Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Kreuztanne”, (Udhëkryq) është libri më i ri i artistit Fate Velaj, i cili u prezantua sot për publikun, në mjediset e Galerisë së Arteve në Tiranë

Ky libër, i rrëfyer mbi eksperiencën vetjake të autorit,  sjell për lexuesin historinë e Shqipërisë, pas viteve ’90, aspiratën e një brezi të tërë ëndrrimtarësh që arritën t’i projektonin dhe ndërtonin ëndrrat e tyre, mes sfidash në Europë.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte mes të ftuarve në këtë prezantim, vlerësoi origjinalitetin që mbart ky libër, si një pjesëz e shkëputur jete, të cilën artisti Fate Velaj e sjell me shumë mjeshtri. Duke e vlerësuar librin si një eksperiencë të bukur për lexuesin, Kryeministri Rama i uroi autorit të shtojë në krijimtarinë e tij, vepra të tjera po kaq interesante.  “Është një eksperiencë që padyshim ia vlen, ashtu sikundër më takon të them edhe që pavarësisht çfarë bën me pikturat, pavarësisht çfarë bën me shkrimet, pavarësisht çfarë bën me fotografinë, vepra më spektakolare e Fates është vetvetja. E kur qëllon që njeriu të jetë një personazh siç është Fatja, pastaj gjithçka tjetër nxjerr nga duart, thjeshtë realizon një hije të vetvetes. Unë uroj që këtë hije të vetvetes, ai ta kompletojë sa më bukur e në mënyrë sa më besnike me botën e tij të brendshme, në mënyrë që ta lërë pas edhe për të tjerët. Edhe për ata që nuk kanë fatin ta njohin drejtpërdrejtë. Unë i uroj Fates që të shkruajë edhe libra të tjerë. Jeta e tij është një roman me shumë kapituj. Këtu është vetëm njëri nga kapitujt. Urime!” u shpreh kryeministri për të pranishmit.

Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të jetës kulturore në vend, artistë, shkrimtarë, piktorë, përfaqësues të medias, etj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.