Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma të gjithëve! I nderuar zoti president i Republikës së Turqisë!

I dashur miku im!

Shumë të nderuar dhe të dashur miq, ministra, që shoqëroni presidentin.

Sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe patjetër dhe një ditë e bukur, siç është, në fakt, çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj.

Po ashtu, sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekjeje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore, dashamirëse për të mbështetur rilindjen e një komuniteti, aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin përpara sesa tërmeti t’i linte pa shtëpitë e tyre.

Edhe njëherë, dua ta falënderoj Presidentin që u gjend pranë nesh, qysh në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhuar publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk përbën lajm, kur është fjala për Presidentin Erdogan, pasi ai gjithmonë atë që thotë, e bën.

Patjetër do t’i falënderoj të gjithë ata, që i dhanë jetë kësaj nisme kaq bujare dhe jo të lehtë, që nga ministri, miku ynë Murat, tek kompania, punëtorët, sepse jo vetëm ndryshuan jetën e këtyre njerëzve, por ndërtuan një tjetër shembull shumë domethënës për vlerën dhe për thellësinë e marrëdhënies shqiptaro-turke.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Mbase shumëkush mund të mendojë se po e teproj me falënderime, por siç thoshte profeti Muhammed, Paqja e Zotit qoftë mbi të, “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Zotin”, dhe për këtë vepër, falënderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme.

Shumë faleminderit!

Ndërkohë që, një vit më parë kemi firmosur në Ankara një sërë marrëveshjes dhe mbi të gjitha, një deklaratë për të krijuar Këshillin e Bashkëpunimit të nivelit të lartë, që asokohe, këtu në Shqipëri të paktën, u bë shkak për shumë pyetje “Çfarë është, çfarë do bëjë, çfarë do ndryshojë”, dhe faktikisht, sot ne kemi në vit nismash konkrete dhe realizimesh konkrete,  që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij Këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë ishte çelja e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes nesh.

Pikërisht në takimin e Ankarasë, unë nuk e vura bastin me Presidentin për spitalin e Fierit se do e kisha humbur. Fatmirësisht nuk e vura bastin, aq më tepër që Presidenti nuk vë baste, me sa jam unë në dijeni. Thjesht  ndjek futbollin pa baste dhe faktikisht, sot ne kemi një spital që është, jo vetëm një strukturë e re që u shërben njerëzve të një rajoni të tërë të Shqipërisë dhe jo vetëm, por është dhe një pikë transferimi e dijes, prej ku ne po zhvillojmë fazën e re të reformës në shëndetësi për të kaluar në një nivel tjetër të administrimit të sistemit shëndetësor, bazuar tek modelit botërisht i njohur si sukses i Turqisë dhe për të ndërtuar atë autonominë spitalore që do t’i japë një hov të ri gjithë shërbimit.

E kam thënë më parë që ëndrra, ambicia jonë është që shërbimi spitalor të marrë çdo ditë e më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk dhe t’i përngjajë, hap pas hapi, në ekselencën e vet dhe nëse deri dje kjo mund të dukej për shumëkënd e pamundur, mund t’iu them që sot askujt nuk i duket e pamundur përsa kohë në këtë përpjekje ne kemi mbështetjen e presidentit Erdogan dhe të autoriteteve të qeverisë turke.

Nuk dua të zgjatem më tutje dhe për shkak se agjenda e kërkon që Presidenti t’i drejtohet parlamentit pas pak, por dua të them se lajmi i mirë është se tanimë, ashtu sikundër u diskutua 1 vit më parë, është realitet, futja e gjuhës shqipe si gjuhë me përzgjedhje në gjithë arsimin turk.

Tanimë është realitet projekti i monitorimit të rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente, falë asistencës së dhënë nga pala turke dhe kujdesit të veçantë të Presidentit për këtë projekt.

Tanimë është realitet projektligji për parqet e reja teknologjike dhe njëkohësisht, edhe po merr formë projekti i parkut të parë teknologjik, falë asistencës së palës turke dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, gjë që na jep mundësinë të përfitojmë nga një eksperiencë fantastike e bashkimit në një hapësirë të universitetit, shkencës dhe biznesit, gjë që Turqia po e bën me një sukses mbresëlënës.

Po ashtu, jemi duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore dhe tatimore dhe patjetër, do bëjmë çmos për të fuqizuar marrëdhëniet ekonomike, për të rritur volumin tregtar.

Potenciali është shumë i madh dhe për të  rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit.

Ne nuk jemi xhelozë për fqinjët, por se si na vjen kur shohim që janë miliona turistë nga Turqia që shkojnë në vendet fqinje në rajon dhe në Shqipëri, numri i turistëve nga Turqia nuk përputhet fare me shkallën e dashurisë mes popujve dhe nivelit të marrëdhënieve shqiptaro-turke.

Ky është një objektiv për të cilin kemi diskutuar sot me Presidentin dhe jam i bindur që me ndihmën dhe mbështetjen e një ministri të spikatur, të mirënjohur siç është ministri i Turizmit dhe Kulturës së Turqisë, i cili është angazhuar personalisht që do punojë së bashku me ministret tona, ne do arrijmë të fillojmë ta ndryshojmë edhe këtë trend.

Edhe njëherë, shumë faleminderit të gjithëve dhe padiskutim që interesi i sotëm i mediave, interesi i sotëm i publikut është për fjalën e presidentit.

Me shumë kënaqësi, kam nderin t’i kaloj fjalën presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

 

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan:  Ju faleminderit shumë!

I nderuar Kryeministër, miku im i shtrenjtë Edi Rama,

Të çmuar ministra,

Të vyer anëtare të delegacionit,

Të nderuar anëtarë të medias,

Ju përshëndes me ndjenjat e mia më të përzemërta, me respekt,

Po! Pak më parë i firmosëm 7 marrëveshje bashkëpunimi, nga kolegët tanë, si për Shqipërinë ashtu dhe për Turqinë, uroj që të jenë të dobishme për të dyja vendet tona.

Ndjej një kënaqësi të madhe që ndodhem në vendin mik dhe vëlla Shqipëri. Në emër të delegacionit tim, dëshiroj të falënderoj popullsinë shqiptare që na përqafuan ngrohtësisht sot, me mikpritjen dhe sinqeritetin e tyre, vëllezërit tanë shqiptarë sot na bënë që të ndihemi si në shtëpinë tonë.

Me Shqipërinë kemi lidhje të ngushta miqësie dhe vëllazërie, që datojnë shekuj më parë. Ne jemi dëshmitarë të fortësisë së këtyre marrëdhënieve të veçanta mes të dy vendeve, në çdo ngjarje që përjetojmë e në çdo telash që hasim. Në tërmetin që ra në vitin 2019, ne vëllezërit dhe motrat tuaja në Turqi e ndjemë dhimbjen tuaj në zemrat tona.

Me bindjen se miku i vërtetë është ai që vrapon pranë teje pa u thirrur, ne kaluam menjëherë në veprim sapo e morëm lajmin për tërmetin. Ekipet turke të ndihmës bënë përpjeke shumë intensive për të shëruar shpejtë plagët e për të lehtësuar vështirësitë e këtushme. Ne i ndoqëm nga afër këto punime, duke biseduar shpesh me mikun tim të vyer zotin Rama.

Ashtu siç edhe e dhamë fjalën, ju premtuam, sot ne dorëzuam shtëpitë e tërmetit që ndërtuam në Laç, për ata që ju shembën shtëpitë nga tërmeti. Duke përfunduar këto 522 njësi banimi brenda një kohe që mund të pranohet si kohë rekord, për 13 muaj pra, faleminderit Zotit, ne treguam dhe njëherë rëndësinë që i kushtojmë vëllazërisë mes nesh.

Ishalla edhe këtej e tutje ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë në ditë të mira e në ditë të këqija. Nëpërmjet punimeve rinovuese që po kryejmë, ne u shtojmë një rëndësi të veçantë monumenteve historike që pasqyrojnë trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore në Shqipëri.

Këtu, ministrat e Turizmit e të Kulturës, ne në Turqi i kemi në një ministri të vetme ndërsa në Shqipëri janë dy ministri të ndara, por duke ardhur sëbashku, duke bashkëpunuar sëbashku, mund të takohen për të parë se çfarë mund të bëjmë për sa i përket paketave turistike. Për shembull dhe herë pas here edhe ne na kanë propozuar sikur t’i ndanim këto ministri. Ne për 149 vite ministrinë e Turizmit e Kulturës i kemi në një çati të vetme dhe u them atyre që nuk mendojmë që t’i ndajmë këto ministri dhe kështu vazhdon situata dhe sot e kësaj dite, ne nuk do t’i ndajmë ministritë. Pra a nuk është ky një sinjal për juve? Nëse ju jeni të kënaqur nga gjendja, vazhdoni kështu siç jeni, me dy ministri të ndara.

Ishalla sot do të përurojmë xhaminë e Et’hem Beut, restaurimi i të cilës është përfunduar nga Tika. Krahas të qenurit një vend kulti, xhamia e Et’hem Beut është dhe një vepër simbolike që kontribuon në strukturën historike dhe turistike të qytetit të Tiranës.

Së bashku me kullën historike të sahatit, që gjendet pranë saj e që i përket periudhës osmane, xhamia është një nga trashëgimitë kulturore më të rëndësishme të Tiranës që ka mbërritur deri në ditët e sotme.

Pjesëtarë të nderuar të mediave, me mikun tim të  vyer Kryeministrin Edi Rama, sot i rishikuam në detaje marrëdhëniet tona në nivel partneriteti strategjik, gjatë takimit dy palësh që patëm.

Po ashtu, folëm për rëndësinë që ka funksionalizimi i mekanizmit të Këshillit të Bashkëpunimit të lartë. Shpresoj që mbledhjen e Këshillit ta mbajmë në gjysmë e parë të këtij viti, kështu ministrat përkatës të jashtëm do të përcaktojnë datën kur do mbahet e do të vazhdojmë të hedhim hapa në drejtim të realizmit të mbledhjes së parë të Këshillit.

Në takimin tonë, ne vlerësuam dhe luftën tonë kundër organizatës terroriste FETO, siç jeni në dijeni, kjo organizatë terroriste në 15 korrik të 2016 tentoi të bënte një grusht shteti të dështuar që kishte nën shënjestër demokracinë tonë.

Gjatë këtij akti terrorist, që ne e mposhtëm falë rezistencës së popullit tonë, fatkeqësisht 251 prej njerëzve tanë u martirizuan prej pjesëtarëve të FETO. Është e qartë që kjo strukturë që i ka dyert e lyera me gjakun e të pafajshmëve, përbën një kërcënim të madh, jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku ajo është e pranishme. Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë, bijtë e bijat e të cilit kanë rënë dëshmor. Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren hapa më konkretë, vendimtarë dhe hapa më të shpejtë kundër strukturimit të FETO në Shqipëri.

Pjesëtarë të çmuar të mediave, me zoti Kryeministër ne diskutuam dhe për marrëdhëniet tona ekonomike. Vëllimet tregtare vitin e kaluar arritën nivelin e 853 milionë dollarëve, duke shënuar një rritje prej 68%.

Besojmë se në një kohë të shkurtër, do të arrijmë objektivin tonë prej 1 miliardë dollarësh që kemi vendosur me kryeministrin. Po të shtojmë këtu dhe shërbimet e kontraktimit, Turqia është investitori më i madh në Shqipëri.

Shuma totale e investimeve tona është 3.5 miliardë dollarë, më shumë se 600 nga kompanitë tona sigurojnë punësim për rreth 15000 njerëz. Sigurisht, ne nuk i konsiderojmë këto shifra si të mjaftueshme. Duhet të vijmë në një pikë me një nivel më të lartë e besoj që këto shifra do të rriten edhe më shumë me mbështetjen e fuqishme të autoriteteve shqiptare.

Mendoj se jemi të vendosur që t’i thellojmë marrëdhëniet tona në çdo fushë. Në mbyllje të fjalës sime dëshiroj të shpreh për sa i përket edhe kërkesave tuaja në lidhje me spitalet, duke i dhënë udhëzimet ministrit tim të Shëndetësisë, këtë nevojë për sa i përket çështjes së plotësimit të nevojave që keni, edhe këtu do ta hedhim një hap të shëndetshëm. Ne jemi të gatshëm të bëjmë atë që na takon. Uroj që vendimet që kemi marrë në takimet që zhvilluam të jenë të dobishme. Po ashtu, të gjithë banorët, qytetarët shqiptarë që do të banojë në banesat e reja që inauguruam sot në Laç, në emrin tim personal, në emër të delegacionit dhe të kabinetit tim, i uroj një jetë të gjatë, të shëndetshme, të gjithë banorëve që do të jetojnë në këto banesa. Faleminderit shumë!

 

-Për shkak të çështjeve të muajit të kaluar janë ngritur pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e Bashkimit Europian, madje në Bruksel kishte një lajm që thoshte se Bashkimi Europian e ka humbur besueshmërinë e tij tashmë dhe se ka ndryshuar edhe nivelet e marrëdhënieve midis shteteve. Aty thuhej se NATO dhe Bashkimi Europian kanë nevojë për Turqinë. Ju si i vlerësoni marrëdhëniet e reja mes Turqisë dhe Bashkimit Europian, a do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj Turqisë?

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan: Unë ju falenderoj për pyetjen. Sigurisht që më shumë se të flasim për përqasjen e BE-së, ne duhet të flasim për mënyrën e përqasjes së NATO-s. Ajo është më e rëndësishmja sepse BE akoma nuk e ka pranuar Turqinë si anëtare të tij. Po ta marrim që nga hapja e kapitujve, që nga hapja dhe mbyllja e tyre, pra mund të themi që vetëm një kapitull kemi parë, kemi diskutuar dhe e kemi mbyllur në mënyrë të përkohshme. Ndërkohë taktika e sjelljes vërdallë që përdor BE-ja ndaj Turqisë vazhdon akoma.

Megjithatë në lidhje me NATO-n, ne jemi një nga anëtarët më të fuqishëm të NATO-s dhe mendojmë që hapat që do të hidhen në lidhje me NATO-n do të jenë të rëndësishme dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona siç i kemi bërë deri më sot.

Në lidhje me Ballkanin, sidomos në takimet dypalëshe që kemi bërë me miqtë tanë, me mikun tim, jemi të mendimit se është shumë e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria e Ballkanit, prandaj ne do të bëjmë çfarë është e nevojshme, ashtu siç kemi bërë deri më sot për qetësinë dhe për stabilitetin e Ballkanit, për vendosjen e paqes në Ballkan duke siguruar një të ardhme të paqtë, pra ne do të jemi një nga vendet që e garantojmë këtë gjë!

 

-Pyetja e parë është për presidentin  Erdogan. Mbështetja që ju i keni dhënë Shqipërisë nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër në rajonin e Ballkanit. A duhet të shqetësohet Bashkimi Europian për këtë vëmendje të shtuar që ju keni ndaj Shqipërisë dhe nëse merrni mbrapsht ju, si Turqi, diçka nga ky investim që ju bëni në vendin tonë? Sepse aludohet shpesh për marrëdhëniet tuaja të ngushta me kryeministrin Edi Rama. Pyetja që në fakt do doja t’ua bëja dhe ju zoti Rama, duke shtuar se edhe vëllait besoj se ka një kufi deri ku merret borxhi dhe pastaj i duhet kthyer mbrapsht. A është kjo marrëdhënia e Shqipërisë me Turqinë në këtë pikë?

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan: Më bëre një pyetje që më kape ngushtë. Është një shprehje që ne e përdorim në futboll, më zure shumë ngushtë. Megjithatë, unë nuk jam i kapur ngushtë, dua ta sqaroj sepse miqësia, rregullat e vëllazërisë janë të ndryshme sepse brenda vëllazërisë ka lloj-lloj mbështetjesh, të cilat e kapërcejnë dhe vëllazërinë ndonjëherë. Ndonjëherë ka marrëdhënie dypalëshe, të cilat bazohet tek e drejta e detyrimeve. Ne tashmë po flasim për një situatë, siç është rasti pas tërmetit, që rregullohet sipas rregullave të vëllazërisë dhe sipas rregullave të drejtës së detyrimeve. Ne e ndërtuam këtë projekt në mënyrë shumë të shpejtë. Të njëjtën gjë po e bëjmë edhe me vepra historike dhe të gjitha i bëjmë bazuar në rregullat e vëllazërisë dhe përsëri mbi këto rregulla, do vazhdojmë restaurime dhe ndërtime të reja dhe mos kërkoni gjëra të tjera poshtë kësaj sepse ne jemi vëllezër. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë ndoshta. Një pyetje e tillë nuk duhet të ngrihet se çfarë do ndodhë, asnjëherë nuk duhet ta vini në mëdyshje këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Duke ndjekur sot, rrugës në kthim nga Laçi, disa komente, më bëri përshtypje dhe më bëri për të qeshur vërtetë komenti i një qytetari, i cili thoshte “Shyqyr që nuk je myslimane se kaq shumë sa rri me presidentin e Turqisë, po të ishe mysliman, kushedi ç’do të të thonin ata të Bashkimit Europian”. Në fakt, nuk jam, jam katolik. Gjysmën më të mirë e kam myslimane, por unë nuk besoj se, kushdo qoftë në Shqipëri apo në Bashkimin Europian, duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale. Edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend shumë i mbyllur, prapë marrëdhënia me Turqinë ishte aty si vazhdimësi e një tradite.

Ndërkohë, kur vjen puna tek marrëdhënia ime me presidentin Erdogan, e përsëris, nuk ka përsëri asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi.

Janë për të qeshur shumë nga ato që thuhen dhe çuditërisht thuhen, jo vetëm nga konspiracionistë këtu, por dhe nga njerëz seriozë në hapësirën e Bashkimit Europian.

E vërteta është që janë disa gjëra që nuk zhbëhen. Unë nuk di një qeveri tjetër, përveç qeverisë së presidentit Erdogan, asokohe kryeministër i Turqisë, që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të mbledhur direkt punimet e parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur Kosovën në mbledhjen e qeverisë së vet si shtet sovran dhe të pavarur në atë moment që votoi parlamenti i Kosovës. Këtë e ka bërë zotëria që është në krahun tim këtu.

Ashtu sikundër, përtej të gjitha teorive të konspiracionit, unë mendoj që roli i Turqisë në  rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe padiskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Të gjitha ato hijet e hedhura mbi Turqinë apo presidentin rezultojnë të jenë filma të imagjinatës dhe të interpretimeve të bëra, por që nuk gjejnë përputhje në realitet.

Ku vijmë tek Shqipëria, e vërteta është që jemi takuar shumë shpesh. Ka qenë dhe është privilegj që unë, kryeministër i një vendi të vogël pavarësisht gjatësisë, të marr kohë kaq shpesh nga presidenti i Republikës së Turqisë por po jua them, ia kam thënë dhe herë tjetër, kurrë, asnjëherë nuk jam ndjerë në bisedë si përballë dikujt që të jep leksione, dhe kam parë nga këta, që të jep receta të gatshme se si bëhet puna apo për më tepër që të vë në pozita të vështira, duke të kërkuar gjëra që ti mund të mos kesh dëshirë fare t’i dëgjosh.Asnjëherë.

Përkundrazi, respekt maksimal, reciprocitet, që është një diçka shumë e vyer.

Përsa i përket pastaj pjesës konkrete të marrëdhënieve, të gjithë e shikojnë që këto janë marrëdhënie që ka një interes të madh patjetër. Cili është interesi i madh? Është pikërisht transformimi në realitet i atyre fjalëve që i keni dëgjuar shpesh nga Presidenti.

E thashë sot në mëngjes, do ta përsëris, sepse sot është ditë e veçantë. Këtë mbase nuk e kam thënë asnjëherë kaq hapur dhe mbase s’do duhet ta them më, por në arenën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që Po-në e kanë Po dhe Jo-në e kanë Jo.

Nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që nuk kanë përmbajtje plastike, por janë prej mishi, prej gjaku dhe thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë.

Një nga këta njerëz është Presidenti i Republikës së Turqisë. Unë nuk kam dëgjuar në takimet me të kokë më kokë asgjë që nuk e kam dëgjuar publikisht. Prandaj mendoj që këtu ka vetëm të mira, jo vetëm për marrëdhënien midis Shqipërisë dhe Turqisë, por dhe për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, por dhe për marrëdhëniet midis rajonit dhe Bashkimit Europian.

Të mos e harrojmë asnjëherë që Bashkimi Europian pa Turqinë do ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot, për keq.

Turqia është një valvul e pashmangshme, e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme sigurie për Bashkimin Europian dhe unë këtë e kam thënë edhe në NATO, edhe në Bruksel, e kam thënë dhe në të gjitha takimet bilaterale. E them dhe sot sepse e besoj dhe e them publikisht sepse kjo është e vërteta.

Iu them të gjithë shqiptarëve se sa herë bëhen këto takime dhe ndahen midis “Jemi me Turqinë apo me Bashkimin Europian”, jo. Ne jemi me Shqipërinë dhe pikërisht pse jemi me Shqipërinë, jemi miq të ngushtë me Turqinë, jemi aleatë strategjikë me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi dhe partnerët e tjerë dhe nuk jemi këtu për të bërë një zgjedhje o këtej o andej sepse zgjedhja jonë është shumë e qartë; është Shqipëria.

Po e mbyll me një fjalë të presidentit Erdogan që ma përsërit shpesh.

“Në fund të ditës, çdo vendimmarrje e jotja është për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Nuk është as për Turqinë as për të tjerët”.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.