Në vitin e tretë të kontrollit bazë mjekësor falas, numri i qytetarëve që e kryejnë është në rritje të ndjeshme. Siç ndryshe njihet, check up kryhet falas për të gjithë grupmoshat nga 35-70 vjeç. Kryeministri Edi Rama kreu sot kontrollin bazë mjekësor në Poliklinikën numër 9 në kryeqytet. Siç informoi mjekja e kësaj qendre, kanë qenë të shumtë qytetarët që, pasi kanë kryer check up-in kanë parandaluar sëmundje që qëndrojnë akute në trupin e njeriut dhe që fare lehtë mund të zbulohen vetëm duke kryer kontrollin mjekësor bazë një herë në vit.
“Ky është viti i tretë dhe numri i atyre që vijnë vetë edhe pa lajmëruar ka ardhur duke u rritur dhe ne e konstatojmë këtë. Unë personalisht kam pasur raste të pacientëve që e kanë bërë check-up-in në mënyrë të rastësishme dhe janë diagnostikuar me diabet, me glicemi tepër të larta që kanë filluar trajtim automatikisht me insulinë. Ndërlikimet e diabetit pastaj dihet se sa të rënda janë,” u shpreh ajo.
Duke nënvizuar se check up-i shmang probleme të rënda shëndetësore, Kryeministri Rama u shpreh se ende ka nevojë për të punuar në drejtim të rritjes së ndjeshmërisë dhe të kulturës mjekësore për rëndësinë e kryerjes së kontrollit mjekësor periodik. “Edhe norma është shumë pozitive, se na duhet t’i shtyjmë ne njerëzit, sepse akoma nuk është krijuar kultura që të shkojnë ta bëjnë vetë, kështu që është edukative shumë. Edhe institucionet europiane, Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian e kanë detyrim. Po s’bëre check-up-in, nuk të marrin në punë, po nuk solle check-up-in, nuk ripërtërin dot kontratën e punës. Është në ndihmë të njerëzve, se nuk është se është një normë që iu merr njerëzve lekë. Është falas, paguan shteti për çdo njeri,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Nga analizimi i deritanishëm i këtij procesi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 40% e personave që kanë kryer deri më tani check up-in kanë zbuluar një problematikë shëndetësore. “19% e rasteve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë janë me risk të lartë, 34% të moderuar, që do të thotë, që mbi 40% e rasteve që kanë kryer check up-in kanë identifikuar një problematikë dhe që më pas, tek mjeku specialist kanë shkuar për të zbuluar më shumë, nëse bëhet fjalë për një sëmundje kronike, apo një sëmundje që mund të jetë akute dhe që e kanë trajtuar,” – u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me mjekët e familjes, kanë hartuar një Letër Kujtese që do t’i shkojë çdo qytetari një herë në vit, si ftesë për kryerjen e kontrollit mjekësor vjetor. “Mendojmë që të jetë në muajin e lindjes së tij [qytetarit] për ta ftuar për të bërë kontrollin mjekësor bazë dhe përfitimet që sjell kontrolli mjekësor për të pasur gjithashtu edhe numrin e telefonit të çdo qendre shëndetësore që i përket dhe duke vendosur gjithashtu orarin kur duhet ta kryejë kontrollin. Ashtu siç ne kemi programin e vaksinimit, edhe ky është një program parandalimi, ku mjeku i familjes, së bashku me infermierët e kabineteve të kontrollit mjekësor bazë dhe janë 385 kabinete të kontrollit mjekësor bazë që janë investuar në këtë standard që po shohim sot, do të kenë vetë në patronazhim banorët që duhet të kryejnë kontrollin mjekësor një herë në vit.”
Edhe pse tashmë ka ndërgjegjësim të qytetarëve për kontrollin bazë, sërish është e nevojshme të shtyhet përpara procesi, i cili, siç theksoi Kryeministri, i shërben edhe krijimit të regjistrit të gjendjes shëndetësore të popullatës. “Ka filluar të hyjë në një lloj rutine që duhet bërë vit pas viti, por na duhet shumë akoma dhe për këtë arsye edhe norma është shumë e rëndësishme që të kemi të gjithë kapacitetin që t’i shtyjmë. Edhe herë pas here promovimet janë të rëndësishme, sepse jemi i vetmi vend në botën e qytetëruar, i vetmi, që s’kishim asnjë lloj regjistri të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe asnjë lloj instrumenti për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve për të diagnostikuar veten e tyre. Plus ishte super e shtrenjtë, 81 mijë lekë. Kush shkonte ta bënte?” u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Ai informoi stafin mjekësor, se, ashtu sikurse është premtuar nga qeveria, do të vijojë edhe vitin e ardhshëm, rritja e pagave të bluzave të bardha.
Kryeministri vizitoi edhe laboratorin ku kryhen analizat e check up-it falas të popullatës, një laborator me standarde bashkëkohore. “Jemi shumë të sigurt për saktësinë e rezultateve tona. Kontrolli mjekësor bazë ka ndihmuar në diagnostikimin e një numri të madh patologjish, por do të doja të sillja në vëmendje një numër të madh të rasteve me anemi, për faktin se anemia nuk është sëmundje. Ajo është sinjali i një patologjie të fshehur që mund të jetë infeksion që mund të jetë inflamacion, por në shumë raste është patologji malinje dhe për individin që ka patologji malinje diagnostikimi në kohë është një përfitim shumë i madh,” u shpreh mjekja laborantja.
“Janë mijëra njerëz që praktikisht shpëtohen nga vdekja, në qoftë se rrinë dhe nuk e dinë fare që e kanë. Kjo është faktikisht një ndërmarrje ekselence në Shqipëri, nga çdo pikëpamje, nga pikëpamja e teknologjisë, nga pikëpamja e burimeve njerëzore, nga pikëpamja e kritereve dhe standardeve të performancës. Është investim i jashtëzakonshëm në kuptimin edhe të mundësisë për të pasur zhvillim teknologjik edhe vende pune të mirëpaguara për shkak të kualifikimeve të larta,” deklaroi Kryeministri.
Ekipi i laborantëve, thanë drejtuesit e tij, është një përzgjedhje e kujdesshme e më të mirëve, të arsimuar dhe me eksperiencë jo vetëm në vend, por edhe jashtë.