Krijohet Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Shfuqizohet koncesioni në bregdetin e Dhërmiut

Deklarata e Ministres së Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

1-Kam kënaqësinë t’ju komunikoj sot një tjetër premtim të mbajtur, një ndër objektivat e përcaktuara gjatë fushatës elektorale; krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Këshilli i Ministrave miratoi sot, më 22.01.2014, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Vendimi i sotëm i jep një tjetër hov nismave të ndërmarra nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që synojnë mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës bregdetare dhe promovimin e vendit si destinacion turistik.

Agjensia Kombëtare e Bregdetit do të shtrijë veprimtarinë e saj në të gjithë brezin bregdetar të Republikës së Shqipërisë, brez i shpallur nga Këshilli Kombëtar i Territorit si zonë me rëndësi kombëtare.

Agjencia do të organizohet në Drejtori të Përgjithshme, në nivel qendror dhe në katër degë rajonale. Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ketë 30 punonjës dhe shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i ministrisë.

Objektivat e veprimtarisë së kësaj Agjencie janë:

-mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare;

-zbatimi i politikave dhe strategjive, për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;

-bashkërendimi i programeve të lidhura në këtë zonë;

– nxitja e investimeve në zonën bregdetare;

Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të garantojë zbatimin e politikave dhe strategjive kombëtare në këtë zonë, të hartuara për një menaxhimin të integruar të bregdetit, si dhe do të bashkëkoordinojë zbatimin e tyre;

-Në misionin e saj primar, kjo Agjenci ndjek dhe respekton rregullat mbi përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;

-Një nga detyrat kryesore të kësaj agjensie është krijimi i një sistemi rregullash dhe strandartesh për administrimin e hapësirave publike të vijës bregdetare. Kjo me qëllimin për të mirëpërdorur subjektet publike apo private në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

-Agjensia është institucion përgjegjës që monitoron zbatimin e instrumenteve të planifikimit të territorit dhe operon në nivel qendror dhe degë rajonale në zonën bregdetare.

Me krijimin e kësaj Agjencie do të krijohen kushtet e nevojshme për të bashkëpunuar me organizma, investitorë vendas dhe të huaj, si dhe duke i përfshirë ata në projekte konkrete për zhvillimin e bregdetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Dua të theksoj faktin se ky institucion do të punojë ngushtësisht me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë e tyre për koordimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë si për zhvillimin e territorit, ashtu dhe për zhvillimin e turizmit.

Jam besimplotë se kjo Agjensi e porsakrijuar do të jetë një institucion, i cili do të ofrojë garanci të shtuara për zbatimin e projekteve të qëndrueshme, mbrojtjen e brezit bregdetar si dhe peisazhin natyror që përfaqëson, për të kthyer në shërbim të turistëve, edhe vetë të qytetarëve shqiptarë.

2-Njëkohësisht dua t’u bëj me dije, një vendim tjetër të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave sot në përmbushje të prioriteteve të qeverisë për kthimin e Shqipërisë në një destinacion atraktiv turistik dhe rehabilitimin mjedisor në zona me rëndësi kombëtare, kryesisht në bregdet, po ndërmerren ndërhyrjet e nevojshme legjislative, të cilat vlerësohen emergjente për çlirimin e këtyre zonave nga ndërtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme, në dëm të interesave të qytetarëve.

Një nga vendimet që u mor sot në Këshillin e Ministrave me propozim të Ministrisë së Zhvillimit  Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ishte vendimi për shfuqizimin e projektit koncesionar i parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. Konsiderohet në fakt si një hap i rëndësishëm i iniciativës qeveritare e cila do të thellohet dhe do të vazhdojë më tej me marrjen e masave te mëtejshme të karakterit legjislativ, duke synuar kthimin e plazhit dhe të brezit bregdetar për përdorim në interes të publikut.