Pas takimit Kryeministri dhe Zëvendëspresidenti i PE dhanë prononcimet e mëposhtme për median:
Kryeministri Edi Rama:
“Pata kënaqësinë që ta filloj këtë ditë duke mirëpritur një mik të shtrenjtë, një partner të çmuar dhe, mbi të gjitha, një dashamirës të provuar të Shqipërisë, Gianni Pittella. Me të cilin, ndamë sigurisht, mendimet lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian; mbi aktualitetin, po ashtu; mbi hapat e ndërmarra në të gjitha drejtimet nga qeveria dhe pa diskutim edhe mbi forcimin e bashkëpunimit me Partinë Socialiste Evropiane, me grupin e europarlamentarëve Socialistë dhe Demokratë dhe perspektivën e Parlamentit të ri Evropian, pas zgjedhjeve të pritshme.
E falënderova mikun tonë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe padyshim edhe për mbështetjen nga afër që nuk ka munguar asnjëherë t’i japë Aleancës për Shqipërinë Evropiane. E sigurova se, jo vetëm është gjithmonë i mirëseardhur, por është i mirëpritur edhe në çdo sugjerim, sepse sugjerimet e tij dhe të miqve tanë janë gjithmonë të çmuara për ne.”
Zëvendëspresidenti i PE Gianni Pittella:
“Jam këtu për t’i rikonfirmuar miqësinë time historike Edi Ramës dhe popullit shqiptar, si edhe për të shprehur vlerësimin dhe admirimin tim për punën qe Edi Rama po çon përpara në cilësinë e Kryeministrit, si në fushën e luftës kundër kriminalitetit, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit; si në fushën e reformës se administratës publike, ashtu edhe në ndarjen administrative, historike në territorin shqiptar. Jam këtu edhe për të nënvizuar hapat që janë ndërmarrë në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Parlamenti Evropian u shpreh zyrtarisht në favor të Shqipërisë për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe do të mbështesë këtë qëndrim edhe vlerësimin për përpjekjet dhe proceset reformuese që Edi Rama, qeveria dhe Parlamenti po çojnë përpara.
Unë uroj që Bashkimi Evropian do të japë miratimin për dhënien e statusit të vendit kandidat në Qershor. Dhe i bëj thirrje dhe forcave opozitare në Shqipëri, sepse objektivi i integrimi Evropian nuk është pjesë vetëm e një force politike apo e qeverisë, por edhe objektivi i të gjithë atyre që besojnë dhe luftojnë për modernizimin e vendit. Ky është apeli im, por edhe angazhimi im.
Punë të mbarë Qeverisë dhe Edi Ramës dhe shumë fat popullit shqiptar.”
– Zoti Pittella, Qeveria shqiptare është angazhuar fuqishëm për realizuar reformën administrative territoriale, bashkëpunimi për të cilën është refuzuar nga ana e opozitës. Për perspektivën evropiane, sa e rëndësishme është kjo reformë?
Zëvendëspresidenti i PE Gianni Pittella:
“Kjo është një reformë e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë do të rivendoset efikasiteti i strukturës publike të vendit. Unë mendoj se opozita bën një gabim. Shpresoj që opozita ta ndryshojë qëndrimin e saj.”