Kryeministri Edi Rama në një nga sesionet e nivelit të lartë të Forumit të Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron. Edhe këtë vit, personalitete të rëndësishme nga e gjithë bota janë mbledhur për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin global.
***
Mirëdita, mirëdita zonja dhe zotërinj, dhe mirë se erdhët në këtë sesion të nivelit të lartë të forumit të paqes së Parisit. Unë jam Gilles Gressani dhe jam themelues i Le Grand Continent. Kam shumë kënaqësi që gjendem sot këtu me ju për të moderuar bisedën me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, për diplomacinë në një botë të përçarë, udhëheqjen rajonale dhe të ardhmen e rendit shumëpalësh.
Pra, zoti kryeministër, mirëserdhët! Natyrisht, nuk keni nevojë për shumë prezantim, por të them pak fakte të shkurtra, siç e dini, Kryeministri Rama është një nga udhëheqësit më me ndikim në kontinentin tonë. Ka qenë kryeministër që prej 2013-s, dhe sapo ka marrë një mandat të ri në maj. E dyta, që ndoshta pak e dinë, është që ai ka studiuar e jetuar në Paris, në Beaux-Art.
Kryeministri Edi Rama: Ky është lajm i rremë.
A mund ta shtjellosh pak?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk kam studiuar këtu. Erdha, me një, po themi rezidencë në Cité des Arts, një fellowship, është si SHBA-ja dhe Kina. Dy vende janë, por janë ndryshe nga njëri-tjetri.
Po mund të takohen ata dhe të flasin, dhe më së fundi, duke qenë se jemi këtu në forumin e paqes Parisit është e rëndësishme për ne të pranojmë që ju, zoti kryeministër, keni zgjidhur një konflikt afatgjatë me rivalin tuaj historik. Keni nënshkruar marrëveshjen e paqes dhe i keni dhënë fund konfliktit Armeni dhe Azerbajxhan.
Kryeministri Edi Rama: E kishe fjalën për Azerbajxhan – Shqipëri, sepse thatë Armeni dhe do zemërosh presidentin tënd, jo mua, sepse është përpjekur për kaq shumë kohë, por nuk ia doli.
Me këtë, le të hyjmë në bisedën tonë. Pyetja e parë, zoti kryeministër, është. Si e ndjeni, si e shihni gjithë këtë trazim që po ndodh nga këndvështrimi juaj? Çfarë po ndryshon në rendin global?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, unë besoj e meqë ra fjala, unë sapo vij nga Riyadh ku u pata nderin të isha i ftuar nga forumi për nisma e forumit të investimeve për të ardhmen, FII në një vend të jashtëzakonshëm, jo për shkak të numrit të pazakontë të njerëzve, 7000 pjesëmarrës, por falë asaj çfarë përfaqësonin në çështjet globale, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin, novacionin dhe teknologjinë. Kur ke mundësinë të gjendesh në atë pjesë të botës, e kupton që në këtë pjesën tonë të botës ne duhet të bëjmë një dush përulësie sepse edhe sot, edhe pse bota po ekspozon tërësisht ujërat që ziejnë në marrëdhëniet midis vendeve, të qasjeve përkundrejt gjërave themelore, ne vazhdojmë të mendojmë që ka diçka që nuk shkon me botën dhe që është vetëm një moment në kohë dhe gjërat do të kthehen siç ishin, sepse ne dhe kur them ne, nuk flas për Shqipërinë, flas për Perëndimin dhe sidomos për Europën, mendojmë se kemi legjitimitetin moral, që na është blatuar nga ndonjë urdhër hyjnor dhe mundësinë për të gjykuar të tjerët dhe për të besuar se ne jemi pika e referencës se si duhet të jetë bota, dhe kjo është thelbësisht e gabuar.
Çfarë do të thotë kjo që është thelbësisht e gabuar? Nuk është efektive?
Kryeministri Edi Rama: Është krejt e gabuar, nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë dhe është një lloj vetëkënaqjeje që sipas mendimit tim mjaft modest, ka nisur të bëhet gjithmonë e më i dëmshëm si këndvështrim dhe gjithmonë e më pak i dobishëm edhe për atë vetëbesimin për të cilin kemi nevojë të gjithë. Unë besoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye të këtij viti dhe po flas për atë që Donald Trump e përshkroi si plani preciz i Zotit për ta shpëtuar, në mënyrë që të shpëtonte Amerikën. Është sipas meje, diçka që nëse Zoti kishte vërtetë një plan, pjesë e këtij plani ishte dhe të zgjonte Europën. Nuk po e shoh Europën të zgjohet, të zgjohet në mënyrën siç duhet, ka një zgjim, nëse mund ta quajmë kështu, në shumë përpjekje që po bëhen nga presidentja e Komisionit, nga udhëheqësit që po përpiqen t’i çojnë gjërat përpara dhe në këtë shtysë shumë të fortë për të ndryshuar qëndrimin në raport me idenë e mbrojtjes, por sipas mendimit tim, sërish, kjo është diçka mjaft e fragmentarizuar. Është më pak se e mjaftueshme dhe mund të bëhet e rrezikshme në një periudhë afatmesme.
Çfarë nënkupton me e rrezikshme?
Kryeministri Edi Rama: E rrezikshme në kuptimin që për mua është mjaft shqetësuese që ende sot, edhe pas asaj çfarë ka ndodhur me jashtë-kontraktimin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian që ka qëndruar në autopilotin e SHBA-së ende nuk ka një plan europian paqeje. Ka vetëm një qasje binare ndaj një konflikti që ka potencial të jashtëzakonshëm për të degjeneruar në diçka katastrofike.
Edhe unë nuk po kundërshtoj këtë pjesë por ndihem shumë i shqetësuar për pjesën që mungon, diplomacinë dhe planifikimin për paqe, çfarë do të jetë, sido që të duket, por paralelisht me luftimin, pra, me bërjen e luftës dhe mbështetjen e Ukrainës, dhe me shumë të drejtë, Bashkimi Europian duhet të ketë planin e vet të paqes dhe duhet të ketë komunikimin e vet të drejtpërdrejt me Rusinë dhe me këdo tjetër që gjendet në mes apo nga ana tjetër.
Mendoni që Rusia do paqen?
Kryeministri Edi Rama: Po nuk ka të bëjë me atë çfarë do Rusia. A donte Hamasi paqe? A do ndonjëherë Hamasi të ketë paqe? Nuk e besoj për një sekondë që të jetë e vërtetë një gjë e tillë, por nëse duam të luftojmë e të mbijetojmë në emër të asaj çfarë përfaqësojmë, do duhet të bëjmë atë që duhet bërë, ka të bëjë me atë çfarë duam ne, nuk ka të bëjë me atë çfarë duan të tjerët. E ka të bëjë me faktin që ne duhet të përpiqemi të bëjmë gjithçka që duam në emër të asaj çfarë përfaqësojmë, edhe me shansin që pala tjetër nuk do të përgjigjet asnjëherë, por duhet të bësh atë që duhet të bësh. Nuk mund të refuzosh të mendosh për paqen, sepse tjetri është kaq i keq, saqë mund të mos ta dojë. Mund të mos ta dojë. Unë nuk e di nëse e do apo jo. Putini e kam fjalën, por di një gjë, duke bërë atë që po bëjmë, po bëhemi çdo ditë e më pak të rëndësishëm.
Më lini të kuptoj qartësisht atë çfarë po thoni, sepse në thelb po thoni që nuk e dini nëse Putin do paqe apo luftë.
Kryeministri Edi Rama: Jo, që Putin do luftë është e qartë çdo ditë.
Atëherë, në këtë rast, si mund të bëjmë diplomaci pa e detyruar që të angazhohet në rrugë diplomatike?
Kryeministri Edi Rama: Diplomacia është diçka që bëhet përditë. Edhe një herë, duke marrë shembullin e Izraelit dhe Hamasit. Kanë vrarë njëri-tjetrin në forma e mënyra që ishin ekstreme, por flasin përditë. Pra, kishin kanalet dhe negocionin çdo ditë. Në këndvështrimin tim derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara hyri dhe çeli shtegun për bisedime, unë nuk jam historian dhe e marr të mirëqenë padijen time, por besoj që është konflikti i parë i madh, pa asnjë kanal të pasëm, pa asnjë diskutim dhe pa asgjë, dhe kur mendon se sa shumë fuqi bërthamore janë përfshirë në këtë konflikt, që nuk flasin, por luftojnë, duket si një luftë shfarosëse sepse çfarëdo të ndodhë, unë nuk mendoj që Rusia do të ikë nga aty ku është. Ka qënë aty, është aty, do të jetë aty, ashtu siç edhe gjithë vendet e tjera dhe Putin nuk do të jetë aty gjithmonë..
Por pyetja është, a mund të qëndrojë Ukraina si një vend i pavarur në të njëjtën kohë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, kur vjen fjala për Ukrainën dhe më duhet ta sqaroj, sepse e di që ndonjëherë është mjaft delikate të flasësh në mjedisin perëndimor pa u etiketuar, po më duhet të sqaroj që unë përfaqësoj një vend, Shqipërinë, që nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Apo le të themi, ka shkallën më të ulët të raportit me Rusinë në Europë dhe përfaqësoj të vetmin vend në këtë kontinent, ku asnjë udhëheqës rus nuk ka ardhur qysh prej viteve 1960, e prej nga ku asnjë nga udhëheqësit nuk ka luftuar drejt Rusisë. Ky është niveli i marrëdhënieve.
Pra i patëm gjatë komunizmit, i patëm në formën më të keqe, sepse vazhduam të qëndronim stalinistë, edhe kur ata e braktisën Stalinin. Nuk na merr malli për ta. Kurrë në këta 35 vjet nuk kemi pasur, jo vetëm vizita të nivelit të lartë nga Rusia, por as para ruse, nuk na pëlqejnë. Pra, ky jam unë dhe këtë përfaqësoj, por për t’iu kthyer diskutimit, unë besoj që Europa po humbet atë që është kryesorja. Atëherë, çfarë po ndodh? Çfarë do të thotë që të mos kesh asnjë reflektim, pasi është bërë një luftë? Që nuk ka asnjë komunikim dhe jo vetëm komunikim, po edhe pa takuar, ose duke, si të thuash, u kthyer ndaj dikujt që u sulmua sepse pati një pikëpamje të ndryshme dhe po flas për Orbanin dhe patëm një qëndrim të ndryshëm në Uashington. Dhe u përmend fjala ‘’armëpushim’’, një fjalë që kur Viktor Orban e përmendi, u shpërfill, u përçmua si të ishte një fjalë e pistë. Ndërkohë kjo fjalë u zbulua në diplomacinë evropiane në këto rrethe dhe gjithkush filloi të fliste për ‘’armëpushim’’, por pa gjejeni, ishte shumë vonë. E si të mos çojë kjo në reflektim? Europa duhet të ketë autonominë e saj së paku. Unë besoj pavarësinë e vet, por së paku autonominë e saj, politikën e saj të jashtme, planin e saj të paqes dhe të bëjë luftën. Unë nuk po them ‘’rresht luftën’’, unë nuk po them t’i japim Putinit gjithçka ka marrë e gjithçka do. Jo, jo, nuk po them asgjë të tillë, po them; ‘’bëje luftën, por përgatitu për paqen’’.
Mendoni që Shqipëria duhet të luajë rol?
Kryeministri Edi Rama: Jo, dëgjo, unë jam më i gjati mes të gjithëve, përfshirë dhe presidentin tuaj, por përfaqësoj një vend që është shumë i vogël për të luajtur çfarëdolloj roli, flas, të llojit që të mund të ndryshojë trajektoren e ndonjë gjëje, jam shumë i vetëdijshëm për këtë, Ju më ftuat dhe po ju them çfarë mendoj, por tjetërsoj nuk duhet as të isha këtu, nëqoftëse do të merrnim në konsideratë madhësinë e vendit. Pra këto janë dy gjëra të ndryshme. Si europian që përfaqëson një vend të vogël, pavarësisht madhësisë së tij, unë besoj se më duhet tu dal për zot mendimeve të mia dhe vendit tim. Pastaj, nëse ky mendimi im është i duhur apo i gabuar, nuk ka rëndësi, sepse nëqoftëse mendimi im është i gabuar, nuk vjen asnjë dëm. Por nëqoftëse mendimet e atyre të tjerëve që nuk janë kaq të gjatë sa unë, por kanë pas tyre vende mjaft të mëdha, nuk janë të duhur, atëherë problemet, problemi është i madh. E kupton?
Po, po, e kuptoj shumë mirë. Për ta sqaruar, unë jam nga Italia, kështu që presidenti im nuk është saktësisht ai të cilit iu referuat.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, jeni nga Italia, jeni nga një Shqipëri e madhe në shumë mënyra.
Giorgia Meloni do të ishte absolutisht dakord.
Kryeministri Edi Rama: Pra, italianët janë shqiptarë veshur me Versace. Është e vërtetë që keni një kryeministre, një grua të shkëlqyer, siç Trumpi do të thoshte një grua të mrekullueshme dhe jam dakord që nuk është e gjatë, por më besoni, që kur merr fjalën, është më e gjatë se unë. Sa për ta ditur, sepse në sytë e tu shoh shumë të majtë. Unë jam vetë socialist, edhe pse nuk jam fort i sigurt se çfarë nënkupton ditët e sotme, për shembull, socialistët francezë, e po të them që jam socialist në Francë, nuk dua që njerëzit të mendojnë se kam vdekur.
A mendoni që anëtarësia në Bashkimin Europian është e vlefshme për Shqipërinë? Sepse duket sikur po i referoheni një forme shumë ndryshe të BE-së. Një forme ‘’më të Orbanizuar”?
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo. Mos na ço këtu. Nuk është e vërtetë. E shihni si funksionon? Sa tmerrësisht keq funksionon, sepse unë thashë diçka për dikë, lidhur me një opinion për një temë dhe më quajtët ‘’Orbanist’’. Ai është miku im, si të gjithë ata që janë miqtë e mi, sepse tashmë u bë ca kohë në këtë punë dhe kam parë shumë prej tyre të ikin e të vijnë, por unë nuk jam një Orbanist.
Nuk thashë që ju jeni një Orbanist.
Kryeministri Edi Rama: Unë kam një mendim tërësisht ndryshe nga Viktori, kur vjen fjala për Bashkimin Europian. Besoj që Bashkimi Europian është projekti më i jashtëzakonshëm politik që njerëzimi ka përfytyruar ndonjëherë, ashtu siç besoj që një prej njerëzve më të mëdhenj që ka bërë politikë, është dikush që quhej Charles de Gaulle, një europianist i madh. Besoj që Bashkimi Europian është bekimi që kemi të gjithë ne, përfshirë edhe francezët, të cilëve kurrë nuk iu pëlqen diçka për një kohë të gjatë dhe besoj që për ne, Shqipëria në Bashkimin Europian është pikërisht ajo çfarë mund të quhet bekim, sepse po të ishim ajo çfarë ishim pas 50 vjetësh, Kore e Veriut e Europës; pas 50 vjetësh izolim tërësor nga të gjithë, sepse ishim izoluar nga Perëndimi e Lindja; pas 50 vjetësh diktaturë gjakatare varfërie dhe Bashkimi Europian nuk do të ishte aty, do të kishin pasur të njëjtin fat si Afganistani, Iraku apo kushdo tjetër.
Flasim për vende ku amerikanët shkojnë të ndreqin gjërat me bomba dhe kur largohen, gjërat janë më keq se ç‘ishin në fillim. Për këtë po flas. Bashkimi Europian është diçka që çdo europian, përfshirë francezët, duhet ta gëzojnë si dhuratë nga etërit themelues, e që nuk duhet rrezikuar aspak. Të gjitha ato teori për daljen nga Bashkimi Europian, për faktin që Bashkimi Europian është problemi, janë krejt të pabazuara. Dhe ashtu siç miqtë tanë të dashur e të keq këshilluar po tregojnë, është që të largohesh nga Bashkimi Europian; ështëtë lësh një martesë e të hysh në një makth. Martesa është komplekse, por të largohesh prej saj është një makth kështu që mos bëj të njëjtin gabim. Ju nuk e bëni sepse ti je italian.
Po jam italian dhe i majtë.
Kryeministri Edi Rama: Një specie mjaft e rrallë, mesa duket. Italian dhe i majtë është e rrallë. Në fakt, kjo është ajo çfarë gjen në rrugë kudo. Çfarë të thuash me këtë? Prandaj dhe unë dyshoj ndonjëherë veten kur them edhe unë jam i i majtë.
Le të ecim përpara. Nesër Donald Trampi do të takohet me Xi Jinping. Çfarë mendoni për këtë mega marrëveshje, për të cilën flasin të gjithë. A ndjen ndonjë lloj forme?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, dëgjoni. Unë nuk fola me ta mbrëmë, sepse, siç iu thashë, isha në Riad. Kështu që s’pata kohë që t’i merrja në telefon e t’i thosha ‘’çfarë do bëni nesër’’. Por vlerësimi im është shumë i thjeshtë, që çdo marrëveshje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo e anasjellta, është e mirë për të gjithë dhe çdo konflikt midis tyre është keq për të gjithë. Kjo është ideja ime kaq e thjeshtë.
Edhe një marrëveshje ku Tajvani…
Kryeministri Edi Rama: Po pse shkon tek skenarët katastrofikë gjithmonë?
Kjo është puna ime.
Kryeministri Edi Rama: Je i martuar apo ende beqar?
Mendoj që kjo marrëdhënie me ju po ecën shumë shpejt.
Kryeministri Edi Rama: Po mund të ma thuash, mund të ma thuash.
Jo, nuk jam i martuar.
Kryeministri Edi Rama: Nuk je i martuar. Po të duash një martesë të lumtur, mos shko tek skenarët katastrofikë përpara se të martohesh, se do mbetesh beqar për jetë. Dhe do të ishte katastrofike. Kështu që unë nuk do të shkoja aty fare. Ata po takohen për një marrëveshje tregtare, mesa kuptoj, dhe pas asaj çfarë ka ndodhur, është shumë e qartë që të dy duhet të arrijnë një marrëveshje. Sepse e dini atë thënien; ‘’kur Amerika teshtin, bota kollitet; kur Kina teshtin, bota futet në karantinë’’, kështu që duhet të bëhen bashkë për të mirën e botës sepse teshtinë dhe mund ta përballojnë, por ne se përballojmë dot as të kollemi e as të futemi në karantinë për shkak të tyre.
Faleminderit shumë, Edi Rama, kemi edhe dy minuta të mbetura.
Kryeministri Edi Rama: Vetëm dy minuta, po sa filluam të njihemi tani më thua që nuk mund të vazhdojmë.
Po mendoj që do të kemi shumë mundësi, mendoj që është fillimi i një marrëdhënieje të gjatë, një pyetje aty. Umberto Eco e përkufizonte pyetjen si një fjali të shkurtër me pikëpyetje në fund.
– Përshëndetje, Unë jam nga Shqipëria e Madhe.
Kryeministri Edi Rama: Nga?
– Nga Italia, nga Shqipëria e Madhe.
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria e Madhe, mirë, si jeni?
– Mirë, faleminderit. Pyetja ime është, ju folët për nevojën e një lidershipi në një botë e shumë polare e shumë palëshe, por Bashkimi Europian ka nisur një iniciativë për sigurinë e vet dhe tashmë ekziston mundësia për të përjashtuar Turqinë për shkak të keqkuptimeve dhe problemeve me politikat e brendshme të Turqisë. Si mund të luajë Bashkimi Europian rol në skenën globale në qoftë se kemi një problem të tillë me politikën e brendshme të një pjesëtari themelor, që është Turqia.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, Bashkimi Europian është një pacient me 27 mjekë, e jo vetëm 27 mjekë, por të 27-t janë mjekë patologë dhe kjo e bën edhe më të ndërlikuar gjënë. Vlen po kështu të thuhet që ajo çfarë ka ndodhur që prej agresionit rus ka qenë pozitive, shumë pozitive, sepse në vend që të bëhej më i përçarë, Bashkimi Europian u bë më i bashkuar dhe po kështu, edhe në opinion publik, nevoja për unitet për të qenë bashkë, e për të mos u larguar si pula është bërë e qartë. Po të kisha përgjigjen e një pyetje kaq të madhe, do të kisha kandiduar për t’u bërë mbreti i Europës, por nuk jam në gjendje të jap përgjigje për të gjitha pyetjet. Ajo çfarë di dhe të gjithë ata që kanë një logjikë dinë, është që është një projekt ende i papërfunduar, është ende në gjysmë të rrugës, nuk është ende ajo çfarë etërit themelues panë në vizionin e tyre, e nisën ta ndërtonin kështu që vendimi që do të merret është të përfundohet ky projekt dhe të bëhet një forcë e mirëfilltë në një lojë tërësisht ndryshe apo të vazhdohet, e të tërhiqemi zvarrë në këtë lloj mënyre dhe të bëhemi gjithmonë e më të parëndësishëm dhe kjo është shumë e qartë për mua, sepse kur shohim shifrat Bashkimi Europian apo Europa si e tillë, ashtu siç kryeministrja juaj që pati instinktin për tu mbështetur e ndërtuar punën te një traditë e vjetër franceze, që nisi nga abati Shën Pjetrit, i cili në traktatin e tij për paqe të përhershme ishte mjaft i qartë. Po ta lexosh sot, abatin e Shën Pjetrit i gjen të gjitha përgjigjet. I gjen të gjitha përgjigjet se si ky kontinent mund të ketë paqe të përhershme. Ai përfytyronte një kontinent që ishte i bashkuar dhe gjejeni se nga? Nga perëndimi në lindje nga Franca në Rusi, abati Shën Pjetrit. Emmanuel Macron e shtyu më tej kufirin, duke i dhënë jetë asaj krijese që quhet Komuniteti Politik Europian. Tani sa iu takon shifrave PBB-së, popullsisë, e kështu me radhë po t’i bësh bashkë 500 milionët është një forcë e jashtëzakonshme, por nuk është një vend. Kështu që Bashkimi Europian është një emër, një organizatë apo projekt politik, por nuk ka as edhe një metër katror të vetin. Çdo metër katror i Bashkimit Europian është metri katror i dikujt që është pjesë e tij. Ndaj, përgjigja është t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. A duam të shkojmë përpara me projektin apo do të vazhdojmë t’i bëjmë të dyja në të njëjtën mënyrë dhe të shpenzojmë sasi të jashtëzakonshme parash për të militarizuar Europën me pasoja, të cilat shpresoj që e kam gabim, që shpresoj të gjithë ata prej të cilëve përpiqem të mësoj e të kuptoj e kanë gabim që për pak vjet do të jemi të thyer, do të jemi pa asgjë. Dhe do të kemi armë, do të kemi mjete luftarake të ruajtura diku dhe të kemi një histori pakënaqësie, kështu me radhën nuk po flas për revolucion sepse fjala revolucion, pikërisht nw këtë vend në cilin po flasim, nuk është shaka, nuk është diçka si në Itali apo në Shqipëri. Kur shqipton fjalën revolucion në këtë vend, e di që njerëzit këtu nuk bëjnë shaka, ne bëjmë shaka, apo jo? Italianët dhe shqiptarët .Prandaj ne do t’i mbijetojmë çdo lufte bërthamore.
Kryeministër ishte një bashkëbisedim shumë interesant.
Kryeministri Edi Rama: Një pyetje e dytë para se të largohem. Nuk mund të kemi vetëm pyetje nga Italia, le të shkojmë jashtë Italisë e Shqipërisë, sepse jemi këtu në Francë dhe po e fyejmë këtë vend, nuk mund ti durojnë njerëzit që flasin italisht në këtë vend.
– Përshëndetje Zoti kryeministër, faleminderit pwr tw gjitha.
Kryeministri Edi Rama: Ah, shqiptare? Është shqiptare.
Nuk është faji im.
– Sa realist është integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor pa ardhur më parë, pajtimi rajonal.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ne jemi të patundur në bindjen tonë, që jo vetëm paqja është më mirë se gjithçka tjetër, por “që sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia”, pra, “komshi i lumtur, shtëpi e lumtur”, diçka që ma ka mësuar gjyshja ime. Kështu që mos u kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin dhe nëse po, gëzon vetë, po feston vetë, atëherë sigurohu që fqinji të mos jetë duke vdekur urie, sepse pastaj i gjithë ky gëzim shkon për dreq. Ne kemi politika, bashkëpunimi, dialogu, bashkëpunimi me të gjithë në rajon. N, me Serbinë, ndoshta nuk e dini, ose tjerët e dinë, 68 vjet pas vizitës së fundit, kemi shkuar. Dhe natyrisht, kemi një problem me Serbinë, një problem të madh që është Kosova, apo Kosovo, siç i thonë këtu. Kosova është një problem, sepse për ne është një shtet në të drejtën e vet, jo vetëm për ne, por për shumicën e vendeve të BE-së, për Serbinë e për ndonjë vend tjetër, nuk është dhe është një problem i madh, por ose do të vazhdonim të rrinim me kokën pas, e të ndiznim pakënaqësi, të ndiznim tensione, të ndiznim energji negative dhe të dëmtonim veten, ekonominë tonë, të ardhmen tonë, sepse jemi tregje shumë të vogla, kemi nevojë që të jemi të gjithë bashkë, ose alternativa tjetër ishte të thoje, dëgjoni, nuk biem dakord për këtë, por kjo nuk mund të na parandalojë dhe të punojmë së bashku për shumë gjëra që biem dakord. Biem dakord që njerëzit, qytetarët tanë duhet të kenë lirinë e lëvizjes, që mallrat tona duhet të kenë lirinë e lëvizjes, e kështu me radhë. Unë jam dakord me ju që bashkëpunimi rajonal nuk është alternativ, është e vetmja rrugë për ne që duam të bëhemi dhe anëtarë të Bashkimit Europian, e me katër liritë e Europës, lëvizja e mallrave, kapitalit, njerëzve, shërbimeve të jenë njësoj edhe në rajonin tonë, se s’mund të jemi europianë në Europë dhe ballkanas në Ballkan. Edhe pse gjatë vitit të fundit kam parë që Europa është ballkanizuar shumë, kështu që nuk jemi më vetëm. Nuk jemi më të vetmit që krijojnë probleme, shihni Francën, harroni Britaninë.
Mendoni që Franca është ballkanizuar?
Kryeministri Edi Rama: Tërësisht. Shiheni, akoma nuk miratojnë dot një buxhet. Ça është kjo? Ballkan! Shihni Britaninë, shihni janë edhe më keq. Kështu që është një ballkanizim i tërë i Europës. Tani ne jemi të mirët, është për të qeshur dhe ju themi pastaj bëni paqe, mos kërcënoni, komunikoni, bashkëpunoni, sepse kjo është gjëja më e mirë për t’u bërë, sepse vijmë nga ferri dhe jemi lajmëtarët. Tani, nëse duan të na dëgjojnë, na dëgjojnë, në qoftë se nuk duan të na dëgjojnë, mos na dëgjojnë, ne jemi në rregull me të dyja. Në fund të fundit kur bota të shpërthejë, nuk do të jetë faji i Shqipërisë, kjo është e rëndësishme. Nëse bota do të bëhet më e mirë, ne do të themi, bëmë pjesën tonë. Kështu që në të dyja mënyrat në fund të fundit kur t’i shkojmë Shën Pjetrit përpara, sigurisht do të na jepet një vend në parajsë si shqiptar. Për britanikët dhe francezët, nuk jam i sigurt.
Për fat të keq, do ta mbyllim këtë seancë, por herën tjetër, kur të jeni në Paris, do t’ju ftojmë të gjithëve në “Le Grand Continent” dhe mund të flasim edhe në frëngjisht.
Kryeministri Edi Rama: Ah, shpresoj që do të ketë një herë tjetër me ju.
Faleminderit shumë Edi Rama.