Kryeministri Edi Rama në Kuvend mbi situatën Covid-19 dhe masën për javët në vijim

Fjala e Kryeministri Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

Është normale që sot, pas kësaj periudhe kaq dramatike për të gjithë, përderisa nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë e përderisa hyjmë në grupin e vendeve që bazuar në fakte e në shifra e kemi përballur më me efikasitet këtë luftë, të dëgjosh lloj–lloj dënglash, që faktikisht janë të mirëkuptueshme kur vijnë nga njerëz të zakonshëm, të cilët duke mos e përjetuar tragjedinë, përveçse nga ekranet e televizorëve në vendet jo shumë larg nesh, përjetojnë stresin, përjetojnë pasigurinë, përjetojnë ankthin e dëmit mbi ekonominë e tyre familjare, por është anormale që dënglat t’i dëgjosh nga njerëz që kanë mikrofonë përpara, kanë kamera përpara, kanë një zë që shkon përtej […shkëputje] dhe në funksion të të gjithëve.

Jo projeksionet tona, por projeksione të bëra nga ekspertë të pavarur, që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë e që janë publikuar në krye të herës në ekrane, flisnin për mundësinë potenciale që, nëse nuk do ishte marrë asnjë masë e jeta do kishte rrjedhur sikur asgjë nuk do kishte ndodhur, ne do kishim 18 mijë të vdekur. Ndërsa projeksionet tona, sikur masat të mos ishin imponuar e të mos ishin respektuar nga shumica dërmuese e shqiptarëve, flisnin për 2800 të vdekur. Ky është fakti. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë, vlerësohen edhe për atë që ndalojnë të ndodhë dhe nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme logjike që të mund të hedhë poshtë faktin se sot, Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm. Nuk ka!

Natyrisht, në kushtet e stresit, në kushtet e mungesës së durimit, apo edhe të vullnetit për t’u informuar drejt nga burime zyrtare, qofshin burime zyrtare vendase, qofshin burime zyrtare të huaja, ka hapësirë edhe për teoritë e konspiracionit, ka hapësirë edhe për fantazitë mbi një komplot të madh botëror për arsye nga më të ndryshmet që fantazia e shfrenuar dhe në kushtet e karantinës i gjen, por e vërteta është se ne jemi këtu, sëbashku me gjithë botën, jo vetëm. E fatmirësisht, në këtë fatkeqësi që është e gjithë bota e përfshirë, – të ishte diçka që do të ndodhte vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, kushedi çfarë do kishim dëgjuar akoma – e shohim çdo ditë, e dëgjojmë çdo ditë që edhe vendet më të zhvilluara, edhe vendet më të pasura, edhe vendet më të ditura janë në konfuzion. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë që është pika globale e referimit është shfaqur më shumë se një herë kontradiktore me vetveten, në një përballje që e ka gjetur jo Shqipërinë, por gjithë botën në befasi e që po godet GDP-në e planetit si asnjëherë më parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Unë di të them dhe di ta faktoj këtë që po them, që asnjë vend në glob nuk ka bërë asgjë më shumë, sesa kemi bërë ne. Asnjë gjë më shumë dhe jo rastësisht Shqipëria renditet mes vendeve me plagët më të lehta, krahasuar me shumë vende të tjera të madhësive të ndryshme, që nga Shtetet e Bashkuara deri tek Luksemburgu. Fatmirësisht jemi gjendur në një situatë kur kemi pasur privilegjin t’i referohemi një ekspertize të nivelit absolutisht më të lartë ndërkombëtar që e kemi këtu në Shqipëri, atij të Komitetit teknik të Ekspertëve, që me të gjithë strategjinë e ndjekur, falë të gjitha orientimeve të dhëna, ka provuar se në këto kushte e për këtë fushë, Shqipëria nuk ka kujt t’i ketë zili, fare, askujt.

Nuk kam mundur të dëgjoj,  nuk kam mundur të lexoj asnjë ekspert botëror që të thotë ndonjë gjë të re, ose të paditur për ekspertët tanë. Natyrisht është shumë e qartë që kjo luftë ka dy fronte; Frontin e përballjes në vijën e zjarrit me armikun në trupin e njerëzve tanë, pra, frontin e betejës për shëndetin dhe frontin e betejës për mbijetesën ekonomike sot dhe rimëkëmbjen ekonomike nesër.

Ne po e fitojmë, mund ta themi me plot gojën, betejën me fronin e shëndetësisë.

Dhe ne do ta fitojmë edhe betejën në frontin e ekonomisë.

Natyrisht, me sakrifica, natyrisht me stres dhe me durim, por padiskutim do t’i fitojmë të dyja betejat. Ne nuk mund të lejojmë që për hir të pasojave në formën e stresit që krijon një situatë që, nga njëra anë, njerëzit nuk janë të tkurrur siç ishin në fillim nga shfaqja konkrete e rrezikut, sepse nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë fatmirësisht se vdesin dhjetëra në ditë dhe nga ana tjetër, kur njerëzit i japin fantazisë dhe ankesave një vrull të mirëkuptueshëm, ajo që është pak, por e sigurt është se që t’i fitojmë të dyja betejat, duhet të vazhdojmë të luftojmë.

Është shumë e kuptueshme që gjithë fokusi spostohet drejt ekonomisë, kur nuk ka lajme intensive të zeza nga shëndetësia. Nga ana tjetër është e pafalshme për ne që t’i nënshtrohemi këtij presioni që vjen nga nevoja dhe që artikulohet si nxitje për lirinë, për demokracinë, për të drejtat e njeriut, për t’u hapur, për të dalë, për të punuar e kështu me radhë, sepse do të ishte ekzaktësisht të hidhnim në lumë gjithçka kemi bërë deri tani dhe t’i hapnim armikut të padukshëm shtegun që deri tani nuk e ka gjetur ekzatësisht sepse kemi bërë këto gjëra deri tani.

Unë dëgjoj nga të katër anët me shumë vëmendje, lexoj me  shumë vëmendje ato që thuhen. Dëgjova edhe këtu të flitet për vendet që po hedhin miliarda dhe për Shqipërinë që ka mbetur tek qeset. Flitet në një mënyrë që është e neveritshme në këto kushte. E më e bukura është që për qeset flasin ata që hanë e pijnë e sot më shumë se dje, se rrinë në shtëpi, nuk bëjnë asnjë punë dhe hanë e pijnë dhe vjellin e vjellin, ndërkohë që ata që i marrin ato qese,  – meqenëse doni t’i quani qese, le t’i quajmë qese, – janë falënderues, janë mirëkuptues. Nuk janë ata më në nevojë që shesin dëngla sot, por janë ata, të cilët janë më pak në hall dhe për më tepër, ata, të cilët i bëjnë llogaritë pa hanxhiun fare. E dini konkretisht sa është shuma që Presidenti i Francës ka deklaruar dje, sepse dje ka dalë plani konkret për familjet në asistencë? Në  muaj, 150 euro plus. Shifër konkrete, për familjet në asistencë sociale në Francë është 150 euro plus dhe unë flas me fakte e me shifra.

Shqipëria ka dhënë në mbështetje të njerëzve në nevojë dhe në mbështetje të kësaj situate 4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, me fakte e me shifra. Unë fola për dënglat në përgjithësi të atyre që hanë e pinë dhe ju qajnë hallin medemek atyre që janë më në nevojë dhe përbuzin e tallen tamam si ato rrëfimet e Eqrem bej Vlorës, në emër të të varfërve, në emër të njerëzve në nevojë, në emër të atyre që po vuajnë.

Po ju jap prap një shembull tjetër; Franca ka akorduar 1500 euro plus për mjekët në zonat e kuqe. Ne kemi dhënë 1000 euro plus për mjekët që janë tek spitali Infektiv dhe tek spitali “Shefqet Ndroqi”, pra, për personelin shëndetësor dhe për infermierët, 1000 euro plus dhe 500 euro për sanitarë dhe shoferë të Urgjencës. Nuk po bëj krahasime me Francën, por po ju them që ato që dëgjoni në televizor, ato që lexoni nëpër portale dhe dënglat që i shisni këtu dhe që i shesin të gjithë ata që nuk kanë idenë për çfarë flasin, nuk kanë lidhje me realitetin.

Dëgjova këtu që kush është ajo qeveri që çon qese. Qeveria italiane jep tollona ushqimi në këto kushte. Kur flasim, mos harrojmë ku jemi, mos harrojmë çfarë mundësish kemi dhe të mos harrojmë se çfarë kemi arritur të bëjmë deri tani dhe njerëzve t’u gjendemi pranë me të gjitha sa kemi mundësi. Gjëja që duhet të shmangim të gjithë të bëjmë, është që t’ju ushqejmë mllefin, t’ju ushqejmë mërzinë, t’ju ushqejmë pasigurinë, për të përfituar nuk e di se çfarë, – miserabilitetin e të qenit medemek zëri i tyre. Nuk e kam përsëri me ju këtu, pavarësisht se dëngla këtu dëgjova përsëri sot, por e kam me shumë të tjerë, me ata që ishin këtu përpara e të tjerë akoma, individë, të cilët flasin e nuk dinë çfarë flasin.

Dëgjoj këtu që të riatdhesuarit t’i çojmë të punojë tokën. Dëngla! Sepse nuk është dëshira, as ndonjë imagjinatë e lindur nga dëshira për t’i shtrënguar njerëzit, që na detyron për hir të shëndetit, për hir të mbrojtjes së jetës t’i karantinojmë, por janë faktet me të cilat ne përballemi çdo ditë, duke marrë çdo ditë, në fund të ditës, gjithçka ndodh në çdo vend të planetit, – ua them këtë me përgjegjësi, – çfarë bëhet, çfarë shkruhet, çfarë thuhet dhe falë të gjithë kësaj ia kemi dalë të mos bëjmë asnjë gabim deri tani.

Ҫdo gjë mund të bëhet më mirë, gjithçka, por ama deri tani s’kemi bërë asnjë gabim. Po të kishim bërë një gabim, e tha ministri i Brendshëm, mjafton një njeri, nuk duhen 900 mijë veta, po një njeri të të bëjë gjëmën. E gjithë kjo që shohim sot ka ardhur nga një person dhe janë shembuj sesi riatdhesimet kanë sjellë valë të reja. E kam shpjeguar dje, publikisht, Singaporin. Ishte shembulli më fantastik në valën e parë, iu kthye nga riatdhesimi i mbi 500 studentëve që i çoi në shtëpi. “Ҫojini të punojnë tokën”, a thua se jemi ne që po i ndalojmë me dëshirë dhe kemi qëllim t’i mbajmë brenda, apo kemi shumë lekë për të harxhuar dhe t’u paguajmë dhe 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë e të vendosim atje edhe personel mjekësor, edhe kushte antiCovid e me radhë. Ku ka qeveri në botë, ku ka kryeministër në botë që ka dëshirë t’i bëjë këto gjëra? Por, nëse s’do bëheshin këto gjëra, sot nuk do ishit duke i uruar shërim të shpejtë deputetit Alimadhi, që ia uroj edhe unë dhe nuk e di sa prej jush do mungonin sot, këtu. “Lërja Zotit”, thotë teologu Myslym. Edhe një teolog në Iran tha “janë punët e Zotit këto” dhe me punët e Zotit nuk i mbyllën xhamitë atje, edhe i çuan të gjithë pastaj, aty ku sot i kanë me radhë mbi dhe, se s’kanë varre. Doli një ministër në Izrael tha se kjo ka ardhur për të ndëshkuar të pafetë. Do ti që e zuri Corona atë! Si shpjegohet kjo?

Nuk dua të kthehem shumë në kohë, por do kthehem në kohën kur keni qenë bashkë, ju me ata që s’janë këtu. Ajo ishte një kohë që, kur ikët nga qeveria ju që sot, bashkë me ata që s’janë këtu, dilni dhe qani hallin e të varfërve, qani hallin e atyre që janë me ndihmë ekonomike, u detyroheshit atyre 45 milionë dollarë, që nuk ua kishit dhënë fare dhe nuk kishte as pandemi, as tërmet. Ishte thjesht pandemia dhe tërmeti i mënyrës sesi funksioni ju. Plus, edhe të gjithë detyrimet për të përmbyturit në Shkodër.

E dëgjoj këtu, – dhe është turp, – “i morët nga Europa ato 50 milionë”. Cilat 50 milionë morëm nga Europa?! Mund ta thonë njerëzit në Facebook, kur janë të painformuar, kur nuk e dinë si funksionon, por t’i dëgjoj këtu…! 50 milionë euro të dhëna nga BE-ja për të përballuar situatën sistemi i shëndetësisë, nuk janë para që futen në qese dhe kanë ardhur këtu e humbën. Janë një fond që do disbursohet deri në marsin tjetër dhe akoma nuk ka ardhur transhi i parë, që është vetëm 4 milionë euro.

Të gjitha këto që po bëjmë, janë përballuar vetëm nga buxheti i shtetit. Nuk ka asnjë qindarkë të huaj në këtë proces, deri tani. Zero! Kjo është e vërteta, prandaj mos i gënjeni njerëzit. Fillojeni njëherë nga informimi i vetvetes, se gënjeni vetveten e prandaj i besoni ato që thoni dhe dukeni sikur po thoni të vërtetën. Flisni me fakte, flisni me prova këtu. Lëreni Zotin në punën e vet, se Zoti të jep jetën dhe të thotë të kam dhënë mendjen, tani mbro veten, të të mbroj, ndihmoje veten, të të ndihmoj.

Të vijmë tek “halli i madh” i atyre që dëgjova këtu, që do fusim popullin në burg. Unë nuk e kuptoj dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar çfarë lidhje ka një dënim me popullin. Si vihen gjobat dhe dënimet për popullin! Populli është ai që shkel ligjin? Populli është ai që shkon në burg? Kush shkel ligjin është individ, nuk është populli. Pikërisht për interesin e popullit, individi që shkel ligjin ndëshkohet. Nëse në diktaturë mund të thuhet se ndëshkimi i individit vjen si rezultat i kërcënimit që individi përfaqëson për qeverinë, në demokraci, ndëshkimi i individit vjen si rezultat i kërcënimit që ai përfaqëson pikërisht për popullin, për askënd tjetër.

Meqë nuk doni ta pranoni, nuk doni ta kuptoni, nuk doni ta dëgjoni e nuk doni ta lexoni që në Kodin tonë Penal nuk ka asgjë për epideminë, ju them se është i vetmi Kod Penal në Europë, nga Perëndimi në Lindje, që nuk ka asgjë, por ka vetëm si karantinohen kafshët. Danimarka është diktaturë, që e ka 3 vjet për atë që shkel rregullat e vendosura në funksion të mbrojtjes së popullit nga epidemia, deri në 8 vjet për atë që përfiton nga shkelja e rregullave, që do të thotë, dikush që merr në qafë edhe të tjerët se do të bëjë biznes?! Po Sllovakia, anëtare e Bashkimit Europian, është diktaturë?! E ka 3, 5 dhe 10 vjet burg. Meqenëse më kishte numëruar në karantinë Zonja Hajdari 675 herë, nuk e kam thënë asnjëherë në fakt, po e them tani se kështu është, dënim me burg. Po Italia, çfarë është që e ka deri në burgim të përjetshëm? E ka pasur dënim me vdekje dhe kur hoqën dënimin me vdekje në të gjithë Europën, e ktheu në burgim të përjetshëm.

Ajo që duhet të kuptoni ju dhe të gjithë, pse duhen këto masa tani, është se këto masa nuk janë përgjithmonë. Këto masa janë vetëm për gjendjen e kohëzgjatjes së fatkeqësisë nga epidemia. Këto masa janë për tani dhe për javët apo muajt në vijim dhe aty mbaron efekti i tyre dhe janë në Kod, nëse largqoftë, do të ndodhë ndonjëherë tjetër. Këto masa duhen pikërisht sepse ne do të hapemi. Këto masa duhen pikërisht sepse, po të shikoni numrin e shkeljeve të ardhur në rritje, sa më shumë garantohet sistemi shëndetësor, sa më pak lajme të këqija vijnë nga sistemi shëndetësor, sa më pak shtretër spitali të zënë, aq më shumë rriten nga ana tjetër shkeljet, sepse njerëzit mendojnë se kjo iku dhe tani është Edi Rama që po na mban brenda, është Edi Rama që nuk do që të shkojmë në  punë, është Edi Rama që nuk do që të shkojmë të punojmë token. Megjithëse puna me tokën është lejuar që ditën e parë, nuk është penguar asnjë ditë, por nuk e kanë parë deputetë e fshatit që flasin këtu për qeset, se kanë qenë të karantinuar vetë, duke ngrënë e duke pirë gjashtë herë në ditë dhe është Edi Rama që ka atë fantazinë  e tij të diktaturës. E kundërta është e vërtetë.

Dikush përmendi Austrinë. Austria ka të njëjtin plan si ne, por e ka vetëm pak më të avancuar në ditë. Kancelari i Austrisë tha do të hapemi, por jemi gati me dorën tek frenat  e emergjencës dhe do të kthehemi aty ku ishim nëse do të ndodhë ajo  që nuk duam. Që do të thotë që askush nuk e di, që ky virus, ky armik i padukshëm nuk ikën siç iku gjermani i fundit (sipas Myslymit më 28, sipas meje  më 29). Është si një armik i padukshëm që do të vazhdojë të jetë vërdallë. E për këtë arsye duhet që krahas me hapjen për popullin, të kemi edhe masat për ata që mund të kërcënojnë shëndetin e shumë njerëzve, duke mos u sjellë siç duhet.

Do t’i hapim bizneset e tjera, duke thënë mbaroi kjo tani dhe vazhdoni siç keni vazhduar? Jo, ne po pregatisim një plan shumë të detajuar me protokolle sigurie për të gjithë ata që do të bëjnë biznes, sipas nivelit të riskut. Ata që nuk do t’i respektojnë, patjetër që do të dënohen. Si mund të vazhdojmë me lokale që hapen, i mbyllim, rihapen! Nuk është  e mundur, se me kushtet e hapjes do të ketë shumë më tepër se këta, nëse ne nuk marrim masa. Masat janë për këta. Por ata që janë në autobus, ata që kanë mundësinë  të flasin dhe s’kanë asnjë përgjegjësi, janë po ata që sot thonë “lërja Zotit” e  që, nëse i dëgjojmë, do të vijnë nesër këtu  dhe do të thonë ne s’kemi përgjegjësi, kështu e kisha unë mendimin që Zoti ishte i madh, por Zoti qenka i vogël, apo fajin e ke ti që më dëgjon mua që Zoti më ka lënë në mes të rrugës, nuk e ka përmbushur Zoti veprën kur më krijoi, ishte duke u marrë me një punë tjetër dhe më la vetëm me gjysmën e mendjes. Ty për çfarë të kemi këtu, – do thonë.

Normal, ai që nuk ka përgjegjësi, ai që thotë jam një OJF dhe kjo punë do konsultuar nja 6 muaj, ose që thotë nuk bëhet Kodi me emocione, nuk ka përgjegjësi. Thjesht thotë gjëra, të cilat janë normale, kur s’jemi në këtë situatë. Po çfarë situate është kjo dhe çfarë ka normale këtu, kur të gjitha gjërat që ne i kemi mësuar dhe predikuar gjithë jetën, sot janë kundër nesh! “Mos shko tek prindërit t’i takosh, lërja ushqimin tek dera”; “Fëmijët të mos shkojnë në shkollë, ose kush del të shkojë në shkollë bashkëpunon me armikun”, të gjitha janë të përmbysura, por jo se i përmbysëm ne, por sepse është e vetmja mënyrë që ne të mos përmbysemi të gjithë nga ky agresion.

Dhe ne e kemi të ndaluar ta marrim lehtë. Kështu që në javët në vijim do të hapemi dhe do të shtrëngojmë masat për ata që nga hapja mund të sjellin përmes shkeljeve rimbylljen, nëse ne nuk ua bëjmë të qartë atyre që janë potencialisht shkelës, se çfarë ju ndodh po abuzuan me hapjen. Ata nuk duhet të jenë 100 mijë veta. Mjafton të jenë 100 vetë e na mbyllin prapë brenda, por atëherë as qese nuk ka më.

Kjo gjë duhet parë e gjitha si një luftë e përbashkët, sepse kjo është një luftë e përbashkët. Këtu nuk ka për të ndarë “ne” dhe “ata”, sepse ky rrezik nuk pyet as kush je, as sa i gjatë apo i shkurtër je, sa socialist apo demokrat je, sa i zgjuar apo budalla je. Ky të kap dhe të mbërthen. Kaq. E për këtë arsye, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe nuk duhet të ushqejnë popullin me fantazira, me teori konspiracioni, me helme e me mllef, me dëngla e me broçkulla, tenderi këtu, tenderi sekret atje. Nuk ka tendera sekretë në Republikën e Shqipërisë. Nuk ka fjalë “sekret” mbi asnjë tender. Janë procedura të përshpejtuara, siç i parashikon ligji. Të gjitha këto janë sjellje që edhe ne kohë paqeje janë mizerabël, ndërsa në kohë luftë janë kriminale.

Prandaj, unë ju bëj thirrje, mos bashkëpunoni me Covidin, votoni Kodin, mos u bëni agjentë të Covidit në Parlament, votoni Kodin. Mos votoni kundër, duke bërë ekzaktësisht atë që Covidi pret, që të ketë hapësirë dhe të shkojë e t’u hipë në kurriz atyre që shkelin dhe t’i kthejë në transportues të bombave të veta. Ҫfarë quhen ndryshe, nëse ti e merr sepse do të dalësh xhiro, ose do të shkelësh ligjin dhe e çon në shtëpi dhe ia hedh virusin gjyshes apo babait dhe pastaj gjyshja dhe babai shkojnë shtrihen me plagë dhe përfundojnë – largqoftë – në respirator dhe nuk dalin fare – largqoftë – nga respiratori? Ҫ farë quhen ndryshe këto?! Ҫ farë bën bomba më shumë sesa vret njerëz! Ndryshimi i vetëm është që bombën ta hedh armiku me avion nga lart, kurse këto lloj bombash i transporton ti që je i papërgjegjshëm, i pavetëdijshëm, je një dokrraxhi, një dënglaxhi, që për fatkeqësinë e Parlamentit ke mundësinë të marrësh fjalën këtu dhe edhe në kohë si kjo ke mundësinë të bëhesh e kundërta e asaj që duhet të jetë dikush që flet sot, nga kjo foltore, apo nga çdo mikrofon këtu, duke bërë predikime dhe maskarada, të cilat thjesht dhe vetëm çorientojnë, apo më keq akoma inkurajojnë në rrugën e gabuar njerëz që janë pak të informuar, që janë të stresuar, të keqkuptuar dhe nëse ju ndodh diçka – largqoftë, – ti nuk je më aty, ti nuk mban përgjegjësi. Përgjegjësia është e jona.

Ky është ndryshimi dhe ky ndryshim na bën të qëndrojmë kokëfortësisht në këtë pozicion deri në fund, ndërkohë që të tjerët mund të qëndrojnë dhe të bëjnë çfarë të duan, që do të thotë t’i shërbejnë të kundërtës, që do të thotë, në kohë luftë me bomba dhe me avionë t’i shërbejnë armikut. Si i shërbehet ndryshe armikut?! Armikut i shërbehet ose sepse të korrupton, ose sepse je budalla.

Faleminderit!