Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputetja Jozefina Topalli:

Lejomëni fillimisht të përfitoj nga rasti për t’ju shprehur të gjithëve ju, përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ngushëllimet e mia për humbjen e mikut e kolegut tuaj Ferdinand Poni.
Ish-drejtuesja e këtij Kuvendi më ka thirrur në këtë interpelancë dhe e falenderoj për mundësinë që më jep, për të ballafaquar këndvështrimet tona lidhur me situatën e sigurisë në vend, nën dritën e fakteve e shifrave.
Dhe dua ta nis me dy fakte:
E para, e këtu e ftoj zonjën Jozefinë ta ndajmë së bashku kënaqësinë, tanimë çdo deputet është i sigurt se jo vetëm ne nuk i shmangemi asnjë interpelance parlamentare, po përkundrazi; i përgjigjemi çdo interesimi të kësaj forme nga ana e deputetëve brenda afateve të rregullores, madje edhe shumë para afateve siç është ky rast sot. Kjo është një arritje e padiskutueshme e 23 qershorit të shkuar, që i dha fund sjelljes shpërfillëse të pushtetit ndaj opozitës në këtë sallë dhe për këtë arritje e ftoj zonjën dhe gjithë opozitën të gëzohet bashkë me ne.
E dyta, mu këtu, në këtë foltore, lideri i Partisë Demokratike, ka premtuar se do të kërkojë ndjesë publike në rast se shifra jozyrtare e të vdekurve, mbi 50 vetë, që sipas partisë së tij, janë vrarë nga mesi i shtatorit në mesin e janarit, do të rezultonte e pavërtetë. Kjo është dita ta kërkojë ndjesën përmes jush Jozefinë, për lojën makabre politike me shifra qëllimisht të fryra vrasjesh. Sepse deri në fundin e shkurtit numri i viktimave është më pak se 50, ndërsa numri i vrasjeve vetëm 43; ndërkohë që, për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur qeveriste Partia Demokratike, viktimat kanë qenë 73 dhe vrasjet 64.
Pra, edhe pse ne vetë nuk jemi aspak të kënaqur me gjithë sa kemi arritur në më pak se gjashtë muaj, i kemi ulur në një të tretën, fiks 33%, edhe numrin e vrasjeve, edhe numrin e viktimave.
Ju, edhe për gjendjen e sigurisë e të Policisë së Shtetit ashtu si për çdo gjë, bëni sikur keni rënë nga qielli; sikur nuk ishit ju që u larguat nga qeveria me një votë plebishitare, në radhë të parë sepse e latë vendin dhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në mëshirën e pasigurisë; sikur nuk ishit ju që e latë Policinë e Shtetit me moshën më të vjetër mesatare në rajon e në Europë, ashtu sikundër e latë me mbi 70% të trupës me arsim të mesëm – një shifër marramendëse që nuk e gjen askund në rajon e në Europë, e cila tregon se për ju, Policia e Shtetit ishte shumë më tepër një mundësi për asistencë sociale për të papunët e pashkolluar, se sa forca e shtetit në mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike.
Ju bëni sikur s’keni asnjë lidhje me policinë e rrënuar, të tradhtuar e të demotivuar që na latë në dorëzim më pak se gjashtë muaj më parë; sikur s’jeni ju që e tkurrët Policinë e Shtetit në atë me numrin më të ulët të policëve për frymë popullsie në rajon e në Europë; sikur s’jeni ju që i ulët në nivelet më të ftohta pas luftës së ftohtë marrëdhëniet e bashkëpunimit policor me partnerët tanë.
Ju pra ju ishit në pushtet, kur Departamenti i Shtetit shkruante e zeza mbi të bardhë për lidhjet e krimit me zyrtarët e lartë të policisë dhe kur, mbi bazën e këtyre lidhjeve, deri më pak se gjashtë muaj më parë në kupolën e policisë shtetit merreshin para nga personat në kërkim ndërkombëtar në këmbim të qarkullimit të tyre lirisht nëpër Shqipëri. Për të njëjtën periudhë, messhtator – fundshkurt të krahasuar me një vit më parë, janë kapur më shumë se dyfishi i këtyre kriminelëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të rënda, ekzaktësisht 160% më shumë. Dhe kjo rritje eksponenciale e forcës goditëse të policisë ndaj kësaj kategorie ndërkombëtarisht të rrezikshme, ka ardhur në radhë të parë, thjesht falë këputjes së lidhjeve të krimit të organizuar me zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit.
Ju keni marrë përsipër të tregoni, në fakt t’i tregoni botës e Bashkimit Europian në radhë të parë, se në Shqipëri po bëhet një kasaphanë e madhe me Policinë e Shtetit e me administratën publike në tërësi. E keni kthyer çdo rrugë komunikimi me publikun e me këdo që ju dëgjon jashtë Shqipërisë, në një rrugë dizinformimi të qëllimtë, fabrikoni shifra, sajoni e shtrembëroni fakte, kujtoni se dëmtoni qeverinë po në fakt jo, dëmi që i bëni qeverisë, është asgjë në krahasim me dëmin që i bëni vendit, shoqërisë dhe vetes padyshim.
Kjo shumicë ka një mision dhe një mandat shumë të qartë: Të bëjë shtet! Kjo qeveri ka një qëllim dhe një mandat shumë të qartë: Të ndryshojë Shqipërinë! Ne nuk jemi as të përsosur, as të pagabueshëm. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para vendit e para njerëzve të këtij vendi.
Prandaj po ju’a përsëris, ne do t’i dëgjojmë të gjithë, edhe juve, me durim e respekt, por do të vendosim dhe do të udhëheqim me vendosmëri. E dëgjomëni me vëmendje, pas gjashtë muajsh të tjerë, faktet e shifrat në rend e në ekonomi, do të flasin shumë më fort se sa sot për dallimin e qartë mes nesh e jush; mes dobisë së punës sonë dhe verbërisë së pozicionit tuaj.
Ju rrekeni t’i mbushni mendjen dynjasë se Policia e Shtetit po humbet profesionistët e vërtetë në atë që e quani valë largimesh të paligjshme. Flisni për mijëra të larguar padrejtësisht dhe për po aq të emëruar padrejtësisht. Po faktet dhe shifrat çfarë thonë? Si gjithmonë faktet dhe shifrat flasin shumë më ndryshe, aq shumë më ndryshe sa ç’ndryshojmë në fakt ne dhe ju, keqqeverisja juaj e tetë viteve rresht dhe mirëqeverisja jonë e këtyre gjashtë muajve të parë.
Nga mes shtatori 2013, kur ne erdhëm në qeveri, deri më fund shkurtin e këtij viti janë liruar nga detyra 378 punonjës policie, ndërsa nga shtatori 2005 dhe në 2006, kur ju morët qeverinë, larguat nga policia 1003 punonjës. Ndërsa në gjithë harkun kohor të qeverisjes suaj, e dini sa keni larguar? 3188 punonjës policie!
Mirë i larguat, po për çfarë i larguat? Për të ulur moshën shumë të vjetër mesatare të policisë? Jo, fare. Për të rritur mesataren shumë të ulët të arsimimit të punonjësve të policisë? Jo, fare. Apo i larguat për të rritur profesionalizmin në polici? Jo, asgjëkund.
Vetëm Sekretari juaj i Përgjithshëm në MPB, kishte të punësuar brenda kësaj ministrie 2 kunetër, nipin e gruas, mbesën e gruas, nipin e tij dhe dy kushërinj të tjerë. Drejtori juaj i SHKB, kishte edhe të dy vëllezërit e punësuar në ministri. Nuk po vazhdoj më tutje me motra, vëllezër, kunetër, nipër e mbesa, të disave këtu në anën time të djathtë, që kishin gjetur strehë deri dje në Ministrinë e Brendshme. Nuk po vazhdoj ende më tutje as me plot 44 persona, të cilët ose ishin anëtarë të Forumeve Drejtuese të Partisë Demokratike, ose kishin lidhje të drejtpërdrejta gjaku me drejtues të lartë të Partisë Demokratike, dhe vetëm për këto merita merrnin rrogë në Ministrinë e Brendshme. Nuk povazhdoj as me listën e gjatë të të rekrutuarve prej jush në polici, në pozicione drejtuese të policisë, me kurs gjashtëmujor plepash, me shkollë fizkulture, me studime veterinare, apo me shkolla të larta pa asnjë lidhje e asnjë trajnim të vetëm policor ose të tjerë që certifikate të vetme trajnimi kishin precedentët penalë.
Thjesht po ju’a përmend shkarazi këto arritje tuajat në rrugën e rrënimit të policisë, për të vazhduar më tutje me këtë pyetje retorike:
Çfarë donit apo doni ju? Donit që ne t’ju mbanim në punë tërë lukuninë e familjarëve tuaj në Ministrinë e Brendshme apo doni që ne të pajtohemi me trashëgiminë tuaj poshtëruese për ambicien e Shqipërisë Europiane në Policinë e Shtetit?
Mos vallë donit që të mos kapeshin e sekuestroheshin 12 kg e 569.6 gram kokainë më tepër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë? Apo mos donit që të mos kapeshin e sekuestroheshin 2 ton e 853 kg e 282.7 gram më tepër kanabis sesa e njëjta periudhë e një viti më parë? Më e bukura me ju është se, përpara shifrave kuptimplota të rritjes së forcës goditëse të policisë kundër trafikut dhe trafikantëve të drogës, nuk thoni dot që s’po kapet shumë më tepër drogë se deri gjashtë muaj më parë, po thoni se këto shifra na treguakan se është prodhuar më shumë drogë në Shqipëri!
Po kur u prodhua kjo drogë o të lumët ju? Kur u mboll? Kur u korr? Kur u la e u tha?
Është e vërtetë, 23 qershori solli një pranverë politike në Shqipëri, po jo stinën e mbjelljes së drogës që po kapet me sasi të panjohura më parë qysh prej messhtatorit 2013.
Po kaq e vërtetë është edhe se tritoli, ky fenomen kaq problematik me të cilin përballemi, nuk u shfaq në këta gjashtë muaj si një sëmundje e re për rendin publik në Shqipëri, po ka ekzistuar si një problem i rëndë prej kohësh. Mjaft të shohim shifrat e vitit 2013:
Nga 87 raste të përdorimit të eksplozivit, 60 prej tyre kanë ndodhur nga janari në mesin e shtatorit dhe 27 të tjera, ose 31% kanë ndodhur deri në fund të dhjetorit (në një trend kohor të njëjtë duhet thënë) – ndërkohë që në muajin shkurt shihet një rënie e ndjeshme, e cila ne jemi shpresëplotë se do të kthehet në trend në muajt në vijim.
Dua të jem shumë i qartë sot dhe dua ta përsëris me të njëjtën qartësi atë që kam përsëritur disa herë në këtë tribunë:
Ne nuk jemi aspak të kënaqur me faktet e shifrat që tregojnë se dimë të qeverisim shumë më mirë se ju, këto shifra për ne janë shumë relative. Ne nuk krahasohemi me ju, sfida jonë është të rilindim Shqipërinë dhe ta bëjmë vendin tonë një hapësirë shembullore sigurie, inovacioni dhe progresi të vazhdueshëm.
Ashtu si në çdo fushë, edhe në këtë fushë ku gjetëm veç rrënim e mina nga të katër anët, ne po punojmë ditë-natë, nga njëra anë për të rivendosur shtetin e institucionet në krye të detyrës së përditshme, dhe nga ana tjetër për t’i reformuar rrënjësisht shtetin e institucionet në funksion të transformimit rrënjësor e progresit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
Zotimi ynë para popullit ka qenë i qartë:
Do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditësh.
Ky është një zotim i mbajtur që sot edhe pse në fund të këtij 300 ditshi gjithçka lidhet me këtë zotim do të flasë në mënyrë shumë më kumbuese.
Por paralelisht, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë amerikanë e europianë, me misionet dhe ekspertët ndërkombëtarë e të huaj, ne tanimë jemi në përfundim të një pune tejet voluminoze në tryezën tonë të reformave. Një paketë e plotë prej 19 projektligjesh e aktesh, do t’i jepet pjesë – pjesë, nga javët në vijim e deri në fund të qershorit qeverisë, publikut dhe parlamentit, në funksion të reformimit rrënjësor të Policisë së Shtetit. Ky reformim që përbën tërësinë më të plotë të masave transformuese për Policinë e Shtetit në njëzet vjetët e fundit, do të na japë mundësinë më tutje, të krahasohemi jo më me ju, me të shkuarën e me shifrat e rrënimit të gjithanshëm ku na e latë vendin, po me më të mirët në rajonin ku jetojmë.
Më pak se gjashtë muaj më parë, ne erdhëm në qeveri pas një zgjedhjeje të qartë të shqiptarëve mes rrënimit dhe rilindjes, mes izolimit në vathën e sukseseve imagjinare dhe ecjes më shpejt drejt arritjeve reale, mes taksës së sheshtë dhe taksimit të ndershëm, mes keqqeverisjes në interes të disave dhe mirëqeverisjes në shërbim të të gjithëve.
Sot ju vazhdoni politikën e rrënimit, duke bërë politikë me krimin, ndërsa ne kemi rilindur Policinë e Shtetit, duke ecur më shpejt drejt arritjeve reale në luftën kundër krimit; sot ju vazhdoni të qani taksën e sheshtë, duke qarë lekët më shumë që i paguani shtetit nga rrogat tuaja, ndërsa ne përmes rritjes së rrogave dhe taksimit të ndershëm, u kemi dhënë punonjësve të policisë stimulin më të madh moral e financiar në këto njëzet vjet, duke i dyfishuar të ardhurat e tyre mujore; sot ju vazhdoni të bëni sikur keni rënë nga qielli duke ju’a kujtuar përditë shqiptarëve keqqeverisjen tuaj dhe duke u provuar atyre përditë po ashtu se sa pak ju rreh për fatin e tyre e të Shqipërisë, ndërsa ne çdo ditë japim provën se qeverisim për ta, jo për vete, duke respektuar lirinë e tyre, duke u përpjekur për të drejtat e tyre, duke luftuar për ëndrrat e shpresat e tyre.
Unë e di fort mirë se sa shumë shqiptarët presin nga ne. E di fort mirë se sa shumë e kanë pritur ditën e çlirimit prej keqqeverisjes suaj. E di shumë mirë se sa vuajnë edhe sot e gjithë ditën nga papunësia e kudondodhur, nga mosmarrja kudo e shërbimeve që meritojnë, por e di po aq mirë se çdo shqiptar që beson tek gjërat që arrihen me punë, na kupton plotësisht kur i themi se çka u shkatërrua e ngatërrua kaq keq në shumë vite, nuk mund të rindërtohet e të sistemohet në pak muaj.
Koha do të provojë se sa i dobishëm ishte për Shqipërinë e për shqiptarët investimi i votës së 23 qershorit në kutizën e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ndërkohë që tanimë, koha e ka provuar, se nga ç’kthetra injorance të egër e babëzie të pashërueshme kanë shpëtuar shqiptarët në 23 qershor.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.