Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u uroi sot festat e fundvitit, nëpërmjet një videokonferencë në Ministrinë e Mbrojtjes,  ushtarakëve tanë me misionin paqeruajtës në Afganistan.

“Është privilegj dhe nder i madh për mua që ky pozicion më jep mundësinë të komunikoj me ju dhe t’ju uroj sot nga zemra: Gëzuar Krishtlindjet! Gëzuar Vitin e Ri!”.

Kryeministri, në një bashkëbisedim të ngrohtë me ta, ku ishin të pranishëm edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë, si dhe fëmijë dhe familjarë të ushtarakëve që shërbejnë në Afganistan, u shprehu mirënjohjen për atë çka ata bëjnë në emër të Shqipërisë dhe të paqes.

“Është krenari që ne, një vend i vogël, përmes jush mund të jemi krah për krah aleatëve dhe partnerëve tanë të mëdhenj,” – u shpreh Kryeministri.

Në emër të kontingjenteve që drejtojnë, Nënkolonel Ardian Beqaj, Përfaqësuesi i Lartë pranë Shtabit të ISAF, Kabul, Nënkolonel Leonard Zhupa, Komandanti i Kontingjentit MAT, Kabul dhe Major Pali Dakolli, Komandanti i Kontingjentit “Eagle -7” në Kandahar siguruan Kryeministrin Rama se paqeruajtësit shqiptarë janë plotësisht të motivuar për përmbushjen me sukses dhe me nder të misionit.

“Jam i bindur që deri ditën e fundit do të jeni të përqendruar në realizimin me sukses të misionit. Jam po ashtu i bindur se, krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë të mëdhenj, ju do të merrni të gjithë atë eksperiencë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme për ne, për FA këtu që do të pasurojë më tutje eksperiencën tuaj të përbashkët me kolegët këtu dhe do të jetë një tjetër gur në murin e eksperiencës së Forcave të Armatosura,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri po ashtu shprehu urimet për festat e fundvitit edhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane dhe të vendeve aleate, me të cilat bashkëveprojnë forcat tona në realizimin e me sukses të këtij misioni fisnik, të pranishëm në këtë bashkëbisedim.

“Përshëndetje Eagle-7! Përshëndetje MAT-it! Përshëndetje të gjithëve!” –  nisi fjalën e saj, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke theksuar besimin që Qeveria dhe vendi ka tek ta dhe duke i garantuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Shqipëri.

Ministrja theksoi se donte të përcillte përmes kësaj videokonferencë  edhe njëherë “besimin dhe mbështetjen që Qeveria shqiptare, z. Edi Rama,  ka për  ushtarakët, për familjet e tyre dhe për të gjithë Forcat tona të Armatosura.”

Në përfundim të këtij bashkëbisedimi mjaft emocionues, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Mbrojtjes Kodheli shpërndanë për fëmijët e ushtarakëve paqeruajtës dhurata për festat e fundvitit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.