Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tradita e bukur e promovimit të talenteve të reja mes nxënësve të shkollave, vijoi edhe këtë vit me shpalljen e fituesve të Konkursit digjital “Shqipëria ime”, i cili fton nxënës nga i gjithë vendi të bëhen pjesë, duke dërguar foton e pikturës së tyre, që promovon Shqipërinë në mënyrën më të veçantë, përmes një peizazhi, simboli apo momenti të veçantë nga historia e vendit dhe natyra e mrekullueshme.

Konkursi organizohet çdo vit i publikuar në 3 albume të ndryshme, në të cilat përfshihen fotot e pikturave të përzgjedhura nga juria profesioniste, të ndara sipas klasave. Më pas, punimet që marrin më shumë pëlqime nga publiku në secilin album përzgjidhen si fituese. 

Këtë vit në linkun e aplikimit kanë ardhur rreth 2500 piktura.

Kryeministri Rama ishte sot në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për finalistët e Konkursit “Shqipëria ime”.

* * *

Përshëndetje të gjithëve edhe në radhë të parë, përgëzime, përgëzime shumë të sinqerta për punët tuaja.

Unë kam qenë për jo pak vite edhe mësues pikture, pedagog në Akademinë e Arteve dhe nuk e kam harruar atë pjesë të jetës profesionale dhe mund t’ju them që në pikturat tuaja, të cilat i kam parë me shumë kërshëri, ndërkohë që ju i prezantonit përgjatë ditëve të konkursit të organizuar në rrugë digjitale, realisht kam parë talente më gjithë mend mbresëlënëse dhe uroj që ndonjë prej tyre të vazhdojë këtë rrugë, por nga ana tjetër, ju këshilloj se pavarësisht mund të zgjidhni një tjetër rrugë për jetën tuaj profesionale, mund të bëheni ekonomisë, mund të bëheni inxhinierë, mund të bëheni informaticienë, mund të bëheni avokatë e lloj-lloj profesionesh të tjera, -të mos e lini këtë aktivitet të syrit, të mendjes, të duarve që ju jep mundësinë të ushqeni fantazinë tuaj, dhe mundësinë të shkëputeni për një moment  nga e përditshmja dhe të merreni me veten tuaj, të vetëm përballë kuadratit të bardhë që pastaj pak nga pak i jepni jetë, sepse është një ushtrim shumë i mirë për syrin, për mendjen, për shpirtin dhe pa diskutim që e pasuron jetën e njeriut në të gjitha rastet kur njeriut i është dhënë kjo dhunti. 

E njëjta gjë vlen për muzikën, për instrumentet muzikorë, ata të cilët kanë talent dhe veshë për muzikë, e njëjta gjë vlen për skulpturën, për poçerinë, për qëndistarinë e kështu me radhë dhe në të vërtetë, kjo na ka shtyrë të punojmë edhe për programin që iu tha ministrja pak më parë, një program jashtë mësimor në shkollat tona për artet, për zejet dhe për sportin, në mënyrë që t’iu japim mundësi të gjithë fëmijëve që mund të kalojnë një pjesë të kohës së tyre të lirë duke ushtruar pikërisht shqisat e tyre dhe mendjen e tyre përmes një disipline artistike apo përmes një disipline të zejtarisë dhe kështu duke krijuar vepra, duke krijuar prodhime që pa diskutim në radhë të parë i vlejnë shumë siç thashë edhe më parë, syrit, mendjes, mënyrës së shikimit dhe perceptimit të realitetit dhe patjetër edhe lehtësimit shpirtëror, përtej faktit që shpresoj shumë që ndonjëri nga fëmijët të vazhdojnë në këtë rrugë.

Është një rrugë e vështirë, nuk është një rrugë e lehtë rruga e artit, por është një rrugë shumë e bukur dhe konkretisht për këto punë që janë këtu dhe për fëmijët që janë këtu, dua sinqerisht që t’ju them se janë vërtetë punë mbresëlënëse.

Janë vërtetë punë të bukura, janë  vërtetë punë që me shumë kënaqësi do t’i shikojmë të varura në mur dhe për këtë ju përgëzoj shumë, bravo. Meritoni një duartrokitje shumë të gjatë të gjithë së bashku dhe patjetër që meritoni dhe nga një dhuratë simbolike, kuptohet, se ju meritoni shumë më tepër se një dhuratë, por shpresoj që edhe dhuratat që ju ka përgatitur ministria në këtë rast për ju, të mundësojnë që ju të ndjejeni të vlerësuar siç e meritoni, por që edhe ky prag festash të zbukurohet pak edhe me këtë vlerësim.

Po përtej dhuratës ajo që është më e rëndësishmja, mendoj unë, është merita dhe vlerësimi i meritës suaj.

Këto punë të përzgjedhura janë punë të përzgjedhura nga publiku, qoftë nga një komision profesionistësh të cilët janë realisht të befasuar nga cilësia e këtyre punëve dhe dua t’i përgëzoj të gjithë prindërit që janë  këtu të pranishëm dhe ata që nuk kanë mundur të vijnë.

Jam i bindur qe për prindërit është një moment i veçantë kënaqësie  por është edhe një moment ndryshe, një moment ndryshe si rezultat i një aktiviteti ndryshe  të fëmijëve të tyre, kështu që pa I imponuar asgjë fëmijëve, sepse nuk këshillohet që t’u imponohen, që t’u  vizato, vizato, pikturo, pikturo por duke I krijuar kushtet siç ua kemi krijuar

Është vërtete shumë mirë që fëmijët të ushqehen me këtë ushqim të veçantë, është aktiviteti artistik dhe përgëzime edhe prindërve dhe unë besoj që  së bashku me fëmijët, një duartrokitje, për mamin, për babin, për të dy bashkë. 

Është plotësisht e merituar pa harruar edhe gjyshërit,  sepse ata janë shumë të rëndësishëm dhe mbi të gjitha siç e dëshmon edhe kjo kryevepra që kam këtu pas shpine e gjyshes, janë edhe modelet më të mirë për t’u vendosur aty ulur, dhe për t’i pikturuar, gjyshërit dhe gjyshet, sepse portreti i tyre, duart e tyre janë gdhendur nga një jetë e gjatë dhe janë kthyer vërtetë në objekt artistik shumë i veçantë, kështu që edhe për këtë rol të gjyshërve e gjysheve, të gjithë se bashku t’u japim edhe atyre një duartrokitje, duke inkurajuar edhe të gjithë fëmijët e tjerë që nuk janë këtu të pranishëm, por që  kanë marrë pjesë në konkurs, që të vazhdojnë të punojnë, që të marrin pjesë në konkursin e ardhshëm, të jetë një konkurs i përvitshëm dhe që mbase edhe ky aktivitet i nxit që edhe ata të tjerët që s’janë këtu, të përpiqen të hyjnë në grupin e fituesve.

Nuk është një grup i vogël, janë 19 fitues,  kështu që nuk mund të kishim po aq fitues saç kemi pjesëmarrës, por pa diskutim të gjithë ata që kanë marrë pjesë, në një farë mënyrë janë fitues sepse kanë përfituar diçka të veçantë nga ky ushtrim siç përfiton diçka të veçantë çdokush që merret me aktivitet artistik, çdokush që merret me aktivitet artizanal dhe patjetër dhe çdokush që merret me aktivitet sportiv. 

Unë besoj që programi do të jetë një mbështetje për prindërit sepse do t’u japë mundësinë që t’i lënë fëmijët në mjedise ku ata merren me art, të merren me zeje dhe të qëndrojnë për disa momente larg atyre celularëve, ipad-ve, kompjuterëve që siç e dini të gjithë janë hall i madh për çdo prind sot dhe të shoqërizohen pak më shumë me njëri-tjetrin. 

Patjetër që teknologjia duhet, nuk diskutohet është e ardhmja dhe është e pashmangshme. Ne si gjeneratë tjetër nuk e ndalojmë dot edhe sikur të duam, por ajo që ne duhet të bëjmë dhe që do përpiqemi ta bëjmë së bashku edhe me të gjithë prindërit është që të krijojmë kushte, të krijojmë mundësi, të krijojmë hapësira sado të vogla që t’i shkëpusim për sa më shumë momente fëmijët nga celularët, nga ipad-t dhe vetë të lehtësohemi nga ai presioni i çdo minute: “O ma më jep celularin, o ba më jep celularin. Dua ipad-in, rashë e vdiqa. Ku është kompjuteri, pse nuk ndizet kompjuteri, si  është paswordi, më jep paswordin. E dini vetë sesi është kjo histori. 

Shumë faleminderit dhe një herë tjetër dhe besoj që tani është momenti për të shpërndarë disa certifikata që fëmijët t’i kenë kujtim nga ky moment, por ta kenë dhe me dokument që e kanë fituar këtë konkurs dhe ta kujtojnë për gjithë pjesën tjetër të kohës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.