Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, me të cilin dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit. Kryeministri Edi Rama tha se në takimin me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, zoti Varhelyi, pati një diskutim të gjerë dhe shumë të hapur si gjithmonë, mbi aktualitetin e procesit të integrimit, mbi marrëdhëniet rajonale, natyrisht edhe lidhur me situatën e luftës në Ukrainë, si dhe me pasojat e saj mbi ekonominë e dy vendeve. Ai  shtoi se ndër të tjera u fol edhe për mbledhjen e Këshillit Europian ku do të diskutohet përsëri çështja e hapjes së rrugës ose jo për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

‘’Siç e dini të gjithë, kjo nuk është një çështje që lidhet me çfarë kemi bërë apo nuk kemi bërë ne Shqipëria, apo me ndonjë rezervë të Këshillit Europian ndaj Shqipërisë sepse nuk ka asnjë rezervë, por lidhet me ngërçin e krijuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Unë e ndava dhe me Komisionerin që ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe si një pozicion të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht në konformitet me pozicionin e Komisionit dhe me pozicionin e Këshillit, për mos ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky është pozicionin ynë aktual’’- konfirmoi Rama.

Rama tha gjithashtu se Komisioneri Varhelyi ka qenë një mbështetës i përfshirjes së Korridorit 8 në rrjetin evropian, gjë që na bën pastaj të aftë të aksesojmë fondet e nevojshme për ndërtimin e Korridorit 8, kështu që ne shpresojmë që të merret dhe ky vendim e pastaj ne të fillojmë të shtyjmë më tej procesin e aplikimit sëbashku me Maqedoninë e Veriut për realizimin e Korridorit 8  me mbështetje sigurisht nga Bashkimi Europian.

Ndërkaq Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë Oliver Varhelyi tha se  është i kënaqur që plani i investimeve ekonomike nuk është më thjesht një plan, por plani i investimeve ekonomike ka filluar funksionimin siç duhet, duke sjellë si shembull Universitetin e Tiranës, Qytetin Studenti etj.

‘’Ne nuk mund të fillojmë nga festimet sa kohë që na duhet akoma 5 orë kohë për të udhëtuar ndërmjet Shkupit dhe Tiranës. Kjo është arsyeja pse ne po e mbështesim idenë e Korridorit 8 dhe përse dëshirojmë ta përfshijmë atë në projektin tonë. Komisioni është i bindur që pa këtë nuk do ketë ndërlidhje të Ballkanit Perëndimor, pra lidhja mes shteteve, kryeqyteteve dhe qyteteve sepse kjo lidhje mungon ndërmjet detit Adriatik dhe Detit të Zi. Kjo do krijojë rrugë të reja për tregtinë, por edhe investime të reja- tha Varhelyi.

Ai falenderoi Shqipërinë dhe kryeministrin Rama për gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin që ne kemi patur dhe do vazhdojmë të mbështetemi tek angazhimi dhe mbështetja juaj edhe në të ardhmen, duke iu referuar këtu qasjes së Shqipërisë për luftën në Ukrainë.

Në vijim kryeministri Rama dhe komisioneri Varhelyi iu përgjigjën edhe pyetjeve të gazetarëve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.