Ish kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë sfiduese.
Kryeministri Edi Rama i shprehu ngushëllimet e tij vëllazërore familjarëve, miqve dhe bashkëudhëtarëve politikë, përmes një videokartolinë lamtumire “In Memoriam” dedikuar momenteve të spikatura të historisë së gjatë politike të Fatos Nanos të pasur me sfida, përpjekje dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm në kryerjen e misionit të tij.
Fatos Nano do mbetet një prej figurave qendrore të jetës politike në Shqipëri pas viteve ’90, me një kontribut të veçantë në procesin e tranzicionit demokratik dhe në konsolidimin e institucioneve shtetërore të vendit. Ai do të njihet si lideri që solli në politikë konceptin e reformës, dialogut dhe integrimit europian.
Themelues e reformator, Nano hyri në histori si drejtues në qeverinë shqiptare, duke shërbyer disa herë si kryeministër në momentet më kritike e njëkohësisht vendimtare për vendin pas viteve ’90.
Në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, ku do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare.