Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e dhënë me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit:

Shumë të nderuar pjesëmarrës, miq dhe të ftuar,

I dashur Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar miq, përfaqësues të vendeve partnere, si dhe të vendeve të tjera, të pranishme përmes Trupit Diplomatik në Shqipëri,

Shumë të dashur Klerikë, këtu të pranishëm,

Lufta e Dytë Botërore, e cila e arriti Shqipërinë përpara fillimit zyrtar të saj, i preku të gjithë shqiptarët. Si të gjithë popujt e tjerë edhe shqiptarët u përfshinë në luftën e madhe në forma dhe në role të ndryshme. Një pjesë e rëndësishme u rreshtua në frontin e madh të luftës antifashiste, një pjesë tjetër vijoi mbijetesën e vështirë në kushtet e luftës dhe një pakicë absolute u rreshtua në anën e gabuar të historisë, krah për krah fuqive nazifashiste.

Ky spektër, gjithsesi jo njëngjyrësh qëndrimesh, nuk i dalloi shqiptarët nga asnjë vend tjetër i kontinentit, por është në nderin e shqiptarëve, e shqiptarëve të asaj kohe, që në shumicë absolute u pozicionuan në anën e duhur të historisë, në frontin e madh antifashist, i cili bashkoi në emër të luftës për çlirimin e vendit shqiptarët pa dallim ideje, krahine dhe feje.

Ne përulemi me respekt të thellë përpara kësaj sakrifice të madhe, e cila i dha Shqipërisë të drejtën për t’u rreshtuar në krahun e kombeve të lirë. Dhe ashtu siç e nënvizoi edhe Kryetari i Kuvendit, i dha Shqipërisë mundësinë që t’i shmanget çdolloj përpjekjeje që vazhdoi edhe pas çlirimit, në momentet e para, kur pas luftës u ndanë fitimtarët dhe të humburit, dhe të humburit paguan një çmim shumë të madh, deri dhe me ndarje territoriale të vendeve të tyre.

Me madhështinë e padiskutueshme të saj, lufta dhe më shumë paslufta u shoqëruan me pasoja të rënda anësore, që përpara çlirimit të vendit udhëheqësit e formacioneve kryesore politike dhe ushtarake i shtuan objektivit madhor të luftës, që ishte çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj edhe objektiva të tjerë, ndër të cilët objektivi i marrjes së pushtetit politik. Dhe shtrimi i objektivit të pushtetit politik përpara mbarimit të luftës ishte, në fakt, edhe ai moment që rëndom, sot e gjithë ditën, nxit përpjekjet për të tentuar të komprometojë sakrificat sublime dhe vetë luftën. Përpjekje të dëshpëruara që nuk kanë të bëjnë asgjëkund me ngatërresat fatale të luftës për çlirim me luftën për pushtet politik, të cilat, fatkeqësisht, sot e gjithë ditën, vazhdojnë të ushqejnë dasi mes shqiptarëve.

Si çdo vend në fund të luftës, edhe Shqipëria u përball me luftën e madhe të farkëtimit të plugjeve prej shpatave të luftës. Sfidë të cilën, ashtu si gjysma e Europës, edhe Shqipëria e humbi. Por, ky ishte destinacioni historik i Shqipërisë së pasluftës. Shqipëria, në këtë aspekt, nuk përbën një rast unikal, por përkundrazi, është pjesë e asaj gjysme të perandorisë komuniste që shkoi në një drejtim krejt të gabuar, pasi qëndroi gjatë Luftës në anën e duhur të historisë.

Më lejoni të sjell një shembull, shembullin se në më pak se dy muaj nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në 5 korrik 1945, në Britaninë e Madhe u zhvilluan zgjedhjet politike. Nxjerrja e rezultatit zgjati deri të enjten e 26 korrikut, për shkak të numërimit të votave të rreth 3 milionë ushtarëve britanikë, të cilët ende prisnin nëpër botë mundësinë që të ktheheshin në atdhe. Dhe rezultati i votimeve të para, të nesërmen e një fitoreje që ka hyrë njëherë e përgjithmonë si një nga fitoret më të mëdha në historinë e botës njerëzore, ishin disfata më e jashtëzakonshme elektorale në historinë e demokracisë, përfituesin absolut, udhëzuesin dhe udhëheqësin e padiskutueshëm moral të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill. Me këtë ndëshkim, në thonjëza, historik për heroin botëror të luftës, Britania e Madhe çeli kapitullin e ri të demokracisë, duke dhënë edhe një mësim shpesh herë të pakuptueshëm për përmasën dhe brendësinë e lirisë dhe të demokracisë, dhe për mundësitë e pafundme dhe rrugët e pafundme të lirisë dhe të demokracisë.

Britanikët në korrik të vitit 1945 ndanë qartësisht meritat e luftës nga ambiciet për pasluftën. Dhe pas dorëheqjes, në mbrëmjen e 26 korrikut të vitit 1945, Winston Churchill, që një ditë më parë ishte shkëputur për pak kohë nga Konferenca e Potsdamit, për t’u kthyer përsëri aty ku ishin mbledhur udhëheqësit e tjerë të koalicionit botëror, duhet të vriste mendjen edhe se ku do të sistemohej, pasi shtëpia e tij në Kent ishte shkretuar nga braktisja, ndërkohë që apartamentin e tij në Londër e kishte shitur. Dramë njerëzore e një politikani që, pa as më të voglin dyshim, është një ndër ata që do të mbeten përjetë në historinë e politikës botërore, në mos si yllin me plotëshkëlqimin më të madh, një ndër yjet me plotëshkëlqimin më të madh. Por, nga ana tjetër, dhe një mrekulli e vrazhdë demokratike. E ndërsa kjo dramë me fitues të luftës që humbin zgjedhjet zhvillohej në Londër, në Tiranë ishte mbushur viti që udhëheqësit e luftës ishin sistemuar në zyra, në vila dhe pallate të sekuestruara. Ndërkohë që mijëra të tjerë, me plagët e luftës në trup, i ishin kthyer jetës së vështirë.

Pse e solla këtë krahasim?

E solla për të thënë se, padyshim, ajo çka ndodhi me Shqipërinë e pasluftës ishte një fatkeqësi e madhe që e shoqëroi vendin tonë për dekada me radhë, por dekadat që shoqëruan pasluftën nuk përbëjnë absolutisht asnjë arsye për të keqgjykuar luftën. Dekadat që shoqëruan pasluftën, duke sjellë diçka krejt tjetër në realitetin e gjërave nga ajo çfarë kishin ëndërruar ata që bën luftën, jo vetëm që nuk ndryshon apo rëndon akoma më keq gjykimin për luftëtarët e lirisë, por përkundrazi, përbën një arsye shumë të fortë për t’i ndarë qartësisht të dyja bashkë. Për këtë arsye, përpjekja për të cenuar 29 Nëntorin, nuk është asgjë tjetër veçse një zgjatim i asaj ngatërrese që filloi si luftë për pushtetin politik, brenda luftës çlirimtare dhe nuk ka asnjë lidhje me vetë luftën çlirimtare.

Sot besoj që nuk ka më të voglin dyshim se, sidoqoftë, të gjitha përpjekjet e bëra për ta cenuar apo edhe për ta fshehur 29 Nëntorin pas 28 Nëntorit, kanë dështuar dhe janë të destinuara të dështojnë. Sepse ajo çka erdhi pas luftës nuk ishte produkti i synuar nga lufta, por një deviacion nga ëndrrat dhe nga aspiratat e atyre që e bën luftën. Përkujtimi i luftës jo vetëm që është detyrim, por është, në të njëjtën kohë, edhe një mundësi për të mos harruar kurrë se pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqipëria që kemi sot mund të kishte qenë krejt ndryshe. Dhe jo krejt ndryshe për më mirë, por krejt ndryshe për shumë më keq.

Padyshim, pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ne nuk do të kishim pasur dot mundësinë që të ishim siç jemi sot, krenarë për historinë tonë, për atë moment ku shqiptarët u gjendën në anën e duhur të historisë, si asnjëherë tjetër më parë dhe më qartësisht se kurrë më parë, çka e bëri Shqipërinë dhe shqiptarët edhe aleatë të natyrshëm të atyre aleatëve me të cilët ne bëmë Luftën Nacional Çlirimtare, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe më pas edhe të gjithë Bashkimin Europian.

Në mbyllje, dua t’i rikthehem 29 Nëntorit të vitit ’44, kur, njësoj si sot, Shqipëria festoi me flamurin e vet kombëtar dhe me flamurin e aleatëve të sotëm, aleatëve të sotëm amerikanë, aleatëve të sotëm britanik. Dhe padyshim, kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se nuk është 29 Nëntori nën gjykim dhe se çdo gjykim për atë që erdhi pas 29 Nëntorit asnjëherë nuk do të mund të cenojë dhe të errësojë dritën e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Lavdi përjetë kujtimit të atyre që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare!

Respekt për të gjithë ata që sot e gjithë ditën jetojnë mes nesh si një dëshmi e atij idealizmi pa të cilin Lufta do të ishte e pamundur.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.