për lejet e punës që duhet të jetë marrëveshja e vërtetë reale, e cila duhet të ketë fuqi ligjore sepse e vetmja gjë për t’i mbajtur njerëzit në rajon është që ata të mund të punojnë kudo lirisht në rajon.

Në të kundërt, siç kemi patur situatat sot, dhe nuk kam asgjë kundër, do kemi më shumë indianë, turq, njerëz nga Filipinet edhe pse kemi mundësinë të mbajmë njerëzit tanë, qytetarët tanë në rajon. Duhet të biem dakord edhe për qarkullimin e lirë të të huajve. Pra, nëse një nga vendet tona lejon hyrjen e një numri të caktuar të filipinasve p.sh. sepse ka një mungesë të krahut të punës, në Serbi po themi, do jetë kështu për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.

Unë do të thoja  se i trajtuam të gjitha çështjet dhe më duket se jemi të gjithë nga pak, por unë jam më i dëshpëruari kur nuk realizojmë të gjitha ato për të cilat biem dakord në nivel politik. Të gjithë duhet të ulemi bashkë, të gjitha agjencitë, institucionet, shërbimet e inspektorateve sepse kjo nuk ka të bëjë me politikanët, kjo është histori që u takon qytetarëve, sipërmarrësve, biznesit që duhet të rritet dhe të zhvillohet, histori që i takon idesë fantastike që duhet të fitojë që ne të ecim përpara.

Kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur dhe mirënjohës dhe çfarë është e rëndësishme të them, është që ju lutem të mbani këtë parasysh, sot na u shpjeguan problemet me të cilat përballen sipërmarrësit dhe të gjithë sipërmarrësit, – me gjithë më të mëdhenjtë nga Serbia kanë ardhur këtu, përveç Vasil Naçit, të tjerë nuk erdhën nga Shqipëria, kishim sipërmarrës dhe nga Maqedonia e Veriut, – të gjithë janë 100% në favor të kësaj nisme, vetëm kërkojnë rezultate më të shpejta.

Po na kërkojnë të jemi më aktivë që të mos mbetemi tek deklaratat politike, por të shtyjmë gjërat përpara.

Isha shumë i lumtur kur njëri sot tha “Është pak më e lehtë sot, tek pikat e kalimit kufitar, seç ishte pak më pare, por është larg asaj që duam të kemi dhe duhet të punojmë vërtetë shumë”.

Edhe njëherë, faleminderit shumë të dashur miq, të ftuar!

Mirëserdhët në Beograd, Mirëserdhët në Serbi dhe do shihemi shpejt.

Ndërkohë do kemi takime të rëndësishme në Beograd, pastaj do zhvendosemi në Tiranë dhe besoj se menjëherë pas tij, do zhvendosemi në Shkup apo diku tjetër në Maqedoninë e Veriut.

Faleminderit, faleminderit shumë dhe gjithnjë uroj të ndjeheni si në shtëpinë tuaj këtu në Beograd!

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Dua të them se sot është më ndryshe nga takimet e tjera, i gjithë fokusi ka qenë tek njerëzit, tek kompanitë, tek fermerët, tek distributorët, tek punëtorët, tek akademikët, tek studentët, që janë edhe përfituesit realë të Ballkanit të Hapur e që secili në mënyrën e vetë vuajnë kufijtë, pritjet dhe barrën e rëndë të burokracisë, të agjencive, të kontrolleve, të inspektimeve, e kështu me radhë.

Mua më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësaj nisme.

Thelbi i kësaj nisme është si të zgjerojmë ekonomitë tona, si të zgjerojmë tregjet tona që mbeten tregje të vogla në vetvete, por që nëse integrohen me njëra-tjetrën, atëherë kthehen në një treg të rëndësishëm, jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por edhe për investimet e huaja direkte në këtë zonë, sepse gjithmonë e më tepër po del në pah – dhe kjo shihet në Serbi, por kjo shihet dhe në të gjithë vendet e tjera, por marr si shembull Serbinë që ka bërë një hap të madh përpara në thithjen e investimeve të huaja direkte, – që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut dhe që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte, që të përfitojmë investime të huaja direkte që sjellin shumë më tepër punësim cilësor e sjellin shumë më tepër vlerë të shtuar, duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë.

Më vjen shumë mirë që sot na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarrësit, me kompanitë, me distributorët nga Shqipëria, nga Serbia,  nga Maqedonia e Veriut dhe me problemet e tyre reale dhe të gjithë njëzëri, në mbështetje të Ballkanit të Hapur, kërkuan që çka ne nënshkruajmë në nivelin politik dhe qeveritar, të përkthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet.

Kemi eksportues nga Serbia, nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria, respektivisht në vendet e tjera, pra nga një vend në tjetrin, të frutave dhe perimeve të freskëta, apo të qumështit, produkte, të cilat nuk mundet dot të rrinë me ditë nëpër kufij, duke shtuar në mënyrë marramendëse, jo vetëm kostot nga pikëpamja e kohës dhe nga pikëpamja e angazhimit të njerëzve, por në mënyrë marramendëse edhe kostot negative mbi vetë produktet, sepse nuk mundet dot që të premten në darkë, të arrish në kufi e të presësh të hënën, për të çuar në anën tjetër qumështin se i bie që të bëhet kos deri të hënën, apo për të çuar produktet nga Konispoli deri në Serbi, nga ara në treg, duke i kaluar nëpër dogana apo tre javë, për të pritur konfirmimin nga agjencia e vendit tjetër, për produktet që t’i sjellë nga një vend tjetër.

E nga ana tjetër, kemi takuar Këshillin e Atlantikut që ju e njihni shumë mirë se çfarë përfaqëson, ka ardhur enkas nga Ëashingtoni, në mbështetje, jo thjeshtë të nismës në parim, por në mbështetje të kësaj përpjekje, duke pritur që të njihemi me rezultatet përfundimtare të një studimi të përgjithshëm, që do të ekspozohet në Tiranë për potencialet për avantazhet e për përfitimet nga Ballkani i Hapur i të gjashtë vendeve, jo vetëm i tre vendeve.

Nga ana tjetër, kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët, adresuar Bashkimit Europian, duke e kuptuar situatën fare mirë në BE, me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por njëkohësisht, duke nënvizuar se në ndërkohë, ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona, vende me standardet e bashkimit Europian. Nga ana tjetër, kemi bindjen se Bashkimi Europian në ndërkohë që është i zhytur në dilemat e veta, peng i tyre ka rënë dhe integrimi europian i rajonit, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit, duke integruar në rrjetin e universiteteve të Bashkimit Europian, universitetet tona; duke integruar në rrjetin e mbështetjes për fermerët, fermerët tanë; duke integruar në tregun e përbashkët europian, në aspekte, në segmente të caktuara, vendet tona; duke konsideruar njëkohësisht Ballkanin Perëndimor si pjesë të vetën kur vjen fjala për të përballuar krizën e energjisë, e kështu me radhë.

E fundit fare, ne kemi vënë re tashmë që sezoni turistik është mbyllur, se gjatë tetë muajve të fundit, fluksi i turistëve në Shqipëri nga Serbia është rritur 63%. Fluksi i turistëve në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut është rritur 22%. Janë shifra që janë rezultat i drejtpërdrejtë në ekonomi, përveçse në procesin e rritjes së energjive pozitive në rajon, të Ballkanit të Hapur.

Jemi të bindur e jam i bindur që këto shifra do të vijnë vetëm duke u rritur e në dhjetor, në Tiranë, jemi angazhuar që të japim rezultate konkrete e nga janari, në kufijtë e vendeve, të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, për distributorët, për fermerët.

Sot e kam shpjeguar që të gjithë fermerët që e kanë të lidhur produktin, prodhimin e tyre me eksportin e që kanë pjesë të hapësirës ku eksportojnë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, janë mbështetësit më të mëdhenj të Ballkanit të Hapur e prandaj Ballkani i Hapur është padiskutim një nismë në shërbim të njerëzve, në shërbim të mirëqenies ekonomike, të mirëqenies shoqërore të këtyre popujve që përtej të gjitha problematikave e përtej të gjitha mosdakordësive që mund të jenë pjesë e jetës sonë të përbashkët sot, meritojnë të jetojnë më mirë, meritojnë të kenë një hapësirë shumë më të madhe lëvizjeje dhe ndërveprimi në favor të mirëqenies së tyre.

 

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov: Faleminderit i nderuar President Vučić, i nderuar kryeministër Edi Rama, të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar qytetarë! Bashkëpunimi rajonal është një zgjedhje e zgjuar. Bashkëpunimi rajonal është zgjedhja e duhur dhe është zgjedhja europiane. Mendoj që nuk ka mëdyshje kur përballesh me krijimin e problemeve dhe nga ana tjetër, ke mundësinë të krijosh zgjidhje dhe të krijosh të ardhmen tënde më të mirë.

Është shumë e rëndësishme dhe rëndësia që qeveria e Maqedonisë së Veriut i jep bashkëpunimit rajonal dhe nismës së Ballkanit të Hapur, theksohet nga fakti që gjendem sot këtu, në Beograd dhe ju falenderoj për mikpritjen e ngrohtë, në kushtet e fazës aktuale politike në Maqedoninë e Veriut. Gjendemi në një situatë një situatë mjaft komplekse, megjithatë kjo nismë është vërtetë e rëndësishme, kështu që nuk mund t’ia lejojmë vetes që të mungojmë në këto takime të tre vendeve.

I vetmi vizion afatgjatë, i qëndrueshëm për një Ballkan të qëndrueshëm dhe fitimtar është ai, ku kufijtë janë më pak të rëndësishëm apo nuk kanë aspak rëndësi.

Për rrjedhojë, zhvillimi i bashkëpunimit rajonal, në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur është një hap i shkëlqyer përpara drejt këtij vizioni, drejt përmbushjes së këtij vizioni europian  të një Ballkani pa kufij.

Një nga etërit themelues të BE, Shumani, vizioni i tij prezantoi fakte specifike që kishin solidaritetin si themel për integrimin e ardhshëm. Kjo nënkupton që ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin, ashtu siç kujdesemi për veten tonë.

Kjo nismë, synon saktësisht këtë gjë, të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke krijuar një treg të përbashkët rajonal, ku do të ketë qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve, të shërbimeve dhe tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër e po kështu, edhe të ndihmojmë njëri-tjetrin për të përballur katastrofat natyrore.

Banka Europiane për Zhvillim, Banka Botërore thotë se PBB në secilën prej vendeve do rritet me 10%, krahasuar me çfarë ishte përpara pandemisë. Kapërcimi i hendekut ekonomik është shumë i rëndësishëm, në kontekstin e perspektivave të integrimit europian të rajonit, kur vjen fjala për qytetarët e tre vendeve tona dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fund të fundit do ishte fitim i jashtëzakonshëm nëse do të eliminonim barrierat tregtare, duke e bërë rajonin më tërheqës, shumë më tërheqës për investimet e huaja.

Parë nga pikëpamja e vendeve anëtare të BE, sa më mirë ne të bashkëpunojmë në rajon, aq më shumë mund t’i bindim se jemi rajon, i cili nuk do importojë probleme, por jemi një rajon që prodhon zgjidhje, duke forcuar qëndresën e rajonit dhe kjo është e mundur vetëm nëse ne jemi në krye dhe jemi zotër të rezultateve.

Kjo ka qenë përvoja ime e parë kur takova përfaqësues të suksesshëm të kompanive të tre vendeve dhe dhomave të Tregtisë. Ne kemi patur bisedime të sinqerta dhe për mua ishte mjaft informuese, për shembull, një kompani maqedonase, e cila importon nga Serbia dhe pastaj eksporton për në Serbi, humbet së paku 3 javë, në pritje për të marrë një miratim nga laboratori kombëtar, që është i Agjencisë Fitosanitare dhe sigurisë ushqimore, pavarësisht se dy vendet mike e fqinje, kanë një marrëveshje që parashikon se do jetë e mjaftueshme, që ushqimi apo artikujt të kenë miratimin e vetëm një laboratori, qoftë ai maqedonas apo serb.

Për rrjedhojë, mendoj se kemi hartuar një plan mjaft specifik për të tejkaluar këto mangësi të integrimit të ngadaltë. Ne kemi dëshmuar vullnet politik për ta bërë këtë dhe ka kushte që ky vullnet politik të shndërrohet e të përkthehet në zgjidhje legjislative, çka nënkupton marrëveshje ndërkombëtare, por ajo çka na mungon dhe mendoj se e kemi trajtuar, është fokusi tek zbatimi.

Në takimin tonë në fund të dhjetorit, në Tiranë, duam të deklarojmë një sërë fitoresh, përfshirë edhe zgjidhje të problemeve që përmenda më parë.

Sa më shumë fitore arrijmë së bashku, aq më tërheqëse do bëhet nisma për vendet e tjera të rajonit tonë. Gjithëpërfshirja është shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit dhe besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara, aq më tërheqëse do ta bëjë kjo nismën dhe në këtë mënyrë, do të zgjidhim dhe rezervat që mund të kenë vendet e tjera.

Në dokumentat e miratuara në këtë takim, jam shprehur se bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë karshi integrimit europian. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal i shërben integrimit europian, por nuk do ishte e arsyeshme për ne, në qoftë se në kushtet kur ideja e integrimit europian minohet, ne të rrimë mënjanë e të mos bëjmë asgjë. Ne si vende duhet të veprojmë, ne duhet të bëjmë përpjekje dhe kjo duhet të na bëjë edhe më bindës në sytë e Bashkimit Europian.

* * *

– Kam një pyetje për secilin nga drejtuesit. Fillimisht për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Zoti Kryeministër keni deklaruar se Ballkani i Hapur është njësi  e zbatimit të Procesit të Berlinit. Në fakt procesi i Berlinit përfshin 6 vende dhe jo 3 shtete që i kanë mbyllur dyert Ballkanit të Hapur, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. A rrezikon Ballkani i Hapur që nga një njësi zbatuese e procesit të Berlinit të shndërrohet në një njësi zbatimi të cunguar që përfaqëson vetëm interesat politike dhe ekonomike të tre shteteve dhe jo të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Zoti Vučić, cila është rruga që ju do të ndiqni për të afruar Kosovën tek Ballkani i Hapur, duke ju kujtuar që  para disa javësh në fund të muajit shtator marrëdhëniet mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë u tensionuan për shkak të reciprocitetit të targave. A do të ndiqni hapa konkret për të bindur Kosovën që Ballkani i Hapur është në të mirën reciproke, në të mirën e ndërsjellët?

Pyetja e fundit për zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Pas dorëheqjes së Zoran Zaev, tashmë situata në Maqedoninë e Veriut nuk është më e qetë. Ajo është e rrezikuar nga zgjedhjet e parakohshme të kërkuara nga opozita, e cila fitoi bindshëm zgjedhjet vendore e për sa kohë kryetari i saj i VMRO DPMNE është shprehur skeptik nga Ballkanit Perëndimor. A rrezikon që dhe Maqedonia e veriut, nëse VMRO DPMNE do të jetë fituese e zgjedhjeve, nëse do të bëhen zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, t’i largohet Ballkanit të Hapur?

Kryeministri Edi Rama: Po, pikërisht pse procesi i Berlinit është një proces, i cili pasi ka vendosur një kornizë vlerash dhe kriteresh, ka mbetur në rrugë nga një Samit në tjetrin, në tjetrin, në tjetrin çdo vit.E çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen, është krijuar kjo nismë, e cila nuk është asnjë gjë tjetër përveçse një njësi e zbatimit të procesit të Berlinit, duke përshpejtuar dhe njëkohësisht duke monitoruar zbatimin.

Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për të gjashta dhe ndryshe nga Procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend, sepse përcakton qartë që cilido prej vendeve që do të eci më shpejt, mund ta bëjë këtë, pa qenë i detyruar të presë konsensus, sikur jemi një karikaturë e Këshillit Europian, është shumë e thjeshtë.

E përsëris edhe në qëndrimin e sotëm, të përbashkët që do ta merrni më vonë, kemi ripërcaktuar edhe një herë për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë ose dhe nuk e kuptojnë, që Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, nuk është vetëm i Shqipërisë, i Serbisë dhe i Maqedonisë së Veriut, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin që të binden të gjithë të tjerët.

Arsyet pse të tjerët janë skeptik ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur, i kam dëgjuar.

I kam dëgjuar edhe arsyet e Malit të Zi, i kam dëgjuar edhe arsyet e Bosnjës, i kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe arsyet e Kosovës e më vjen shumë keq, por i konsideroj arsyet të mosarsyes. Ju thatë, që duket sikur Ballkani i Hapur e këto takime, janë për interesat ekonomike të këtyre vendeve. Pse çfarë ju duken ju interesat ekonomike të Shqipërisë? Ju duken gjë e vogël? Patjetër që, unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, nuk diskutohet. Për çfarë do jem këtu? Për interesat ekonomike të Gjermanisë apo të Kinës? Për interesat ekonomike të Shqipërisë, të cilat drejtpërdrejtë fuqizohen nga Ballkani i Hapur, pa diskutim. Ju dhashë një shifër, por mund t’ju jap shumë të tjera e po ju them dhe një gjë në fund. Në dhjetor, kur ne të bëjmë takimin në Samitin e radhës në Tiranë e kur ne t’i dorëzojmë të gjithë atyre sipërmarrjeve që takuam sot, nga sipërmarrjet më të mëdha të Shqipërisë, të Serbisë e të Maqedonisë së Veriut që kanë ndërveprim me vendet respektove, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit e kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, unë po ju them, mos u çudisni, që kompanitë nga Mali i Zi, nga Bosnja edhe nga Kosova do vijnë përpara se sa të vijnë qeveritë e tyre, të kërkojnë të përfshinë në të gjithë rrjetin e lëvizjes, – të paktën kjo mund të duket absurde, por ka absurditetin ballkanik brenda, – për të mos pasur probleme kur hyn në kufijtë e vendeve tona,  si kompani.

Mos u çudisni sepse kjo nuk është një tekë, nuk është as një konspiracion, nuk është as një vizion halucinant i imi, i Aleksandar Vučić apo i Zoran Zaev. Kjo është një kërkesë ulëritëse e ekonomive tona, e njerëzve tanë, e qytetarëve, e sipërmarrësve, e fermerëve, e studentëve, e akademikëve, e njerëzve që duna të lëvizin për turizëm patjetër, nuk diskutohet. Pse çfarë jemi ne? Jemi budallenj që gjithë këtë potencial të madh për të shtuar numrin e turistëve në Shqipëri që ka Ballkani ta lëmë sikur nuk ekziston? Jo. Ne na duhet gjithçka për ekonominë tonë e ne do bëjmë gjithçka, patjetër. Interesat ekonomike të Shqipërisë? Po patjetër, pse të kujt? Interesat ekonomike të Shqipërisë, nuk diskutohet.

 

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov: Faleminderit! Kishte një pyetje për mua, për rrezikun që vjen nga kriza politike në vendin tonë dhe që lidhet ngushtë me qëndrimet e udhëheqësve të opozitës. Është interesante që përmendët fjalën “rrezik” dhe “lideri i opozitës”. Në kokën time, në fakt, riskun unë e shoqëroj me liderin e pozitës. Unë nuk mendoj që situata në skenën politike maqedonase ka arritur fazën e konkurrencës me qeverinë. Do të ishte mirë që të kishim një të tillë konkurrencë ku aktorët politikë të tregojnë se kush mund të bëjë më mirë. Ne zhvilluam zgjedhje lokale. Edhe pse drejtpërdrejtë e lidhim rezultatin e zgjedhjeve lokale me qeverinë, partitë e koalicionit qeveritar kanë fituar më shumë vota krahasuar me votat që ka fituar opozita. Po flas tashmë hipotetikisht, por qytetarët maqedonas duan të ecin përpara. Shumica e qytetarëve duan të ecin përpara e të ecësh përpara mes të tjerave nënkupton marrëdhënie të fqinjësisë së mirë e bashkëpunim rajonal.

Për këtë arsye, unë besoj se edhe në këtë rast dhe natyrisht që kjo do të ndodhë, jemi një demokraci dhe është mëse e natyrshme që do të ketë ndryshim të pushtetit, vullneti i qytetarëve është i tillë që kushdo të vijë në detyrë, do të duhet të ecë përpara, çka nënkupton që europianizimi i vendit, forcimi i demokracisë, forcimi i rritjes së ekonomisë tonë, që kërkon bashkëpunim më të ngushtë me fqinjët tanë, kështu që nuk shoh ndonjë rrezik për të dalë jashtë. Vendi im, Maqedonia e Veriut, pra është me rëndësi që vendi të mbetet pjesë e kësaj nisme. Është e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe për të ardhme europiane të rajonit.

 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić: Nuk dua të flas për arsyet. Nuk shoh arsye, nuk i shoh problemet e shtatorit, siç i shini ju, por nuk dua t’i hyj kësaj. Tema e kësaj konference, tema e këtij takimi është ndryshe. Ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës, por për aq kohë sa jam Presidenti i Republikës së Serbisë nuk mund t’i përgjigjem të njëjtës pyetje në çdo takim. Jo sepse e kam të vështirë ta bëj këtë apo sepse kam ndonjë problem t’i përgjigjem pyetjes përkatëse, por më duket se të tre ne, sëbashku me delegacionet tona, kemi hyrë në thelbin e problemeve. Ne kuptuam thelbin e problemeve dhe shqetësimeve me të cilat po përballen njerëzit tanë e po përpiqemi t’i zgjidhim këto probleme.

Kemi shumë punë, kemi mjaft shqetësime të tjera që të merremi, të justifikojmë për diçka. Nëse duhet ta bëjmë këtë, nuk më shkon në mendje të justifikohem askujt, as BE, askujt në rajon. Të gjithë kanë një nismë kaq të pastër, kaq të mirë. I kërkuat Nikolës të bëjë komente se cili do të jetë vendimi në Maqedoninë e Veriut në të ardhmen.

Ju lutemi, mendoni pak, le të mendojmë pak. Në Maqedoninë e Veriut, vendi më i afërt, pra ideja është se njerëzit mendojnë se Serbia është vend më i afërt me Maqedoninë e Veriut e pastaj kur bëhet fjala për Shqipërinë po përsëri kanë ca mendime të tjera. Pse duhet të kemi këtë lloj, pra të mendojmë kështu për marrëdhëniet mes këtyre vendeve. Kjo nuk do të ishte politikë serioze. Nëse do vijmë të justifikohemi çdo herë për të thënë që kjo është pjesë e këtij procesi, kjo është pjesë e atij procesi e pastaj të marrim një vlerësim negativ nga mësuesit tanë, jo. Ne po e bëjmë këtë për hir të qytetarëve tanë, për të mirën e tyre. pse duhet të japim shpjegime dhe të justifikojmë diçka të mirë që po bëjmë? Gjërat e mira që do të ndihmojnë njëri-tjetrin, gjatë tërmeteve, gjatë përmbytjeve. Pse duhet të justifikohemi se njerëzit tanë do të kalojnë kufijtë më shpejt se sa bëjnë tani, që kamionët tanë nuk do të presin 24 apo 48 orë. Pse duhet tua shpjegojmë gjithçka gjithkujt. E natyrisht, kur  e bëjmë këtë pastaj, shkohet tek gjëja tjetër, që na thuhet ja po presin ata. Pastaj thonë që ne nuk duam të bëhemi pjesë për shkak të Vuçiçit, për shkak të Ramës. Është ok. Nuk e keni për detyrë, askush nuk po ju detyron.

Ne diskutuam mbrëmë me Kryeministrin e Malit të Zi. Patëm një takim në darkë. Përmendëm se cilat ishin përfitimet e ai tha që është e rëndësishme për të që të jetë pjesë e përbashkët e luftës kundër katastrofave natyrore e do të shihte se çfarë marrëveshje mund të bëhej, por nuk e nxitëm, nuk i krijuam detyrim. Thjesht i shpjeguam, a mendon se sa shumë punë mund të bëjmë të gjitha vendet, cilat janë avantazhet?

Kështu që më lini t’ju them që, kur thuhet që situata, pra i njëjti person që tha që situata midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kufi nuk është e mirë, prapë tha është më e mirë se sa ishte. Megjithatë, kemi problemin në kufirin në Bosnje-Hercegovinën, ku kemi kohën më të gjatë të pritjes. Këtë dëgjuan Kryeministri Rama dhe Zv/Kryeministri Dimitrov, por kush është i interesuar për këtë? Nëse e analizoni politikisht, kjo duhet të jetë ideja më afër dhe më e afërt për disa kryeqytete në rajon. Kjo do të jetë në të mirë të gjithsekujt. Por ka disa ide politike, gjithmonë ndodhin në zgjedhje e gjithmonë është më e lehtë që të marrësh pikë politike mbështetur në urrejtjen ndaj dikujt, sesa në marrëdhënie të mira dhe konstruktive.

Ne do të zgjidhnim marrëdhëniet tona me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel sepse kemi pikëpamje të ndryshme, por Ballkani i Hapur në rajon u jep liri njerëzve, u jep liri sipërmarrësve, siguron shkëmbim më të mirë të mallrave. Diskutuam digjitalizimin, transformimin e gjithë shoqërive tona, për të punuar për këto çështje. Unë nuk e shoh se pse dikush duhet të jetë kundër kësaj. Kush do të bëhet pjesë është i mirëpritur. Kush nuk do është problemi i tyre, por do ta shihni ndryshimin në normën e rritjes ekonomike midis nesh e të tjerëve por do të kërkojë kohë që të ketë rezultate.

 

-Zoti president, pyetja është për ju. Ju përmendët se jeni i pakënaqur kur bëhet fjalë në zbatimin e marrëveshjeve aktuale. Në korrik, në Shkup ju thatë që pjesa më  madhe do të jetë pjesa e heqjes së kufijve sepse ka shumë kontrolle , pagime në doganë të taksave, por sfida që mund të ndodh nëse nuk zgjidhen disa probleme administrative, sa kohë do të vonohen këto çështje të reciprocitetit administrativ?

-Zoti Rama dhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ju thatë që kjo nismë nuk është në konkurrencë me integrimin e BE-së, a mendoni se Ballkani i Hapur është diçka që po bëhet dhe ndërkohë që vendet tuaja nuk kanë një datë për hapjen e negociatave?

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić: Nëse më lejoni, të tre ne po bëjmë atë çfarë është më e mira për qytetarët tanë, për mjedisin tonë dhe rrugëtimin tonë të integrimit europian. Ajo çfarë është më e rëndësishme është që njerëzit janë thelbi i këtij procesi, jo ne, jo proceset, jo nismat, jo takimet. Janë qytetarët  e zakonshëm për të cilët ne po kujdesemi, duke nisur nga fermerët tanë, duke nisur nga prodhuesit, sipërmarrësit, punonjësit që punojnë në kompanitë përkatëse, njerëzit që jetojë në fshatrat tanë, për këta është e gjithë kjo. Kjo është dhe arsyeja pse po e bëjmë të gjithë këtë. Nëse më pyesni mua dhe e diskutuam dhe sot, synimi ynë, Edi dhe unë, këmbëngulëm te kjo herën e fundit kur u takuam. Kjo është arsyeja se sot ishim vërtetë të dëshpëruar kur pamë mungesën e rezultateve të mjaftueshme për këtë çështje. Këtë do ta ndreqim gjatë muajve që vijnë. Ramë dakord dhe çështja është që të veprojmë në këtë lloj mënyre dhe të shikojmë sesi do të përfundojë dhe sesi do të finalizohet kjo gjë.

Kemi kontrolle doganore në Suboticë apo në Beograd. Nuk ka nevojë që të ketë ndalesë tjetër në kufi me Maqedoninë dhe pastaj me Shqipërinë. Natyrisht, mund të kalosh në skanerin e sigurisë për t’u kontrolluar nëse po kontrabandon diçka, por ecën, kalon përmes saj dhe shkon në Tiranë ose Durrës dhe kur shkon atje ka prapë një terminal doganor. Ata rikontrollojnë deklaratat doganore, rikontrollojnë atë ccfarë duhet kontrolluar dhe kaq. Nuk ka nevojë që njerëzit të ndalojnë në çdo pikë kufitare, të kenë dhjetë ndalesa. Duhet të lidhemi në mënyrë digjitale. Kjo është arsyeja pse përfaqësues të doganave tona do të takohen gjatë shtatë ditëve në vijim dhe kanë një milionë gjëra për të bërë. Na duhet të punojmë dhe të sigurojmë që të ketë harmonizime të ndryshme për rregulloret e ndryshme që kanë të bëjnë më TVSh, që kanë të bëjnë me aktivitetin e shërbimeve tona të sigurisë, ndarjen e informacioneve dhe gjithçka tjetër. Kjo është ajo çfarë ne kemi në plan. Kjo është pjesë e udhërrëfyesit të asaj çfarë ne do të bëjmë. Dhe në fakt kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë vitin e ardhshëm. Këto janë të gjitha ide të jashtëzakonshme për njerëzit tanë. Kjo është diçka, te e cila ne do të këmbëngulin nëse ne do të arrijmë ta bëjmë këtë gjë për shembull Shqipëria ka bërë  një listë të gjelbër për 20 kompani shqiptare, ne kemi 30 – 40 kompani, të cilat i dimë që janë kompani të sigurta që të kalojnë nëpër skanerin e sigurisë thjeshtë të paraqesin deklaratat dhe të shkojnë në destinacioni final. Kjo është mënyra sesi do ta bëjmë tregtinë më të lirë. Ministria e Tregtisë, flas për atë serbe, duhet të jetë shumë më e dedikuar, duhet të punojë shumë më tepër për t’i arritur të gjitha këto. Shpresoj që ashtu si thatë të tjerë të na bashkohen sepse gjërat do të sjellin përfitime të jashtëzakonshme për të gjithë ne. Faleminderit.

 

Kryeministri Edi Rama: Fjalia që Ballkani i Hapur është konkurrent me integrimin europian apo është komplementar me integrimin europian, ndërkohë që në jetën reale, e cila zhvillohet jashtë vëmendjes së kamerave ka interveprim të vazhdueshëm mes njerëzve realë që punojnë, që prodhojnë, që grumbullojnë, që transportojnë dhe që tregtojnë.

Këta njerëz vuajnë, vuajnë në mënyrën më kuptimplotë të fjalës peshën marramendëse të kufijve, peshën marramendëse të dy, tre , katër palë burokracive. A mundet dot të vihet në diskutim e drejta e tyre që të mund të punojnë normalisht, që të mund të tregtojnë normalisht për shkak se dikush në kolltuk në një studio televizive terrorizon për Ballkanin e Hapur, për Bashkimin Europian, për luftën dhe për paqen?

A mundet dot që e drejta e atyre, që lënë fëmijët në gjumë në mëngjes, i puthin në gjumë dhe dalin që në katër të mëngjesit për të nxjerrë nga toka prodhimet që do të eksportojnë dhe i gjejnë fëmijët në gjumë kur kthehen, të mohohet sepse dikush tjetër nuk do të dijë fare për këtë pjesë, është i gatshëm ta izolojë komplet popullin e tij dhe bën teori për nuk e di se çfarë, siç ka ndodhur me vite e vite të tëra.

A mundet dot që të gjithë këta njerëz, që nga Konispoli, është pika fundore e Shqipërisë për ata që nuk e dinë, në kufij me Greqinë, dhe janë pjesë e grupit të interesit që kërkon Ballkanin e Hapur sepse për të shkuar dhe për t’i çuar bostanë, mandarinat, luleshtrydhet dhe plot prodhime të tjera që ata bëjnë në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Bosnje, ju duhet të bëjnë rrugën e Magelanit. Është me lehtë  të shkosh në Australi me avion sesa të shkosh në Bosnje me makinë, shto dhe orët e kontrolleve. Janë 14 orë rrugë nga atje ne Bosnje dhe kur shkojnë në kufi me bostan, derisa të hapet kufiri bostani bëhet frut i thatë, hurmë Arabie. Unë e di që në Bosnje i pëlqejnë, por çështja është që ata tregtojnë bostan.

Për me tepër  mundet dot ne tani që të vazhdojmë të merremi me seksin e engjëjve si ata priftërinjtë kur po rrëzohej Kostandinopoja dhe të presim që në Bruksel në Berlin kudoqoftë të kuptojnë se çfarë është Ballkani i Hapur, kur ata e kuptojnë shumë mirë se çfarë është  Ballkani i Hapur?

Imagjinoni tani këto që flas dhe këto që u thanë këtu e që u diskutuan me kompanitë këtu se nga Serbia, nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria, lidhen me vepra që i kemi pasur në tavolinë në procesin e  Berlinit para tre-katër a pesë vitesh kanë qenë aty të gjitha të bëhet kjo, të behët kjo. Pse nuk janë bërë këto? Kush do të vijë t’i bëjë? Do të vijë ti  bëjë Angela Merkel këto apo do vijë Ursula t’i bëjë këto, apo do vijnë këta të tjerët që akoma nuk dinë se çfarë duan? Jo  do ti bëjmë ne. Kur ne të përfshihemi prapë kemi vështirësi për zbatimin e  tyre sepse burokracia ka atë ritmin e vetë, kë atë fiziologjinë  e vetë si do i lëmë ne këto të ikin dhe një dekadë tjetër për të hapur kufijtë dhe për të lëvizur lirisht bostani me mandarinën dhe për të lëviz lirisht qumësht, vezët dhe të gjitha? Për cfarë arsye, do torturohet në popull i tërë që punon tokën dhe që eksporton, ndërkohë që ne kemi detyrë, jo vetëm të çlirojmë këta që janë, por të hapim perspektivë për të tjerët që ta shikojnë që këtu ka një treg të madh, që këtu ka një treg të interesuar për këto produkte, ka treg të lirë, që këtu ka një hapësirë të përbashkët, që këtu nuk ka 7 palë policë, 7 palë inspektorë, 7 palë tatimorë e doganierë që kanë po ato zakone, njësoj i kanë në të gjitha zonat.

Ne gjuha na dallon, por zakonet e burokracisë janë njësoj.

E fundit që kam, për ta mbyllur, se është shumë e rëndësishme ta them, kur vjen puna për Kosovë, është e thënë e rithënë e stërthënë publikisht, edhe këtu, edhe në çdo takim që unë bëj me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, është që të treja vendet, pa dallim, janë të ftuara të vijnë e të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Pastaj çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet dhe rrugën e vet. Ama, një gjë duhet ta dini të gjithë, është bindja ime. Nëse të gjashta vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën, edhe për Bosnjën do jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet e tjera.

Më japin leksione herë pas herë dhe më tregojnë Gjermaninë dhe Francën, kur unë u tregoj Gjermaninë dhe Francën dhe them që shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin si francezët dhe gjermanët për Europën dhe ia kanë borxh gjeneratave të tjera sot që të bëjnë për Ballkanin dhe mes tyre, atë që bëjnë gjermanët dhe francezët, më tregojnë histori që nuk janë të vërteta.

Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, e filluan nga bashkëpunimi ekonomik, e filluan nga marrëveshja e çelikut dhe qymyrit, nga marrëveshja për shkëmbimet e të rinjve, e filluan nga lehtësimi i punës së sipërmarrjeve, e filluan aty ku i dhimbte popullit pas lufte, tek buka dhe pastaj panë që bashkë janë shumë më mirë seç ishin kur ishin duke u përplasur me njëri-tjetrin.

Më vjen mirë që Presidenti këtu e nënvizoi, që këtu nuk ka kufizim për askënd. Për të folur për të gjitha liritë e BE, lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, shërbimeve të mallrave, të gjithë janë të ftuar të vijnë. Pastaj, për Malin e Zi, ata presin të hyjnë në Bashkimin Europian vitin tjetër, këtë gjë ma ka thënë Kryeministri dhe unë e mirëkuptoj, dhe i kam thënë kryeministrit të Malit të Zi “Vitin tjetër ju prisni të hyni në Bashkimin Europian dhe po u futët në Bashkimin Europian, ne do ju kemi një avokat më shumë që ta mbroni Ballkanin e Hapur si anëtare të Bashkimit Europian”. Të shohim a do futen në Bashkimin Europian vitin tjetër apo jo. Unë iu uroj vërtetë që ta fusë Bashkimi Europian, Malin e Zi në Këshillin Europian të qershorit.

Ne nuk e kemi informacionin që qenka gati kjo punë, kur ta fusë Bashkimi Europian jam i bindur që ai do ta mbështesë Ballkanin e Hapur se neve na shikon si vende që jemi më mbrapa. Nëse ai nuk futet në Bashkimin Europian, ne i kemi thënë “Bujrum, hajde, futu këtu tani, sepse Bashkimin Europian nuk e detyrojmë ne se kur na fut brenda, por ama ne i kemi borxh njerëzve që të krijojmë këtu hapësirën europiane për të gjitha liritë dhe pastaj kur vjen puna të futemi në BE, futemi me këtë kulturë bashkëjetese, që është kultura e BE, dhe e dimë shumë mirë çfarë është lëvizja e lirë, dokumentet, e të gjitha. Kjo është edhe një shkollë për integrimin europian.

Ai ishte shumë i lumtur të na bashkohej për zjarret. Ne jemi shumë të kënaqur që zjarret t’i luftojmë bashkë me Malin e Zi. Pastaj, kur të mbarojë 2022, do ta ftojmë në Samitin e dhjetorit 2022 ose të na tregojë si u fut kaq shpejt në Bashkimin Europian ose të bashkohet në Ballkanin e Hapur.

 

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov: Në kontekstin e nismës së “Ballkanit të Hapur” dhe të proceseve të integrimit europian, unë kam theksuar tashmë që kjo është një nismë e “Ballkanit të Hapur”, çka nënkupton t’i bëjmë kufijtë më pak të rëndësishëm, të krijojmë potenciale për rritjen ekonomike. Tre elementet, zgjidhja, rritja ekonomike dhe më shumë stabilitet janë argumente ne favor të integrimit europian. Jam besimplotë se Ballkani i Hapur, kjo nismë është përplotësuese me integrimin europian.

Do doja të thoja pak fjalë sa i përket perspektivës europiane. Me keqardhje e them që është e vështirë të gjesh një vend që është shembulli më i keq ose më i mirë. Çfarë ndodh kur BE nuk mban premtimet e veta?

Qytetarët në fakt humbasin besimin që kjo është diçka e realizueshme, qytetarët humbasin besimin që do kenë një të ardhme europiane dhe së fundmi, unë kam korrigjuar veten sepse nuk është e drejtë të kritikosh të gjithë BE, ne kemi probleme me një anëtar të BE. Komisioni Europian, në kuadër të paketës së vetë zgjerimit, është shprehur se vonesat e procesit të integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut cenojnë besueshmërinë e BE në të gjithë rajonin. Por kjo veto nuk është vetëm veto ndaj së ardhmes sonë europiane, por është gjithashtu veto ndaj politikës europiane në Ballkan, është veto ndaj miqësisë bullgare dhe të Maqedonisë Veriore.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, sa i takon asaj çka ne mund të bëjmë, ndërkohë që presim që kjo çështje të zgjidhet në BE, në kontekstin rajonal, askush nuk mund të vendosë veto.

Qëllimi i integrimit europian është që atdheu im të bëhet më i fortë, duke u bërë edhe rajoni më i fortë në të njëjtën kohë, për të pasur demokraci më të fortë, për të pasur më shumë drejtësi dhe drejtësi më të mirë. Kjo është diçka për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë individualisht.

Në fakt, steka po ngrihet gjithmonë e më lart. Megjithatë, këto nuk janë vetëm tonat apo vetëm të rajonit. Në qoftë se Bashkimi Europian dëshiron të shndërrohet në një lojtar global, nuk mund të dështojë globalisht. Ky është një rajon që rrethohet nga shtete anëtare të BE, dhe nga perspektiva e BE, rajoni ynë është problem lokal. Nëse ata nuk veprojnë këtu në rajon, ata nuk mund të veprojnë globalisht. Kësisoj, rëndësia që rajoni ka për BE.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić:  Dua t’iu them që janë gjithnjë të mirëseardhur. Edi, doja të thoja sa të drejtë ka për nismën e Ballkanit e Hapur dhe dua që të gjithë të kuptojnë që kjo nuk është një nismë mbështetëse. Është një nismë e shkëlqyer, një shpresë e shkëlqyer që ne mund të ndryshojmë gjëra në të ardhmen. Mjafton të shohësh serbët dhe shqiptarët. Edi foli për gjermanët dhe francezët ndërkohë që shqiptarët dhe serbët janë këtu në rajon. Pra, nuk ka pse të luftohet kush janë gjermanët dhe francezët. Kjo nismë është politikisht rruga e vërtetë për të tejkaluar problemet, mënyra më e mirë për të njohur njëri-tjetrin, mënyra më e mirë për të kuptuar njëri-tjetrin, në mënyrë që të arrijmë në përfundimet e duhura për të mos rrezikuar kurrë paqen dhe popujt tanë, serbët, shqiptarët, maqedonasit të jetojnë në mënyrën më të mirë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.