Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Dardhë, familja Tasho me vizion e punë të palodhur ka krijuar një destinacion special turistik. Ajo e ka kthyer dëborën në instrument ekonomik përmes një piste shumë të frekuentuar skish, që e ka rritur papushim fluksin e vizitorëve. Kryeministri Rama, i cili ishte sot në Dardhë, shprehet se ky investim ka vendosur në rendin e ditës domosdoshmërinë e një mbështetjeje të konsiderueshme nga qeveria, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Resortet e skive, shprehet Kryeministri, janë një atraksion edhe në verë, pasi “vihet për kënaqësinë e natyrës”. Pista, thotë familja Tasho, përdoret edhe si qendër stërvitore për ekipe dhe atletë.

“Kjo pikë lidhet edhe me Parkun Olimpik, që të shërbejë si qendër stërvitore edhe për skuadra të huaja. Kjo është një tjetër ide që këtu të ndërtohet me një plan që të ketë shtigje vrapimi, 2-3 fusha sporti, të ketë akomodim për ekipe që gjatë verës të vijnë ta shfrytëzojnë. Por përtej tyre, reaortet e skive gjatë verës janë plot me njerës në të gjithë botën”, – shprehet Kryeministri. Kjo veçori u mbështet edhe nga pronarët e resortit, të cilët treguan se së fundmi kanë pasur vizitorë edhe sportistë të huaj nga Rusia, Izraeli, Bjellorisia etj., të cilët kanë qendruar për një periudhë 21 ditore dhe kanë kryer edhe stërvitjen aty.

Dritan Agolli, drejtori i FSHZH-së, informon se Dardha, sëbashku me dy fshatra të tjerë të zonës janë përfshirë në Programin e 100 fshatrave, si dhe janë përfituese nga programet e BE-së, me një fond që do të përdoret për hartimin e projektit për të bërë lidhjen e këtyre fshatrave me shtigje dhe elementë të tjerë të produktit turistik. E veçanta e zonës, thotë Agolli, është se është parë si e tërë dhe jo si fshatra dhe si e tillë ka një potencial të jashtëzakonshëm edhe për turizmin e natyrës dhe të aventurës. Për t’u lidhur më poshtë me Boboshticën, një zonë e njohur kulinare dhe zbret deri në Korçë qytet.

“Ajo që njihet Devolli i sipërm është një kurorë brilante fshatrash me tradita, me ndërtime shumë të bukura. Rrugët që kanë filluar me FSHZH-në dhe BERZH-in lidhin gjithë këtë zonë dhe shtrohet rruga për ta kthyer në një perlë turistike”, – nënvizon deputeti i qarkut, ish kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i cili shton se po t’i shtosh këtyre investimeve, edhe aeroportin turistik sportiv të Lumalasit, kompletohet oferta turistike e Korçës.

Korça ofron gjithashtu edhe turizmin kulturor me Voskopojën dhe Vithkuqin. “Bashkë me Pogradecin, kjo zonë ka një ofertë nga A-ja në Zh-ë të turizmit, që synon më shumë turistë, më shumë ditë qendrimi dhe më shumë të ardhura”, – thotë Agolli. Një ofertë, shton Kryeministri, që ofron edhe më shumë punësim.

Kështu zona Pogradec-Korçë, me liqenin, pistën e skive dhe sitet kulturore kthehet në një rajon me ofertën turistike më të jashtëzakoshme dhe atraktive përgjatë gjithë vitit.  “Pas një viti, situata do jetë krejt tjetës. Të gjithë këto projekte do jenë të mbaruara”, – thekson Peleshi.

Kryeministri Rama sjell si shembull suksesi modelin e ndjekur në Vermosh dhe Valbonë.

“Në momentin që ne thamë se do të bëjmë qendrën turistike në Valbonë, aty ka filluar një bum investimesh. Janë bërë kush e di sa bujtina aktualisht dhe ka të tjera që kanë në radhë për t’u bërë dhe hoteli me 5 yje që do bëhet së shpejti”, – shprehet Kryeministri. Kjo ka nxitur edhe shumë shqiptarë të kthehen nga emigracioni dhe të investojnë në vendlindje.

“Ka edhe një të vërtetë, – vijon Kryeministri duke iu referuar rasteve konkrete, – që pandemia ndihmoi shumë njerëz të njohin Shqipërinë se e shohin nga TV në Tiranë, po a ka dalë ndonjëherë në TV, kjo këtu?”

***

Po ashtu po punohet intensivisht në kantierin e Lotit 2 të rrugës Korçë – Ersekë, e cila jo vetëm do ta shkurtojë në vetëm 20 minuta kohën në këtë aks, por edhe do të ofrojë një udhëtim panoramik përgjatë pejsazheve të mrekullueshme të Kolonjës, duke e integruar më së miri krejt këtë zonë në ofertën turistike të Korçës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.