Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Prishtinë, Kosovë. Kryeministri Rama u takua me nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike. Biseda u fokusua në ecurinë e procesit që po zhvillohet në Francë ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, si edhe për bashkëpunimin dhe sfidat e përbashkëta të dy vendeve. Kryeministri Rama u shpreh se është e domosdoshme që procesi që po zhvillohet ndaj Haradinajt të përfundojë ashtu siç e kërkon e drejta dhe e meriton Kosova. “Tema e bisedës është ajo çka, unë mendoj, mbetet në rendin e ditës për të gjithë ne, domosdoshmëria për një fund ashtu siç e kërkon e drejta dhe siç e meriton Kosova, të një procesi tërësisht të tepërt për Rramush Haradinaj. Jo vetëm kaq, por edhe kemi diskutuar më gjerë për situatën në tërësi dhe për sfidat e përbashkëta,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi ndër të tjera se përfundimi i drejtë i procesit ndaj Kryetarit të AAK, Rramush Haradinaj, do të shënojë njëkohësisht fillimin e një pune të përbashkët mes dy qeverive dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, për të për të fshirë përfundimisht listat e njerëzve me urdhër-arreste të një kohe që i përket të shkuarës. “Ajo që unë dua të nënvizoj dhe që e kemi ndarë me miqtë tanë, është se për ne, procesi i Ramushit me përfundimin e tij, që unë me gjithë zemër uroj e besoj se do të jetë përfundimi që duam të gjithë, nuk është fundi, por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë tonë dhe të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të Shqipërisë dhe të institucioneve të Kosovës, për të fshitë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhër-arreste të një kohe që i përket të shkuarës. Listë që na shfaqet hera-herës në këto forma, të cilat na kujtojnë se e shkuara është gjithmonë një kërcënim për ne, por dhe na obligojnë që të vazhdojmë së bashku, me mjetet e paqes dhe të demokracisë, ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme dhe të afrojmë sa më shumë te jetë e mundur të ardhmen që meritojnë fëmijët,” – u shpreh Kryeministri.
Nga ana e tij, nënkryetari i AAK, Ardian Gjini e falënderoi Kryeministrin Rama për angazhimin e tij në këtë çështje, si dhe vlerësoi këtë vizitë si një nderim për figurën e Haradinajt dhe AAK-në. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen që i ka ofruar Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha fazat e zhvillimit. “Kryeministri Rama e ka nderuar Ramushin. Duke nderur Ramushin, ka nderuar të gjithë patriotët kudo që janë, ka nderuar të gjithë qytetarët e Kosovës, ka nderuar të gjithë shqiptarët e definitivisht na ka nderuar edhe ne në Aleancë, të gjithëve. Ne bashkërisht kemi qenë të vetëdijshëm për rolin që ka luajtur Kryeministri Rama dhe Republika e Shqipërisë, jo vetëm në këtë fazë, por në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës. Posaçërisht duam ta falenderojmë publikisht për angazhimin që ka pasur në situatën që është krijuar pas ndaljes së kryetarit Haradinaj në Francë,” – u shpreh Gjini.