“Kreditimi i sektorit bujqësor” ishte tryeza e diskutimit të zhvilluar sot në mjediset e Bankës së Shqipërisë, mbi identifikimin e rrugëve dhe krijimin e instrumenteve për një progres sa më cilësor në këtë proces.
Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Ministrit të Financave Petrit Malaj, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, si dhe drejtuesve dhe përfaqësuesve të sistemit bankar në vend u diskutua gjerësisht për një qasje të re dhe novatore që synon t’i japë një frymëmarrje të re kreditimit, përmes institucioneve financiare.
Si rezultat i një procesi të gjatë konsultimi mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sektorit bankar, Kryeministri Rama informoi se “sot kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.”
Me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Së pari, dua të falënderoj sinqerisht Guvernatorin dhe ekipin e Bankës Qendrore, por njëkohësisht edhe të gjithë përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë të pranishëm për një proces që e kemi nisur disa kohë më parë dhe që sot e kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë eurosh, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.
Natyrisht që ky është një hop i madh cilësor, shumë premtues për sektorin dhe për vendin duke pasur parasysh dy gjëra.
Së pari, që ne kemi vendosur një objektiv tejet ambicioz që në Shqipërinë 2030, eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë euro. I kemi katërfishuar sepse sot jemi mbi 500 milionë euro eksporte dhe ndërkohë kishim pak më shumë sesa 100 milionë euro kur kemi marrë detyrën dhe arritja e objektivit prej 1 miliardë eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, një fuqi të shtuar të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian ku, siç e preku pak dhe Ministri i Financave, sfida e konkurrencës dhe sfida e përshtatjes me rregulla dhe standarde edhe më të larta është një sfidë shumë e madhe.
Kur kemi bërë takimin e parë, unë i jam falënderues sinqerisht të gjithë përfaqësuesve të sektorit bankar këtu sepse kam mësuar shumë për arsyet e ngurrimit të madh të financimit të bujqësisë, por nga ana tjetër kam parë gatishmëri për të ndihmuar që të arrijmë në një emërues të përbashkët dhe që të ndajmë barrën e riskut, normal. Ama, duhet të jemi shumë të hapur dhe besoj duhet të biem dakord që 2,1% e volumit të përgjithshëm të kredive për këtë sektor është vërtetë shumë pak, është vërtetë shumë pak.
Me mirëkuptimin e plotë për ngurrimin ose më saktë për arsyet e ngurrimit, por edhe më bindjen që me ndërveprim dhe me mbështetje reciproke mes Bankës Qendrore, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë shumë nga arsyet e ngurrimit mund të kapërcehen dhe do të kapërcehen, unë mendoj që sot jemi në një moment ku mund të ndjehemi të gjithë së bashku mirë për faktin se nga ai proces, prej disa takimesh zinxhir dhe njëkohësisht edhe nga një proces komunikimi edhe i drejtpërdrejtë mes nesh dhe jush, kemi një produkt, kemi një produkt të kombinuar mes linjës së re të financimit të Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjes që qeveria do të japë duke arritur, faktikisht, që përmes Garancisë Sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë. E kombinuar me programin e bankës, ne mund t’ju themi sot të gjithë atyre që presin më shumë financim, kërkojnë më shumë financim, ju duhet më shumë financim, në sektorin e bujqësisë, se norma e interesit do të jetë vërtetë shumë tërheqëse dhe se ne, nga ana tjetër, me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë 500 projekte, plot 500 projekte, falë ndërveprimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe sektorit, do të mund tu gjendemi pranë fermerëve, do të mund tu gjendemi pranë sipërmarrjes në fshat në mënyrë që të rrisim me një shpejtësi shumë më të madhe sesa deri më sot volumin e financimeve dhe volumin e investimeve për të arritur në 1 miliardë euro eksporte.
Nga 1 miliardë euro eksporte ne arrijmë që të vendosim edhe bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme të Shqipërisë si një anëtar i ri, i vogël në përmasë, por pa diskutim dinjitoz për nga performanca e përgjithshme në Bashkimin Europian.
500 projektet e bëra në ato drejtime të përcaktuara bashkërisht me Komisionin Europian janë një garanci e madhe për ne për sa i përket dijes, eksperiencës dhe për sa i përket edhe mbështetjes së bankave të nivelit të dytë me ekspertizë për të vlerësuar projektet, bëshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Ndërkohë që besoj se 70% i ulur i kërkesave për kolaterale do të jetë një lehtësim shumë i madh për bankat që në mënyrë të përsëritur në takimet tona e kanë bërë të qartë, të paktën për mua, por edhe për ministrat, gatishmërinë për të mbështetur por njëkohësisht edhe nevojën për tu mbështetur sepse flasim për një sektor që është shumë i ekspozuar ndaj risqeve që kanë të bëjnë njëherë me të gjithë befasitë e natyrës klimatike, përves të gjitha të tjerave. Befasi që janë shtuar shumë kohët e fundit dhe është kthyer në një karakteristikë rënia e volumeve të reshjeve të përqëndruar në një kohë shumë të shkurtër dhe të barabarta me volumet e reshjeve që dikur shtriheshin në një, dy, tre apo katër muaj që e bën shumë problematik këtë raport mes garancisë së një investimi dhe riskut, por duke pasur parasysh, e përsëris, edhe eksperiencën, edhe dijen, edhe vullnetin e qartë për këtë bashkëpunim, unë jam i bindur që ne do të bëjmë një histori të re suksesi ku do të dalin të fituar të gjithë edhe ata që do të investojnë edhe ata që do të financojnë, por edhe vendi në tërësi që do te marrë shumë më tepër mbrapsht nga kjo përpjekje e përbashkët.
Investimet në serra për ne janë një prioritet, ministrja e theksoi, është rritur në mënyrë të ndjeshme masa e territorit të mbuluar nga serrat, por potenciali është për shumë më tepër, nevoja është për shumë më tepër edhe kërkesa është për shumë më tepër kështu që investimet në serra, janë prioritare. Po ashtu është prioritare për ne investimi në agropërpunim. Kemi shumë nevojë për të përpunuar produktet në vend dhe për të rritur volumin e krijuar nga zinxhiri i vlerës brenda vendit.
Patjetër që kemi shumë nevojë edhe për dijen në raport me konkurrueshmërinë në tregje dhe këtu do të stimulojmë sa të kemi mundësi platformat inovative duke përdorur sa më shumë teknologjinë. Agroturizmi është një tjetër prioritet, pa diskutim dhe do t’ju përcjellim edhe ju menjëherë sapo të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ka kaluar gjithë proceset e tjera, ka kaluar dhe në qeveri Paketën e Maleve. Paketa e Maleve krijon një lehtësi të re në raport me kolateralet duke i mundësuar të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale, në zonat kodrinore dhe malore dhe që kanë probleme me titujt e pronësisë, që të kenë garanci të plotë për investimin e tyre, duke kaluar përmes një procesi shumë të shpejtë dhe shumë të lehtësuar të njohjes së të drejtës për përdorimin e tokës dhe pastaj të fitimit të titullit të pronësisë përmes investimit.
Kjo na ka munguar, për hir të së vërtetës në të shkuarën dhe tani është aty e shkruar gati për t’u miratuar, çka e bën absolutisht shumë më të lehtë edhe marrëdhënien midis një individi, një subjekti një banke për të financuar një agroturizëm në një truall që nuk ka titullin përfundimtar të pronësisë. Është një marrëdhënie ku futet shteti dhe është një marrëdhënie të cilën e garanton shteti duke u bazuar tek dokumenti i dhënë nga pushteti vendor për vërtetësinë e titullit të trashëgimisë, nëse mund ta them kështu, që bën që marrëdhënia mes shtetit dhe individit të jetë një marrëdhënie kontraktuale e bazuar tek ajo dëshmi dhe njëkohësisht me premisën që në momentin e bërjes së investimit, titulli i pronësisë menjëherë i jepet investitorit dhe në të gjitha rastet kur me gjasë mund të ketë ankesa apo pretendime për atë truall, barra për të trajtuar këtë pretendim i mbetet shtetit, pra investimi është 100% i sigurtë dhe i garantuar.
Unë kam shumë besim që Paketa e Maleve do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin sepse gjithmonë e më shumë ne shohim që ka interesim nga ana e shqiptarëve që janë jashtë për të investuar në zonat e prejardhjes së tyre. Titujt e pronësisë janë problemi i parë dhe njëkohësisht paketa ka shumë atraktivitet nga pikëpamja fiskale sepse i jep një garanci të plotë për lehtësim 100% nga barra fiskale për një periudhë 10-vjeçare dhe besojmë që do të krijojnë një farë konkurrueshmërie të shpejtë sepse kjo do të vlejë për 500 të parët, pra ata që do të aplikojnë të parët do të shërbehen të parët me këtë kuadër, pastaj të tjerët do t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla si të gjithë.
Pak a shumë kemi shfrytëzuar të njëjtin mekanizëm si të hoteleve me 5 yje që na ka dhënë një sukses të madh dhe s’kemi pasur asnjë arsye që të mos e bëjmë pavarësisht se këtu bëhet fjalë për investime më modeste për nga masa e financimit, por shumë, shumë të rëndësishme sidomos për atë pjesë të sapo bashkëngjitur në industrinë tonë të turizmit, të turizmit malor.
Këto ishin pak a shumë ato që unë doja të nënvizoja këtu, duke ju falënderuar sinqerisht dhe një herë për të gjithë përpjekjen; guvernatorin së bashku me ekipin e tij për daljen nga kutia tradicionale e të menduarit klasik të Bankës Qendrore, duke marrë praktika shumë të mira të bankave qendrore në Evropë, patjetër. Nuk jemi në kushtet e një shpikjeje se këto shpikjet në financa siç më këshillon zakonisht ministri ynë i Financave, janë shumë tërheqëse për artistët, por mund të jenë shumë problematike për ekonomistët dhe nuk kemi se si luajmë këtu, aq më tepër që kemi patur një zhvillim shumë artistik të financave në vitin 1995-96 që na prodhoi pastaj katastrofën e vitit ’97 dhe faleminderit përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë për kontributin me opinionet e tyre për të qenit me thënë të drejtën, jo dhe aq të turpshëm në qëndrimin që “po s’na mbështetet më garanci, ne nuk do të lëvizim nga vendi”. Natyrisht, sepse ndryshe nga të tjerët, zemra ju punon me ritme më të ulëta dhe faleminderit edhe përfaqësuesve të shoqatave të lidhura edhe me bujqësinë për bashkëpunimin, për durimin dhe unë shpresoj shumë që, jo vetëm bankat, por shoqatat në këtë rast, të na bëhen krah për informimin.
Është shumë i rëndësishëm informimi lidhur me këtë zhvillim të ri sepse pavarësisht se kemi lehtësuar shumë barrën për të provuar se kredia do kthehet prapë se prapë duhen bërë disa letra, duhen marrë përsipër disa përgjegjësi dhe për këtë informimi është i domosdoshëm.
Kështu që shpresoj që mbas firmosjes së marrëveshjeve që është bëre mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë puna tani të fillojë intensivisht me informimin.
Natyrisht nuk do t’ua ngarkojmë juve të gjithë këtë barrën sepse kjo është pjesë e punës sonë. Shpresoj që edhe bankat e nivelit të dytë të na bashkohen në këtë përpjekje për të informuar sa më shumë për këtë produkt edhe po e mbyll duke i thënë gjithë bankiereve që ky është një rast i artë për ju që të mund të pretendoni një biletë në parajsë kur të kaloni në botën tjetër duke i thënë Shën Pjetrit përveçse kemi bërë shumë para me pjesën e pasur, kemi ndihmuar edhe fermerët, kjo mund t’ua lehtësojë pak paraqitjen te Shën Pjetri se përndryshe e keni të sigurt vendin në ferr.
Shumë faleminderit!
Edhe me një kërkesë, ndjesë se kemi një udhëtim jashtë dhe më duhet të largohem kështu që ju kërkoj shumë ndjesë për këtë. Në fakt, është një moment i rëndësishëm se duhet të marrim konfirmimin e një aktiviteti jashtëzakonisht me vlerë për Shqipërinë, që Shqipëria është zgjedhur për t’u bërë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit, në vitin 2027, kështu që duhet të shkojmë ta marrim këtë gjë.
Shumë faleminderit!