Kryeministri Edi Rama në Parlament:
-Replikë
Kanti thotë “Kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë në vendin tënd”.
Kur vihesh përballë akuzash të tilla, është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, nuk është barra e të akuzuarit të provojë që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet, por zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij proverbiale, në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjeshtë. Po sikur fondet e vëna në dispozicion për rindërtimin e shkollave nga Bashkimi Europian në raport me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për rindërtimin e shkollave të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim sesa fondet e qeverisë, çfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf që sapo u var në foltoren e Kuvendit?
Po sikur të gjitha investimet e bëra nga qeveria shqiptare për shkollat një për një, në aspektin e kostos, të jenë më të ulëta sesa investimet e bëra nga Programi i Bashkimit Europian po në aspektin e kostos, për të njëjtat aspekte dhe kritere, çfarë i mbetet parafolësit?
Parafolësit i mbetet ajo që i ka mbetur gjithmonë në fakt, humbja. Humbja që e ka në konstitucionin e vetë mënyrës së të qëndruarit në skenën politike qysh në ditën e parë.
Humbja që e përgatit me duart, me gjuhën dhe me qëndrimet e veta, çdo ditë.
E pra, mua fondet e bashkimit Europian, Lulzim, më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë, i jam shumë mirënjohës, jo vetëm Bashkimit Europian, por të gjithë partnerëve tanë që, jo vetëm na ndihmuan dhe na ndihmojnë në këtë proces, që nga Brukseli e deri në Abu Dhabi, që nga shumë kryeqytete të Europës, ku vende të caktuara kanë marrë përsipër të kontribuojnë për shkollat drejtpërdrejtë, deri në Ankara. Por po të them në aspektin e nikorqillëkut në shpenzimin e fondeve, u jam shumë mirënjohës atyre që kanë punuar për këtë projekt sepse kanë garantuar që ne të bëjmë më shumë me më pak. Po kështu, edhe me koston e apartamenteve me të njëjtat standarde.
Kështu që, atë fjalën “hajdut” që të ka mbirë në majë të gjuhës, gëlltite brenda, bëji gjuhës një kthesë në drejtim të ezofagut dhe herën tjetër, kur nxjerr gjuhën këtu, mate mirë kur flet për hajdutëri e hajdut dhe mate mirë kur tregon sesi shpërndahen paratë e lejeve të ndërtimit në zyrën e kryetarit të bashkisë, mate mirë kur flet për radhë të afërmish që merren me ndarjen e indulgjencave, duke shfrytëzuar zyrën e kryetarit të bashkisë.
Mati mirë këto dhe bëhu burrë, njëherë të paktën. Të ka ardhur prapë rasti të bëhesh burrë, por nuk po e shfrytëzon. E sa për pranë njerëzve, nuk ma tregon dot mua ti. Ta kam thënë më përpara dhe po ta them përsëri. E kam shumë krenari, nuk është zotësi në raport me të tjerët, por sa kilometra kam bërë unë e sa njerëz kam takuar unë për shkak të detyrës, nuk i kanë bërë bashkë të gjithë kryeministrat që nga formimi i shtetit shqiptar, kurse zotrote nuk takon dot as partinë tënde sot. Nuk del dot nga zyra të shkosh të takosh njerëzit e tu, të partisë tënde e më tregon ti mua se ç ‘është të jesh pranë njerëzve?! Pranë njerëzve është ajo që ti nuk e mëson dot sepse je vonë për ta mësuar, por të paktën dili zot atyre njerëzve të tu, se i ke dhe 95% e mos i lë rrugëve e mos hajde këtu të bësh leksione morali e të ndysh shtëpitë e shqiptarëve sa herë del, ulu e ngri hajduta kriminela, bosa e stërbosa.
Nuk ta ka borxh njeri Lulzim dhe arsyeja pse ti nuk fiton, nuk janë as kriminelët, as bosat, as të gjithë ata që ti rendit. Arsyeja pse ti nuk fiton je ti, sepse me këtë mënyrë të foluri, nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe me këtë mund të gënjesh dhe të tjerët për njëfarë kohe, por ndrysho sa nuk është vonë.
Ta kam thënë dhe herë tjetër, unë jam këtu për të respektuar këtë institucion, për të respektuar këtë përgjegjësi që kemi marrë bashkërisht, për të të respektuar edhe ty bashkë me partinë tënde, por që kjo është partia më e bukur e lindjes, Give me a break. Partia më e bukur e lindjes, miss lindja. Ti mund të jesh mister lindja, sot, por lind më në fund. Lind dhe mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelenat e mjekut.
Bëhu burrë dhe mos hajde këtu me dëngla, me akuza, me shpifje, me baltë dhe llum, por hajde me argumente.
Sa për ata që gdhihen në çadra, unë nuk e di ku i sheh ti ata që gdhihen në çadra se ti zgjohesh shumë vonë e kur ti zgjohesh, ata që rrinë në çadra janë në punë.
Po të them përsëri, ti e di, por po e them për ata që akoma të dëgjojnë, për atë 95% që mezi pret, që në çadra qysh nga dita e parë, janë rreth 400 familje, edhe sot por siç ke kërkuar dhe gërmuar më parë, dhe faktikisht nuk gjete gjë, mund të shkosh prapë e të gërmosh, nëse nga ata që janë në çadra ka ndonjë familje që sot që flasim nuk vazhdon të marrë bonusin e qerasë. Pse rrinë në çadra ata? Ata rrinë në çadra, jo se i kemi lënë ne, Lulzim, që ta mësosh por ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ty, ata punojnë.
Ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ty e nxjerrin bukën me punën e tyre, jo me punën e të tjerëve. Ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ti, nuk i ka mbajtur njeri në krah, me vite të tëra , duke i prezantuar sikur po bëjnë atë që ti në fakt ke bërë sikur e ke bërë.
Ata rrinë në çadra sepse e kanë larg tokën, fermën, gjënë e gjallë nga zonat ku mund të marrin apartamente. Kështu që, ti, kur i qan hallin të tjerëve, sidomos kur i qan hallin popullit, mban një erë hipokrizie or ti Lulzim sa dhe këta që janë këtu, që janë me ty, aq shumë të vështirë e kanë ta përballojnë sepse dhe këta aq shumë e kanë gënjyer veten që ti je lideri i tyre saqë dhe tani çdo ditë gdhihen dhe ngrysen me idenë “Orë a je ti apo nuk je ti, mund të jesh ti vërtetë ai që këta i kanë thënë vetes se je apo mund të mos jesh”!
Kjo nuk është puna ime, puna ime është vetëm kjo; të të kujtoj edhe njëherë tjetër që kur vjen këtu e bën të fortin, e para kujtohu se ca ke bërë, kujtohu mirë.
E dyta, kur thua këtu “E di gjithë Tirana, e di gjithë Shqipëria” mendohu mirë njëherë se sa shumë gjëra di Tirana dhe Shqipëria për ty o Lulzim dhe sa shumë gjëra dinë këta që janë këtu rreth e rrotull teje.
Ke një mundësi t’i shmangësh këto budallallëqe dhe të fokusohesh tek çështjet, faktet dhe argumentet. Nëse ke fakte, hajde ballafaqojmë, patjetër. Ka shumë fakte, të cilat flasin pse qeveria nuk është në lartësinë e duhur në një fushë, në një fushë tjetër, në një hap tjetër.
Ka shumë argumente që mund të trajtohen në mënyrë civile dhe mund të jenë vlerë e shtuar.
Por këto me të fortin këtu, që del si… Aman mos, na e kurse këtë. Na e kurse këtë dhe kursej shqiptarëve. Dhe “pranë njerëzve”, të lutem mos e përsërit më. Mos e përsërit më derisa të provosh se je në gjendje të rrish pranë 50 demokratëve në të njëjtën kohë, jo më shumë. Kur t’i mbledhësh 50 bashkë, jashtë mureve të SHQUP-it, hajde pastaj flasim si rrihet pranë njerëzve, a të keqen vëllai, se të kam xhan.
* * *
-Replikë
Dola përsëri këtu sepse është e nevojshme e meqë Lulzim kërkove t’i referohemi Frojdit, ndër të tjera Frojdi thotë, “koha e harxhuar me macen nuk është kurrë kohë e humbur”. Unë e konsideroj kohë të shfrytëzuar me efektivitet kohën që harxhoj me ty dhe një gjë, duke iu referuar atij burimit të PD, kostot maten me metër katror lulëzim, nuk maten me numër shkollash sepse ka shkolla që janë me palestra të mbyllura, ka shkolla që janë me kënde sportive të hapura, ka shkolla që janë më të mëdha, ka shkolla që janë më të vogla, prandaj jepu një porosi ekspertëve të t’i bëjnë llogaritë me koston për metër katror ndërtim, të shkollave, e pastaj këtu jemi prapë javën tjetër, hajde bashkë me burimin e partisë Demokratike edhe flasim.
Se mos e bëni siç e bëtë me Unazën e re, që ulnit e ngrinit koston e lartë për kilometër, a thua se kilometrat e rrugëve janë si metrat e teritalit. Kur blen terital është njësoj, e blen për metër. Kilometrat e rrugëve, varet se çfarë bën aty e tani që po e shohim të gjithë se çfarë po bëhet aty, është e qartë se aty nuk po bëhet një kilometër rrugë në fushë, aty po ndërtohet një vepër shumë komplekse inxhinierike, me një sërë tunelesh e të tjera e të tjera. Këto janë gjëra shumë të thjeshta. Po ti gropën e Hajdin Sejdis ke mbushur se nuk ke bërë ndonjë punë tjetër, kështu që nuk i di këto. Të paktën të dije këtë matjen me metër kub dhe, për mbushje gropash, se me këtë gropë që po të hapet do të duhen shumë metra kub dhe që ta mbyllësh.
Sa për Partinë Demokratike Lulzim, nuk jam unë i shqetësuar fare dhe unë nuk i referohem fare asaj që ndodh në PD, përveçse, e këtë e kam thënë, kur ti më fton ta bëj këtë gjë, ose kur dikush tjetër këtu na fton ta bëjmë këtë gjë. Ne vijmë këtu, diskutojmë me ju për çështje që lidhen me çfarë bën ky parlament, siç e tha dhe zoti Bafjtari që na la tani.
E kur ju na ftoni në këto hulli, atëherë çfarë të them unë? Kur ti thua që ti duhet të shkosh pranë njerëzve, çfarë të të bëj unë ty? Ti më kërkon me zor të të them po ti ku i ke njerëzit, se unë nuk e di. Unë të kërkoj me qiri, por nuk të shoh gjëkundi tjetër përveç se në atë kutinë e vogël të Neës24. Ku i ke njerëzit? Çfarë të bëj unë? Ti thua, populli po vuan, ata që ngrihen që në sabah në çadra. Po ku e di ti kush ngrihet që në sabah në këtë vend? Se e dinë të gjithë që ti ngrehesh vonë. Edhe këtu në parlament vjen i fundit gjithmonë dhe duhet dhe një kohë që të bësh xhiron që të vësh në punë gjithë makinerinë tënde. Tani, pse më fton në këto rrugë? Pse më detyron? Çfarë po më thua tani për historitë e bashkisë së Tiranës?
Pse ma kërkon me zor atë që dinë të gjithë? Po ndryshe nga ty, unë nuk jam nga ata që i gjëmojnë dynjasë me emra, se unë mendoj që çdokush në këtë vend ka të drejtën që të jetë në punën e vetë e për punën e vetë të përgjigjet përpara ligjit, të përgjigjet përpara organeve që merren me zbatimin e ligjit, nuk përgjigjet para teje, meje apo të gjithëve ne. E të marrësh mikrofonin, duke qenë i zgjedhur nga populli, e të rreshtosh emra njerëzish që janë kundër tyre, kjo ndodh vetëm kur vihen gjoba Lulzim. Cilat emra përmenda unë? Jo, unë e kisha për Babalen, por nuk e kuptove ti.
Kështu që, të vijmë tani tek çështja. Po Lulzim, jo vetëm që unë jam i bindur që në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve apo inceneratorët siç i thua ti, është bërë një hap shumë i madh përpara, për ta pasur Shqipërinë një vend të pastër, nuk diskutohet kjo, por patjetër që ato investime janë bërë pikërisht për të mos lejuar që të vazhdojë të ushqehet kanceri që latë ju në të gjithë territorin me qindra e qindra e qindra vend-hedhje mbeturinash ilegale, pranë lumenjve, pranë tokave të bukës, që janë helm dhe t’u japësh njerëzve alternativën e helmit se do të bësh luftë politike, mund ta bësh, por kjo është prapë një arsye pse humbet, që ta dish. Kjo është prapë një arsye pse humbet, e patjetër që po, bashkitë sot në të gjithë Shqipërinë kanë në dispozicion pikat fundore që janë ose impiantet e përpunimit të mbetjeve, inceneratorët sicc i quan ti, ose landfillet e investuara dhe sigurisht që janë të detyruar që mbetjet t’i çojnë atje, që të mbyllet një histori e madhe, e pështirë e helmit në mjedis, por dhe një histori tjetër, që është bashkëshoqëruese e saj, historia e abuzimit.
Ka abuzim shumë të madh Lulzim, historik, me sasitë e mbetjeve e ti i di shumë mirë këto, se je marrë me Sharrën për një kohë të gjatë, ke pasur dhe partneritet PPP të pashpallur për Sharrën e për mbetjet e këto ti i di mirë. Megjithëse, ti nuk merresh me shifrat, janë të tjerë që merren me shifrat për ty, por normalisht po t’i pyesësh ata, do të thotë që, po, kështu është.
Atëherë përqendrohu kur flet se kujton se bie përballë e bie vetes gjithë kohës. Përqendrohu kur flet. Më flet mua për llumin e tranzicionit e tani ke filluar këtë fjalinë e bukur që edhe PD ka pjesën e vetë të llumit. O Lulzim, po nëse PD-ja ka pjesën e vetë të llumit, unë fjalën llum nuk e përdor, nuk e kam përdorur ndonjëherë, as për PD-në që të jemi të qartë, se është fjalë e madhe. Po nëse PD ka pjesën e vetë të llumit, ajo pjesa e llumit të ka nxjerrë ty more Lulzim, ti je pjella më e brilantinosur e atij llumi, kështu që kujdes se nuk e kam unë fare për të mbajtur me gajret foltoren. Foltorja është gajreti i Shqipërisë. Çfarëdo që të bëj unë, foltorja është një gajret aq i madh për Shqipërinë, sheh Shqipëria dhe mban brinjët me dorë me foltoren, përveç atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt e që duket se kanë hyrë në karvanin e bacës Isa me axhën Ismail e do çlirojnë prapë Shqipërinë nga perandoria e radhës, perandoria amerikane. Ata po, ata janë karvan e do dalin me atë karvan. Unë nuk kam çfarë ti mbaj me gajret foltores, foltorja na mban me gajret ne. Kurse ti jo, mos e sill këtu prapë, mos i sill këtu këto, mos na ço gjuhën aty ku të dhëmb dhembi ty, të lutem. Rrotulloje gjuhën në një mënyrë që të mos shkojë atje se na detyron dhe ne të vijmë atje pastaj. E kur thua ti që do apo nuk do, mua do më kesh përballë, vallaj kjo është pastaj çfarë të të them unë ty. Po unë ty të dua përballë gjithmonë, dihet ajo punë. Unë të kam dashur, të dua e do të të dua, e nuk di si të të ndihmoj, realisht dhe nuk e kam cinike këtë, por realisht për ta ngritur në një nivel tjetër debatin, se vjen këtu, e di çfarë bën ti? Ti vjen këtu ekzaktësisht duke lexuar abetaren që të ka mësuar ai llumi nga i cili tani po na distancohesh.
Nuk bëhet distancimi nga llumi duke qenë zgjatim i tij. Trego që nuk je dhe je realisht i distancuar e mos shpif si llumi, mos shaj si llumi, mos merr njerëz nëpër gojë si llumi, pra shkurt muhabeti, mos ji karikatura e llumit. Llumi është origjinali ta kam thënë e mos e harro kurrë që ti ke sfidën më të madhe, jo PD-ja, sepse ti duhet t’i provosh vetes në radhe të parë, pastaj të tjerëve, që megjithëse ai llum ty të nxorri në krye, ti je tani diçka tjetër. Ti duhet të rilindësh. Ne dimë se si shkohet drejt rilindjes, na dëgjo. Ki besim dhe ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Ka plot fakte. Ia thashë dhe Ferdinandit. Nëse hyj në garë unë me Ferdinandin se kush ka më shumë kritika për të bërë për Durrësin, e fitoj garën, e nuk ka nevojë fare as të shpif, as të akuzoj, as të kriminalizoj dynjanë me llafe, por duke iu referuar fakteve dhe urdhëroni, si ju do ti bënit këto. Kjo është opozita. Si do t’i bënit ju. Nëse ti më thua që plehrat duhet t’i lëmë rrugëve, unë nuk jam dakord me ty. Nuk mund t’i lëmë rrugëve. Duhet t’i mbledhim nëpër pikat e grumbullimit. Nuk është kjo alternativa, ashtu sikundër nuk është alternativa të përdorësh burime pa pasur asgjë. E ke lexuar raportin e FMN? Se e përmend këtu FMN. E para, FMN nuk ka lidhje fare me raportimin e vdekjeve, nuk i raporton FMN-ja vdekjet, që ta dish. Nuk është FMN-ja që raporton vdekjet, është tjetër institucion. FMN-ja në raportin e vetë ka thënë qartësisht që ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të konsiderueshme e politikat e ndjekura kanë garantuar një rimëkëmbje të shpejtë e të qëndrueshme. Këtë e ka thënë FMN, e ke në raport. Çfarë më thua mua a e ke lexuar sa të vdekur keni se e ka thënë FMN. Tek kush FMN e ke lexuar? Mblidh burimet. Shtrëngohu. Fokusohu.
Sa për atë sfidën e madhe që bën ti, unë nuk dua të bëj komente këtu. Unë ta kuptoj ty se ku e ke hallin me atë vettingun tënd, ta kuptoj shumë mirë ku e ke hallin, është gjetje e lodhur në fakt, që të jemi të qartë, se nuk ta beson njeri ty, megjithatë unë nuk dua ta diskutoj sepse unë i qëndroj atij parimi që kam thënë. Hajde ta diskutojmë, siç meriton të diskutohet, me ekspertët tuaj, me ekspertët tanë, ku doni të dilni, si doni ta bëni, mbi cilat praktika të mira ndërkombëtare bazohet, në cilat vende ka treguar që ka sukses, çfarë thonë partnerët tanë për këtë punë, çfarë thonë institucionet.
Nëse ne na del që kjo nisëm është shpëtimtare për vendin, patjetër që ne do ta votojmë. Nëse na rezulton që kjo nismë është një kamerdare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë, në formë peshkaqeni, atëherë ne do themi Lulzim, vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i foltores. Nuk është puna jonë kjo. Thjesht ta ndajmë këtë. ju keni ekspertë plot, ne kemi disa, e shohim, e diskutojmë, patjetër, çdo gjë që i shërben interesit të vendit, ne na keni por, çdo gjë që mban pastaj era foltore, ne na keni kundër.
* * *
-Replikë
Nuk po zgjatem shumë, por edhe njëherë. Unë e kuptoj dhe në këtë rast jam i bindur që të gjithë e kuptojnë, se pse të duhet ty Lulzim kjo retorika e trimit të madh, që nuk ka shokë shumë dhe që ka përballë frikacakë që nuk ia dalin dot të ballafaqohen me sfidat e këtij trimi, kjo është shumë e qartë. Por edhe njëherë, dhe do ta bëjë këtë parantezë deri kur të humbas shpresën dhe pastaj të mos angazhohem më në këto lloj debatesh.
Respekto që të respektojnë!
Nuk mundet dot ti apo dikush, qoftë individ apo forcë politike që në përpjekjen për të realizuar një objektiv të vetin, duke mos patur as shumicën, të dhunojë verbalisht rivalin.
Nuk e bën dot, kjo nuk funksionon!
Fatkeqësia është që ti e ke provuar shumë shpesh dhe aq herë sa e ke provuar, aq herë të është kthyer mbrapsht, dhe aq herë sa ke mbajtur këto fjalime këtu, që janë bërë bozë, me “orën që ka ardhur”, me “momentin që ka mbërritur”, me “pakthyeshmërinë e procesit”, me “lirimin e pengjeve”, se këtu u bënë të gjithë pengje e nuk po merret vesh kush është pengmarrësi, – aq herë ke dështuar.
Këto dokrrat e tua, me trimëri e me ndershmëri, e me pathyeshmëri, thuaja vetes, por mos dil këtu që të shfrytëzosh këtë foltore si Beni që ecën vetë, natën në pyll e këndon që të mundi frikën, të lutem. Të lutem se u bëre qesharak fare. Nëse do dhe je serioz të bësh procese këtu në këtë parlament, bashkë me ne, për ato nisma që i ke lançuar, duhet të kuptosh që ne nuk kemi kohë për të humbur, por angazhohemi me të gjithë kohën për t’i bërë këto seriozisht.
Zotrote e ke treguar më shumë se një herë që, jo vetëm me shifrat, por edhe me germat ke probleme dhe e lexon siç të konvenon në atë moment, kur improvizon ditën e radhës në politikë. Më vjen shumë keq! Ti ke leximin tënd, puna jote, por ne nuk mund të hyjmë më në proces ndryshimi Kushtetute e ligjesh këtu, duke të besuar ty sesi lexon ti.
Këto bëhen me dialog midis përfaqësuesve të Partisë Demokratike, përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilën bën mirë shumë t’i respektosh, po të them dhe njëherë tjetër, nëse nuk do që ta ndërpresim përfundimisht këtë mënyrë komunikimi dhe nëse nuk do që dhe ne ta kthejmë me mosrespekt, jo duke nxjerrë nga goja ato që guxon të nxjerrësh ti, se shkove deri tek kafshimet tani, se ke qenë aleat me një që kafshonte publikisht deri dje dhe të ka mbetur dhe kafshimi si strapallë në kokë dhe e nxjerr këtu se sa herë ke kafshuar ti dhe si kafshon ti.
Goxha burrë. S’je goxha burrë ndaj e bën këtë. “Kafshoja, kur kafshoj unë, ti e di si kafshoj unë”. Çfarë janë këto muhabete, ku i bën? Je këtu a nuk je? Po të shohin njerëzit, nuk je në ëndërr, është ora 12 e gjysmë e drekës, zgjohu. Zgjohu e lëri këto.
E di nga e ke, aleatin që ke pasur në krah, me kafshime, me premtime për kafshime në vesh, në qafë a ku di unë se ku. Të lutem, mos na bëj të gjithëve qesharakë këtu se po flet përçart. Po të them, që të mbyllim këtë persistencën tënde në të njëjtën gjë, “shpif shpif se diçka do mbetet”. Kostoja, Lulzim, kostoja e ndërtimit është me metra katror, kur vjen fjala për shkolla, apartamente, njësi banimi. Nuk është me sasi Lulzim. Kaq shkolla kaq, e kaq shkolla aq sepse varet si janë ato shkolla.
Dhe po të them që kostoja e ndërtimit për metër katror të shkollave të investuara nga fondet e buxhetit të shtetit është mesatarja 47mijë lekë.
Kostoja e ndërtimit të shkollave, të investuara nga programi i Bashkimit Europian, është mesatarja mbi 47mijë lekë, nuk po ta them sa. Nuk po ta them sa, gjejeni ju, se nuk dua të bëj konkurrencë. Është mesatarja 60mijë lekë, dakord? Dhe kjo nuk ka lidhje fare këtu me një garë, dhe mund të ishte dhe e kundërta e prapë nuk do kishte lidhje për të bërë akuza e për të shpifur këtu. Prandaj hezitova ta them, pikërisht për të mos futur këtë lloj narrative këtu.
Ato kompanitë e zgjedhura janë 400 kompani Lulzim, që nga kompanitë e projektimit tek kompanitë e ndërtimit që janë angazhuar për rindërtimin, dhe i gjithë programi i rindërtimit, është më pak se gjysma e asaj rrugës Durrës-Kukës që vazhdon e përmend këtu dhe akoma sot vazhdon e ndërtohet.
Këto janë faktet dhe urdhëro shko, merri shifrat e hajde këtu ballafaqo se shifrat nuk janë opinione.
Shifrat nuk janë si ai Vettingu që ke ti në kokë, trimëri, që jam trim unë dhe e bëj kështu dhe e vë kështu. Shifrat janë shifra. Pastaj hajde t’i interpretojnë pse është më lart e më poshtë. Por jo t’i kthesh shifrat në opinione. Del atje me letra që as nuk i kupton.
Mos u merr me shifra se nuk i kupton ti, ke treguar historikisht që nuk i kupton, mos i merr se ngatërrohesh.
Ti nuk kupton germat, tregon ça thotë FMN për vdekjen e foshnjave, tregon çfarë thotë Venecia për Vettingun. Ku e di ti? Ti i merr të gjithë dhe i përdor sipas asaj këngës së radhës që ke. Këto janë gjëra që diskutohen në tryezë midis përfaqësuesve tuaj dhe përfaqësuesve tanë, nëse do. Nëse mendon që do bësh këtu amendamente dhe nisma me ultimatume nga kjo selia këtu afër, atëherë këto harroji. Mund të bësh propagandë me këto sa të duash, dhe ta thashë, mos vazhdo me të njëjtën gjë, se nuk mund të më flasësh mua për njerëzit, kur në selinë e partisë tënde futesh nga mbrapa sot, siç nuk futesh dot as nga përpara ditën, se ka njerëz atje e nuk dihet çfarë foltoreje të shfaqet rrugës.
Mos i hyr këtyre fare, pse i hyn? Këtu ke ardhur në parlament, ne nuk kemi punë fare as me foltoren e me ju. Hajde këtu në parlament e fol për çështjet që kanë njerëzit. Tregon mua koncesionet dhe PPP-të dhe miliarda këtu e aty.
I ke parë çfarë janë ato, i di çfarë janë ato miliarda që përmend?
E di që janë aty të tëra të mbledhura edhe nga koha e mëparshme, përfshirë gjithë ato të energjisë me të gjitha detyrimet për ato lejet e hidrocentraleve që janë me ato kontrata me para blerje, janë të gjitha ato aty.
Po të them që, jo vetëm nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë për Partneritetin Publik Privat, dhe nuk kompleksohem fare nga ato që thoni ju, se me mendjen tuaj, Shqipëria mbeti aty ku ishte. Por, faktet flasin dhe në 29 nëntor do hapet rruga e Arbrit që të kalojnë njerëzit, me të vetmin problem që në Qafën e Murrizit, për shkak të përbërjes gjeologjike të tunelit, që ka krijuar vonesa të mirëdokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati.
Ja çfarë bën këtu Lulzim, Partneriteti Publik, Privat. E nëse ajo që ndodhi me tunelin e Murrizit, – dëgjo këtu dëgjo të mësosh ndonjë gjë, dëgjo çfarë ndodhi Lulzim, – nese do ndodhte me tunelin e Murrizin ajo që ndodhi me shfaqjen e një përbërje gjeologjike të papritur, dhe ajo do ishte me buxhetin e shtetit, atëherë do duhet të nxirrnim nga buxheti i shtetit një mal me lekë të tjera, siç keni nxjerrë ju dhe siç jemi detyruar të nxjerrim ne për ato tenderët pa projekte gjeologjike e pa projekte fare që keni bërë ju për të shkuar për të bërë foltoren në tunelin e Elbasanit para zgjedhjeve, bashkë me llumin, me atë që i thua llum sot ti. E ke qenë ti atje, ty të nxorri llumi përpara atje e tha “Ja ku e keni djalin tonë” e ti në majë të daulles atje. E kur erdhi puna, pasi i ratë daulles atje, bashkë me llumin siç thua ti, jo unë, u deshën sa e sa para për të vazhduar e për t’u marrë me rrëshqitjet e me lemeritë e projektit. Apo me Qukës-Qafë Pllocën, që e latë me disnivel ura nga një anë në një tjetër 17 metra, sikur kishit bërë trampolinë për të kërcyer llumi nga lart-poshtë e të binte këtu.
Këto janë projektet tuaja dhe kjo është koncepti juaj. Kurse me Partneritetin Publik, Privat ne nuk kemi punë fare. I themi kompanisë “të doli tuneli me atë përbërje gjeologjike, është tek ti jo tek ne”, nuk shtojmë ne para për atë punë. E rëndësishme është që me paratë, që përndryshe do duheshin vite për t’u bërë të gjitha bashkë, për t’u bërë rruga e Arbrit, ne thjesht do paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që është gati atje. Më 29 nëntor, merre dhe deputeten e Dibrës, meqë e pyete se e ke konsulente, dhe kaloni andej por kujdes, se tek ajo rruga ka shumë foltore rrugës dhe mos ngecni rrugës. Unë nuk di ç’të bëj me ju, se njëri thotë “Më bllokoi Edi Rama por unë Kavajën e dua aq shumë sa nuk ka gjë që më bllokon”. Tjetrit thotë që llumi këtej e andej, njëri thotë që të ka marrë peng ty, ti thua më ka marrë peng ai, atë nuk e di kush e ka marrë peng.
Lulzim, lëri këto se këto janë hallet tuaja, jo tonat. Këto janë hallet e partisë më të bukur të lindjes, si the “Partia më e bukur e lindjes”, Miss lindja.
Faktet janë fakte, ke fakte, hajde këtu. Vazhdon më bën trimin tani e mos e përmend më atë gropën e Hajdinit, “kam mbushur gropën e Hajdin Sejdisë”. Ke 100 vjet vërdallë këtu dhe e vetmja gjë që thua “kam mbushur gropën e Hajdin Sejdisë”, a e kupton se ku je apo jo? Dhe paske fituar ti Tiranën.
Po Ristani çfarë thotë, se nuk është këtu. Nuk po them rezultatet, por nuk ka asnjë rëndësi. Urdhëroni? Çfarë të bëj? Të çoj në SPAK, gropën e Hajdin Sejdisë? O zonjë të lutem se e kam me pengun.
Lulzim, këto nuk janë për ty, nuk ka asnjë problem që në politikë je në garë, edhe fiton, edhe humbet. Edhe nëse është ashtu si thua ti, nuk ka asnjë problem, këtu nuk është çështje kreshnikësh. Këtu është çështja që ti duhet ta ndash, ta ndash mirë; çfarë e ke marrë falë llumit dhe çfarë ke marrë falë vetes. Deri tani bilanci anon nga llumi, pa llumin ti nuk do ishe këtu fare njëherë, si fillim.
Ndaj, mos hajde të na bësh moral, mos hajde të na bësh leksione dhe mbi të gjitha, mos hajde këtu e të përsërisësh këngën e llumit sa herë merr fjalën, në garë me llumin se kush akuzon, shpif e shan më shumë. Jo se më bën dëm mua e na bën dëm ne. Nga pikëpamja e interesit tonë Lulzim, po ta them sot se i ka Parlamenti këto me shkrim, çfarë them, jua them. Po ta them sot, në zgjedhjet e ardhshme, do dilni më keq, të dyja palët, se do jeni dy se nuk jeni më një se nuk keni se si të jeni një, do dilni më keq të dyja palët. Të dyja bashkë nuk do bëni dot atë që bëtë kur ishit llum komplet. Dakord?
Ndaj të them që interesi cinik është i qartë ndërsa interesi ynë, i vendit, i çështjeve për të cilën jemi zgjedhur për të diskutuar, është diçka tjetër. Nëse doni të merremi me këto, hajde të merremi.
Nëse do vazhdosh ti, bashkë me ju, të vini këtu me të shara, me baltë, me akuza dhe me një gjuhë, e cila të turpëron ty si prind personalisht, na turpëron të gjithë ne si prindër këtu që japim këto mësime këtu se si në një mjedis publik i thua tjetrit “Unë të kam kafshuar”, imagjino çfarë mendojnë fëmijët kur të shohin një goxha profesor, me brilantinë dhe me kollare që i thotë një tjetri, një plaku si puna ime rrugës “Unë të kam kafshuar”, imagjinon sa pleq do kafshoheshin sot po të dëgjonin ty fëmijët?
A e kuptove? Kështu që, mblidh mendjen Lulzim. E kuptoj që e ke të vështirë, por këtu kjo është serioze. Nëse doni të kthehemi prapë tek koha e llumit e ta përdorni këtë foltore këtu për llum, vazhdoni s’ka problem, nuk iu ndalojmë dot të drejtën e fjalës, por harroje se do harxhojmë kohë këtu me ju dhe harroje se do rri unë këtu të merrem me macen, siç thotë Frojdi sepse dhe ajo koha e të marrit me macen ka një limit.