Konsultimin publik me nxënësit dhe studentët në Durrës

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin për konsultimin publik me nxënësit dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), të zhvilluar në Durrës:

 

Përshëndetje! Faleminderit shumë për mundimin për të ardhur dhe për kontributin tuaj dhe dua t’u them që pa asnjë dyshim, gjithë ky cikël takimesh që janë organizuar nga Ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët, me nxënësit, në të gjithë Shqipërinë, – unë kam patur mundësinë dhe kënaqësinë të marr pjesë në disa prej tyre, – nuk është gjë tjetër, përveçse një dëshirë e madhe e jona për të kuptuar sa më mirë prej jush, cilat janë ato pika të përbashkëta që ju keni të shqetësimeve apo të dëshirave tuaja, lidhur me mbarëvajtjen e rrugës tuaj në këtë fazë të shkollimit.

E për hir të së vërtetës është shumë interesante që njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, që nuk e njohin njëri-tjetrin, vajza dhe djem në qytete të ndryshme, por që kanë të përbashkët faktin që janë aktualisht në shkollë, në të njëjtën moshë, adresojnë disa çështje që janë të njëjtat, pastaj sigurisht ka dhe gjëra që janë të ndryshme, pasi dikush ka një opinion apo një ide të veçantë që nuk është tipologji e opinioneve dhe shqetësimeve apo ideve të përbashkëta.

E për t’ju thënë një fakt konkret nga dita e sotme, që besoj vlen për të ilustruar atë që u përpoqa të them sesa e rëndësishme është për ne që të nxjerrim maksimumin nga ky komunikim, siç e vutë unë erdha me vonesë dhe ju kërkoj ndjesë për vonesën, por ju siguroj nuk ishte vonesë për asnjë arsye tjetër vetëm nga pamundësia për të qenë në kohë, për arsye pune, pasi gjatë gjithë ditës së sotme që nga mëngjesi jemi marrë me projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.

Jua them këtë sepse disa pika që kanë qenë të kudondodhura në takimet e kryera, qoftë në ato që unë kam qenë prezent, qoftë në ato që Bora ka qenë vetëm, por për të cilat sigurisht ka përcjellë edhe ato raportet e takimeve, janë trajtuar sot, në diskutimin me anëtarët e kabinetit për t’i adresuar drejtëpërdrejtë që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Një çështje që ngrihet kudo, e ngriti dhe një nga djemtë që foli këtu, është dhe çështja e cilësisë së ulët të mësimit të informatikës sepse klasat e informatikës nuk janë në lartësinë e duhur dhe nuk ofrojnë një mësim cilësor, ku të mos mësohet mekanikisht, të mos mësohet vetëm teorikisht, por të mësohet në mënyrë kreative dhe njëkohësisht të mësohet në mënyrë praktike.

Një temë tjetër që nuk e dëgjova këtu sot, por mbase do t’ju tingëllojë shumë familjare, por që ka qënë shumë  pranishme në takimet e deritanishme është tema e mungesës së cilësisë së orëve në laboratore sepse laboratorët nuk janë të pasur dhe për shkak të mjeteve të kufizuara, por mbase dhe për shkak të kurrikulës së punës laboratorike, nxënësit ankohen për pamundësinë që të kenë një mësim në laborator që të jetë tërheqës, informues, i cili të jetë në të njëjtën kohë edhe motivues për të eksperimentuar dhe mësuar më shumë.

Një temë tjetër që e dëgjova dhe këtu dhe më duket se është një temë e përbashkët e shumë vajzave dhe djemve është tema e edukimit mjedisor. Këtu nuk e dëgjova të kombinuar me vullnetarizmin, por këtu dëgjova për vullnetarizmin dhe për edukimin mjedisor. Është vërtetë për të ardhur mirë që është ky shqetësim mes nxënësve dhe nxënëseve që janë të dalluar në mësime siç jeni të gjithë ju, sepse kriteri për të orgnizuar këto takime ka qënë kriteri i rezultateve në mësime dhe sigurisht nga ata të cilët kanë rezultatet më të mira në mësime mund të dëgjosh edhe disa aspekte kritike të orës së mësimit, pasi ata që luftojnë për rezultate më të mira, janë dhe ata që nuk kënaqen me veten e tyre normalisht, pra duan maksimumin dhe përgjithësisht arritja e atij maksimumi, shpeshherë të bën të kërkosh më shumë dhe të dyshosh tek maksimumi që të kanë vendosur.

Po ashtu, një tjetër temë që këtu mbase është e lidhur me mjedisin ku jemi edhe pse ju jeni nga gjimnaze të ndryshme, është tema e programeve e aktiviteteve artistike pas mësimit.

Këtu, dikush ngriti çështjen e profilit muzikor p.sh për shkak të lëndës që ka zgjedhur dhe lidhjen me letërsinë dhe me solfezhin apo dikush tjetër, diku tjetër ngriti një problem të ngjashëm, jo në drejtim të profilit muzikor, por të profilit artistik të lëndës në artet pamore dhe të tjerë akoma, ndërkohë që kudo shqetësimi për cilësinë e këshillimit të karrierës është prezent. Tani ku lidhen këto që unë thashë që janë pak a shumë rezyme e atyre që ju thatë dhe atyre që ne dëgjojmë shpesh, me mbledhjen e sotme. Sot, ne vendosëm që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë drejtëpërdrejtë me financim ccështjen e laboratorëve dhe çështjen e mësimit të informatikës.

Ju e dini shumë mirë, nuk e di se si është në shkollat tuaja konkretisht, por mbase është rasti edhe në shkollat tuaja, ju e dini shumë mirë që në një pjesë të konsiderueshme të shkollave edhe vetë mësuesit e informatikës janë faktikisht mësues matematike ose mësues fizike që bëjnë plotësim orësh.

Shumë e respektueshme ajo që ata bëjnë nga pikëpamja e angazhimit, por kjo nuk mund të jetë vazhdimësia e klasave të informatikës dhe prandaj ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, natyrisht jo të gjitha përnjëherë se nuk bëhen të gjitha përnjëherë, por me qëllimin që plotësimi laboratorëve të mos jetë një objektiv afatgjatë, por të jetë një objektiv afatshkurtër.

E nga ana tjetër,  për të ndryshuar komplet sistemin e informatikës, duke i dhënë mundësi të gjithë nxënësve që të marrin një mësim kreativ, një mësim tërheqës, një mësim cilësor, një mësim që nuk është mekanik, nuk është teorik, por është një mësim thjeshtë praktik, duke shfrytëzuar një mësim që të gjithë e kemi marrë nga periudha e mbylljes dhe nga gjithë kjo periudhë pandemie, që na ka treguar që nuk është e domoasdoshme të jemi fizikisht në të njëjtën hapsirë për të ndarë dijet tona, për të ndarë opinionet tona, apo për të ndarë shqetësimet tona, që do të thotë sistemin e  dhënies së mësimit të informatikës, – që kemi njëkohësisht objektivin ta nisim qysh në klasën e parë së shpejti – do ta bëjmë një sistem të qëndërzuar, ku falë mundësisë së lidhjes në distancë, nxënësit duke patur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë, të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë, vajza dhe djem, gra dhe burra, që do t’i organizojmë në një skuadër qëndrore dhe më një koordinim oraresh të një numri të caktuar shkollash në të njëjtën ditë, mësimi mund të jepet lehtësisht përmes ekranit në klasën e informatikës.

Kjo do të vlejë që nxënësit të kenë një mësues kujdestar në distancë dhe do të vlejë po ashtu, që edhe mësuesi i klasës të rrisë kapacitetin e  tij dhe në një farë mënyrë të trajnohet dhe ai vetë për një process mësimor që është shumë i veçantë.

Paralelisht me këtë, ne sot kemi diskutuar dhe vendsjen në dispozicion të programit të arteve dhe të zejeve në të gjithë shkollat, jo thjeshtë në shkollat profesionale, por në të gjithë shkollat, si dhe programin e sporteve të një financimi të veçantë, ku hyn dhe vullnetarizmi brenda, por sigurisht hyn edhe edukimi mjedisor dhe ku hyn ajo domosdoshmëri, – e tha shumë bukur një nga vajzat këtu, – që jeta e të rinjve apo e më të rinjve, të mos jetë e mbyllur në klasë dhe në atë kutinë e sheshtë të Iphone, por të jetë një jetë e lidhur edhe me punën e duarve, me imagjinatën, me talentet e kështu me radhë, e njëkohësisht patjetër të jetë e lidhur me dëshirën qytetare për t’u aktivizuar në të mirë të komunitetit.

Për të gjitha këto, ne sigurisht do të kemi një pjesë të procesit që do të organizohet, duke i dhënë mundësi të gjitha shkollave që të krijojnë rrethet e tyre sportive, artistike, sipas dëshirave dhe talenteve të nxënësve dhe një pjesë tjetër do të jetë në shërbim të spontanitetit të nxënësve për të ndërmarrë nismat e tyre vullnetare dhe duke aplikuar me projektet e tyre në këtë fond, të mund t’i financojnë këto nisma.

Për shembull, qyteti i Durrësit, burimin më të madh të të ardhurave të veta ka turizmin, ju e dini shumë mirë, ne sezonin e verës, Durrësi është pika më e nxehtë e turizmit, në kuptimin e masës së madhe të njerëzve që mblidhen këtu dhe intensitetit të madh të jetesës dhe lëvizjes gjatë atyre muajve.

Por, nga ana tjetër, e dimë shumë mirë që sa më shumë rritet masa e turistëve dhe sa më shumë rritet edhe konsumi për shkak të kësaj mase turistësh, aq më shumë rritet dhe nevoja që në ndërkohë të mbrojmë mjedisin, të ruajmë pastërtinë dhe të sensibilizojmë njerëzit që kjo nuk është një ndërmarrje thjesht e bashkisë apo e shtetit, por është pjesë e të qenit qytetar të secilit, në radhë të pare, duke mos e ndotur mjedisin.

Për këtë, nëse le të themi një grup nxënësish, do të kenë dëshirë që të krijojnë një strukturë vullnetare, por nuk mjafton thjesht të krijosh një strukturë vullnetare, që do të thotë të ndash bashkë me 20 veta të tjerë dëshirën e të kesh vullnetin që të bësh një aktivitet të disaditshëm ose të disajavshëm të sensibilizimit të atyre që shfrytëzojnë plazhin e qytetit për të mos e bërë rërën vendin, ku edhe marrin rreze, edhe lënë pas plehra, por duhet dhe një suport i caktuar financiar për të pasur mundësinë që ky aktivitet të jetë cilësor, për të pasur një po themi fletëpalosje, për të pasur bluzat, për të përfaqësuar në sytë e të tjerëve një grup njerëzish, jo thjeshtë disa të rinj që nuk janë të identifikueshëm, e të tjera e të tjera.

E solla si një shembull shumë të thjeshtë dhe natyrisht që do të ishte fantastike që vullnetarizmin të mos e kërkonim, por thjeshtë ta bënim e në iniciativën për ta bërë, të gjenim një mbështetje që ai aktivitet vullnetar i çfarëdo lloj profili, të mos mbetej pa u bërë për disa gjëra shumë të thjeshta, të natyrës logjistike, të natyrës materiale.

Nga ana tjetër, na e kanë thënë disa që e kanë mesa duket dëshirë vullnetarizmin, që në ndërkohë do të donin që të kishin ccertifikata të aktiviteteve të tyre vullnetare, si dëshmi e pjesëmarrjes në këto aktivitete dhe është e vërtetë që këto dëshmi, në shumë vende, vlejnë për të vlerësuar dikë që kërkon ta marrësh në punë, sepse vlerëson një aspekt të personalitetit e të karakterit të atij që ke përballë që për punë të caktuara në vende të caktuara, ndërmarrje të caktuara, institucione të caktuara, nuk mjafton që të jetë dikush që di të të japi përgjigje teorike të saktë për atë që ti kërkon, por të ketë dhe disa tipare të tjera të të punuarit në grup e të të qenit i gatshëm për të marrë përsipër edhe punë të papaguar, e kështu me radhë.

Këto programe, pra programi i arteve dhe zejeve dhe programi i sporteve, do të vlejnë qoftë në nivelin bazë të një shkolle, qoftë në nivelin lokal, pra të një bashkie, qoftë në nivelin e një qarku qoftë dhe në nivel kombëtar, duke vënë në dispozicion përmes një organizimi të mirëmenduar një infrastrukturë të tërë organizative, që ata të cilët kanë dëshirë të konkurrojnë për të dalë, po themi në skenën kombëtare, të kësaj grupmoshe, qoftë si talente në muzikë, qoftë si talente në artet pamore, qoftë si grupi i vullnetarëve që ka pasur idenë dhe impaktin më pozitiv në aktivitete vullnetare në territor, qoftë si skuadra më e mirë në një aktivitet apo në një aktivitet sportiv, të mund ta bëjnë këtë dhe përgjatë gjithë vitit, përfshirë edhe sezonin e verës, të gjithë ata që duan t’i zhvillojnë këto talente, të gjithë ata që duan të organizohen e duan të konkurrojnë, ta kenë këtë mundësi.

Por, përtej konkurrencës në çdo shkollë, nxënësit të kenë disa adresa, të cilat lidhen pikërisht me këto aktivitete. Të mund të gjejnë njëri-tjetrin e të mund të gjejnë dikë, që është mësues kujdestar, një mësues i jashtëm, që mbulon për llogari të programit detyrën, një trajner sporti, një këshillues  për një aktivitet të caktuar, e kështu me radhë.

Ndërkohë, këto të gjitha janë fantastike nëse arrijmë t’i bëjmë sëbashku, por ka dhe një aspekt tjetër, mendojmë ne që është shumë i rëndësishëm, se nuk është vetëm arti, sporti, vullnetarizmi, por është edhe dija konkrete mbi natyrën, dija konkrete mbi historinë e këtij vendi, dija konkrete mbi vendet e rëndësishme të historisë sonë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, e kështu me radhë, por edhe dija fare bazike mbi tokën, mbi prodhimet, gjë për të cilën ne duam të përfshimë në këtë program edhe ministrinë e Bujqësisë, përveç Ministrisë së Kulturës, të Arsimit, të Turizmit, të Mjedisit.

Kudo ku ne kemi mundësi të kemi një parcelë të vogël bujqësore ku kush ka dëshirë mund të, jo vetëm të kujdeset për atë parcelë, por të marri dije të caktuara e të mësojë më shumë lidhur me kultivimin e tokës, por pastaj kushdo ka dëshirë e nëse dëshira është e përfaqësuar nga një grup më i madh se disa persona, të ndihmohet për të pasur për llogari të shkollës, një parcelë pak më të madhe diku, në dalje të qytetit apo diku pranë nëse shkolla është në zonën e fshatit, të mund ta ketë të mundësi.

Flasim për ndryshimet klimatike, është një temë që e dëgjojmë shpesh e do ta dëgjojmë gjithnjë e më shpesh, por është shumë e rëndësishme që disa parime të thjeshta dhe një sërë çështjesh që lidhen drejtpërdrejtë me qëndrueshmërinë e vetë jetës komunitare e vetë jetës njerëzore në këtë planet, të mund të fillojnë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi. Të gjitha këto për t’ju thënë që është shumë e rëndësishme të mund të krijojmë ura komunikimi sepse demokracia ka të mirën e madhe që i jep të gjithëve mundësinë të flasin dhe sa më shumë njerëzit të dëgjojnë njëri-tjetrin, aq më shumë cilësia e bashkëjetesës rritet, por fakti që demokracia i jep të gjithëve mundësinë të flasin e që të gjithë ata që zgjidhen apo që qeverisin pastaj gjykohen nga gjithë të tjerët, do të thotë dhe diçka përveç të tjerave, që asnjë qeveri nuk i di të gjitha, nuk ka si t’i dijë dhe edhe gjëra shumë të thjeshta, të cilat një grup interesi, një komunitet, një grupmoshë i ka gjëra të jetës së përditshme, i ka shqetësime të jetës së përditshme, atyre që mund të dinë shumë më tepër, që mund të jenë ekspertë, mund të jenë profesorë, mund të mos u bien në sy fare.

Kjo e këshillimit të karrierës për shembull, është diçka që është në proces, ju e keni pjesë të procesit. Pra, përderisa është në proces, atëherë sigurisht që disa njerëz që e kanë ditur më mirë, e kanë vënë se e kanë konsideruar të rëndësishme. Mirëpo është shqetësues nga ana tjetër që, kur ju dëgjon juve, një nga shqetësimet kryesore dhe një nga vërejtjet kryesore të thëna me shumë edukatë dhe kjo është gjë e mirë nuk është gjë e keqe, sepse është gabim të mendosh që kush bërtet më shumë dëgjohet më shumë, është ky, që këshillimi i karrierës nuk na jep një pamje shteruese për çfarë ne duam të bëjmë e nuk na jep sigurinë që ne po shkojmë në drejtimin e duhur në krijimin e opinionit tonë e kjo është diçka shumë e rëndësishme për vendimmarrësit që ta dëgjojnë drejtpërdrejtë. Më besoni që është shumë e rëndësishme sepse shumëkujt, kur sheh takime të tilla, i duket sikur këto janë për teatër apo janë thjesht për të dalë në televizor.

Në fakt, nga çfarë kam dëgjuar nga Bora, në takimet që bëhen pa mua janë më të mira se takimet që bëhen me mua sepse është e qartë që kur Bora është vetëm edhe lirshmëria është më e madhe. Kur hyjnë dhe kamerat brenda pastaj bëhet dhe më e madhe ngarkesa për të folur sepse rri mendon gjërat që t’i thuash kështu apo ashtu. Megjithatë, duke marrë të mirëqenë që me praninë time, unë e ul pak atë nivelin e goditjeve në drejtim të qeverisë, më vjen keq për këtë, por nuk e di si t’jua shpjegoj që do të ishte shumë mirë që ta kishit maksimal, për të mundur që ne të marrim maksimumin nga këto takime.

Arsyeja pse ne këto i bëjmë edhe publike është që edhe nxënësit e tjerë ta shohin që është  hapur ky dialog për të bërë strategjinë, se janë bërë shumë strategji në Shqipëri, janë bërë jashtëzakonisht shumë. Shqipëria mund të jetë vendi me numrin më të madh të strategjive të shkruara. Kush nuk ka bërë strategji në gjithë këto vite. Mirëpo, nëse një strategji, sado të zotë të jenë njerëzit që e bëjnë, bëhet për të adresuar një grup të caktuar shoqëror, një komunitet të caktuar dhe nuk merr parasysh pikërisht ata, të cilëve iu adresohen, e ka shumë të lartë riskun që të dështojë.

Kjo është arsyeja pse edhe në botën më të zhvilluar, kur bëjnë dokumente strategjikë, dokumente politikash, edhe në nivelin më të lartë ekspertizash, bëjnë këtë gjë, flasin me njerëzit për të cilët gjëja bëhet. Realisht, këto biseda, për mua të paktën personalisht, kanë shumë vlerë sepse duke dëgjuar një grup e një tjetër e duke dëgjuar që përsëritet, ndër shumë gjëra të tjera, kupton që këto gjëra që përsëriten, janë vërtetë gjëra që duhen adresuar tani. Të gjitha janë të rëndësishme, çdo gjë duhet, por problemi është që tani duhen adresuar ato që janë më të përbashkëta si shqetësime dhe realisht mund të na çojnë në një nivel tjetër.

E fundit, çështja e mbështetjes ose e kushteve që duhet të krijojmë për t’u dhënë mundësi juve dhe përgjithësisht kësaj moshe që të marrë njohuri të thelluara për të hyrë në botën e teknologjisë.

Ne paralelisht me këto programe që do përfshijnë të gjitha shkollat, po punojmë për një program tjetër shumë specifik, programi i përgatitjes së koduesve. Për t’i dhënë gjithë kësaj grupmoshe mundësinë që, nëpërmjet kurseve shumë intensive, të cilat zgjasin jo më shumë se 6 muaj dhe të cilat janë bërë në SHBA e më pas janë përhapur kudo, me qëllimin që në një kohë të shkurtër të mbledhësh informacionin e disa viteve dhe t’i japësh në dorë një vajze dhe një djali të moshës fare të re instrumentet që të hyjë në ekranin e kompjuterit dhe aty brenda të gjejë punë.

Sot, përtej tregut të punës që e shohim me sy dhe e masim me kilometra, është një treg pune që është i madh sa globi që rrotullohet dhe është i hapur për këdo që jeton në këtë planet, pa pasur nevojë të lëvizi nga metri katror ku është i ulur dhe ka përpara kompjuterin.

Nuk është një fantazi, por realitet dhe është tregu më i madh i punës sot në botë për të gjithë. Është një treg që rritet në mënyrë marramendëse në nevojën për njerëz. Sigurisht, për njerëz të kualifikuar që dinë si të hyjnë në atë ekran dhe që njohin një gjuhë tjetër, që nuk është anglisht, as shqip, as arabisht, por gjuha e kompjuterit.

 

Sot, në Shqipëri kemi vajza dhe djem që kanë hyrë në këtë treg, që jetojnë në Durrës, Tiranë, Korçë, Shkodër dhe që rri gjithë ditën përpara ekranit dhe punojnë e japin shërbime ose marrin pjesë në një ndërmarrje, që është aty brenda në botën virtuale. Mund të jetë në Australi, në Zelandën e Re, pa llogaritur vendet e kontinentit tonë dhe që paguajnë shumëfish nga çfarë do të paguheshin nëse do dilnin në tregun e punës që ofron vende për diploma të caktuara, ose edhe nëse do të shkonin jashtë.

Ne mund ta bëjmë këtë kapërcim, sigurisht do duhen disa vite, por e mira ose le të themi mundësia që teknologjia i ofron atij që është më mbrapa për njëmijë e një arsye, siç është dhe Shqipëria, mund të bësh një kapërcim shumë të madh, një revolucion, pa pasur nevojë të kalosh përmes një evolucioni siç ndodhte më parë.

Dikur dilte makina e parë e shkrimit, pastaj duhej pritur disa vite që të dilte makina e dytë e shkrimit e kështu me radhë, ndërkohë që sot nga një ditë në tjetrën dalin njëmijë e një, për të mos thënë dhjetëmijë e një ose njëqindmijë e një gjëra të reja dhe kapërcimi është i jashtëzakonshëm. Dhënia e mundësisë për ju, për gjithë këtë grupmoshë, që të kenë akses në të gjitha këto hapësira është detyra që ne kemi dhe që duam të marrim përsipër.

Do duhet të shtoj diçka për bibliotekat. Foli dikush për blibliotekën. Është e vërtetë që ne edhe në këtë aspekt mund të bëjmë shumë më tepër, sepse i kam parë shumë shkolla. Nuk e di kush është vajza që tha për shkolla që…..ka filluar puna apo akoma nuk ka filluar puna? Kam përshtypjen duhet të jetë me grupin e ri të shkollave që financohen nga Bashkimi Europian, sepse shkollat që janë financuar nga qeveria shqiptare kanë përfunduar ose janë të gjitha duke u dorëzuar, ndërkohë që ka filluar blloku i parë i financimit të Bashkimit Europian. Ajo me siguri duhet të jetë në bllokun e dytë të financimit të Bashkimit Europian, por edhe ajo do bëhet.

Gjëja që kam vënë re në shkollat e reja, në shkollat më të vjetra, aty ku ka bibliotekë. Përgjithësisht, fizikisht bibliotekat janë, por koleksionet janë të varfra dhe ne kemi filluar një proces me shtëpitë botuese. Ndërkohë Bora po përgatit një program të veçantë për një koleksion të posaçëm për shkollat. Unë besoj se do e realizojmë dhe edhe bibliotekat do t’i plotësojmë hap pas hapi. Nuk bëhen të gjitha përnjëherë, por edhe kjo nuk është për hap pas hapi pas shumë vitesh, por hap pas hapi në një afat të arsyeshëm. Është një objektiv jo afatgjatë, as afatshkurtër, por afatmesëm. Në harkun e dy viteve besoj do mund t’i plotësojmë edhe bibliotekat.

Nuk e di i vutë letrat në tabelë. Të gjithë ato letra që vini ju atje mblidhen, merren dhe shënohen të gjitha dhe ju mund të keni nevojë t’i plotësoni këto që thatë. Në bisedë disa gjëra thuhen dhe ndonjë gjë mbetet pa thënë dhe mund ta bëni lehtësisht duke e shkruar. Edhe ata që folën për vullnetarizëm dhe kanë zellin vullnetar, do ishte mirë të mblidhte disa shokë apo shoqe e t’u kërkonin nëse u shkon mendja për diçka që mbase ka mbetur pa thënë. Të gjitha këto opinione që ne marrim do të shkruhet.  Strategjia do ndërtohet bazuar shumë edhe në këto opinione, pastaj drafti i parë i strategjisë do shpërndahet për të gjithë, jo vetëm për ju që merrni pjesë, por edhe për të tjerët. Natyrisht, jo të gjithë do ta lexojnë, shumica mund të mos e lexojë, por kjo nuk ka rëndësi, sepse edhe kaq grupe në çdo bashki dhe që ne po bëjmë janë shumë përfaqësuese për të gjithë grupmoshën. Një pjesë do ta lexojë, disa do bëjnë vërejtje dhe pastaj mbi atë bazë, ne do nxjerrim strategjinë finale që nuk do jetë një libër i  shkruar që do rrijë në bibliotekë, por do jetë baza mbi të cilën do ndërtohet i gjithë programi i mëtejshëm, me masat e mëtejshme që qeveria do duhet të marri në funksion të rinisë gjatë gjithë harkut 2022-2029.

Vajza që bëri një pyetje tha “Nuk e di si t’ia bëj, a duhet të shkoj jashtë, apo dua të rri këtu, apo duhet të zgjedh ca më thonë, a më duhet të zgjedh çfarë unë vetë ndjej”.

Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë; “Pyet mendjen, dëgjo zemrën dhe ec përpara”. Pasi t’i kesh dëgjuar të gjithë dhe të gjitha, pyet mendjen tënde, bëj një verifikim me zemrën. Nëse mendja të thotë “kjo është rruga” dhe zemra të jep shenjën që “jepi”, jepi. Nëse mendja të thotë “kjo ëshët rruga” dhe zemra nuk të jep shenjë, mendohu prapë se mund të mbetesh rrugës dhe duhet zemër për të ndjekur përgjigjet e guximshme të mendjes. Pastaj nuk ka rëndësi se për ku nisesh. Rëndësi ka që ta kesh vendosur ti, që ku është pikëmbërritja. Kjo botë është e guximtarëve dhe shkon më larg ai/ajo (guximtarët janë shumë “ajo” në fakt) që sheh një ëndërr me sy hapur dhe ka kurajon ta ndjekë. Meqë janë çunat këtu, Leo Messi kishte një problem me hipofizën, nuk po rritej dot. Prindërit kishin hall se do mbetej xhuxh. Ai shihte ëndërr me sy hapur që do luante me Barcelonën dhe do bëhej lojtari më i madh i botës. Imagjinojeni çfarë kontrasti midis faktit për prindërit, mjekët dhe ata rretherrotull dhe ëndrrës që ai shihte me sy hapur. Fitoi ai sepse pati vullnetin ta ndjekë atë çmenduri deri në fund. Kështu që, po i patë me sy mbyllur, kujdes se ju gënjen. Po i patë me sy hapur dhe jua thotë zemra që “po, këtë e arrij”, e arrini.

 

Faleminderit shumë!