Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Pika e parë e rendit të punëve tona qysh në fillim të qeverisjes dhe pastaj, bashkë me grupin e Harvardit, ka qenë të mos lejojmë që kriza e energjisë të na cenojë njësoj siç do të na cenonte një krizë financiare. Që, ishte qartësisht e mundshme, por për fat të mirë shumë më lehtësisht e evitueshme, falë përfshirjes së drejtpërdrejt të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore në përpjekjen për ta mbajtur nën kontroll një situatë që kërkonte të dilte nga kontrolli, për shkak të një akumulimi shumë të madh të borxheve dhe të shterimit të një modeli ekonomik, të bazuar kryesisht tek dërgesat e emigrantëve dhe tek bumi i ndërtimeve, që faktikisht ishin dy burime të mëdha rritjeje ekonomike ndër vite, të cilat po shkonin drejt shterimit.
Ka qenë shumë i rëndësishëm identifikimi, së bashku me profesorin dhe me grupin e profesorëve e të ekspertëve të rinj të Harvardit, i burimeve të reja të rritjes dhe i rrugëve të adresimit të tyre, në mënyrë që të kalojmë nga një model ekonomik që, padyshim, solli zhvillim, po solli një zhvillim të paqëndrueshëm dhe me kosto shumë të lartë dhe mbi të gjitha me papunësi, pra pa punësim real, në një model ekonomik që të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim real, duke kufizuar kostot e zhvillimit.
Nëse shikojmë pesë burimet e rritjes që ne kemi identifikuar dhe kemi adresuar së bashku, – besoj me sukses deri sot, – që nga energjia, nafta dhe mineralet, tek bujqësia dhe zhvillimi rural, turizmi, manifaktura, jemi në sektorë ku çka ka ndodhur më parë, ka qenë dhënie tërësisht pa kontroll e të drejtave të zhvillimit, por pa marrë asnjë masë për të siguruar një nivel përgjegjësish, në raport me rrugën e zhvillimit.
Po të marrim energjinë; Kemi trashëguar një situatë ku janë dhënë të drejta zhvillimi në mënyrë krejtësisht liberale, nëse mund ta quajmë kështu. Por unë do të thosha më shumë se liberale, kaotike. Mjafton të kujtojmë që kemi trashëguar një situatë ku qeveria e mëparshme ka dhënë mbi 400 të drejta zhvillimi për hidrocentrale në çdo rrjedhë uji të Republikës së Shqipërisë, por nga ana tjetër nuk është bërë asgjë për të siguruar një nivel të caktuar përgjegjësish, në raport me zhvillimin dhe për të mbajtur nën kontroll kostot e këtij zhvillimi.
E njëjta gjë tek nafta, e njëjta gjë tek minierat. Mjafton t’ju them që deri sot, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka revokuar rreth 160 leje minerare dhe mbi 200 të tilla janë në rrugën e revokimit. Çfarë janë këto leje minerare? Të drejta zhvillimi të dhëna individëve, por pa asnjë standard përgjegjësie për individët. Nga ana tjetër, pa asnjë punë për të ngritur institucionet që do të duhet të monitorojnë zhvillimin dhe të marrin për publikun benefitet e këtij zhvillimi. Sot, Ministria po përgatit, për të pasur gati në shtator, planin e mbylljes së të gjithë zonës së rrezikshme, aty ku kemi një cikël vicioz vdekjesh të minatorëve, për shkak se të drejtat e zhvillimit janë dhënë jashtë çdo lloj kornize përgjegjësie.
E njëjta gjë po të shikojmë turizmin; Janë dhënë të drejta zhvillimi pafund dhe janë lejuar të drejta zhvillimi të paligjshme, në emër të zhvillimit. Ju kujtoj që paraardhësi im bënte thirrje që populli të ndërtonte pa leje dhe ftonte njerëzit që të shtonin kate, për të pritur më shumë turistë dhe për të mos pritur që burokracia t’ju njihte të drejtën e këtij zhvillimi.
Sigurisht që ky është zhvillim sjell të ardhura për një numër të caktuar njerëzish, sigurisht që ky zhvillim sjell mundësinë që njerëzit të kenë edhe një shtëpi të dytë në bregdet, po cila është kostoja e këtij zhvillimi?
Kosto e këtij zhvillimi është e pallogaritshme në cenimin që i bën potencialeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Sepse, për të gjithë këtë zhvillim kaotik dhe për të siguruar të gjithë këto të drejta zhvillimi kaotik, janë shkatërruar pyje të tëra; janë shkatërruar shtretër të tërë lumenjsh për të marrë materiale ndërtimi; janë shkatërruar sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore, apo sipërfaqe të tëra të mbjella me ullinj, duke bërë zhvillim për pallate, gjoja për turistë, nëpër kodra, pas prerjes së ullinjve; janë penguar mundësitë për të pasur siguri në rrugë, për shkak se zhvillimi ka ndodhur edhe në buzë të rrugëve, siç e keni parë, duke i bërë rrugët kombëtare zona të një rrezikshmërie shumë të lartë; janë shkatërruar edhe sipërfaqe të tëra bregdeti, ku zhvillimi mund të kishte qenë i një natyre krejt tjetër dhe ku përgjegjësitë e zhvillimit do të kishin të garantuar që të drejtat për zhvillim të kishin prodhuar zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe jo një zhvillim të paqëndrueshëm, me një frymëmarrje afatshkurtër.
E njëjta gjë mund të thuhet për bujqësinë; Kemi financuar 20 vjet iluzionet dhe jo zhvillimin. Iluzionin e një Shqipërie solidare, që edhe ato pak të ardhura që kishte, për t’i vënë në dispozicion të bujqësisë, i thërrmonte, duke dhënë lëmosha mbijetese për individë. Pa u munduar asnjë moment, që këto para t’i prioritizonte për të krijuar zinxhirin e vlerave, për të cilin kemi folur gjerë e gjatë dhe që ka qenë një nga prurjet më të rëndësishme të dijes, që ka sjellë qendra juaj dhe grupi i ekspertëve të Harvardit.
Po ashtu mund të flitet edhe për çdo sektor tjetër.
Unë do ta mbyllja me një sektor që nuk ka lidhje me punën që bëjmë me grupin tuaj, por ka lidhje me filozofinë e profesor Hausmann, – që në këndvështrimin tim është baza për të adresuar ambiciet e së ardhmes, – që vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri për atë që kanë, por për atë që dinë.
Kush është investimi që kemi bërë ne, në dije? Dhënia e të drejtave të zhvillimit për të hapur universitete, 8-të herë më shumë sesa Britania e Madhe dhe 15-të herë më shumë sesa Gjermania, për 1 milion banorë. Universitete private, të cilat u kthyen në fabrika që jepnin diploma që nuk kishin asnjë vlerë dhe që nuk ishin dokumente mbi bazën e dijes, por ishin thjesht certifikata të rentës. Adresimi që ne iu bëmë këtyre problematikave dhe ndryshimi i këndit ndaj burimeve të zhvillimit të të drejtave dhe përgjegjësive të zhvillimit na ka sjellë në një situatë të re, jo në kuptimin që kemi arritur aty ku kemi ambicien të arrijmë, as në kuptimin që jemi në pikën që t’u themi njerëzve, “jeni të lumtur që na keni ne”, por në pikën ku mund të shohim me më shumë qartësi, sfidat dhe rezultatet që presim nga fitorja e këtyre sfidave.
Nëse punësimi ka qenë një problem i madh i trashëguar, adresimi i manifakturës si një burim i ri rritjeje, me paketën e re fason, por dhe me stimulimin përmes incentivave fiskale të importit të makinerive, na ka sjellë sot në një situatë ku mund të themi se në 4-5 vitet e ardhshme do të kemi një rritje eksponenciale të punësimit në këtë sektor. Po ashtu, na ka sjellë në situatën ku zonat e lira ekonomike, që janë edhe ato rezultat i punës së përbashkët, pasi Shqipëria ka 20 vjet që flet për zona të lira ekonomike dhe ka në letër një duzinë të tilla, që janë vetëm me ferra dhe me individë që kanë marrë të drejtën e zonave dhe që nuk lënë askënd që të futet në ato zona e që në shumicën e rasteve kanë shpresën që t’i kthejnë në territore ndërtimi, ka ardhur si rezultat i kësaj politike. Interesimi për zonën e parë ekonomike të Spitallës, që ka qenë një interesim shumë i madh për shkak të procesit, ku u sugjerua nga profesori dhe nga grupi që punoi me zonat e lira ekonomike, për të bërë një proces transparent, të hapur dhe ndërkombëtar, për të thithur shprehjet e interesit, është fakt që na inkurajon shumë për të parë më tutje.
Sigurisht që, nuk mbarojmë këtu.
Sfida e energjisë është një sfidë e madhe e fituar, në kuptimin e shmangies së një krize të madhe dhe të një kolapsi, por nuk është një sfidë ende e fituar, në kuptimin e transformimit të sektorit nga një sektor, për të cilin të gjithë shqiptarët që respektojnë ligjin duhet të paguanin ekstra për të mos e lënë të fikej, në një sektor që duhet të sjellë fitime për shoqërinë dhe për publikun. Jemi vendi i dytë më i pasur me burime ujore dhe hidroenergjetike në Europë dhe i vetmi vend që në vend se të ketë të mira nga kjo pasuri ka vetëm probleme; borxhe, pamundësi, pengesa etj..
Në shtator ne do të vazhdojmë me këtë filozofi.
Do hapim disa kantiere të reja reformash të ngjashme.
Reformën e ujit, për të siguruar që sistemi ynë i ujësjellësve, që është një sistem i falimentuar në mënyrë spektakolare, të kthehet në një sistem që të garantojë furnizimin me ujë, por edhe të mbajë vetveten; për të garantuar që përqindja ende shumë e lartë e tokës prodhuese, që nuk prodhon për shkak se nuk ka ujë, të ketë ujë dhe ndërkohë të jetë edhe e kullueshme dhe për të garantuar që kjo pasuri e madhe, që shkon për ujë të pijshëm, për energji, për bujqësi, të kthehet në një pasuri që prodhon pasuri, jo në një pasuri që prodhon vetëm probleme, borxhe, stres dhe halle.
Operacioni madhor i shtatorit, që do të shtrihet njësoj si operacioni i energjisë, do të jetë ai kundër informalitetit. Ne kemi në sektorin e të ardhurave, një situatë shumë të ngjashme me sektorin e energjisë, një pjesë paguan dhe një pjesë tjetër nuk paguan dhe ata që paguajnë, paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Qëllimi ynë është të ulim taksat. Pra, objektivi final i kësaj beteje, që do të fillojmë në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo aktivitet tregtar kundër informalitetit, është që të ulim taksat. Por që të ulim taksat për të gjithë, duhet në radhë të parë të sigurojmë që të gjithë të paguajnë. Ndërkohë që, ajo që ka ndodhur në vite ka qenë krijimi i një tradite që shtrëngo çdo vit e më shumë ata që paguajnë; kontrollo gjithmonë e më shumë, ata që paguajnë; kërko të nxjerrësh më shumë për të ardhurat dhe për të mbajtur buxhetin nga ata që paguajnë.
Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Atyre që paguajnë do t’ju kërkojmë atë që u takon, por nuk mund t’u kërkojmë të mbajnë në kurriz, barrën edhe për ata që s’paguajnë. Për këtë arsye jemi përgatitur për një operacion frontal, që do të përfshijë Doganat, Tatimet, Inspektoratin e Punës, pasi pjesë e luftës kundër informalitetit është edhe lufta kundër skllavërisë së punës në të zezë. Ne themi që kemi një sektor strategjik që është turizmi dhe ne kemi hotele të tëra që figurojnë me një punonjës e gjysmë, domethënë, kanë një punonjës të regjistruar dhe pronarin part-time, pra, dy veta. Kjo nuk mund të vazhdojë.
Do të bëjmë një ndërhyrje shumë konsistente në Kodin Penal për evazionin, për informalitetin në punë, për të gjitha aspektet që lidhen me pamundësinë e derisotme që t’i bëjmë të gjithë të paguajnë. Do të shtrëngojmë shumë, masat penale, në mënyrë që të gjithë të mbajnë kasat fiskale, të gjithë të deklarojnë të ardhurat dhe kështu me radhë. Ne jemi vendi ku kompanitë e mëdha punojnë me dy bilance, një bilanc për tatimet, një bilanc për bankat. Tek tatimet e ulin maksimalisht, për të bërë viktimën; tek bankat e rrisin maksimalisht, për të garantuar që janë në gjendje të marrin kredi të mëdha.
Pjesë e kësaj politike kundër informalitetit është edhe bashkëpunimi ynë me Bankën e Shqipërisë, për të siguruar që në 1 janar të vitit 2018, bankat të njohin vetëm deklaratën tatimore, jo të marrin bilance ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi. Vetëm deklaratën tatimore! Nuk mund ta bëjmë këtë me një të rënë të lapsit dhe me një goditje, sepse nuk duam t’i rëndojmë me një supertaksim de facto bizneset, por do t’iu japim kohë deri në janar të 2018-ës, që të rregullojnë gjendjen e tyre dhe në fund fare t’i përgjigjen ligjit, me një bilanc dhe të jetë vetëm bilanci i deklaruar në tatime, bilanci mbi të cilin punojnë edhe bankat. Pastaj, interesi për të ulur dhe për të fshehur të ardhurat, praktikisht të shkojë drejt zerimit.
Dua t’ju them vetëm një shifër. Deri në fund të vitit 2014, ne kemi arritur që të regjistrojmë në listën e kontribuuesve të shtetit si vende pune, plus 93 mijë e disa qindra vende të reja pune, të cilat janë një pjesë vende të reja të krijuara dhe një pjesë vende pune për njerëzit e nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë. Jemi të bindur që potenciali është shumë herë më i madh. Sot na rezulton që kemi 106 mijë vende të reja pune në sektorin jobujqësor. Pa llogaritur sektorin bujqësor, ku ka pasur rritje të punësimit dhe ku ka pasur një formalizim të ndjeshëm, por ende larg atij që duam.
Dua të shpreh edhe njëherë, mirënjohjen për punën e bërë deri tani sëbashku, por edhe bindjen që puna do të vazhdojë. Jam i sigurt që ata që kanë ardhur këtë herë, do duan të vijnë prapë. Ne i mirëpresim edhe pa Ricardo-n [Hausmann]. Jemi gati t’ju japim punë në administratën tonë, t’ju bëjmë këshilltarë të ministrave, t’ju bëjmë këshilltarë të agjencive kombëtare. Sigurisht që, nuk jemi në gjendje t’i paguajmë aq sa këta meritojnë, por jemi në gjendje t’ju japim gjëra që nuk i marrin dot në Amerikë ose në Europë. Me Amerikën Latine po, aty konkurrojnë me të njëjtat mjete, që janë dashuria për jetën dhe dashuria për njëri-tjetrin, pastaj dashuria për punën. Fakti që do të gjeni një “Amerikë të vogël Latine” në mes të Europës na bën ne të kemi një avantazh konkurrues.
Nga ana tjetër, kemi rrugës dy projekte shumë të mëdha, për të cilat do të vazhdojmë të punojmë sëbashku. Së pari, projektin e mbështetjes së sektorit të bujqësisë, përmes skemës së re që kemi përpunuar, ku qeveria do të vendosë Fondin e Garancisë dhe bankat, me të cilat kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë për këtë projekt, do të sigurojnë kreditimin me riskun e marrë përsipër nga fondet e garancisë dhe me interesa deri në zero, për të bërë të mundur që të gjitha aplikimet që kemi marrë dhe që nuk i jemi përgjigjur dot me financim nga AZHBR-ja, të mund të financohen dhe jo vetëm kaq, por për të bërë të mundur që të financojmë edhe shumë më tepër se kaq, duke u nisur nga principi i zinxhirit të vlerës.
Projekti tjetër i madh është projekti i çuarjes përpara dhe finalizimit me sukses të zonës së parë ë lirë ekonomike, që është Spitalla dhe pastaj, për avancimin me dy zonat e tjera, ku parashikimet për punësimin janë shumë optimiste, po ku sigurisht duhet ende punë për të arritur deri aty. Ndërkohë që, të gjithë sektorët e tjerë janë pjesë e përpjekjes. Por këto dy projekte të mëdha besoj se janë projekte që do të sjellin një ndryshim përmbajtësor dhe rrënjësor në ekonominë e vendit, në 3-4 vitet në vijim; Kreditimi i bujqësisë me 300 milionë euro në tre vitet e ardhshme, me një mesatare 100 milionë në vit të aksesueshme dhe të garantuar nga shteti, si dhe zonat ekonomike ku parashohim një investim tek zona e Spitallës prej 1.5 miliardë dollarësh, me një fazë të parë që është 350 milionë, për të hapur rrugën për shtrirjen e mëtejshme të zonës, në varësi edhe të fluksit të bizneseve që do të stabilizohen aty. Fakti që, deri më sot janë mbi 80 kompani të rëndësishme të regjistruara, që kanë shprehur interes për t’u stabilizuar në atë zonë, duke ardhur kryesisht nga Azia, është një fakt shumë domethënës.
Shumë faleminderit!
***
Është zhvilluar sot nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar (Center for International Development) të Universitetit të Harvardit, Konferenca Përmbyllëse të Programit Veror të Universitetit të Harvardit në Shqipëri, me temë “Sustaining Albania’s Economic Development: Growth Opportunities and Challenges”.
Në këtë Konferencë u prezantuan rezultatet e punës në disa sektorë nga skuadra e studenteve të Harvardit.