Një vit në listë pritjeje, por dhe mbi 4 mijë euro i duhej Satbere Hotit banore në Shkodër për të kryer koronarografinë, të domosdoshme për të diagnostifikuar sëmundjen e saj, në një prej spitaleve private të vendit.
Sot, Satberja ndodhet e shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku prej dy ditësh e ka bërë këtë ekzaminim të rëndësishëm për jetën e saj, falas dhe me sukses të plotë. Por ajo nuk është e vetmja, pasi këtë shërbim e kanë përfituar edhe 10 pacientë të tjerë, të cilët pas muajve të gjatë të pritjes, kanë kryer këtë ndërhyrje.
Për herë të parë, ky spital, ofron shërbimin e Koronarografisë dhe ndërhyrjeve të tjera miniinvazive në zemër, tërësisht falas për pacientët. Hapja e këtij shërbimi të ri në spitalin rajonal të Shkodrës ka bërë që koha e pritjes së pacientëve që kanë nevojë për këtë shërbim të shkurtohet nga 6 muaj apo 1 vit që ishte më parë, në 4 deri në 6 javë.
Pas një investimi total prej 75 milionë lekë në Repartin e Kardiologjisë, tashmë spitali Rajonal i Shkodrës, ofron një gamë më të gjerë shërbimesh ndaj pacientëve, cilësi të lartë, si dhe pajisje mjekësore diagnostikuese dhe kuruese të teknologjisë më të përparuar. Shkodra bëhet kështu i vetmi spital jashtë Tiranës (përfshirë edhe spitalet jopublike) që ofron këtë shërbim për pacientët me zemër, në ndryshim nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë.
Është pikërisht ekipi i mjekëve kardiologë intervencionistë të Spitalit Rajonal të Shkodrës që po realizon me sukses kryerjen procedurave të para të Koronarografisë.
Falë këtij investimi, pacientëve të Shkodrës, por edhe gjithë zonës së Veriut, nuk do t’iu duhet të udhëtojnë më drejt Tiranës për të marrë këtë shërbim, pasi ai mund të realizohet në kushtet moderne dhe më standarde të larta, në këtë spital. Gjithashtu ofrimi i këtij shërbimi në spitalin e Shkodrës, sjell uljen e ndjeshme të kohës së pritjes së pacientëve, që kanë nevojë për këtë ndërhyrje, në QSUT në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në Spitalin e Shkodrës ku u takua me stafin e mjekëve, si dhe me pacientë të cilëve iu mundësua falas shërbimi i koronarografisë në këtë spital.
Për specialistët e fushës, hapja e këtij shërbimi në Shkodër do të thotë më shumë jetë të shpëtuara, pasi rastet urgjente me infarkt apo ato akute me problem në zemër trajtohen që në orët e para të shfaqjes së problematikës shëndetësore. Luani është një prej mjekëve kardiologë, i cili i është përgjigjur nismës së Ministrisë së Shëndetësisë për të punuar larg Tiranës. Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme procedurat e mundësuara nga ky shërbim i ri, do të ndikojnë në rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve me probleme në zemër, si dhe në shkurtimin e invaliditetit. “Është një fat që ofrohet mundësia, e cila është një ndihmë reale për shëndetin këtyre njerëzve dhe ka një efekt direkt te jetëgjatësia e popullatës. Unë rashë dakord me nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për të punuar larg vendbanimit tim, nga Tirana këtu” u shpreh ai.
Ministri i shëndetësisë Beqaj bëri të ditur se këtë vit procedurat miniinvazive të financuara me para publike do të trefishohen, duke iu kursyer buxheteve familjare të shqiptarëve rreth 5 milionë euro. Nga 2200 procedura ndërhyrje që kryheshin në 2013, tani do të kryhen 6600 procedura të tilla.
“Sivjet, procedurat e ngjashme miniivazive të financuara me para publike 2013-2016 do t’i trefishojmë. Ne presim sivjet të bëjmë 6600 procedura. Ata që përfitojnë sot në krahasim me para tre vjetësh janë 5 milionë euro që shqiptarët nuk i nxjerrin më nga buxhetet familjare por që i marrin nga sistemi shëndetësor.”
Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet inkurajimit të mjekëve, përmes mbështetjes financiare, për të punuar jashtë Tiranës. “Ky repart këtu ishte i domosdoshëm për të trajtuar sëmundjet kardiovaskulare në gjithë këtë territor. Tani nuk duhet të shkojnë më në Tiranë për të marrë këtë shërbim. Por ndërkohë shqetësimi ynë është që me patjetër vitin e ardhshëm të rrisim edhe mbështetjen financiare për mjekët në gjithë Shqipërinë, duke vazhduar të stimulojmë mjekët specialistë që janë të gatshëm të punojnë jashtë Tiranës, me një shpërblim ekstra dhe duke bërë çmos, që të futemi në një fazë të re, ku mjeket të paguhen sipas volumit të punës, më shumë dhe jo të gjithë njësoj me një rrogë fikse, punojnë apo s’punojnë, kanë volum apo s’kanë volum. Do të ketë një stimulim të brendshëm brenda përbrenda sistemit duke futur edhe atë element që e kemi thënë që në fillim, që është element kyç i reformës, që të mund të bëjnë dhe praktikën e tyre private, në spitalin publik, mbas orëve të shërbimit publik.”