Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Faleminderit shumë! Sot është dita e konferencës tradicionale të fundvitit që për natyrë është më e gjatë sesa zakonisht dhe po e nis me faktin sipas meje më domethënës të vitit që po lëmë pas, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian dhe praktikisht të dy grup-kapitujve shumë të rëndësishëm duke nisur nga “Themeloret” që janë grupi i grupeve dhe pastaj “Marrëdhëniet me jashtë”, por është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e keni dëgjuar me siguri dhe më parë që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës, intensiteti dhe cilësia do të ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë me qindra e qindra e qindra punonjës të administratës sonë publike, negociatorë, drejtues grupesh, anëtarë grupesh nuk do të kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me procesin screening, e thënë ndryshe me diagnozën e gjithë sistemit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat.
Për hir të vërtetës, ecuria e procesit screening, vlerësimet befasuese – për mua personalisht – të Komisonit Europian, të qeverive që ishin tipikisht përfaqësuese të vendeve më skeptike të Bashkimit Europian për performancën e skuadrës sonë kombëtare, janë shtysë, janë një motivim, janë një fakt shumë domethënës për çfarë është bërë në gjithë këto vite dhe për cila është në të vërtetë administrata publike e Republikës së Shqipërisë, një administratë e cila padiskutim nuk as nuk përfaqësohet, as nuk interpretohet dhe as nuk shpjegohet me rastet e atyre punonjësve të administratës që për një arsye apo për një tjetër nuk e nderojnë administratën tonë, nuk e nderojnë shtetin tonë, nuk e nderojnë flamurin tonë dhe bëhet, me të drejtë, objekt qoftë i ekspozimeve të sjelljeve apo të veprimeve të tyre të padenja nga mediat, qoftë edhe i drejtësisë.
Por, nëse shohim të dyja anët e kësaj medaljeje, ana e dukshme për shkak të këtyre ekspozimeve për publikun është në fakt, një pjesë shumë e vogël dhe jo domethënëse për të kuptuar funksionimin e administratës sonë publike dhe për të kuptuar nivelin e drejtimit, nivelin e administrimit të punëve të administratës, gjë që u pa qartë, e përsëris, edhe për mua personalisht ishte një befasi, por një nga ato befasi që janë të mirëpritura në procesin e ballafaqimit me skuadrën e teknokratëve të Komisionit Europian.
Këtë vit, edhe ky është një fakt tejet domethënës për ku jemi sot, edhe pse mesa më rezulton, megjithëse unë nuk jam një ndjekës i rregullt i lajmeve, nuk ka bërë bujën e duhur, Shqipëria ka dalë pas 29 vjetësh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi më një vend nën monitorim të plotë, por jemi njësoj si të gjitha ato vendet me të cilat duam dhe do të bashkohemi në familjen europiane brenda kësaj dekade.
Së treti, Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur, duke u futur në bashkëpunim edhe me vendet e tjera të rajonit, jo vetëm një dialog të pa ndodhur më parë mes Komisionit Europian, vendeve anëtare dhe vendeve kandidate nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritjes të Bashkimit Europian në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E them këtë me shumë krenari, ka qenë një proces jo i lehtë, ka qenë një këmbëngulje e vazhdueshme në të gjithë kontaktet, takimet, shkëmbimet e dokumenteve me zyrën e Ppresidentes së Komisionit Europian me disa nga kancelaritë kryesore të Bashkimit Europian për të arritur që në procesin tradicional të integrimit të hyjë një element i ri, i cili tanimë ka hyrë edhe në fjalorin e bisedimeve si “anëtarësimi gradual” që do të thotë, ndryshe nga çka ndodhur më parë me vendet e tjera, tanimë ne dhe vendet e rajonit kemi në dispozicion një instrument të ri financiar në Planin e ri të Rritjes, ku në periudhën nga sot deri në vitin 2027 do të thithim rreth 1 miliardë euro plus dhe kemi njëkohësisht edhe dritën jeshile për t’u bashkuar në familjen europiane në disa segmente të funksionimit të Europës së bashkuar dhe fakti konkret është se falë këtij Plani të ri të Rritjes, qysh nga 21 nëntori, shqiptarët në të gjithë botën që bëjnë transferta parash nga zona e Bashkimit Europian drejt Shqipërisë nuk do të kenë më asnjë komision extra për transfertat e tyre sepse Shqipëria është zyrtarisht anëtare e zyrës së pagesave unike europiane, çka e përkthyer në shifra, kursen miliona e miliona euro nga xhepat e dërguesve nga jashtë- brenda dhe brenda-jashtë, brenda perimetrit të Bashkimit Europian.
Ne një garë me disa vende, Shqipëria ka fituar mundësinë shumë domethënës të hapjes së Kolegjit te Europes në Tiranë.
Është filiali i dytë i kolegjit të Europës që historikisht e ka qendrën në Bruzh të Belgjikës pas filialit të parë që u hap përpara hyrjes së Polonisë dhe të atyre vendeve që bashkë me Poloninë hynë në BE në Natalin të Polonisë dhe hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë, por dhe si një vlerësim domethënës për pozicionin sot krejt të ri të Shqipërisë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në vet marrëdhëniet me BE.
Janë organizuar në Shqipëri një sërë samitesh të pa mendueshme deri disa vite më parë. Dhe vitin e ardhshëm, në 16 maj ne do të mirëpresim Samitin e Komunitetit politik europian, ku do të kemi në Tiranë udhëheqësit e 700 milionë banorëve të Europës përtej kufijve të BE, nga Londra në Baku dhe në Yerevan nga Stokholmi dhe Oslo në Ankara, nga Lisbona në Kiev.
Dhe arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi është shumë e thjeshtë. Sepse Shqipëria sot është një vend ku të gjithë shohin me sytë e respektit, edhe të gjithë kanë vlerësime që personalisht mua më bëjnë shumë krenar, por më e rëndësishëm sesa krenaria në këtë rast është frymëzimi dhe motivimi për të vazhduar më tutje. Por akoma më e pamendushme deri disa vite më parë, është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s në vitin 2027, gjë për të cilën ne kemi filluar punën së bashku më NATO-n. Një mision inspektimi të kushteve të infrastrukturës dhe logjistikes ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë vlerësime, që do të ishin të pamundura në Tiranën e përpara sesa qeveria në aleancë me Bashkinë e Tiranës, të ndërtonte gjithçka ka ndërtuar në këtë dekadë.
Ardhja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është njëkohësisht dhe një mesazh shumë i qartë për të gjithë, lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicionin tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare.
Ne jemi një vend i vogël. Ne kemi një peshë modeste, por ama ne sot trajtohemi si të barabartë dhe trajtohemi, jo vetëm si të barabartë në aspektin formal, por me një respekt që asnjëherë më parë nuk e kemi pasur në historinë tonë
Tani kjo është një panoramë e Shqipërisë në sytë e Europës dhe të botës, e cila nuk është një fasadë por është një rezultat i jashtëzakonshëm, i një pune të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.
Në vazhdim, dua të rikthehem tek administrata dhe në këtë rast jo tek administrata thjeshtë i administratë publike në institucionet qendrore, por tek gjithë administrata shtetërore ku përfshihen të gjithë punonjësit në sektorin publik. Siç u deklarua nga INSTAT ne kemi shkuar përtej objektivit të vendosur që në qershorin e vitit që po lëmë pas, pagat të arrinin në nivelin mesatar 900 euro. Jemi në 968 euro dhe tavani i pamendueshëm i deri përpara disa viteve i 1000 eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse dhe ekonomisë, i rritjes domethënëse të mundësive. Sepse një gjë që është të duash të rritsh pagat dhe pensionet, një gjë tjetër është të mundesh të rritesh pagat dhe pensionet. Një gjë është t’i rrisësh pagat dhe pensionet duke vazhduar të rrisësh ekonominë dhe duke mos vënë në rrezik balancat dhe parametrat makro ekonomikë. Një gjë tjetër është ta bësh këtë siç ka ndodhur të bëhet në ndonjë rast në të shkuarës dhe faktikisht ta çosh pastaj shtetin në drejtim të paditur, duke lënë pas gropa dhe nga ato shumë të mëdha apo më pak të mëdhatë që ne gjetëm kur morëm detyrën. Një vend i zhytur në borxhe, një vend i zhytur në pluhur dhe një vend ku faktikisht vetëm larja e borxheve dhe vetëm ri kapja e ritmit të financimit të gjithë atyre rrugëve të lëna rrugëve, të cilat ishin propaganduar si rrugë të mbaruara, por në fakt ishin vetëm tendera dhe kontrata të lidhura pa pasur paratë, na morën siç e dini dhe ju një kohë goxha të madhe.
Por, sot jemi në kushte të tjera dhe jemi në kushte të tjera dhe në një aspekt tjetër.
Ne nuk kemi pasur një administratë që kishte motivimin, por dhe mundësitë të shërbente me dinjitet. Sot e kemi falë një transformimi epokal që kemi bërë përmes kalimit të shërbimeve për të cilat deri dje duheshin mbajtura radha në shi dhe në diell dhe i binte që të paguaje një bakshish edhe për të marrë një certifikatë në gjendje civile në xhepin tonë, aty ku kemi telefonin celular. Dhe në fillim të vitit të ri do të kemi një tjetër zhvillim domethënës që e kam paralajmëruar më parë. Asistenti virtual, i cili është futur tanimë në sistemin e shërbimeve të platformën E- Albania dhe që i është përgjigjur mbi një milionë pyetjeve gjatë vitit 2024, do të kalojë nga një asistent me shkrim në një asistent që do të flasë me këdo që do të kërkojë një shërbim dhe jo vetëm që do të flasë, por do t’i bëjë dhe shërbimin.
Kjo falë punës që po bëjmë qysh kur e kam deklaruar këtë risi, ngushtësisht me ekipin e inovacioneve me Mikrosoftin dhe falë punës së shkëlqyer të AKSHI-t dhe drejtueses së AKSHI-t që faktikisht ka bërë të mundur që ne të jemi një nga vendet avangardë në drejtim të shërbimeve online dhe jemi një nga vendet avangardë për një arsye shumë të thjeshtë; se që të bëhesh avangardë në fusha të tjera kur je në një klub me anëtarë aq të fortë, aq të rritur, aq të zhvilluar është e pamundur, por që të bëhesh avangardë në fushën e teknologjisë, kjo është jo vetëm e mundur, por është bekimi i kohës për vendet në zhvillim sepse për Gjermaninë që të kthejë anijen e madhe të një administrate shtetërore që ka qenë në kohën e zhvillimit linear një model për gjithë botën dhe të fusë në këtë anije teknologjinë digjitale, është më e vështirë sesa për vende si i yni që e kemi nisur këtë punë me një varkë dhe kjo është arsyeja pse, nëse shikoni listën e vendeve që kanë bërë përparimet më të mëdha në aspektin e futjes së teknologjisë në funksion të reformimit dhe të transformimit të administratës në shërbime, do të gjeni vende që nuk hyjnë tek vendet më të mëdha tek gjërat e tjera.
Kjo është arsyeja pse Estonia e cila e nisi rrugën e vet pas rënies së Bashkimit Sovietik njësoj si Letonia dhe Lituania, u bë një avangardë sepse vuri një vëmendje të veçantë tek teknologjia. E bëj këtë shpjegim për të mos krijuar asnjë keqkuptim kur them që në këtë shërbim të platformës e-Albania ne jemi sot që flasim, një nga vendet avangardë dhe me futjen e Asistentit Virtual me zë dhe me figurë dhe jo vetëm në përgjigje të pyetjeve, por edhe në dhënien e shërbimit, do të kalojmë në një nivel të ri.
Kemi pasur faktikisht këtë vit një rritje të numrit të përdoruesve të platformës e -Albania që ka arritur në afro 3 milionë e 250 mijë përdorues.
Pse e nënvizoj këtë? Sepse 14 milionë shërbimet e ofruara nga e-Albania dhe 9.9 milionë dokumentet me vulë elektronike të gjeneruara për t’iu dhënë të gjithë përdoruesve shërbimin ishin radha, ishin ryshfete, ishin kohë e humbur, ishin shpenzime karburanti e shpenzime energjish fizike për të marrë atë që sot e marrin duke klikuar në platformë dhe që iu vjen falas.
E kur flasim për korrupsion, e kur flasim për luftë kundër korrupsionit, e kur flasim për transformim të marrëdhënieve të shtetit me qytetarin në funksion të qytetarit, ky element jo vetëm nuk mund të harrohet, por është një pasqyrë shumë kuptimplotë për këdo që do të shikojë të gjithë peisazhin e funksionimit të shtetit, natyrisht jo për ata që duan të fokusohen vetëm tek një pjesë e vogël, shumë e vogël e këtij peizazhi, sado domethënëse dhe sado kuptimplotë dhe sado e domosdoshme për t’u fokusuar dhe tek ajo, patjetër, por ama, lufta kundër korrupsionit është luftë për modernizimin e shtetit.
Lufta kundër korrupsionit nuk është luftë e një segmenti apo një segmenti tjetër, por është luftë e gjithë sistemit shtetërore dhe ajo çka Shqipëria ka pasur problemin e vet më të madh dhe ‘’tumorin” e vet më gërryes ka qenë korrupsioni endemik në çdo hap, për çdo gjë, për çdo dokument. Sot panorama është krejt tjetër dhe ka mbetur vetëm një gur i fundit i këtij mozaiku për ta mbyllur plotësisht epokën otomane të kulturës transaksionale të qytetarit me shtetin që është përfundimi i projektit të futjes së Kadastrës në këtë sistem të teknologjisë. Përfundimi sepse një pjesë e rëndësishme e Kadastrës është në sistemin e teknologjisë përderisa sot aplikimet mund t’i bësh online, por ka një pjesë tjetër që duhet futur në sistem dhe për këtë ne kemi angazhuar fonde të veçanta dhe kemi angazhuar ekipe të veçanta sepse është një punë tejet komplekse dhe që kërkon shumë njerëz në territor që të vihen në dispozicion.
Nga ana tjetër dua t’ju tërheq vëmendjen që në aspektin e shërbimeve publike, vlerësimi është gjerësisht ndërkombëtar, nuk është thjesht një vlerësim i imi apo i yni, por është një vlerësim gjerësisht ndërkombëtar dhe në të gjitha klasifikimet për rritjen e kapaciteteve të shërbimeve në këtë drejtim, do ta gjeni Shqipërinë në pjesët e sipërme të tabelave të klasifikimit dhe për kuriozitetin tuaj dhe të atyre që na ndjekin, nga viti 2023 ku Shqipëria cilësohej në raportin e shërbimeve digjitale, Shqipëria cilësohej me ecuri pozitive të moderuar.
Sot, kemi një ndryshim dhe një rritje të stadit që thuhet “të mirë” dhe kur merr këtë stad, faktikisht në atë fushë t’i je në BE dhe një gjë tjetër është që Shqipëria zuri vendin e parë në një konkurrim global për ekspertizën në lidhje me fushën e kibernetikës mes 108 shteteve pjesëmarrëse dhe nga ana tjetër ajo që dua të bëj me dije është se gjithë ky volum pune i bërë për të sotmen shoqërohet nga një volum punë që po bëhet për të ardhmen.
Në këtë vit kemi përfunduar jetësimin e 216 laboratorëve smart në 200 shkolla të vendit, ku faktikisht qysh nga klasa e parë nxënësit tanë fillojnë e hyjnë në botën e teknologjisë me kurrikulat dhe me metodat më të përparuara.
Nga ana tjetër kemi objektivin që këtë numër të çojmë 654 për 615 shkolla që është numri i cili na çon drejt përfundimit të projektit në një fazë të tretë ku do të kemi 970 laboratorë smart dhe ku nuk do të ketë më asnjë nxënës në Republikën e Shqipërisë që do të hyjë në shkollë apo që do të bëjë hapat në arsimin parauiniversitar, të cilit apo të cilës ti mungojë kjo mundësi për tu përgatitur për botën e re digjitale.
Po ashtu e kam thënë në mënyrë të përsëritur, e keni dëgjuar kemi bërë hapa të rëndësishëm përsa i përket inteligjencës artificiale. Kemi finalizuar strategjinë e parë kombëtare të inteligjencës artificiale dhe aktualisht që flasim jemi në kushtet kur me inteligjencën artificiale ne po punojmë, tanimë është pjesë e punës për transferimin e gjithë të ashtuquajturit “Acquis communautaire” ose të themi trupi ligjor i Bashkimit Europian në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë që do të thotë faktikisht dhe teknikisht kryerje e gjithë procesit të integrimit në aspektin legjislativ për të cilin vende të tjera më parë dhe po marr Kroacinë që ishte e fundit që ka hyrë në Bashkimin Europian, kanë angazhuar armata të tëra përkthyesish dhe armata të tëra draftuesish. Ndërkohë që ne këtë punë e bëjmë 90 % me inteligjencën artificiale.
Nga ana tjetër jemi në fazën që po vazhdojmë të përgatisim modelin e prokurimeve me inteligjencë artificiale që do të jetë një tjetër inovacion dhe që edhe në këtë do të jemi avangardë për arsyet që thashë pak më parë. Pasi ky është një problem që ne e kemi pasur historikisht, tradicionalisht dhe pasi angazhimi i mijëra, i mijëra, i mijëra punonjësve të administratës nëpër komisione prokurimesh është nga njëra anë një mund i madh, një shpenzim i madh energjish dhe një konsum disproporcional i burimeve njerëzore, por nga ana tjetër nuk është garanci për një standard plotësisht Europian në kuptimin e Bashkimit Europian të prokurimeve publike sepse çështja e prokurimeve është një çështje që duket shumë e lehtë kur e merr një procedurë edhe e komenton në televizor apo në gazetë, por është një çështje shumë teknike për të cilën njerëzit që marrin pjesë dhe që e ekzekutojnë duhet të kenë jo vetëm integritetin, por duhet të kenë edhe përgatitjen e nevojshme juridike, etj etj.
Dhe bekimi i teknologjisë na jep mundësinë që atë që vendet tjera që ne i shohim me zili e kanë bërë duke ndërtuar traditë jo dhjetëra, po qindra vjeçare të administratës të kapërcejë kohën dhe duke shfrytëzuar kapacitetin e zhvillimit eksponencial që ka sot në thelbin e vet teknologjia të vendosim teknologjinë digjitale si një armë për të përmirësuar procese më të thella sesa thjeshtë dhënia e shërbimeve që tanimë e kemi bërë. Dhe besoj që hapin e parë transformues që hodhëm me krijimin e një institucioni të ri të prokurimeve të një operatori që bën prokurimet për të gjitha ministritë, për të gjitha institucionet shtetërore sepse lajmi nuk ka dal më rezulton ashtu siç mund dhe duhet të dilte, po kjo nuk është puna ime. Unë jap lajmet e mia, ju jepni lajmet tuaja është që nuk bëhen më tendera nga ministritë dhe operatori që është krijuar këtë vit dhe që është futur në funksion do të vazhdojë të marrë në dy vitet e ardhshme të gjithë volumin e prokurimeve të Republikës së Shqipërisë. Dhe kështu do shpëtojmë nga të gjitha spekulimet dhe nga të gjitha interpretimet dhe nga të gjitha lojërat që bëhen me dokumentet që kalojnë nga portali në portal, nga kanali në kanal, nga puseta në pusetë sepse nuk do të jetë më objektivisht e mundur që të merren e të bëhen copë rrugëve njerëz duke iu tundur letra për të cilat për shumë kënd janë arabisht nuk janë shqip, në kuptimin e procedurave.
Duhet të ndaloj pak te mbështetja që i është dhënë të gjithë sistemit të administratës falë mundësive që na janë krijuar thashë dhe e përsëris nga rritja e ekonomisë. Sot ne kemi arritur të kemi paga konkurruese në administratë me pagat e larta të sektorit privat. Dhe jo më kot edhe në vlerësimet e Komisionit Europian që nuk është gazetë gjermane, nuk është as portal, po është një trup e dedikuar për të qëmtuar me lupë, me një lupë shumë zmadhuese sesa lupa e të gjithëve ju këtu, por ama pa syrin e shtrembër, çdo gjë që ndodh në organizimin e një shteti, në 4 dhe ky për mua është një lajm shumë i mirë, po natyrisht shqiptarët nuk kanë pasur nga ta mësojnë, megjithëse ne e kemi përsëritur disa herë, nuk është me interes, në 4 nga 5 fushat e vlerësimit të administratës publike Shqipëria është në vendin e parë në rajon.
Pra jemi mbi vende që kanë vite që negociojnë me Bashkimin Europian dhe mbi vende që duan të negociojnë me Bashkimin Europian. Në 4 nga 5 fusha e vlerësimit të administratës publike, si kundër për çudinë e shumëkujt nga ju, jam i bindur jemi në vendin e parë, por me diferencë për prokurime publike në rajon.
Pra Shqipëria ka 80 pikë nga 100 të mundshme në vlerësimin analitik me fakte të proceseve të prokurimeve publike, ndërkohë që vendi i dytë është te diku 71, 72 të tjerët janë nën 70 pikë është domethënëse besoj. Dhe për këtë arsye mbështetja e vazhdueshme e administratës është kyçe, por këtu tani kam parasysh siç thashë administratën përtej zyrave kam parasysh mësuesit, kam parasysh mjekët dhe infermierët, kam parasysh punonjësit e policisë, kam parasysh ushtarakët, kam parasysh zjarrfikësit, kam parasysh edhe punonjësit e burgjeve për të cilët një vendim i ri do të dalë, mos gabohem, sot në mbledhjen e qeverisë, e kështu me radhë, dhe rritjet e pagave në të gjithë sistemin, kanë çuar në rritjen e pagës mesatare në 968 euro.
Duke ardhur tek ekonomia në tërësi, dua të them që jemi në kushtet, kur për shkak të rritjes, kemi vendosur një volum financimi të pensionistëve për fundvitin që do të ishte totalisht i pa mendueshëm vetëm disa vite më parë. Diskutimi “është shumë, është pak”, është një diskutim tjetër. Nuk është asnjëherë shumë për askënd që hyn në kategoritë për të cilat flasim, por për pensionistët jo e jo, ama 100 milionë euro, bonus i fundvitit është një shumë që sot e kemi mundësi, duke u lehtësuar sadopak nga një barrë e madhe e viteve të rritjes ekonomike që pensionistët nuk i kemi përfshirë dot në këtë rritje.
Kjo është shenjë e pikërisht kësaj dhe nga ana tjetër, fakti që kemi mundësinë të vendosim dhe një bonus të pranverës, të cilin do ta mbajnë në të gjitha vitet si një pasqyrë që të reflektojë çdo rritje mbi parashikimin, është përsëri shumë domethënës, por përtej kësaj, jemi në një proces pune me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë, së bashku edhe për një reformë siç e kam premtuar, të re të pensioneve, sepse jemi në kushtet kur kemi faktikisht sot, dhe kushdo më pyeste, lëri të gjitha dhe gjej vetëm një pasqyrë, një, ku të shoh ç’ ka qenë, ç’ është dhe ç’mund të bëhet me qeverisjen e Shqipërisë, – një – do të jepja pensionistët dhe do të jepja jo një e dy e tre e katër e pesë, por do të jepja një grup për vite më të madh pensionistësh, të cilët dalin në pension, pas vitit të reformës sonë në 2014-tën dhe grupin e pensionistëve që kanë dalë përpara 2014-tës dhe do t’i tregoja pensionin për të njëjtën punë dhe për të njëjtat vite pune. Mjekë me 40 vjet punë, i dalë në pension para 2014-tës dhe mjek me 40 vjet punë i dalë në pension pas 2014-tës, dy pensione të ndryshme, i pari një pension afër të ulëtit, i dyti një pension afër 600 mijë lekëshit, 600 euro, pension. Pse?
Sepse kush e ka qeverisur Shqipërinë më parë e shkatërroi me themel të gjithë sistemin demokratik të pensioneve, nuk e ngriti fare më saktë, por shkatërroi të ardhmen, jo duke mos e ngritur, por duke e trajtuar pensionin si lëmoshë dhe duke, faktikisht, sabotuar të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore me një pension tavan 240 mijë lekë që të hidheshe përpjetë gjithë jetën, nuk ngjiteshe mbi atë tavan dhe me një numër pensionistësh të nxjerrë në pension që 40 vjeç e 45 vjeç, kur u shkatërrua komplet struktura e vjetër, – që normalisht do të shkatërrohej – e sistemit të kaluar, e nuk u bë asgjë në aspektin e pensionistëve për të krijuar një sistem të ri dhe sot i kërkohet me të drejtë se nuk ke kujt ia kërkon tjetër sepse ka një disbalancë midis pensioneve të të njëjtës kategori, për të njëjtat vite pune, ndërkohë që përgjigjja është shumë e thjeshtë, e rëndë shumë, por e thjeshtë, që nëse qeveria do t trajtojë pensionet si një detyrim që financohet nga taksat, ajo që ka bërë Sudja, Xhaferri dhe Saliu, nuk do jetë më e rënda që shqiptarët kanë parë.
Ndërkohë që, nga ana tjetër dy gjëra ka: e para ata që vuajnë atë shëmti politike në kurrizin e tyre dhe që shikojnë kolegë të tyre që vetëm pse kanë dalë në pension mbas 2014-tës e kanë pensionin më të lartë për të njëjtat vite pune, duhet të mos ia falin, minimumi, mos ia falin kurrë shkaktarëve e nëse duan adresën e shkaktarëve jam i gatshëm tua jap, por besoj se e dini.
Nga ana tjetër, reforma që ne po bëjmë, që po konceptojmë do të duhet sidoqoftë të zbusë këtë padrejtësi historike. Ajo që është bërë me pensionistët nga pikëpamja e padrejtësisë, nga pikëpamja e pabesisë, nga pikëpamja e brutalitetit të drejtshkurtësisë, është shumë e ngjashme me atë që është bërë me piramidat, por me efekt në kohë dhe në formën e stresit me të gjithë ata që janë viktimë e asaj dhe të thuash që shiko, po mirë, ju keni një dekadë, a 11 vjet, a 12 vjet e akoma do thoni ata, patjetër do themi ata, sepse sistemet e pensioneve ngrihen me shekuj dhe sistemet e pensioneve të ngritura së prapthi në çerek shekulli, nuk mund të korrigjohen dhe të kthehen së mbari plotësisht për të gjithë në një dekadë. Është teorikisht e pamundur. Prandaj, bonuset janë një mundësi që pa prishur skemën dhe pa i hyrë në hak fëmijëve dhe i hapur të gjithë shqiptarëve një gropë të padukshme, si ajo e Sudes dhe e Vehbiut, të mund t’i kompensojmë pensionistët.
Sot jemi në një stad të ri, edhe ky i pa mendueshëm, mendoj deri para disa vite përpara, ku në aeroportin e Rinasit, në nëntor mbyllet bilanci me 10 milionë pasagjerë. Besoj që për këdo që nuk i vjen inat pse Shqipëria ecën kështu si po ecën për shkak se ka problem mënyrën si qeveris unë dhe si qeverisim ne, më vjen shumë keq, por sot për të dytin vit kemi Aeroportin më të madh të rajonit dhe jemi mbi Beogradin, mbi Beogradin që ka qenë kryeqendra e këtij rajoni denbabaden dhe që e ka pasur aeroportin kryesor në këtë rajon, kur ne kishim një kotec pulash fluturuese në Rinas, ku pulat numëroheshin në mëngjes kur dilnin nga koteci dhe numëroheshin në darkë kur vinin në kotec. Kështu ka qenë e vërteta. Ju nuk e keni parë Rinasin në atë kohë, unë e kam parë sepse më është dashur të fluturoj, kam qenë një nga pulat, kur kemi shkuar në aktivitetet ndërkombëtare të basketbollit.
Përfytyroni një kafene me tavolina druri dhe me mbulesa me katrore tekstil, ku nuk ka njeri dhe një banakier dhe një kamarier. Terminali po flas, ai terminali ku shkoni ju kaq ka qenë.
Përfytyroni ju tani të niseni jashtë, të shkoni atje, bosh kafeneja, uuu zhurmë ju, ikni ju, bosh kafeneja.
Ky është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës sot dhe nuk e solli koha, por e solli gjithë kjo punë kolosale që është bërë me vite.
Për ekonominë dhe për turizmin, njësoj si për atë që thashë më parë përsa i përket botës së teknologjisë, ne nuk po shohim çfarë ndodh sot.
Ne përpiqemi të shikojmë çfarë vjen nesër dhe po përgatisim përditë e më shumë të rinj në shkolla profesionale, duke rritur çdo ditë e më shumë kapacitetet e shkollave profesionale.
Një lajm shumë i bukur ishte që shkolla e turizmit të Lozanës, njëshi, – njësoj si të vijë këtu edhe të hapi Franca shkollën e administratës së vet publike, – erdhi në Shqipëri dhe sot fëmijët tanë, kur të mbarojnë atë shkollë, shkollën e hoteleri-turizmit tek “pallati me shigjeta” mbrapa, do të kenë diplomën e Lozanës dhe do të jenë gjenerata e re e shërbimit të mikpritjes që është një histori e gjitha më vete në këtë, se detin e kemi pasur ne edhe më përpara, edhe diellin e kemi pasur, edhe malet i kemi pasur, edhe kodrat i kemi pasur, por nuk kemi pasur turistë.
Sot kemi turistë por nuk kemi akoma shërbimet që do ta ngrenë më shumë turizmin tonë si makinë prodhimi të ardhurash për njerëzit këtu.
Dëgjoj disa që thonë “Ç’na duhen neve turistët, ne nuk kemi bukë”. Bukë nuk kanë, Facebook kanë por në fakt, çdo turist që vjen dhe prandaj turizmi konsiderohet eksport, çdo turist që vjen shpenzon në të gjithë zinxhirin e prodhimit edhe të shërbimeve dhe nga ato para që vijnë këtu nga turizmi, janë shqiptarët që i përfitojnë, nuk janë turistët. Turistët përfitojnë shërbimet dhe në drejtim të shkollave profesionale kemi 10 shkolla profesionale dhe 2 qendra të formimit profesional që janë në proces për t’u ndërtuar nga e para, por ajo që është më e rëndësishme është që po rinovohen dhe po përmirësohen të gjitha metodat e punës në arsimin profesional.
E dhëna inkurajuese është që ka një rritje të interesit për shkollën profesionale dhe ka një rritje të interesit të punëkërkuesve për trajnimet profesionale.
Së shpejti, besoj në muajin e parë të vitit të ardhshëm, ne do të publikojmë edhe një faqe të re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit, duke filluar nga Greqia dhe Italia, ku do të kenë të gjitha ofertat e punës në Shqipëri në sektorët e turizmit dhe të ndërtimit. Janë dy sektorë ku unë e them këtu me plot gojën dhe mund të bëj debat me këdo me fakte dhe shifra, jo me fjalë, që kush punon në ndërtim në Greqi dhe vjen të punojë në ndërtim këtu, në fund të muajit do të ketë më shumë të ardhura sesa në Greqi, pak por e sigurt.
Kjo faqe do të jetë një faqe në dispozicion të të gjithë operatorëve të turizmit, të të gjithë kompanive të ndërtimit, qoftë atyre të infrastrukturës publike, qoftë atyre të infrastrukturës të gjithë ndërtimeve private, me vende pune, me kontrata pune, me pagat, me sigurimet e me të gjitha.
Nuk do lodheni sot sepse është shumë e gjatë sot, shumë e gjatë sot. (pyetjet do të vijnë pas një parashtrimi shumë të gjatë nga ana ime sepse është një mundësi për t’ju dhënë njerëzve në këtë fund viti shumë nga gjërat që juve nuk ia keni dhënë gjatë gjithë vitit. Nga do t’i mësojnë, nga do t’i dëgjojnë?)
Në vitin që po lëmë pas, Shqipëria është ngritur në vlerësimin e Agjencisë Globale të Vlerësimit Standard & Poors në BB pozitive që është një stad i ri i vendit, sipas notave të vlerësimit dhe po ashtu edhe nga agjencia tjetër Moody-s, Shqipëria u ngrit në BA3 e qëndrueshme që është një stad tjetër. Këto janë institucione ndërkombëtare, të cilat kanë një profesionalizëm dhe një përgjegjësi globale dhe këto çuditërisht nuk e reflektojnë frymën dhe tonin e shumë raportimeve që ekonomia dhe situata këtu është për revolucion, nuk shihet asgjëkund ndonjë shkak për revolucion, përkundrazi shihet kudo evolucion.
Po ashtu, tek të ardhurat nga tatimet dhe doganat që janë të ardhura që reflektojnë rritjen e ekonomisë, se ndryshe nuk rriten të ardhurat në një vend që nuk rrit taksat.
E kemi filluar qeverisjen në mandatin e parë me një zotim shumë të thjeshtë. Kush fiton më shumë do paguajë më shumë, kush fiton më pak, do paguajë më pak.
Kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha nga 10 në 15% dhe kemi zeruar taksën për biznesin e vogël, që nuk e ka asnjë vend i rajonit se me Europën nuk po diskutoj fare. Zero taksë, zero TVSh deri në 100 mijë euro xhiro dhe zero taksë deri në 140 mijë euro xhiro. Atëherë si rriten të ardhurat nëse nuk rriten taksat? Rriten të ardhurat sepse rritet ekonomia, sepse rritet numri i bizneseve, sepse rritet numri i punonjësve, sepse rritet volumi i punës, prandaj rriten të ardhurat. Sepse rritet tregtia etj. Dhe faktikisht jemi në kushte kur te ardhurat janë rritur përtej planit, të cilin kur ne e vumë, qe një diskutim shumë intensiv dhe FMN sepse ishte shumë ambicioz.
Dhe faktikisht jemi 9.7 miliardë lekë mbi planin fillestar, që është një shumë e konsiderueshme për buxhetin e Republikës së Shqipërisë.
Dhe në krahasim me vetëm vitin e mëparshëm jemi 31.6 miliard rritje, mbi planin. 316 milionë euro!
Patjetër që këtu hyjnë edhe rritja e performancws, tatimeve, doganave, ulja e informalitetit e të gjitha me radhë, nuk diskutohet që të jemi të qartë.
Por, lajmi i mirë vjen nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat falë edhe asaj që ne u përpoqëm të bëjmë në takime me pensionistët, kur nuk diskutohet që edhe pensionistët – se mirë ne – u bënë mish për topat e shumëkujt që ishte një show, në fakt në atë show ne përsëritëm që kompanitë duhet të rishikojnë nivelin e pagave se do kenë pasoja.
Në atë show ne përsëritëm që sigurimet shoqërore janë të paprekshme dhe si rezultat falë impaktit të ri në deklarimin e pagave se ai show nuk u bë rastësisht, para deklarimit të pagave.
Falë impaktit dhe falë shikimit të deklarimeve të shumë kompanive që iu kthye mbrapsht deklarimi dhe iu tha shikoje dhe një herë se nuk e ke të justifikuar, se përndryshe do kesh pasoja. Jemi në një tejkalim të planit fillestar të sigurimeve me 38 milionë euro dhe krahasim me vitin e kaluar 15, që do të thotë që, duke e forcuar sistemin e sigurimeve, ne do të kemi më shumë për pensionet. Se nga do t’i nxjerrim? Pensionet kompensohen, mund të kompensosh dhe është një kompensim, i cili pastaj vjen si pasojë tek rritja ekonomike, vjen si pasojë tek investimet se do ia heqësh shkollave, do ia heqësh kopshteve, do ia heqësh çerdheve, do ia heqësh spitaleve, do ia heqësh të gjithë investimeve të tjera që të kompensosh. Mund të kompensohet deri në njëfarë mase, por nuk mund të ndërtosh një sistem me një rritje të pensioneve, duke u bazuar tek kjo filozofi, sepse ndryshe thashë Sudja, Vehbiu – përmenda një emër tjetër gabimisht se kisha shumë vite pa e përmendur dhe nuk e di se nga më erdhi, – do duken jo më të vetmit. Do jenë në një shoqëri shumë komplementare me shtetin e dekadës së tretë, të mileniumit, të dytë!
Ndërkohë që unë jam i bindur që ju mendoni që po shkojmë drejt mbylljes. Këtu jemi në fillim sepse po kaloj, po kaloj për të mos ju lënë sot pa darkë. Po kaloj një pjesë, por jemi tek energjia dhe infrastruktura dhe ju e kuptoni vetë që këtu do duhet një trajtim i gjatë për njerëzit, se nga do i marrin vesh është pyetja. Një pjesë të madhe të këtyre nuk më rezulton, sepse kam marrë një pasqyrë të të gjithë lajmeve që njerëzit kanë marrë gjatë vitit dhe nuk më rezulton që i kanë marrë ca lajme nga këto, fare. Nuk e dinë që kanë ndodhur në Republikën e Shqipërisë.
Për shembull, tek humbjet në rrjet. Humbjet në rrjet, të cilat ne i kemi gjetur në nivele katastrofike janë faktikisht në një reduktim të vazhdueshëm dhe nga ana tjetër, jemi me një rritje këtë vit 15.3 % të kapacitetit energjetik të vendit.
Pra, falë rritjes së investimeve në energji, kemi një rritje me 15.3% të kapacitetit prodhues të vendit dhe kemi një rritje me pesëfish të prodhimit të gjelbër nga fotovoltaikët, kryesisht nga vendosja në eficensë e impiantit fotovoltaik të Karavastasë. Tani po doli njëri këtu të thotë që e ka dhënë lajmin, që kapacitetet dhe prodhimi energjetik të vendit tonë janë rritur me 15 % dhe kapaciteti prodhues i energjisë së gjelbër këtë vit që po lëmë është rritur me 5 herë, atëherë unë do i kërkoj ndjesë, nuk rezulton, edhe pse është thënë, nga ne.
Numri i udhëtarëve. Folëm për aeroportin, por kemi një numër udhëtarësh në vitin që po lëmë pas të rritur me 41%. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë ekonomi, do të thotë rritje e të ardhurave nga qarkullimi më i madh i njerëzve dhe qarkullimi më i madh i parasë, për të gjithë ata që mendojnë që Shqipëria është vendi, ku vetëm pastrohen para të pista dhe të krahasosh volumin e gjithë kësaj ekonomie me çfarë mund të vijë nga paratë e pista, është njësoj si të krahasosh një elefant me një mi. Me shifra flas unë, me fakte, jo me sy të shtrembër.
Kemi një rritje të numrit të mjeteve motorike që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë dhe janë regjistruar si pronë 16% plus nga ç ‘kishim një vit më parë. Ndërkohë që këtë vit për infrastrukturën kanë qenë zhvillime domethënëse sepse shumë nga punët e nisura kanë përfunduar dhe po rikujtoj Tunelin e Llogarasë, po kujtoj Thumanë- Kasharin që ka shkurtuar me rreth 30 minuta udhëtimin nga veriu dhe verilindja; unazën e madhe të Tiranës, jeni të ftuar të gjithë sot për ta shijuar komplet, nëse dëshironi natyrisht, e cila impakton një të tretën e popullsisë që banon në kryeqytet, përveçse lehtëson në mënyrë shumë të ndjeshme ata që e përshkojnë kryeqytetin; kemi lotin e parë të Elbasan-Qafëthanës; kemi segmentin Orikum-Dukat; kemi segmentin Korçë –Ersekë që siç mund ta keni vënë re nga larg, por po të shkoni ta shikoni nga afër, mund të shijoni jashtëzakonisht shumë një peizazh të mrekullueshëm; përfundoi dhe e gjithë ajo histeri që u ngrit për një shembje në një segment të caktuar, u tret gjithçka, është paguar brenda garancisë nga kompania, nuk ka kushtuar asnjë qindarkë për shqiptarët, taksapaguesit shqiptarë, e para dhe e dyta; nuk ishte ende e përfunduar, gjëra të tilla ndodhin në veprat publike, por ajo që ka rëndësi është që ndryshe nga në të shkuarën, nuk ka më, nuk ndodh më fenomeni që po t’i shikoni letrat, një vepër publike jepet me një çmim X dhe kur mbaron, çmimin e ka Y më të lartë sesa ofertuesi me çmimin më të lartë që ka ardhur kur ka fituar ai me çmimin më të ulët. E gjitha një lojë e madhe, po marr një pikë kyçe ku na ka goditur keq, Tunelin e Murrizit, domethënë gjeologjia. Aty po bëhet një punë kolosale për te përballuar një gjeologji e cila solli faktikisht surpriza që ndodhin, por surprizë, në këtë rast, e hidhur dhe gjithë ajo punë kolosale po bëhet pa asnjë qindarkë shtesë nga buxheti i shtetit. Pse? Për një arsye të thjeshtë, që thuhet me 3 germa; PPP. Kjo është PPP-ja. Kur PPP-të janë siç duhet, atëherë barra ndahet dhe në këtë rast, atë surprizën gjeologjike e përballon kompania, nuk e përballon buxheti dhe puna po ecën.
Shpresojmë shumë që në pranverë, po s’dua të flas më për atë tunel, se aty na kanë parë sytë vërtetë vështirësi të mëdha, të hapet dhe ai.
Është shpallur fituesit për segmentin e ri Milot-Thumanë, është shpallur fituesi për segmentin e ri Kashar-Lekaj; është shpallur fituesi për segmentin Lekaj-Fier. Të gjitha këto janë segmente të Korridorit Blu. Më kujtohet kur unë e kam prezantuar Korridorin Blu në fushatë shumë kohë më parë. Ne ishim në opozitë. Pati një të papërmbajtur gaz nga ata që rrugët i lanë rrugëve të gjitha. Ky është Korridori Blu dhe është shpallur procedura për segmentin Milot-Balldren, ndërkohë vijon zgjerimi i aksit Elbasan-Qafëthanë; vazhdon aksi Elbasan –Papër dhe aksi Papër-Ura e Grykshit, të gjitha këto akse të Korridorit të Tetë.
Ka filluar puna, e keni parë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, me rehabilitimin më në fund të aksit Kombinat-Ndroq-Plepa që ishte një skandal. Do të donim ta kishim bërë më parë, por gjithmonë mundësitë, kur do të bësh më shumë, duhet të kesh më shumë mundësi, apo jo? Ju e dini shumë mirë dhe të gjithë e dimë shumë mirë në jetën tonë personale, por kur vjen puna tek punët e shtetit, shumëkush kujton se është thjesht çështje dëshire. Po të ishte thjesht çështje dëshire, do i kishim bërë të gjitha me kohë. Vazhdon rehabilitimi i rrugës Fier-Kthesa e Patosit-Frataj; ndërtimi i segmenteve Berat-Ballaban, një zotim i kahershëm, por një segment strategjik për zhvillimin e turizmit; Qafa e Buallit-Martanesh, ju kujtohet, nuk di kush nga ju se tani ka në kaluar vite po ndoshta ndonjërit nga ju i kujtohet, kur kemi qenë në Martanesh, që në mos gabohem e bëmë rrugën me një kohë më të gjatë sesa rruga Kiev-Londër. Sot po ndërtohet, po sistemohet dhe po asfaltohet Ura e Çerenecit në Peshkopi dhe ajo që është qershia mbi tortë, është Qendra e Monitorimit të Trafikut (QMT). QMT është nyja teknologjike e transportit, teknologjike në sensin digjital, jo në sensin e hekurave. QMT do te jetë e pajisur me sistemin më të avancuar në botë të monitorimit te trafikut, sistem për të cilin kemi punuar dhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes konkrete me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, me të cilën do të bëjmë një implementim të shpejtë të një sistemi survejimi të trafikut me kamera, por kamerat do të jenë të pajisura me fjalën e fundit të IA dhe çdo makinë, çdo person, çdo lloj gjallese tjetër që do të kryqëzojë apo do të kapërcejë rrugën, do të jetë në kohë reale i monitoruar dhe këto shpejtësitë, aksidentet, por njëkohësisht edhe për të gjitha makinat do të mund të identifikohet nga qendra e trafikut se kush e ka bërë sigurimin, kush se ka bërë sigurimin, kush e ka targën e duhur, e kështu me radhe. Ky hyn patjetër edhe një element shumë i rëndësishëm në forcimin e rendit publik dhe ligjor dhe në luftën kundër kriminalitetit nuk diskutohet.
Jemi në kushtet kur kemi filluar të ndërtojmë hekurudhat në Shqipëri.
Keni dhënë diku një lajm për këtë, por jo ndonjë gjë të madhe. Hekurudha Tiranë- Durrës – Rinas është në masën 80 % të punimeve. Kemi dorëzuar projektin paraprak në atë WBIF është qendra që financon, shqyrton projektet financon projektet për llogari të Bashkimit Europian, projektin e përzgjedhjes së gjurmës së hekurudhore Shkodër – Gjakovë, pra hekurudha Durrës- Prishtinë. Hekurudha Vorë – Hani Hotit është firmosur kontrata midis hekurudhës shqiptare dhe Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim. Hekurudha Rrogozhinë – Pogradec është dorëzuar projekti final dhe pritet granti i asistencës teknike nga WBIF. Hekurudha Durrës – Rrogozhinë është mbyllur faza e dytë e prokurimit dhe në janar do të vijohet me negocimin e kontratës. Ashtu si kundër është dorëzuar dhe drafti paraprak për projektimin dhe gjithë elektrifikimin e Korridorit të 8 në funksion të hekurudhës.
Aeroporti i Vlorës e dini, ambicia është që sezonin e ardhshëm të fillojë fluturimet e para. Porti i ri i Durrësit është ri shpallur gara ndërkombëtare, pasi në shpallen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë që ne kemi vendosur me Royal Haskoning u gjetën pasaktësira dhe bëhej fjalë për një numër të madh kompanish të mëdha ndërkombëtare dhe u rikthye për të saktësuar çdo gjë, sepse do të jetë i parë, faktikisht pas shumë e shumë vitesh një port i ri që nis nga e para dhe jo si zgjerim ose adaptim në Europë, se të gjitha portet e tjera janë porte që janë ndërtuar në shumë kohë. Ky do të jetë një port që do të nis nga e para dhe për këtë arsye e gjithë eksperienca, të gjitha nevojat e adresuara e bëjnë një vepër arti në fushën e infrastrukturës publike. Jemi në terma shumë pozitive edhe me NATO-n. Kërkesa jonë ka kaluar procesin e vlerësimit teknik. Ka marrë vlerësimin më pozitiv dhe tani është në tryezën e vlerësimit strategjik, sepse kështu janë stadet e vlerësimit.
Një punë shumë e madhe është bërë edhe këtë vit në programin e furnizimit të mëtejshëm me ujë dhe përmirësimit të kanalizimeve dhe janë 40 projekte të cilat janë shtrirë në 29 bashki ku përfshihen edhe 9 projekte specifike në zonat turistike. Behet fjalë për çerek milion banorë zona më të brendshme të vendit dhe në ndërkohë kanë filluar aktivitetin si shoqëri rajonale të konsoliduara 14 shoqëri, e dini reformën që kemi bërë, domethënë e dini, mund dhe të keni dëgjuar dhe kjo ka sjell që të kemi rritje të ndjeshme të arkëtimeve në sektorin e ujit dhe një ulje të arsyeshme të humbjeve, që janë një nga problemet kryesore në këtë sektor.
Nuk dua të përsëris atë që thashë përsa i përket laboratorëve smart duke folur për arsimin, por dua të them që në këtë vit janë ndërtuar dhe rindërtuar me themeli 100 shkolla të reja dhe kopshte dhe këtë vit është rritur numri i fëmijëve të angazhuar me skuadrat sportive në programin e përbashkët me Komitetin Olimpik Shqiptar. Kemi pasur një vit të rëndësishëm si viti i gjuhës shqipe. Kemi realizuar edhe një Kuvend të Gjuhës, po ajo që është më e rëndësishmja, kemi parë një rezultat të shumë pritur me dekada falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe punës së bërë me Akademinë e Shkencave në draftin e parë të fjalorit të ri të gjuhës shqipe. Se kur është bërë fjalori i mëparshëm besoj e dini, ma ha mendja se shumë kush nga ju nuk kishte lindur akoma.
Ndryshimi i politikës me ekselencën në funksion të studentëve që vendosin të studiojnë në Shqipëri duke mos financuar më studimet jashtë ku absolutisht programi i ngritur nga qeveritë e mëparshme ishte qëllim mirë, por faktikisht pjesa dërrmuese për të mos thënë të gjithë ata që merrnin para nga taksat e shqiptarëve për të studiuar në shkolla jashtë vazhdonin rrinin jashtë. Kjo nuk bënte më sens dhe po shikojmë tani një ndryshim të rëndësishëm me studentët që i marrin këto bursa, natyrisht jo aq të mëdha sa ç’merrnin ata që shkonin jashtë, por marrin bursa të konsiderueshme dhe që angazhohen të qëndrojnë në Shqipëri për një periudhe të konsiderueshme.
Shumë e rëndësishme është kthesa që po merr edhe falë një përmirësimi dhe një rritje të vetëdijes në universitet kërkimi shkencor ku tanimë po shihen zhvillime të mëtejshme në thithjen e fondeve nga jashtë nga Bashkimi Europian apo nga bashkëpunime me universitete të tjera gjë që vjen edhe si rezultat i përpjekjes së madhe që në bëmë dhe ia dolëm dhe ka qenë një nga rezultate e samitit me Bashkimin Europain këtu në Tiranë, të futjes së universiteteve tona në aleancën europiane të universiteteve, gjë që deri atëherë ishte vetëm për universitetet e Bashkimit Europain. Dhe shifra 130 projekte të infrastrukturës dhe kërkimit shkencor është goxha domethënëse edhe pse domethënëse në raport me ecurinë nga ku e kemi nisur, por do të duhet të bëhet më shumë pa diskutim.
Kemi një situatë që ju e njihni lidhur me Tik-Tokun. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6 deri në 8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë. Kam një problem me fletët e shumta dhe do t’i rikthehem arsimit kur të shfaqet, ndërkohë që po përqendrohem për një moment te shëndetësia, pasi shumë nga gjërat pozitive, që kanë ndodhur në fushën e shëndetësisë, nuk bëjnë lajm, kuptohet. Dhe duke mos bërë lajm, nuk i merr vesh njeri. Për shembull: nuk e di njeri, ne e themi, por kuptohet që janë më interesante përgjimet – për t’i nxjerrë përditë e përditë e përditë e për t’i rikujtuar e për ‘iu rikthyer e për të bërë emisione, debate çfarë i tha ky, çfarë i tha ai, normale është më interesante kjo, – po autonomia spitalore ka vazhduar të implementimet.
Sot, krahas Spitalit Memorial të Fierit ku u pilotua autonomia spitalore, janë pesë spitale të tjera që kanë marrë autonominë dhe kjo do të thotë që ka ndryshuar sistemi nga brenda, në raportet midis trupës menaxheriale, trupës së profesionistëve të shëndetit publik dhe financave.
Kjo është shumë e rëndësishme dhe autonomia spitalore i jep mundësi për të pasur fleksibilitet edhe në pagat e mjekëve në bazë të një sërë kriteresh të përcaktuara. Kemi një sërë zhvillimesh pozitive në rritjen e performancës dhe të gamës së shërbimeve në sistemin tonë të shërbimit publik shëndetësor, kemi vazhduar të shtojmë programet e zhvillimit për fëmijët, duke filluar nga shërbimi dentar që është një risi e rikthyer në jetën e shkollës, në ndihmë të prindërve dhe të fëmijëve, kryesisht për parandalimin. Kemi rreth 55 mijë përfitues këtë vit të rimbursimit të fishave të diabetit, ashtu sikundër kemi një vijim të programit të bonusit të bebes, i cili ka arritur këtë vit në 227 mijë në total, që kur ka filluar kuptohet, përfitues dhe të mbështetjes së nënave të papuna me tre fëmijë, ku kemi rreth 9200 nëna që mbështeten drejtpërdrejt nga shteti për shkak se janë të papuna dhe ndërkohë kanë tre fëmijë për të rritur.
Shumë e rëndësishme është që në aspektin e burimeve njerëzore kemi qëndrueshmëri.
Janë punësuar nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” këtë vit 344 mjekë të rinj dhe 1123 infermierë, përfshirë dhe teknikët e shkencave mjekësore, 65 specialistë të rinj kanë përfunduar specializimet dhe ka filluar dhe një program i kredive të buta për shtëpi, për mjekë, infermierë, mësues dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe të forcave të armatosura.
Ajo që është besoj unë një lajm për mua i bukur, për ju nuk e di, është që kemi filluar një proces bashkëpunimi për të arritur në një marrëveshje binjakëzimi, por jo binjakëzim simbolik, po binjakëzim i plotë me ndërveprim të plotë me spitalin “Shiba” të Izraelit, që është i rankuar spitali i 9 në botë përsa i përket kapaciteteve, shërbimeve dhe cilësisë së performancës dhe në fillim të vitit të ardhshëm, Onkologjiku do të jetë pika e parë e bashkëpunimit në terren dhe gjithë programi i punës së Onkologjikut do të jetë një program që, jo vetëm po ndërtohet aktualisht që po flasim në bashkëpunim me ekspertët e Onkologjikut të spitalit “Shiba”, por që do të ndiqet, do të menaxhohet dhe njëkohësisht do të zbatohet në jetën e përditshme të spitalit bashkërisht, duke shfrytëzuar kapacitetet e mjekëve izraelitë, por duke shfrytëzuar edhe mundësitë e mëdha që jep teknologjia përmes Telemjekësisë dhe ne besojmë shumë që ky është një hap i parë, por ndryshimi do të jetë i jashtëzakonshëm, jo thjesht në aspektin e të sotmes, por dhe në aspektin e rritjes së kapaciteteve dhe të transformimit të atij shërbimi, që është shërbimi më i vështirë në të gjithë planetin, kjo dihet pse dhe nga ana tjetër, hap pas hapi ky bashkëpunim do të shtrihet në të gjithë qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, që synojmë me mbështetjen e miqve izraelitë, ta kthejmë në një qendër ekselence në gjithë rajonin përsa i përket shërbimit shëndetësor publik.
Kemi përfunduar rehabilitimin e pediatrisë së specialiteteve. Një program i ri për të cilin kemi punuar dhe që do të hyjë në funksion vitin e ardhshëm është dhe mundësia e fëmijëve që marrin shërbim në spitalin pediatrik për të ndjekur shkollën, brenda në spital, kuptohet me programe specifike. Ky është një program i mirënjohur që zhvillohet në disa spitale nga më të mirat e botës dhe atë eksperiencë, falë një partneriteti që kemi mundësuar në Shtetet e Bashkuara, do ta sjellim dhe në Spitalin Pediatrik në Tiranë. Është ndërtuar spitali i ri ditor, me 60 shtretër ku ka përfitim për 65 mijë pacientë në vit, që e shfrytëzojnë këtë strukturë vetëm brenda një dite dhe që nuk mbingarkojnë pjesën tjetër të sistemit.
Janë rehabilituar 3 poliklinika specialitetesh dhe që nga viti 2018, deri tani në vitin që po mbyllim, kemi 400 qendra të reja shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Kishim 400 kotece të braktisura ku rrinte vetëm një infermiere dhe ku doktori shfaqej sipas rastit, sot kemi sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është në fazën e fundit të përfundimit të punimeve të rindërtimit bashkë me zgjerimin e kapaciteteve, rehabilitimi i plotë i Spitalit Rajonal të Kukësit edhe me një sërë pajisjesh të fjalës së fundit është në proces dhe kemi këto kantieret që kemi hapur këtë vit; spitalin e Lezhës, spitalin e Krujës, e thashë maternitetin, godinën e re të laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, rikonstruksioni i plotë në mjediset e spitalit psikiatrik në Vlorë, Spitali Rajonal i Gjirokastrës godina qendrore dhe së shpejti dhe Spitali Rajonal i Dibrës sepse kontrata është lidhur.
Tek mbrojtja sociale ka vazhduar të rritet në radhë të parë asistenca nga afër e personave në nevojë për asistencë dhe janë faktikisht, futur tanimë në këtë proces edhe organet e pushtetit vendor.
Është folur shumë në këtë periudhë për bujqësinë, por janë disa shifra që janë fakte dhe që janë të lexueshme nga shifrat e doganës, nuk ka nevojë që t’i diskutojmë, që eksportet bujqësore janë rritur dhe janë rritur me afro 20% në 11 mujorin e vitit. Shifrat e dhjetorit, me mirëkuptimin tuaj, nuk i kemi dhe jemi në 435 mijë ton eksporte bujqësore. Po ashtu, kemi pasur disa të dhëna inkurajuese për ata që quhen “Komponentë të prodhimit të qëndrueshëm” dhe për sa i përket investimeve, kanë vazhduar investimet në argjinaturën, kanë vazhduar investimet në kullim dhe në hidrovore, ka vazhduar puna, tanimë është kthyer në një punë rutinë por edhe segmente të reja kanalesh kryesore kulluese dhe është rehabilituar infrastruktura kryesore e ujitjes për rreth 8 mijë hektarë të tjerë.
Me rëndësi është që sistemi i informacionit mbi tokën bujqësore po vazhdon me hapa inkurajues të hyjë në fazën e digjitalizimit përfundimtar dhe praktikisht kemi krijuar një sistem informacioni për 460 541 hektarë që nuk ka ekzistuar as për një hektar të vetëm më parë dhe po vazhdon digjitalizimi i regjistrave të tokës bujqësore.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i punës janë tregjet sepse tregjet janë edhe një nga pikat e dobëta që kur vjen puna tek anëtarësimi në Bashkimin Europian janë “hotspot” dhe kanë qenë “hotspot” për të gjitha vendet që e kanë bërë këtë proces. Ne natyrisht kemi arsye të krenohemi sepse e kemi nisur nga thertorja e rrugës “Kthesa e Kamzës- Milot” ku, siç mund t’ju kujtohet rruga ishte e mbushur me sensacione gjaku dhe me trupa bagëtish të ndryshme që vareshin nga këmbët, gjysmë të zhveshur nga lëkura dhe gjysma tjetër në zhveshje e sipër nga kasapë me llërët e përveshura në diell edhe besoj që kur keni shkuar të raportoni në këtë segment, keni marrë me vete edhe gjak lope ose viçi nëpër rrotat e makinave tuaja të shpejta.
Kjo tani është një fazë e kaluar. Duket sikur po flas për një film të Mesjetës, por është në fakt realiteti që na u trashëgua nga ata që janë punësuar si revolucionarë imagjinarë. Megjithatë, problemi i tregjeve është një problem që duhet adresuar më tutje dhe janë 9 tregje të produkteve bujqësore dhe të gjësë së gjallë që janë bërë të reja funksionale në këtë periudhë dhe kanë përfunduar këtë vit.
Në mbyllje të pjesës së parë, dua të flas pak për punët e brendshme dhe për mbrojtjen sepse janë një sërë gjërash, besoj, të rëndësishme duke filluar nga shifrat, ka një të keqe të madhe që… ka një risi në jetën mediatike dhe politike të vendit për sa i përket punëve të brendshme. Risia është që duke qenë se vrasjet rrallohen vit pas viti, bie numri, dhe sot që flasim mbyllim vitin me numrin më të ulët të vrasjeve dhe këtë fjali e keni dëgjuar çdo fund viti, apo jo? Ju kujtohet? Sepse kështu ka ndodhur. Po të shikoni grafikun e vrasjeve, e kemi nisur mesatarisht 1 vrasje në 3 ditë si trashëgimi kur morëm detyrën dhe kemi ardhur duke e ulur. Mirëpo, jeta mediatike dhe politike ka nevojë për të vrarë dhe ka nevojë për të plagosur e ka nevojë për spektakël dhe këtë vit ka pasur 2 spektakle që për nga intensiteti dhe nga manipulimi i publikut kanë qenë për tu lavdëruar, nëse manipulimi i publikut është qëllimi.
Nuk diskutohet që në aspektin e audiencës, like, share, me siguri që kanë qenë spektakle që ia kanë vlejtur por në raport me të vërtetën kanë qenë dy pasqyra sesi mund të manipulohet dhe mund të gënjehet publiku. Spektakli i pas vrasjes në Pogradec, i cili u karakterizua nga gënjeshtra pas gënjeshtrash, sajesash pas sajesash dhe skandale pas skandalesh në aspektin e integritetit të shërbimit ndaj publikut duke filluar natyrisht nga politikanët dhe pastaj “O burra kush flet më shumë në drejtim të gabuar”.
Spektakli tjetër, edhe më i shëmtuar në këtë aspekt që flas unë ka qenë ai që u bë me 14 vjeçarin dhe me tragjedinë e asaj familjeje sepse aty u krijuan edhe vrasës të tjerë, u sajuan dhe thika të tjera, u treguan versione kriminale në aspektin e detyrimeve ndaj publikut, kuptohet sepse unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve shumë të natyrshme, për humbjen e një jete aq të re ti të furnizosh publikun me helm a thua se nuk mjafton helmimi i shpirtit nga ndodhia. Dhe ti thuash publikut që policia ka fshehur një vrasës tjetër; ti thuash publikut që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të Byrosë kombëtare të hetimit dhe për këtë arsye e kanë fshehur; t’i thuash publikut këto është krim, sipas meje. Kuptohet, moral. Dhe kështu ka ndodhur. Është mbajtur publiku për një kohë të gjatë, qoftë pas vrasjes së Pogradecit, qoftë pas vrasjes së 14 vjeçarit, në ajër me një mashtrim kolektiv të të gjithë atyre që u përfshinë, kuptohet. S’po them gjithë kolektivi mediatik, por ata që u përfshinë. Se unë mund t’i kuptoj politikanët që atë armë kanë zgjedhur, fabrikimin për të ngritur akuza, akuza për të krijuar lajm, lajm për të krijuar fakt, fakt për të krijuar analiza, analiza për të krijuar pyetje, pyetje për të kërkuar llogari. Ky është cikël. Po unë nuk kuptoj dot ose më saktë e kuptoj dhe këtë, por e ndaj me ju se kanë qenë dy momente të vitit që po lëmë pas që kanë qenë dy momente tragjike, të dhimbshme për dy jetë të humbura, por të neveritshme për dy të vdekur që u rivranë disa herë, duke vrarë të vërteten e tyre.
Ana tjetër e medaljes është që nuk ka më çdo tre ditë, prandaj dhe kur ndodh një o burra të nxjerrim sa më shumë gjak nga shpirti i këtij mileti sepse duhet rrezuar regjimi.
Megjithatë ajo që nuk diskutohet është që shkaqet e tensionit që ka midis fëmijëve, prindërve, mësuesve shkollës janë shkaqe komplekse dhe që duhen adresuar me aq sa kemi mundësi. Kur them me aq sa kemi mundësi, jo ne, por gjithë qeveritë sot. Që do të thotë që së pari, do mbyllim tik-tok -un për një vit. Pse për një vit? Sepse do të shikojmë si do evoluojnë gjërat. Ka një presion të madh mbi rrjetet sociale për të marrë më shumë masa. Me siguri dhe Tik-Tok mund të jetë në kërkim të marrjes së masave dhe krijimit të garancive, por ne nuk kemi kohë për të pritur sepse është një moment që duhet mbajtur një qëndrim i fortë dhe ky është një vendim i mbështetur nga mbi 90 % e prindërve që janë pyetur dhe janë anketuar.
E dyta. Do të rrisim shumë sigurinë në shkolla, jo sepse ka ndodhur kjo, por se në projektimin e monitorimit me kamera, Ne kemi përfshirë faktikisht dhe shkollat dhe faktikisht gjithë procesit i jetës në shkollë do jetë një proces transparent dhe i monitorueshëm nga cilido qoftë që do dojë të dijë, jo Big Brother. Nga cilidoqoftë që do të dijë. Do dojë të dijë një prind se çfarë ndodhi, do dojë të dijë opinioni publik në rast se ka qoftë larg një ngjarje të rënde, do dojë të dijë drejtuesi i shkollës për ecurinë e mësimit. Të gjitha do jenë të dokumentuara dhe transparente. Ashtu sikundër, dhe vetë hyrja në shkollë do të jetë e një niveli shumë të lartë sigurie. Do jetë e pamundur për të penetruar çfarëdo qoftë nëpër xhepa. Dhe kjo do rrisë shumë nivelin e sigurisë. Është një projekt për të cilin kemi rreth një vit e kusur që punojmë. Ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm atje ku është implementuar dhe ka shënuar rënie të të gjitha llojeve të problematikave, bullizmi, mungesat, rrëmuja, mos përqendrimi në mësim, celularët etj. Dhe do të jetë një nga krenaritë e mandatit tonë të katërt.
Për sa i përket organizmit, e dini që ka pasur një rinovim të thellë të gjithë lidershipit të policisë së shtetit si rezultat i një ligji të ri, si rezultat i një procesi komplet ndryshe në përzgjedhjen e drejtueseve të policisë së shtetit dhe është një proces që ka përfshirë të gjithë piramidën nga drejtuesi më i lartë tek drejtuesit e qarqeve, tek shefat e komisariateve. Dhe sot kemi faktikisht një lidership të policisë së shtetit më të ri në moshë, më të motivuar besojmë edhe për shkak se janë të gjithë të promovuar në karrierë në pozicione që nuk i kanë pasur më parë. Dhe të shikojmë si do performojnë, por unë kam bindjen dhe ne kemi bindjen që Policia e Shtetit do të çojë në një shkallë tjetër performancën e vet që ka ardhur në rritje në krahasim gjithmonë relativ, por që tanimë është detyrimisht e matshme me standardet e BE dhe kjo është arsyeja që duhet bërë ende më shumë.
S’po hyj në të dhënat e shumta këtu, por një gjë dua ta nënvizoj në fund për këtë pjesë, që falë dhe bashkëpunimit me Prokurorinë e posaçme dhe falë punës intensive të bërë, sot jemi në një nivel krejt tjetër dhe unë flas për fakte dhe fals për shifra, nuk flas për perceptime, në raport me forcën që ka fituar shteti dhe terrenin që ka humbur krimi i organizuar. Ashtu sikundër, jemi komplet në një nivel tjetër dhe për sa i përket rezultateve të luftës kundër trafiqeve dhe kundër drogës. Më lejoni një sugjerim jo si kryeministër, për ju si bashkëqytetarë të këtij vendi. Mos ua u bëni Shqipërisë atë që të tjerë, qofshin shqiptarë, qofshi të huaj ia bëjnë me kollajllëkun më të madh duke e pikturuar si vend krimi dhe droge, se nuk është.
Është shumë e thjeshtë. Nëse do të ishte, nuk do të ishte negociuar anëtarësimin në BE. Nëse do te ishte, nuk do të kisha unë në tryezën time dhe të gjithë negociatorët në tryezën e tyre, planin e miratuar bashkërisht në Komisionin Evropian në fund të vitit 2027. Nuk do të ndodhte, thjesht nuk do të ndodhte. Unë kam qenë këtu në këtë tryezë kur ne kërkonim statusin e kandidatit në vitin 2013 kur thuhej që; aq tre ligje, tre ligje. Jo që nuk ishin tre ligje, por ishte një qëndrim që të bënte të ndiheshe keq për pasaportën që kishe.
Kam qenë këtu edhe në 2014, edhe në 2015 kur filluam një luftë të madhe kundër krimit dhe kanabisit etj, dhe jo vetëm që nuk mjaftonte, kështu që sot është krejt diçka tjetër. E nëse sot prokurorët specialë të Republikës së Shqipërisë thirren, kërkohen në vende të Evropës dhe në vendet e Amerikës Latine; thirren dhe kërkohen si aleatë të besueshëm, nuk thirren dhe kërkohen si turistë. Nëse sot Eurojust dhe gjithë strukturat e tjera bëjnë të tjera komplet raporte për Republikën e Shqipërisë, atje ku dikur ato lloj raportesh të pengonin të shikoje se ku ndahej diplomacia nga çfarë fshihej prapa, kjo nuk vjen se unë vesh atlete të bardha që duhen dhe ato patjetër, siç dhe e keni parë se duhen, por ama vjen sepse janë faktet dhe shifrat qe flasin. Kështu që, nëse mund t’ia bëni këtë këtij vendi, dijeni se nuk po ia bëni vendit siç mund të keni lexuar në libra për dëshmorët e luftës, por po ia bëni familjes tuaj dhe po ia bëni fëmijëve që do keni nesër ose që keni sot sepse një gjë është debati, lufta po të doni, e brendshme për pushtet apo ç’të doni ju, por është komplet gjë tjetër dëmi që teksa ti kujton se po lufton dhe po çon në shtëpi të mirat materiale nga ajo luftë, je duke e bërë në bashkëpunim me të tjerët për ata që ke në shtëpi. Dhe nuk është retorikë fare kjo, kjo është shumë e thjeshtë por nuk është momenti për ta shtjelluar më shumë. Është momenti për ta mbyllur me pjesën e mbrojtjes, ku kemi një transformim te madh përsa i përket Forcave tona të Armatosura, një transformim, i cili lexohet në një fakt të vetëm; që për 70 kuota ne Akademinë e FA kemi pasur 1114 aplikime nga maturantë në garë. Këtë shifër, disa vite më parë as nuk mund ta imagjinonte njeri dhe ndërkohë nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e logjistikës, nga pikëpamja e kushteve, Forcat tona të Armatosura tani janë në standardet e NATO-s, por ne vazhdojmë të besojmë që edhe pse i kemi rritur në mënyrë shumë të ndjeshme pagat e tyre, duke e bërë praktikisht ushtrinë e dytë më të paguar të rajonit ( 2.05.20), duhet të vazhdojmë t’i rrisim për ta çuar siç jemi zotuar në mesataren, jo të rajonit, por të NATO-s dhe do ta bëjmë këtë gjë.
Nuk diskutohet që do ta bëjmë këtë gjë. Pastaj, sot kemi një flotë helikopterësh të shtuar luftarakë; sot kemi dronët Bajraktarë; kemi një bazë ajrore taktike të NATO-s që është funksionale tanimë; po rikthehet në funksion baza ajrore e Gjadrit për vendosjen dhe stërvitjen e helikopterëve Black-Hawk; kemi një strukturë komplet të re dhe inovative të mbrojtjes së vetë ushtrisë përveç strukturës nacionale dhe një Qendër të re Ekselence për Teknologjinë dhe Inovacionin që është pranë strukturës së muzeut të Ushtrisë dhe kemi dhe një risi tjetër që me prototipin e makinës së re ushtarake shqiptare, Shota, që është prezantuar dhe në panairin e Parisit, do të kemi makinën ushtarake të prodhimit vendas, duke filluar nga fundi i vitit të ardhshëm besoj.
Ajo që ndryshon gjithashtu, është një qasje e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me asetet e ushtrisë duke i bashkuar faktikisht, shumë vendeve të tjera të NATO-s dhe duke pasur një departament të dedikuar për zhvillimin e aseteve, të cilin ne do ta vëmë në radhë ta parë në funksion të turizmit. Dhe duke pasur ministrinë e Mbrojtjes, jo në rolin e strukturës që lëshon asete, por në rolin e strukturës që merr pjesë në zhvillimin e tyre. Tipikisht pastaj në raste të veçanta, varet se si. Këto janë pak a shumë ato që unë doja të thoja. Në fakt nuk janë të gjitha se kisha më shumë po duke qenë se besoj, e theva rekordin e gjatësisë së një konference të fundvitit përsa i përket pjesës sime, do t’u jap kohë për disa pyetje, kështu që natyrisht, i dashur Muhamet Veliu ti nuk mund ta marrësh i pari mikrofonin sepse ti e di kush duhet ta marrë i pari mikrofonin. Nëqoftëse nuk e di, është grua. Nëqoftëse nuk e gjen dot, mund ta them unë.
Ladies first, sir se ti e ke qejf edhe këtë gjuhën e BBC-së.
* * *
-11 vite më parë ju mendonit që ishte sistemi që korruptonte individin, sot pas 11 vitesh kur shumë funksionarë të lartë në pushtetin qendror dhe pushtetin lokal janë përpara drejtësisë, mendoni po njësoj zoti Rama?
Kryeministri Edi Rama: E para, është e habitshme për mua që prej vitesh i përgjigjem kësaj pyetje dhe prej vitesh vazhdon kjo pyetje. Unë nuk e di ça nuk kuptohet nga ato që them unë, pastaj jeni apo nuk jeni dakord kjo është liria juaj, por dua t’iu kujtoj që ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo që unë kam thënë, janë bashkë sepse kur unë kam thënë nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit, e para, nuk kam thënë një fjalë që e kam shpikur unë, është dituri publike kjo. E kam mësuar dhe e besoj 100% dhe e dyta pikërisht se e kam besuar atë që kam thënë e kam udhëhequr reformën në drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë, kështu që kur ju thoni sa shumë njerëz, e para njëherë nuk e di se me çfarë e masni këtë sepse shumë apo pak është relative dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë apo pak. Partia Socialiste ka 800 mijë mbështetës, do ketë edhe më shumë në pranverë. Ka një numër nuk i kam numëruar po besoj se do ketë pasur gjatë këtyre tre mandateve mbi 50 ministra besoj, duhet të ketë gjatë këtyre tre mandateve, po të marrim parasysh edhe kohën përpara reformës së decentralizimit, pushtetit vendor mbi 500, 600 drejtues vendor. Mund të ketë pasur mbi 200 deputet, çfarë do të thotë tani shumë, shumë çfarë, e para.
E dyta, patjetër se ju e kush të dojë mund të thotë që reformën në drejtësi e solli Amerika me aeroplan mund ta thoni. Mund të thoni që reformën e solli BE-ja me vapor nga Brindizi. Ndërkohë që për këdo që njeh ose do të njoh historinë e reformës në drejtësi mjafton të kthehet mbrapa në histori kur ne ishim në opozitë, shumë më parë sesa 2013 sepse janë në dokumente, në dokumente. Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe se tani ju jeni mësuar me opozitën pa shkrim e këndim po opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe.
Një dokument propozimesh që quhej Pakti për Shtetin e së Drejtës, Pakti për Shtetin e së Drejtës. Është dokument, kërkojeni dhe lexoni aty çfarë thotë ai pakt. Ka prapë më mbrapa, ka shënime të mbajtura nga mbledhjet për programin e Partisë Socialiste në opozitë, – do bëjmë Reformën në Drejtësi –Jo nuk e bëjmë dot se duhen ndryshime kushtetuese dhe nuk e vëmë dot në program. – Do ta bëjmë. Po si do ta bëjmë se ne nuk do të marrim 94 vota, s’do marrim as 84 vota. –ore do ta bëjmë, do ta heqim drejtësinë nga duart e pushtetit politik, le të kushtojë, sa të kushtojë. Janë fakte këto të shkruara, të bëra, ka dëshmitarë pafund dhe keni përballë krye dëshmitarin. Ju çuditërisht kujtoni se kur më thoni mua, lerë njëherë se janë ca që janë komplet fare, që ja iku, skam më, ia morën të gjithë, ia kapën të gjithë. Ca më kapën? Është habi e madhe shumë. Megjithatë nuk ka problem, secili ka këndvështrimin e vet.
Ajo që unë di të them është që nëse kjo po ndodh në Shqipëri, unë nuk dua të hyj në komente, në diskutime. Nuk dua të hyjë në asnjë koment e kam thënë me kohë. Nëse kjo po ndodh në Shqipëri, të drejtën e autorit për faktin që u shemb një sistem dhe e kam thënë, e keni të regjistruara që nga i ndjeri president që s’është më, tek të tjerët që më sulmonin se thosha do ta shembim këtë sistem drejtësie, është shembur apo jo? Si arkitekturë flas, se pastaj mund të diskutojmë sa të doni për shumë gjëra që nuk shkojnë, por si arkitekturë, a është shembur apo nuk është shembur? A do ta pastrojmë llumin nga sistemi drejtësisë? Janë fjali të miat shumë kohë më përpara se të bëhej reforma. Është pastruar një pjesë e madhe e llumit, jo i gjithi po është pastruar një pjesë e madhe e llumit apo jo? U pastruan me vettingun apo s’u pastruan. Tani si ishte kjo si ishte. Me kë po flisni, kujt po ia thoni këto dhe mos vallë mendoni që kur unë kam thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi që të shofi drejtë, as majtas e as djathtas dhe kur të jetë për të goditur të godasë kë duhet të goditur, majtas dhe djathtas, mendoni se kam bërë retorikë për qejf.
Kam menduar çdo gjë që kam thënë dhe kijeni parasysh unë çdo që them e mendoj. Në kuptimin që e besoj, gjëra që nuk i besoj nuk i them. Dhe kërkojeni një kryeministër në të gjithë Europën s’po hyj në vendet nordike, flasim që nuk ka bërë një koment për një çështje konkrete, një. E më thoni kush është e ma sillni, pse? Sepse unë që bëj koment edhe për punën tuaj vallë nuk kam komente për të bërë mendoni ju, kam plot, por ama është vendimmarrje strategjike kjo, nuk është që kemi hequr duart nga ai pushtet është hera e parë në historinë e këtij vendi, ose ma gjeni mi kundërshtoni me fakte këto se me llafe. Historia kur lexohet, duket sikur është bërë nga njerëz që kanë ardhur nga Hëna. Jo, kështu kanë qenë dhe ata që kanë bërë historinë që lexojmë ne. Kanë qenë njerëz, si ju, si unë, si ne. Kjo është një kohë që po bëhet histori në Shqipëri. Dhe unë ua kam thënë, unë nuk jam këtu, as për të ngrënë pula, as për të shijuar jetën sipas mënyrës sesi e kuptojnë shijimin e jetës ata që kanë më shumë vetura se çorape. Unë jam këtu për historinë dhe ne në këtë kohë po bëjmë histori. Tani, më hyni në gjëra konkrete, mund të diskutojmë sa të doni, por mos harroni një gjë, është hera e parë që nga viti 1912-të, se atë po ju thosha më parë, po e them prapë, më jepni fakte, më tregoni kur ka pasur Shqipëria një gjyq, një proces të pandikuar nga pushteti politik, të paorientuar nga pushteti politik, të pa diktuar nga pushteti politik, që ka çuar deri në burg, një person të lidhur me pushtetin politik. Kur them pushtetin politik, kam parasysh njerëzit e pushtetit, s’kam parasysh vetëm qeverinë. Ma thoni vetëm një rast, një, ‘one’! s’ka pasur. S’ka pasur për arsye të ndryshme në histori. Ka pasur faza të ndryshme historia dhe nuk ka pasur sistem drejtësie siç duhet. Thonë që ka pasur, dhe e diskutueshme, drejtësi të mirë në kohë të Zogut. Dakord! Mund të ketë pasur në një nivel të caktuar, por jo për ministrat e Zogut, jo për bashkëpunëtorët e Zogut, për ata që donte Zogu. Më pas, për ata që donte apo s’donte tigri, e kam fjalën për tigrin e vërtetë, atë të komunizmit. Pastaj, donte apo s’donte skifteri. E kam fjalën për këtë sorrën që kemi pasur në formë skifteri për disa vite, tani është sorrë. Domethënë, sot është kështu, kështu që çfarë më pyesni?!
– Zoti kryeministër, pyetjen time do ta ndërtoj bazuar në dy vlerësimet që ju sapo dhatë për prokurorët e SPAK-ut në kontributin e tyre në luftën me krimin e organizuar. Disa vite më parë, kur Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi si kampion të antikorrupsionit, zotin Ardian Dvorani, ju i dedikuat një koment të gjatë dhe më pas e keni komentuar këtë zhvillim që erdhi nga Uashingtoni, si një vlerësim natyrisht personal për zotin Dvorani, por edhe për reformën në drejtësi. Ndërkohë, tre javë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli zotin Altin Dumani si kampion të antikorrupsionit, por ka munguar një urim apo një koment nga ana juaj, përse kjo?
Kryeministri Edi Rama: Në çfarë viti ka ndodhur e para?
– Përpara rreth 3-4 vitesh.
Kryeministri Edi Rama: Ma jep me vit.
– Memoria bën të vetën.
Kryeministri Edi Rama: Memoria bën të vetën.
– Dy vite.
Kryeministri Edi Rama: Memoria bën të vetën, pse ta thashë? Sepse nuk ka rëndësi viti konkret ndoshta, por janë dy kontekste krejt të ndryshme. Nuk është i njëjti kontekst. Janë dy kontekste krejt të ndryshme, dhe nuk e kuptova fare sesi mund të humbisje të vetmen pyetje që kishe shans të bëje përse një burrë ka uruar një burrë dhe s’ka uruar një burrë tjetër. Më ke habitur!
-Zoti Rama, ju folët sot për shumë çështje, herë pas here përmendët edhe median, duke thënë ndër të tjera që shumë lajme nuk kanë dalë, nuk i kemi transmetuar. Pyetja ime lidhet me bunkerizimin që kanë bërë ministritë e Shqipërisë. Asnjë prej ministrave gjatë gjithë vitit, nuk ka dhënë një konferencë për media, jo deklarata. Kryetarët e bashkive, shembulli konkret është zoti Veliaj, i cili që ditën e parë që ka ardhur në zyrë, nuk ka dhënë as edhe një konferencë për gazetarët, ndaj ndoshta disa lajme nuk kanë dalë. Në proces të përafrimit me Bashkimin Europian do të jepni këshilla vitin e ardhshëm që të jenë më transparentë ministritë tuaja dhe Agjencia për Media dhe Informim që ka bunkerizuar gjithë informacionin.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di sa serioz je në këtë pyetje, se ministrat dalin çdo javë aty poshtë te shkallët, i përgjigjen të gjitha pyetjeve. Tani se lëshove një fjalë për propagandë. Nëse faktet janë propagandë dhe gjysmë të vërtetat janë fakte, atëherë jetojmë dhe është e vërtetë që jetojmë në një kohë, ku shumë gjëra janë kthyer përmbys, jo në Shqipëri, por në gjithë botën. Mbase, dhe jo mbase, jam i bindur tani, që për ju gjithë kjo që bëra unë sot, është propagandë, nuk e diskutoj fare. Ekzakt. Ndërkohë çfarë bëra unë? Përfitova nga ky eveniment i fundvitit, dhe konferencat e fundvitit mund t’i shikoni dhe në raste kur bëhen në vende demokratike nga kryeministrat dhe janë shumë të gjata, përfitova që të ndaj me publikun fakte, dhe jo propagandë. Problemi është që këto fakte, në një masë të madhe bien ndesh me çfarë shumëkush i tregon publikut përditë. Bien ndesh! Mirëpo këto janë fakte! Nuk është propagandë! Janë fakte! Dhe përsa i përket agjencisë që përmende, Agjencia përgjigjet në kohë reale, jo nesër. Në kohë reale, brenda ditës dhe këtë gjë unë e di si fakt, jo si opinion sepse marr në mënyrë të përjavshëm raportin çfarë kërkohet nga gazetarë dhe çfarë jep përgjigje agjencia. Kështu që më vjen shumë keq. Duhet të verifikosh numrin nëse e ke të saktë apo jo, aty ku çon pyetjet e tua, sepse të jesh i sigurt sepse Agjencia të kthen përgjigje brenda ditës, edhe pse afatet janë ndryshe, siç ju e dini, nuk janë brenda ditës. Dhe e fundit, nuk di a e keni parë, po që mund të mos ta keni dhënë lajm është shumë e natyrshme, ne kemi publikuar një platformë të re që quhet “Transparent Albania” dhe ajo ka filluar të popullohet me të dhëna dhe unë besoj që deri nga mesi i vitit të ardhshëm do jetë një platformë që ju dhe kushdoqoftë, mund të mësojë në kohë reale çdo gjë që bën qeveria e Republikës së Shqipërisë çdo para që shpenzon, çdo kontratë, çdo vendim jo thjesht qeveria, por dhe ministritë e të gjitha. Aty do të kemi edhe një rubrikë të veçantë për të bërë transparencën tonë në lidhje me shumë nga gjysmë të vërtetat që publikohen në platformat tuaja, që siç thotë një fjalë që mua më pëlqen shumë ta përsëris “Gënjeshtrat më të mëdha janë gjysmë të vërtetat”.
-Me vendimin e fundit të qeverisë për mbylljen e Tik Tok-ut, të cilën ju e përmendët edhe në fjalën tuaj, ky vendim ka nxitur mjaft skepticizëm por edhe akuza që ju vijnë nga kundërshtarët tuaj politikë se, sipas tyre, ky vendim nuk ka ardhur për të mbrojtur fëmijët por për qëllime elektorale. Në fakt, edhe rasti rumun tregon edhe se Rusia përdori Tik Tok-un për të ndikuar zgjedhjet. Ju i druheni kësaj?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e ndryshoj dot tjetrin. Tjetri është ai që është, cilido qoftë, ne nuk e ndryshojmë dot tjetrin. Unë nuk e kam në kulturën time që t’i them dikujt “Ti e ke bërë këtë sepse ke pasur në mend këtë” pa pasur asnjë provë. Unë nuk e kam këtë në kulturën time. Unë nëse i them tjetrit “Ti ke bërë këtë” duhet të kem 1 provë të vetme ose pastaj debatojmë me opinionet e tjetrit, por me faktet unë nuk bëj luftë, as nuk e luftoj tjetrin duke ia paraqitur opinionet e mia si fakte as nuk pranoj që të luftohem në të tillë.
– Zoti kryeministër, sërish drejtësia. Unë e di që ju nuk do të flisni për drejtësinë, për vendimet e drejtësisë pasi në çdo konferencë ka ndodhur e njëjta gjë, por ju vendosni për bashkëpunimin politik. Duke nisur me rastin që Erion Veliaj, një nga figurat e rëndësishme të Partisë Socialiste, jo vetëm si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por edhe si drejtues politik, a i cënohet jeta politike në Partinë Socialiste Erion Veliajt pas nisjes së hetimit nga SPAK ndaj tij?
Kryeministri Edi Rama: Përkohësisht, di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve e të socialeve. Këtë e di me siguri. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Unë nuk bëj komente për çështjet që i takojnë institucioneve të drejtësisë. Mund të bëj koment, deri më sot, kjo mund të ndryshojë. Kur të ndryshojë duhet të ketë një arsye shumë të fortë dhe pastaj do ta ndaj me ju ,por deri sot ky është qëndrimi im. Mund të bëj koment për ndonjë vendim të formës së prerë siç kam bërë për një shpifësh recitiv për një vendim që ka qenë një nga vendimet më të drejta dhe më të mirëseardhura për mua në këtë vend ku shpifja është bërë mbret dhe e vërteta është kthyer në skllav. Ndërsa sa i përket rastit konkret nuk përbën përjashtim por ama është pak por e sigurt që linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe që kërkimi i gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente meqë më pyetët por për më shumë nuk kam.
– Gjatë këtij viti opozita ka zhvilluar një seri protestash apo siç i quan “mosbindje civile”, por që si kërkesë kryesore kanë pasur ngritjen…
Kryeministri Edi Rama: Po të ndihmoj. Mos e konsumo pyetjen për gjëra që nuk janë pjesë e bilancit të qeverisë në këtë fundviti dhe për gjëra që nuk kanë, sinqerisht nuk kanë asnjë pjesë të vëmendjes sime. Nëse do të bësh pyetje tjetër… Mos e harxho pyetjen kot sepse ta thashë eshtë jashtë sferës së interesave të mia të harxhoj minuta të shtrenjta të jetës së mbetur për t’u marrë me subjektin e pyetjes suaj.
– Gjatë kësaj kohe që ju mbajtët fjalimin tuaj këtu ju folët për një seri arritjesh që ka bërë qeveria në sektorë të ndryshëm, por a mund të na thoni një gabim që ka bërë qeveria gjatë këtij viti apo ka qenë një qeveri e mbarë dhe e ka merituar dhuratën e Babagjyshit këtë vit?
Kryeministri Edi Rama: Sa i përket gabimeve, mund t’ju siguroj që, besoj unë, do kemi bërë, jo një, por më shumë se një, me siguri dhe e them pa asnjë ironi sepse të marrësh kaq shumë vendime sa merren në të gjitha nivelet dhe të gjitha vendimet të mos çalojnë për një arsye apo për një tjetër…
Mua nuk më shqetësojnë gabimet që rezultojnë si të tilla kur një vendimmarrje merret me synimin që të bëhet gjëja e duhur. Ajo që është e papranueshme janë gabimet që bëhen me qëllim për të shfrytëzuar fuqinë e vendimmarrjes për të nxjerrë përfitime të tjera. Për këto, secili përgjigjet individualisht ndërsa përsa i përket pastaj vendimmarrjeve që, duke i parë më pas, mendon që mbase nuk ishin në kohën e duhur, mbase nuk ishte në formën e duhur, mbase nuk ishte kjo rruga e duhur, të jesh i sigurt që ka më shumë se një në të gjithë këtë volum pune që bëjmë por në pikturën e madhe unë mendoj që faktet dhe rezultatet flasin vetë.
– Zoti kryeministër, u ndalët gjatë në fjalën tuaj tek drejtësia e re dhe në fakt ka ardhur një kërkesë konkrete nga drejtësia e re, i referohem këtu kërkesës së SPAK-ut për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të saj. Në fakt, kërkesa i është bërë Kuvendit por sigurisht kërkon vullnet politik si kërkesë pasi duhen ndryshime kushtetuese dhe ju si shef i mazhorancës, në fakt, nuk jeni shprehur qartë dhe prerazi për këtë çështje. Pyetja ime është a do të vijojë mazhoranca, Partia Socialiste t’i kryejë këto ndryshime dhe a do ketë një kërkesë edhe për opozitën për bashkëpunim duke qenë se duhen 94 vota?
Kryeministri Edi Rama: Domethënëse në prag të vitit 2025 ju më bëni një pyetje që është për vitin 2028? Faleminderit që nuk e fshehe që ti e di që unë në 2028 unë do jem këtu, por ajo që dua të them, duke marrë shkas nga pyetja, është diçka tjetër. Nëse i kthehemi mbrapa në kohë Reformës në Drejtësi, qëkur ka nisur dhe nëse gjeni një prononcim timin në të gjithë procesin, një, “Duhet bërë kështu, duhet bërë ashtu”, ju lutem ndajeni dhe me mua por nuk besoj se ka. Ajo që unë kam thënë atëherë dhe që kam bërë atëherë ka qenë “Këtë reformë e udhëheqim ne. Ju doni apo nuk doni, do të vini e ta votoni”. Çdo gjë që shkruajmë ne ka dy vija të kuqe; opinionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Po nuk u prekën këto dy vija të kuqe, pra çdo pjesë e reformës merr miratimin e tyre, unë personalisht e votoj pa diskutim dhe kështu kam bërë. Unë personalisht. Dhe unë e kam ditur se çfarë vjen.
Asgjë nga çfarë ndodh, nuk flas për emra konkretë, flas për frymën, qoftë më gjërat e mëdha dhe pozitive qoftë dhe në gjerat negative, unë i kam pritur. Se natyrisht ka dhe gjëra negative në tërësinë e vet kjo fazë sepse bëhet fjalë për të ngritur një shtet të ri de fakto në pjesën e pushtetit gjyqësor. Shtet i ri ai komplet, me strukturë të re komplet. Ndërsa për sa i përket pyetjes konkrete, nuk kam asnjë opinion, nuk kam asnjë ngutje. Dhe nëse do kem një opinion, do ta kem kur ta formoj nga bisedat me ata që duhet të merren më këtë punë. Ne, ju e dini, kemi një komision në parlament që do vazhdojë dhe në mandatin tjetër. Do vazhdojë në këtë formë apo do të kthehet në një mekanizëm të ri të parlamentit për të ndjekur procesin deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE për të gjitha reformat dhe për të gjithë performancën e institucioneve, këtë do ta shikojmë. Por do vazhdojë! Dhe aty do diskutohen të gjitha. Ai është graviteti i gjithë kësaj dhe pastaj do shohim.
– Zoti kryeministër, nëse struktura e posaçme e SPAK do ketë një masë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, PS do të ndjekë të njëjtën traditë? Do kërkojë shkarkimin e Erion Veliajt dhe njëherësh do t’i hiqet dhe drejtimi politik i qarkut të Tiranës. Dhe pjesë e kësaj pyetjeje, është dhe po aq, duke qenë se ju e njihni mirë politikën. Jeni politikan karriere, keni një dyshim se kush është Nesti Angoni i cili çoi një kallëzim në SPAK dhe më pas SPAK doli me një deklaratë ku ndaj kryebashkiakut Veliaj në fakt janë tre akuza të renda, për fshehje pasurie, bëhet fjalë për veprimtari kriminale e kështu me radhë.
Kryeministri Edi Rama: Ju lutem mos më shtyni në ngasje që ta komentoj këtë rast. Nuk komentoj!
Se më nxite të qeshurën me atë që të them unë se kush mund të jetë ky Anesti. Nuk komentoj të lutem. Mos më shty në këtë ngasje sepse besoj që ky rast është shumë specifik për shumë arsye. Por unë nuk kam asnjë koment dhe deri tani unë nuk kam parë asnjë akuzë konkreti për persona konkretë. Kam ndjekur, skam parë një gjë të tillë por gjithsesi unë personalisht nuk dua të bëj asnjë koment dhe natyrisht dhe asnjë përfaqësues i PS nuk është i lejuar të bëjë asnjë koment. Do shikojmë procesin që siç po e ndiqni ju jo vetëm me një vëmendje por me një uri të madhe, ne pa uri por me vëmendje por e ndjekim me shumë kujdes.
– Zoti kryeministër, duke qenë se 12 pyetje na i rrëzuat. Po kalojmë tek pyetja e 13 që nuk e kemi prekur ende, tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë bëra me 12 pyetjet e para?
– Na i rrëzuat 12 pyetjet e para.
Kryeministri Edi Rama: Pse kishe bërë 13 pyetje ti?
– Po mesa duket në këtë kohë të gjatë, na mjaftoi që t’i organizonim të 13-ta.
Kryeministri Edi Rama: Të na i kishe parashtruar këtë që të të sillnim bukë me vete.
– Jemi të përgatitur se historia na ka treguar që zgjasin. Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke qenë se ju herë pas here keni shmangur opozitën, sapo e thatë pak më parë të mos bëjmë pyetje në raport me ta. Ka disa figura të reja politike të cilat duket sikur kanë një simpati në terren tek qytetarët. A janë ato rrezik për PS në zgjedhjet e ardhshme? I referohem këtu Lapajt, Qorrit, Shabanit dhe Shehajt.
Kryeministri Edi Rama: Kështu të bashkuar bashkë, Lapaj, Qorri, Shabani, Shehaj.
– Dhe bashkë mund të jenë prandaj them mund të përbëjnë rrezik.
Kryeministri Edi Rama: Jo, flas si tingëllim ngatërrohem pak, por nuk ka asnjë kundërshtar apo alternativë në fushë, nuk është rrezik. Se më kujtohet kur luaja basketboll nuk ishte rrezik që ne do na mundte “Vllaznia”. Ishte një mundësi. Një mundësi. Zgjedhjet janë si kundërshtarë. Kundërshtari më i madh i PS, e kam thënë me kohë unë këtë është PS.
Këtu luftohet për vendin e dytë dhe luftohet për vendin e dytë për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse PS është e vetmja forcë popullore. Të tjerët nuk janë forca popullore, janë forca të pjesëzave të caktuara të shoqërisë por forcë popullore, parti popullore është PS. Është punuar shumë dhe punohet shumë që të jetë kjo. Nuk është diçka që ndodh se del në televizor. Kur koleget tuaj më të rritur por dhe më të lajthitur bëjnë komente natën nëpër banaqe, në territorin e Shqipërisë mund të jenë duke u zhvilluar 600 mbledhje organizatash. Ne nuk kemi më kohë, unë jo se unë kam kohë që nuk shoh, nuk kemi kohë të ndjekim debatet tuaja. Ne bëjmë mbledhje, bëjmë takime, bëjmë organizime dhe kjo është reale që po e them. Kur ata janë në debate dhe merren me seksin e engjëjve, ne në territorin e Shqipërisë mund të kemi 600 mbledhje organizatash, që mund të jenë duke u zhvilluar. Si mundet kjo parti? Por lufta për vendin e dytë duket e fortë. Kjo është e vërteta. Vendi i dytë nuk është i sigurt për asnjërin.
Më afër vendit të dytë është kush nuk është akoma në garë. Se normalisht vendi i dytë si një sistem i yni duhet të të japë mundësi të kesh akses në mazhorancë.
– Kryeministër, ju keni mbështetur kategoritë më në nevojë, pensionistët, personat me aftësi ndryshe por edhe kategori të tjera sociale. I mbështetët me bonusin e fundvitit. Keni premtuar një tjetër bonus gjatë viti të ardhshëm dhe deklaruat këtu gjatë konferencës për shtyp që keni nisur hartimin e një skeme të re për pensionistët. Do ta përmbyll qeveria këtë skemë brenda vitit të ardhshëm dhe duke patur parasysh rritjen ekonomike që ka pësuar buxheti i shtetit përgjatë këtyre viteve sikurse ju e deklaruat këtu, sa e parashikoni të jenë kufijtë maksimal për pensionet dhe a do të ndodhë kjo gjatë vitit të ardhshëm?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një bisedë që po zhvillohet në nivelin e ekspertëve, me ekspertë dhe institucione ndërkombëtare dhe vitin e ardhshëm, diku në një moment në gjysmën e parë të vitit ne do organizojmë dhe një konferencë ndërkombëtare për të ndarë shumëçka lidhur me këtë temë, por është herët për të folur akoma.
– Për sa i përket përgatitjeve për zgjedhje që po bën PS. A e keni marrë në shqyrtim idenë e hedhur prej jush disa vite më parë për sa i përket, nëse ma lejoni, verifikimi për mos e thënë vetting të të gjithë listës së kandidatëve për deputet me të cilën PS do të prezantohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Dhe një pyetje tjetër. Ju kam pyetur dhe më herët. E keni pjekur idenë se ku do kandidoni? Ndoshta në Shkodër?
Kryeministri Edi Rama: Ideja që unë kam pasur atëherë, e kam akoma, por nuk ka gjetur mbështetje sepse ua kam dhe ndonjë herë tjetër; ju mendoni që çdo gjë që unë mendoj bëhet pa rezistencë. Në fakt ka shumë gjëra që diskutojmë brenda dhe në një pjesë të tyre unë s’jam hiç ose nganjëherë jam vetëm fare, kështu që tërhiqem. Është e vërtetë kjo. Ideja ka qenë që ne të avanconim, domethënë të zgjeronim kohën e përgatitjes së listave dhe t’i jepej mundësia partive që të çonin për verifikim tek institucionet që mund të verifikojnë të gjithë emrat e mundshëm, natyrisht me aprovimin e tyre, që dakord po, je një nga kandidatët por do ta çojmë emrin për verifikim. Je dakord? Po. S’jam dakord, në rregulla. Pse? Sepse është e padrejtë, shume e padrejtë që një partie politike t’i hidhesh në fyt për të kaluarën e dikujt që as nuk e ka deklaruar, por as që nuk figuron në ato burime informacioni që janë të aksesueshme, se ne kemi shkuar shumë larg me këtë legjislacionin tonë, s’e ka asnjë këtë në Evropë. Ju e dini këtë. Kemi shkuar shumë larg për arsyet tona, domethënë të vendit tone. Por në Itali për shembull, pasi kryhet periudha e viteve të rehabilitimit të personit, nuk ka më rekorde. Nuk ekzistojnë. Te aksesueshme. Ato janë aty, por nuk ekzistojnë, ti nuk i gjen dot. Për të hyrë në ato labirinte të shteteve të tjera, duhet të përdorësh mekanizma të institucioneve që mund ta bëjnë ketë për arsye të statusit të tyre, s’mund ta bëjë dot qeveria. Duhet ta bëjë një institucion X i sistemit të drejtësisë. Natyrisht kjo do të kërkonte një kohë më të gjatë. Mbase ata që e kanë kundërshtuar këtë edhe brenda nesh, kanë argumente të arsyeshëm sepse koha e verifikimit zgjati shumë por përndryshe atëherë risku është gjithmonë, që për të gjithë përpjekjet që ti mund të bësh, siç ishte rasti i kandidatit për kryetar bashkie në Shkodër, i cili faktikisht nuk është një person që mund ta lidhësh në çfarëdo lloj forme me fjalën krim, por 20 vjeç ishte kapur në konvikt bashkë me një koleg, shok, student me një sasi marijuane e cila në atë kohë ishte ilegale në Itali. Sot ajo sasi është legale.
Edhe e kishte fshehur gjithandej. Dikush, një Nesti tjetër e kishte ditur, e kishte çuar dhe.. nuk e di domethënë, ka një kështu.. do ketë diku në kodin tonë gjenetik një N që na ndjek që nga koha e Turqisë. Mbase e kemi marrë dhe nga perandoria këtë ves.
S’ka asnjë relevancë këtu. Unë jam praktikisht deputet i gjithë Shqipërisë në një kuptim, kështu që kush zgjedh Partinë Socialiste, zgjedh edhe ermin tim aty në një kuptim, kështu që detyrimi është për të gjithë, pastaj në Vlorë edhe në Durrës, është shtua edhe thirrja e gjakut. Kam edhe një thirrje nga Shkodra po nuk e di. Sinqerisht nuk e di.
– Meqenëse e kthyet në sfidë publike, unë po ju kujtoj, zoti Kryeministër..
Kryeministri Edi Rama: Cilën?
– Një vendim të drejtësisë së re, që ju jo vetëm e keni komentuar por edhe e keni kundërshtuar haptazi. Është sekuestro preventive për bazën detare të Limionit në Sarandë, që është një urdhër i SPAK dhe janë tre vendime gjykatash. Bashkë me Gjykatën Kushtetuese bëhen katër. E keni kundërshtuar ju 9 muaj me parë publikisht me zë dhe figurë. Tani sipas Gjykatës së Lartë, sekuestro preventive është vendosur aty për të mos lejuar cënimin e sigurisë kombëtare, për shkak se me firmën tuaj ju keni dhënë leje për t’u privatizuar nga 2 biznese jo pak të njohur në Shqipëri. Tani që gjykata mbrojnë sigurinë kombëtare, ju çfarë interesash mbroni aty? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Po. Është e vërtetë kjo, por unë kam pasur parasysh, në këtë përsëritje s’kam komentuar, kam patur parasysh faktin që jam pyetur për persona. Rasti konkret, është i vërtetë. Është një skandal i përmasave të pa perceptueshme, është ndërhyrja më brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Kushtetuta e Republikës thotë; ka 3 pushtete të pavarura nga njëri – tjetri. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që drejtësia është e pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe ka një sërë detyrash të vetat, apo jo, të cilat nuk mund t’i bëjë pushteti ekzekutiv. Po edhe pushteti ekzekutiv është i pavarur nga drejtësia dhe nga legjislativi, nga gjyqësori. Nga çfarë? Në të drejtën për të vendosur. E drejta për të vendosur, që është dhe njëkohësisht detyrim për të marrë vendime, buron nga mandati i popullit, i cili nxjerr qeverinë përmes Parlamentit. Se këtu vijmë tek pavarësia e Parlamentit nga pushteti gjyqësor. Është pushtet tjetër ai. Në rastin që kishim tani në fund, nuk i thotë dot asnjë lloj shkalle e pushtetit gjyqësor Parlamentit si duhet të ngrejë dorën. Nuk ia thotë dot sepse i hyn në pavarësinë e vet. Nuk i thotë dot qeverisë asnjë lloj nivel i pushtetit gjyqësor se si duhet të vendosë për bazën e ashtuquajtur, se po të shkoni atje, nëse keni pak sens humori, do të duhet të mbani barkun me dorë, kur të shikoni cënimin e sigurisë se ajo është histori më vete ajo tjetra pastaj, cënimi i sigurisë kombëtare që është një pjesë e një farse të rëndë, që bëhet me një element kyç të programit të qeverisë. Është program elektoral. Nuk e ndalon dot një përfaqësues i pushtetit tjetër qeverinë të zbatojë programin për të cilin ka marrë votat. Në programin elektoral unë kam premtuar portin turistik. Nuk është privatizuar, e ke gabim dhe nuk ka rëndësi se nuk dua ta bëj polemikë me ty, e ke gabim. As nuk është dhënë me koncesion. E ke gabim, nëse e mendon. Është dhënë me qira, ajo pjesë, është pronë e ushtrisë edhe sot, edhe nesër, edhe kur të mbarojë investimi. Madje ushtria nga ai investim do të marrë më shumë se ç’ka sot. Se tani ta quash bazë, nëqoftëse siguria jonë kombëtare varet nga ai Limioni aty, unë i pari bashkë me ju hajde kapim avionin e parë, hajde ikim se jemi të pushtuar. Është dhe më fal se u zgjata se realisht është një skandal shumë i madh. Por forca e verbër ka bllokuar një investim që sot që do të fuste në ekonomi, po se kur do t’i fusë nuk di 300 milion euro, do të rriste numrin e turistëve të nivelit të lartë dhe do të bënte që ato varka, ato jahte që shkojnë e parkojnë në Malin e Zi, që shkojnë parkojnë në Greqi, që shkojnë parkojnë në Kroaci dhe nga të cilat bashkitë dhe shteti marrin gjithë ato të ardhura gjatë gjithë periudhës që ato janë të parkuara se është një biznes shumë i madh, të vijnë një pjesë edhe në Shqipëri. Këtë ka bërë kjo përçartje dhe kjo futje, jo hundësh, por hundësh dhe duarsh në të drejtën e pushtetit ekzekutiv për të marrë vendime. Ai që ka detyrën të ndjekë mënyrën se si zbatohet vendimit dhe nëse ka në zbatimin e tyre korrupsion apo shkelje flagrante të ligjit nuk mund të jetë në pushtetin ekzekutiv, por ama kush ka të drejtën të marrë e të bëjë reforma, të marri vendime nuk mund të ndalohet nga pushteti gjyqësor, çdo me thënë kjo? Është vota, është vota se përndryshe i bie që të shkojmë të pyesim në pushtetin gjyqësor, a ta marrim këtë vendim apo jo? Është vota që e vendos. Nuk e përcakton dot gjykata se çfarë është siguria kombëtare, se përcakton dot fare, nuk ka lidhje fare. Ai vendim tregon atë që thashë më parë që ka shumë mangësira në këtë fazë kur po ndërtohet një sistem i ri, patjetër dhe kjo është një nga rastet ose për mua është shembulli më ulëritës i çfarë mund të ndodhi kur abuzohet me forcën e një pushteti, duke hyrë komplet në territorin e një pushteti tjetër. Pushtetet janë të ndara, pikë dhe natyrisht e drejta, në këtë rast komenti im, prandaj thashë, lidhet me punën që unë bëj, me detyrën që unë kam, si t’ia shpjegoj unë se është dhe gjitha një marrëzi përveç të tjera, se nuk është se ka ndonjë gjë aty të thuash, po prit njëherë. Është një marrëzi totale që do ta mbroka vendin që e ka për detyrë ta mbrojë ushtria një individ që duhet të shohë një rast dhe të japi. Do shkojmë ta marrin në prokurori apo në gjykatë orientimin si do ta orientojmë politikën e sigurisë kombëtare. Është një gjë e padëgjuar, është një absurd. Për këtë arsye unë e kam komentuar, prandaj po e komentoj prapë se lidhet me punë e qeverisë, lidhet me ndërhyrjen brutale në kompetencat e padiktueshëm të pushtetit ekzekutiv, ky është ndryshimi. Po kishe të drejtë e kam pas të ndarë ndryshe këtë gjë.
– Kam tre pyetje. E para kush ka hartuar listën e kandidatëve, deputetëve për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, listë që ju e keni firmosur, është përgjegjësi e drejtuesit politik të qarkut apo është përgjegjësi e juaja. E dyta është a mund të na thoni a ka Ergys Agasi post zyrtar në Partinë Socialiste dhe konkretisht në qarkun e Durrësit dhe cili është raporti juaj me të dhe e treta në vitin 2017 ju e keni përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Samir Tahirin, duke thënë se do të jetë një deputet i lirë deri në përfundim të hetimeve, ndërkohe që në rastin e Veliajt ai është në hetim nga SPAK për tre akuza dhe ju ende nuk e keni distancuar nga partia juaj. Mendoni se keni vepruar me dy standarde në këto raste dhe mendoni se ndikon ende fakti që ky zyrtar po qëndron në detyrë tek hetimet ose tek vendimi që drejtësia do të marrë në raport me atë?
Kryeministri Edi Rama: Besoj që iu përgjigja kësaj pyetje, po mund të përgjigjem prapë. Krahasimet në përgjithësi çalojnë, po ky është komplet pa këmbë sepse janë dy raste dhe dy kontekste dhe dy faza totalisht të ndryshme, e para. E dyta, këtu jemi në kushtet kur Erion Veliaj është hetuar, gjykuar, dënuar në gjykatën e politikës dhe atyre mediave që janë të angazhuara për të bërë gjyqësi alternative. Gjyqësi alternative do të thotë që me mjetet e politikës dhe të komunikimit mediatik të vendosi një kolektiv i caktuar njerëzit se kur bëhet fjalë për SPAK-un si organizatë kriminale, kur bëhet fjalë për SPAK-un si prokurori, kur bëhet fjalë për një rast që po është kështu, po duhet të jetë edhe më keq, kur bëhet fjalë për një rast që nuk është kështu fare. Dhe pikërisht në kushtet, kur kjo gjykatë dhe prokuroria alternative është aktivizuar kaq shumë për të linçuar publikisht një udhëheqës të Partisë Socialiste nga grupi udhëheqës i Partisë Socialiste, kryetarin e bashkisë së Tiranës, i votuar për tre mandate resht, protagonistit të transformimit të qytetit, me mbështetjen natyrisht të qeverisë dhe Partisë Socialiste, atëherë këtu jemi në kushtet kur ka shumë për të menduar dhe ka shumë për të reflektuar. Ndërkohë që, nuk jemi në kushtet kur është shpallur ndonjë akuzë publike, me gjithë argumentet përkatës. Jemi në kushtet kur ka fjalë, thashetheme, sms-ra, një sms pa emër, në kuptimin që nuk kuptohet se kujt i është ngritur, si i është ngritur, pra jemi në kushtet e një amullie shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Ne do të shohim evoluimin edhe në kohën e duhur do të mbajmë qëndrimet tona.
Përsa i përket tjetrës, unë nuk iu përgjigjem pyetje që burojnë nga llumi që rrjedh nëpër ato ulluqet e atyre sistemeve telefonike të kriminelëve. Unë as nuk ia afrohem. Dikush më çonte mesazh për një analist të krimit që më paskeni nxjerr foton të një njeri në kërkim, ndërkohë që nga ç’kam parë në këto vite e ç’kam kuptuar ka të tjerë që janë ohu, ku e ku në raport me atë person, ku e ku, që të dalin në parlament edhe nëpër media dhe bëjnë namin, e pastaj të çojnë mesazhe se kështu e ka politika.
Për shkak të një dobësie që unë nuk ia shpjegoj dot vetes, unë i dhashë përgjigje dy pyetjeve, jo një, në fakt që të tjerëve i dhashë një. Kështu që unë mendoj këtu duhet lënë kolegia të flasë.
Ju mund të merrni nëpër gojë gjithë Shqipërinë, unë nuk jam këtu për të marrë nëpër gojë njerëz. Kaq!
– Për t’u ndalur në informalitetin në biznes, një fushatë që është ndërmarrë nga ana juaj dhe jo vetëm, ku do të gjurmohen të gjitha ato biznese të cilat operojnë në informalitet përmes inteligjencës artificiale. Duke qenë se jemi në fund të këtij viti, cilat janë iniciativa që janë ndërmarrë përsa i përket gjurmimit përmes inteligjencës artificiale.
Kryeministri Edi Rama: Jemi duke ndërtuar atë program dhe besoj që në tre mujorin e parë të vitit tjetër, do ketë përfunduar i gjithi dhe do fillojmë ta shikojmë operacional, por është një program shumë kompleks që po ndërtojmë bashkë me Microsoft.
-Besoj që këtu u mbyll ky vit. Ky vit i suksesshëm për ju dhe kaq “i dështuar” për qeverinë dhe besoj që pavarësisht të gjithave, ju e meritoni realisht, jo formalisht, shprehjen e respektit për punën që bëni. Mbase ju nuk e besoni, dhe është puna juaj mos ta besoni, por unë e di çfarë është të punosh me tre palë shefa mbi kokë dhe mbi kokën e shefit të tretë, të jetë dhe një shef tjetër që as nuk e di fare se ku është, se ka dhe raste të tilla.
Kështu që, për gjithë këtë punë që bëni dhe këtë përpjekje, kohë, dhe energji që harxhoni, respekte. Ndërkohë që ju uroj sinqerisht që të keni të gjithë frymëzimin, pasionin, shëndetin edhe patjetër shëndetin jo vetëm për vete, por dhe familjarisht, për prindërit, bashkëshortët, bashkëshortet, të dashurit, të dashurat e zemrës dhe kë ju do zemra, fëmijët nuk diskutohet! Gëzuar dhe çdo të mirë për të gjithë ju dhe këdo tjetër që ju e doni ta shikoni mirë! Unë dua t’iu shikoj mirë të gjithëve, pa dallim!
Faleminderit shumë!