Fjala e Kryeministrit Rama në analizën e 300-ditshit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë:
Duke dëgjuar sot, të gjitha prezantimet që u bënë, sinqerisht jam shumë i privilegjuar që më jepet mundësia të flas këtu dhe zgjodha të vij këtu, pavarësisht se në të gjitha ministritë po bëhet raportimi publik i 300 ditëve, për një arsye shumë të veçantë. Sepse puna e kësaj ministrie është shumë e veçantë, është puna më e vështirë dhe më e padukshme, sepse është një punë që nga njëra anë detyron të gjithë ata që janë pjesë e kësaj skuadre të merren me këto probleme, me të cilat askush s’do donte të ballafaqohej dhe nga ana tjetër është një punë që vështirësisht ka duk.
Rezultatet e këtyre 300 ditëve realisht flasin shumë fort, për një punë të bërë me shumë përkushtim, por edhe me shumë dobishmëri dhe efektivitet. Duke filluar nga një hap i parë, në dukje simbolik, por në vetvete thelbësor për të përcaktuar kartëvizitën e këtij institucioni, që ishte zgjidhja zgjidha e një krize të trashëguar në mes të rrugës, në Tiranë, të familjeve rome. Një krizë, që zhvillohej në sytë e gjithë shoqërisë dhe ndaj së cilës, nga njëra anë, shoqëria ndjente keqardhje dhe nga ana tjetër, shteti shfaqte gjithë indiferencën dhe pafuqinë e vet. Kujtoj që me atë hap filloi rruga që ka sjellë këtu, këtë skuadër dhe që solli këtu, në këtë foltore, një nga një, drejtuesit e pjesëve të ndryshme të kësaj skuadre, të cilët folën me gjuhën e rezultateve dhe treguan që asgjë nuk është e pamundur. Ndërkohë që, siç e tha Dritani, bëhet fjalë për një institucion që për vite të tëra ka mishëruar rrënimin e besimit tek mundësia për t’i bërë gjërat.
Zgjidhja e krizës tjetër që ne e gjetëm përsëri, me të hyrë në zyrë, kriza e pagesave për gjithë personat me aftësi të kufizuar dhe ata me ndihmë ekonomike. Një krizë me një përmasë të madhe financiare. Njerëzit më në nevojë dhe njerëzit më në hall, të braktisur në mes të rrugës, për arsye dhe mosarsyes së një politike të shthurur tërësisht moralisht, por të shthurur tërësisht dhe mendërisht. E, miliona e dhjetëra miliona dollarë të çuara në drejtime të tjera, duke i lënë barrën e këtij borxhi, në kurriz, njerëzve më të drobitur të shoqërisë, për gjithë periudhën më të vështirë të vitit, vjeshtën dhe dimrin. Edhe atë krizë, ne e zgjidhëm. E zgjidhëm me dinjitetin që duam t’i japim qeverisjes, duke vendosur në themele të qeverisjes, parimin se nuk mund të kërkojmë, ne, qeveria, apo nuk mund të kërkojmë në emër të shtetit, nga qytetarët, asgjë që ne vetë nuk arrijmë dot ta bëjmë në respekt të ligjit dhe në respekt të qytetarëve. Një qeveri që nuk paguan dritat nuk mund të kërkojë nga qytetarët të paguajnë dritat. Një qeveri që nuk respekton kontratat nuk mund të kërkojë nga qytetarët që të respektojnë kontratat me shtetin. Një qeveri që nuk paguan detyrimet ndaj njerëzve në nevojë nuk mund të kërkojë nga askush që të paguajë detyrimet ndaj shtetit, e kështu me radhë.
Por, nga ana tjetër, ne erdhëm në qeveri, edhe me një tjetër bindje. Se në këtë vend është ngrënë shumë në kurriz të të tjerëve. Në këtë vend janë paguar shumë si të përndjekur, pa bërë asnjë ditë burg dhe janë lënë shumë të tjerë, që kanë bërë burg, pa u paguar; Në këtë vend janë paguar shumë si të verbër, njerëz që i kanë sytë të ballë; Janë paguar shumë si të paaftë, njerëz që vrapojnë për të marrë atë që s’u takon; Janë paguar shumë njerëz në nevojë për ndihmë ekonomike, njerëz që dergjen pijetoreve dhe që pastaj të dehur shkojnë rrahin gratë nëpër shtëpi. E, faktikisht, brenda 300 ditëve, 20 mijë të tillë, të të gjitha llojeve dolën jashtë skemës së pagesave.
Por e dini çdo të thotë 20 mijë? Do të thotë që është paguar për njerëzit e gabuar dhe për arsyet më të gabuara, që janë korrupsioni, që janë klientelizmi, që janë zgjedhjet e radhës; 100 milionë dollarë. Aq sa do të mjaftonin për të paguar dy vjet rresht, njerëzit e duhur. 100 milionë dollarë, dy vjet rresh kanë shkuar gjithë këto vite, për tetë vjet, për njerëzit e gabuar.
Jemi në kushtet, kur shohim qartësisht se jo vetëm kjo mund të bëhet, por mund të bëhet ende më shumë se kaq. Që njerëzit e duhur të marrin atë që u takon, aty në vendin e punës. E unë siç i jam realisht mirënjohës drejtpërdrejtë Etlevës, punën e së cilës e çmoj prej vitesh dhe kam mundësinë ta vlerësoj sot, si një punë realisht shumë me peshë për vendin, i jam mirënjohës edhe Dritanit, i cili sot duhet të jetë krenar, sepse në 300 ditë, në gjithë institucionin që ai drejton ka arritur të bëjë një transformim të paimagjinueshëm, duke garantuar për mijëra njerëz që të dalin nga skllavëria, nga puna në të zezë dhe të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Kjo, kombinuar me vendet e reja të punës, të hapura falë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, por edhe falë, në tërësi, vijimit të rrugës së zhvillimit bën që ne sot të kemi 43 879 njerëz, shqiptare e shqiptarë më shumë, në punë. Kjo shifër, e vetme, mjafton për t’u thënë të gjithë atyre që presin nga qielli t’ju bjeri një punë, se është e mundur që të gjesh punë, por duhet të kuptosh që nuk do të të gjejë puna ty, duhet ta gjesh ti punën, duhet të kuptosh që për të gjetur një punë duhet bërë një rrugë, duhen bërë dy rrugë, tre, dhjetë, duhet trokitur në një derë, dy, tre, dhjetë. Dhe se tek e mbramja, sot është koha që Shqipëria në punë, të jetë Shqipëria e gatshme t’i japë punë, kujtdo që do të jetojë me punë dhe jo me një lëmoshë dhe jo me një pension. Flas këtu, për pensionistët 25 vjeçarë, që duan me patjetër të punojnë në shtet dhe që rrogën e shtetit e konsiderojnë një pension, për të mos shkuar në punë, në fakt.
Jemi ndeshur bashkë me Erionin, me shumë raste kur njerëz që kërkojnë punë dhe që e bëjnë këtë me një dëshpërim të madh, sapo i jepet mundësia për të punuar në sektorin privat, rrudhin buzët e nuk pranojnë. A thua se kjo nuk është punë. Por, në fakt, kjo është puna.
Në numrin e të punësuarve ka edhe një të dhënë tjetër, që duhet t’i bëjnë të reflektojnë shumë njerëz që sot vazhdojnë rrinë duarkryq e presin punën që t’u zbresë nga qielli, apo që shkruajnë në rrjetet sociale, ku e keni punën. Puna nuk do vijë siç vinte plaku i Vitit të Ri, kur ishim të vegjël dhe na thoshin ‘mbyllni sytë’ dhe pastaj hapnim sytë e gjenim pakon poshtë pemës së Vitit të Ri. Punën duhet ta gjesh siç e gjejnë përmes zyrave të punës, në pjesën më të madhe të atyre që janë punësuar nga zyrat e punës, ata që kthehen nga emigracioni, shqiptarë si ne, si të gjithë ne, por që nuk kanë paragjykime dhe e dinë shumë mirë, pse shkojnë e trokasin në zyrat e punës. Një tjetër aspekt ky, shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me zyrat e punës. Kam dëgjuar njerëz që thonë po hapni zyra pune, por nuk po hapni punë. Janë po ata që në këtë vend, prej 500 vjetësh thonë të njëjtën gjë, ata që “nën hije lozin, kuvendojnë dhe që nga gratë rrojnë”. Dhe rrojnë nga gratë, në të gjitha kuptimet. Unë takoj zonja nga 60 vjeç, që kërkojnë punë për djemtë 40 vjeç. Dhe djemtë me siguri vënë baste dhe presin që të humbë Gjermania, që të bëjnë bingo.
Ajo që po vjen nga zyrat e punës është në fakt një epokë e re. Koha, vitet do të flasin për këtë gur themeli, që po vendoset sot, si momenti i një ndryshimi historik në raport me punën, në këtë vend. Zyrat e punës deri dje ishin zyrat e atyre që ishin pjesa më e paaftë dhe më e lodhur e partisë, që i çonin, hajt ta fusim tek zyra e punës këtë çunin, apo hajt ta fusim atje. Në zyra pune ata rrinin e mbanin me muhabet njëri-tjetrin dhe linin pa punë gjithë dynjanë.
Faktikisht, shifrat e rezultatit të parë të Fondit të Punësimit, rezultati i parë në 300 ditët e parë me Fondin e Punësimit, që sot janë punësuar 3000 mijë vetë. Deri vjet ishin 200 vetë. 200 petritë. Po ata petritë punësoheshin çdo vit dhe sigurisht ndanin lekët, merrnin pjesë në ndarjen e lekëve të këtij Fondi të Punësimit, se biznesi nuk përfitonte. Ndërkohë që kanë përfituar 280 sipërmarrje nga Fondi i Punësimit dhe kërkojnë më shumë. Kanë të drejtë, se biznesi për këtë punë është, që të kërkojë më shumë, të fitojë më shumë. Normal dhe shyqyr që duan të fitojnë më shumë, sepse unë nuk hyj tek ata që thonë janë të pangopur. Unë hyj tek ata që thonë sa më shumë ata mos ngopen, aq më shumë të tjerët mund të hanë, sepse janë ata që i krijojnë vendet reale të punës.
Ne duhet të kalojmë nga një epokë, ku shteti konsiderohet si zyrë e punësimit, në një epokë ku zyrat e punës bëjnë ndërmjetësimin për të krijuar lehtësirat që njerëzit të gjejnë punë. Pashë Luan Bregasin, me siguri nuk është i vetmi këtu, por dua ta falenderoj atë dhe nëpërmjet tij, gjithë njerëzit e biznesit që janë ofruar në këtë përpjekje, duke pranuar të bëhen pjesë e një partneriteti që është me interes reciprok. Nuk janë bamirës, janë partnerë. Nuk vijnë thjesht për të dhënë, vijnë edhe për të marrë, por ama e bëjnë në mënyrën më dinjitoze dhe në mënyrën më shembullore, duke investuar në një partneritet, që nesër bota e sipërmarrjes të mund të përfitojë si e tërë dhe jo për të fituar tenderin, për të bërë zyrën e radhës së punës. E meqë ra fjala, të gjitha zyrat e punës janë produkt i kontributit të biznesit dhe nuk është harxhuar asnjë qindarkë për to. Ndërkohë, fondet e harxhuara për ato zgëqet, lart e poshtë, nga shteti dhe tenderat e bërë për ato zgëqe janë realisht një tjetër aspekt, sesi shteti deri dje harxhonte më shumë para për të bërë zyra që s’ishin zyra, sepse paratë merreshin dhe shkonin në drejtim të paditur, sesa për të bërë punë.
Një tjetër element që nuk dua ta lë mënjanë është, sigurisht, në pamje të parë, diçka që s’ka të bëjë me ne fare, sepse flet për vitin 2032, Reforma e Pensioneve. E, të parët që do të fillojnë të preken drejtpërdrejtë nga reforma e pensioneve janë ata që do të dalin në pension në vitin 2032. Kështu që, ata që do të dalin në pension në vitin 2032, bëjnë mirë të mos rrinë më të presin, por të dalin e të përgatiten, sepse pensioni në vitin 2032 nuk do të merret më siç merret sot. Kjo është e qartë. Se po të vazhdojë të merret siç merret sot, ne do të mbytemi të gjithë. Ndërkohë që 20 vjet të tjerët më parë,- megjithëse institucionet ndërkombëtare financiare e kanë thënë çdo vit reforma e pensioneve, reforma e pensioneve, – nuk e kanë bërë, ne e bëmë në 300 ditë reformën e pensioneve. Nuk e kanë bërë jo se ishte diçka e pamundur për t’u bërë, as se ishte diçka që të rrëzon të nesërmen nga pushteti, por se ishte diçka si shumë gjëra të tjera, që kërkon diçka shumë të thjeshtë, të shikosh realitetin në sy dhe t’u flasësh njerëzve në gjuhën e të vërtetës që vjen nga realiteti dhe jo t’i ushqesh njerëzit me lugën bosh të iluzioneve, se jemi të dytët pas Gjermanisë; Kina është e shqetësuar si e kaluam në kthesën e fundmarsit; Kancerlarja gati s’po na flet me gojë, sepse mund ta kapim në janar. Këto përralla e çuan Shqipërinë në atë situatë ku ne e gjetëm dhe fatkeqësisht, vazhdon përpjekja për t’u thënë shqiptarëve se kjo qeveri po humb një e nga një radhët në klasifikim, se po të mos ishte ardhur kjo qeveri, finalen Gjermania do ta kishte bërë me ne, jo me Argjentinën.
Duke ardhur tek të përndjekurit, besoj që e keni parë, tani është fare e qartë, që për të përndjekurit bërtasin ata që s’kanë lidhje fare dhe që kanë marrë pozicionin e të përndjekurve për të përfituar. E ndërkohë që, ata që deri dje ishin aty edhe me votat e të përndjekurve, nuk arrijnë dot të japin një përgjigje shumë të thjeshtë: Si ka mundësi që 1200 të përndjekur, që kanë qenë në burg vetë, – jo si ata të familjeve të dëshmorëve që pretendojnë të vazhdojnë të marrin përfitime pa qenë fare familje dëshmori, apo si një rast që ishte njëri anëtar i Ballit Kombëtar dhe thoshte jam stërnip i dëshmorit filan dhe duhet të marr shpërblimin, por të përndjekur vetë janë 1200 vetë, 80-vjeç, 85-vjeç, 90-vjeç, – si ka mundësi që nuk kanë marrë asnjë lek?! Ngaqë s’kanë pasur aftësi të vijnë këtu dhe të bashkohen me çetën që i merrte paratë dhe i ndante gjetkë?! E, si mund ne të mos jemi krenarë që në 300 ditë bëmë të mundur që 1200 të përndjekur që s’kishin parë qindarkë me sy në njëzet e kusur vite morën këstin e parë?! E, si mund ne të mos jemi krenarë që brenda këtij mandati nuk do të ketë më asnjë të burgosur politik të gjallë që të mos ketë marrë dëmshpërblimin?! Sigurisht, që ne e konsiderojmë këtë detyrim parësor. Pastaj, nipi, mbesa, stërnipi, stërmbesa, kushëriri, të gjithë ata, ndër të cilët edhe sa të duash nga ata që i spiunonin, që nuk i flisnin me gojë fare kur këta ishin në burg; që nuk i njihnin; që i mohonin nëpër mbledhjet e partisë, duan edhe ata pjesën e tyre, sepse kështu si erdhi puna “u bë deti kos” edhe o burra të gjithë të fusim lugën, kjo është një çështje tjetër që ne do ta shohim më pas. Ajo që ne na takon tani është që brenda mandatit tonë të parë të mos ketë më asnjë të burgosur nga Enver Hoxha që të mos ketë marrë të plotë dëmshpërblimin që i takon atij personalisht. Me të tjerët, flasim më tutje.
E, faktikisht, përjashtuar vitin elektoral, vitin e kaluar, kur ndoshta nga paniku i humbjes që i priste ata që për 8 vjet folën në emër të të përndjekurve, vunë një buxhet më të madh, ne në vitin e parë, në vitin e krizës, në vitin kur trashëguam 720 milionë dollarë borxh të fshehur, në formën e pagesave të pabëra, për arsye nga më skandalozet, që nga kompanitë deri tek Personat me Aftësi të Kufizuar, përsëri kemi dedikuar për të burgosurit e Enver Hoxhës shumën më të madhe që është dedikuar nga të gjitha qeveritë, vit pas viti, 18 milionë dollarë. Këtë e kemi bërë dhe këtë mision do ta përmbushim brenda 4 viteve, jo sepse duam vota, por sepse për ne ky është momenti i mbylljes së një historie dinjiteti të shoqërisë sonë. Një historie dinjiteti që nuk mundet dot të vazhdojë të jetë një histori e shkeljes së dinjitetit të të gjithë shoqërisë, duke folur në emër të përndjekurve dhe, në fakt, duke bërë padrejtësi pas padrejtësish.
Pa shkuar edhe më gjatë, dua të prek edhe çështjen e emigrantëve.
Dy çështje kam dëgjuar sa herë kam shkuar të takoj emigrantët, posaçërisht në Greqi, por edhe në vende të tjera, deri para se ne të merrnim detyrën. Dy; Njëra çështja e emigrantëve të Greqisë për toponimet e famshme, vite. Tjetra, çështja e pensioneve.
E për të dyja çështjet ulemi në tryezën e Qeverisë dhe nuk gjejmë asgjë. Zero!
Asnjë përpjekje me qeverinë greke për të zgjidhur problemin e toponimeve.
Asnjë përpjekje, me asnjë qeveri, për të hapur çështjen e pensioneve të këtyre njerëzve. Zgjidhëm problemin e toponimeve brenda 300 ditshit të parë.
I dhamë fund historisë së diskriminimit të vazhdueshëm, për lloj e lloj arsyesh e rrethanash, të njerëzve tanë në kufi, për të hyrë brenda në Shqipëri dhe historisë së dhunës psikologjike që ushtrohej në kufi me fqinjin ndaj fëmijëve, që nuk vinin dot të futeshin në Shqipëri për të parë gjyshërit e tyre, sepse ishte ky problem i toponimeve. Një problem për të cilin qeveria shqiptare duhet të merrte pjesën e vetë të përgjegjësisë, sepse përgjegjësia s’ishte e tëra në anën tjetër. Por, kishim ne një pjesë tonën të përgjegjësisë. Ne e morëm pjesën tonë të përgjegjësisë, negociuam me dinjitet dhe e zgjidhëm problemin. Sot nuk ka më asnjë pengesë në kufi për të gjithë ata që vijnë dhe futen në Shqipëri, nga Greqia.
Problemi i dytë, pensionet.
Kemi filluar të diskutojmë me të gjitha vendet. Ministri, shumë shpejt, arriti të mbyllë marrëveshjen e parë, – marrëveshje historike, sepse është e para, – me Belgjikën. Pastaj, kaluam me Kanadanë, me Çekinë, me Rumaninë dhe Hungarinë, ndërkohë që kanë filluar negociata dhe po i përfundojmë me Gjermaninë. Që është një vend ku kanë një prezencë të rëndësishme emigrantësh shqiptarë. Po ashtu, jemi në rrugë të mbarë me Austrinë, për t’ju thënë edhe emigrantëve shqiptarë në Austri që mos kini merak se në Shqipëri nuk është vetëm familja juaj, por në Shqipëri ka edhe një qeveri për të cilën edhe ju jeni pjesë e familjes shqiptare. E, nuk është në Shqipëri shteti i askujt për ju.
Kemi filluar të diskutojmë për pjesën më të vështirë, me Italinë dhe me Greqinë. Është pjesa më e vështirë, sepse numri është shumë i madh. Por, ne kemi filluar diskutimet dhe do të vazhdojmë dhe të diskutojmë, as më shumë e as më pak, por të drejtën e të gjithë shqiptarëve që punojnë në dhe të huaj dhe që kanë në fund të jetës së tyre aktive të drejtën njerëzore që të gëzojnë një pension e të mos iu fshihen vitet e punës sikur nuk kanë ekzistuar, kur ata kanë punuar dhe kanë kontribuar.
Kemi një avantazh me Italinë se janë 19 mijë italianë që punojnë në Shqipëri dhe ata duan pension kur të dalin në pension. Po shtohet numri i italianëve që po vijnë në Shqipëri. Filmi i Gianni Amelio-s nuk është më aktual dhe vetë Gianni Amelio sapo ka përfunduar një film tjetër, ku është një italian që vjen në Shqipëri për të kërkuar punë. Parafytyroni, ku?! Në minierë!
E meqë ra fjala për minierën, është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm reforma e arsimit profesional, më në fund, pas kaq vitesh. Pas kaq vitesh kur Shqipëria ka ndërruar sistem dhe në sistemin arsimor, arsimi profesional vazhdonte si vazhdimi i “Punë me dru”, “Punë me metal”. Nuk e di, se për të rinjtë kjo nuk do të thotë asnjë, por këtu ka shumë që nuk janë më aq të rinj sa ç’është ministri dhe kanë bërë në shkollë “Punë me dru”, “Punë me metal”. Edhe në “Lice Artistik”, ne bënim “Punë me dru”, “Punë me metal”. E duhet të zgjidhje, do dru apo do metal. Më kujtohet, ishte një laborator, kishim ca morsa, fusnim drurin ose metalin dhe nuk di çfarë bënim, por na thuhej që ishte profesionale. Ndërkohë që ishin Shkollat e Arsimit Profesional, se atëherë kishte elektricistë, kishte marangozë, kishte të gjitha. Këtu të gjithë telat u vodhën edhe shkolla e elektricistëve, mësuesi, arsim profesional medemek, e tregon llambën në fotografi. –Thotë: “Kjo është llamba”. Pastaj tregon telin, por as tel, as llambë, as lidhje me tregun, asgjë. E kush janë këta budallenj që shkojnë në këto shkolla të arsimit profesional?!
E kjo reformë është transformuese, sepse bëri atë që duhet të ishte bërë që në fillim të tranzicionit. Arsim profesional në demokraci dhe në kapitalizëm, që nuk është i lidhur me tregun, që nuk është i lidhur me sipërmarrjen, nuk ka. Për çfarë arsye do të shkojë në “Punë me dru” dikush, të humbë 2 vjet, e pastaj kush e merr në punë? Ndërkohë që lidhja me tregun dhe kalimi i administrimit të shkollave profesionale tek Ministria juaj është hapi më i parë. Unë jam i bindur që vitet në vijim do të flasin për rezultatin e kësaj reforme shumë të rëndësishme. Ashtu siç edhe sipërmarrja ka filluar të përgjigjet duke hapur ose ndihmuar që të hapen shkollat e arsimit profesional pranë saj. Rasti më i freskët, ai i minierës në Bulqizë.
Faleminderit!
***
Kryeministri Edi Rama ndoqi sot, raportimin publik për 300 ditët e para të punës së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministri Veliaj dhe drejtuesit e njësive në varësi bënë një paraqitje të arritjeve në 300 ditë, bazuar në prioritetet e MMSR-së, por duke theksuar edhe sfidat në vijim.
“Po punojmë të gjithë së bashku, për të pasur një shoqëri me shanse të barabarta dhe solidare. Prandaj, na duhet të bëjmë edhe një milje më shumë për të arritur atje ku duam të jemi”, – u shpreh Ministri Veliaj gjatë fjalës së tij.
Në raportimin e tyre, drejtuesit e MMSR-së dhe institucioneve në përgjegjësi të saj nënvizuan se në 300 ditë u ngrit një rrjet zyrash moderne të punës në vend, por, mbi të gjitha, u rikonceptua roli i tyre si ndërmjetës në krijimin e një partneriteti funksional zyra pune-punëdhënës-punëkërkues. Gjatë kësaj periudhe u ngrit Fondi Kombëtar i Punësimit dhe u trefishua fondi i nxitjes së punësimit.
Për herë të parë u angazhua fondi më i lartë, prej 18 milionë dollarë, për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë ose trashëgimtarë të tyre, duke miratuar edhe ndryshimet ligjore që u jep prioritet atyre që janë gjallë.
MMSR hartoi reformën në sistemin e pensioneve, për të ndërtuar një skemë të re, një reformë e neglizhuar prej shumë vitesh.
Ndryshime rrënjësore ndodhën në skemën e Ndihmës Ekonomike, duke larguar prej saj 20.000 abuzues që e përfitonin me pa të drejtë atë dhe duke e adresuar ndihmën tek personat realisht në nevojë.
Ndër aksionet e para të MMRS ishte edhe fillimi i zbatimit të planit për trajtimin e fenomenit të fëmijëve në situatë rruge dhe trajtimi i problematikës së fëmijëve romë.