Kopështi “Niko Hoxha” mirëpret vogëlushët me kushte optimale për mësim dhe argëtim

Në Kamëz, në një prej zonave të prekura rëndë nga tërmeti, kopshtet dhe shkollat e reja, vepra të programit të rindërtimit, po hapin dyert njëra pas tjetrës për fëmijë dhe nxënës. Një project ambicioz, i realizuar me sukses, është ai i kopështit “Niko Hoxha”, që mirëpret vogëlushët me kushtet më optimale për mësim dhe argëtim.

Në Kamëz, për të parë ndërtesën e re, – të njëjtë në infrastrukturë me çdo institucion arsimor europian, – ishte Kryeministri Edi Rama. “Sapo ka përfunduar i gjithë investimi për kopshtin, ku do të sistemohen 200 nxënës. Falë këtij investimi cilësor, objekti është disa herë më i madh sesa ishte dhe kushtet janë të pakrahasueshme me më parë. Edhe zona e Valiasit do të ketë një kopësht, ku engjëjt e vegjël, do të kenë tavolinën ku do  të ushqehen, tavolinën ku do të mësojnë, krevatin ku do të flenë dhe të gjitha ambientet jashtë, këndet e lojërave me të gjitha standardet Tani çdo gjë është gati”, – shprehet kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Kopështi ka një kapacitet të organizuar në  9 klasa dhe 4 mjedise të bollshme për fjetje.

Ndërsa vizituan mjediset e jashtme me hapësira të mjaftueshme për lojëra dhe zbavitje, kryeministri Rama la një porosi: “Do të bëni një marrëveshje me Universitetin Bujqësor, gjithë këtë parcelën këtu, por edhe tek shkolla të bëni një parcele frutikulture, me zarzavate, me pemë që fëmijët që të vegjël të shohin si mbillet, si rriten, si duhet të kujdesesh për bimët. Në çdo shkollë dhe kopësht, ku është mundësia duhet bërë kjo”, – u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, në Kamëz, pas pak javësh nis edhe ndërtimi i një shkolle të re dhe i një lagjeje për 280 familje të zonës, e cila do të ketë 21 pallate, qendër shëndetësore, çerdhe, kopësht tjetër, shkollë të re dhe qendër moderne sportive.