Në mbledhjen e sotme të qeverisë do të merren në shqyrtim disa vendime të rëndësishme për të cilat kryeministri Edi Rama komentoi në një prononcim të dhënë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.
Kryeministri bëri të ditur se në mbledhjen e sotme do të diskutohet vendimi lidhur me amnistinë e fundvitit për të dënuarit, ku përfitueset kryesore do të jenë gra. “Në mbledhjen e qeverisë pas pak kemi këtë vendim për të marrë e besoj që përfitueset kryesore do të jenë gratë. Unë do kisha dashur më shumë se kaq, në raport me gratë, por jam në minorancë në këtë aspekt. Unë doja një amnisti totale për gratë. Tani është një debat i madh në lidhje me gratë që kanë vrarë burrat që të jemi të qartë e ky debat nuk është një debat politik, është një debat juridik, është një debat shumë i komplikuar se sa thjesht dëshira apo qëllimi i mirë nga ana ime. Kemi pasur disa debate në fakt e nuk është se nuk e mbështesim në kuptimin që gratë nuk duan gratë, por vrasjen e burrave nuk e shohin si një krim që mund të amnistohet me një të rënë të lapsit dhe unë mendoj që kanë të drejtë nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja e vijimësisë. Thjesht unë nuk i kisha hyrë më thellë në këtë aspekt por instinktivisht mendoja që mund të bëhej diçka e tillë, e plotë. Por amnistia do të jetë e konsiderueshme për gratë, nuk diskutohet kjo. Do përfitojnë një pjesë e madhe e grave që sot po vuajnë në burg,” – u shpreh ai.
Një tjetër çështje për të cilën do të diskutohet është edhe ai i shpërblimeve të fundvitit, për të cilat kryeministri u shpreh se: “Situata nuk është normale, ju e dini shumë mirë dhe jemi shumë të kujdesshëm sepse ndërkohë që nuk duam të prekim asnjë prioritet dhe nuk duam të prekim asnjë pjesë të procesit të përgjithshëm të qeverisjes dhe të impaktit të këtij procesi me njerëzit, duhet të matemi mirë për arsye se dëmet janë dhe nuk e dimë sot se sa do të arrijmë të marrim si mbështetje financiare. Ne e kemi marrë përsipër dhe kemi skenarin e përballimit të situatës, qoftë dhe sikur të mbetemi vetëm, por kjo do të thotë që duhet pastaj të prekim të tjera gjëra. Kështu që jemi pak në këtë fazë që duam të mos cenojmë prioritetet dhe siç e kemi parë, prioritetet nuk janë cenuar deri tani që flasim, por ndërkohë nuk duam të shpenzojmë përpara muajit shkurt kur do të kuptojmë përfundimisht se çfarë do të jetë në aspektin e mbështetjes financiare kontributi i miqve dhe i partnerëve në mënyrë që të kemi pastaj një qartësi mbi çfarë do bëjmë më mbrapa.”