Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Presidentin e Austrisë Heinz Fischer. Gjatë këtij takimi në Vjenë, Kryeministri Rama e falënderoi Presidentin Fischer për ndihmën e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë. Kryeministri Rama e njohu Presidentin Austriak me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një tjetër moment i rëndësishëm i bisedës ishte edhe integrimi evropian i Shqipërisë, proces për të cilin Presidenti Fischer ofroi mbështetjen e Austrisë.

Duke folur për situatën në rajon, Kryeministri Rama theksoi se viti 2014 do të jetë i pari vit me një paqe të plotë në Ballkan. Ai nënvizoi se ky moment i ri për rajonin duhet shfrytëzuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve, si edhe për të përshpejtuar proceset integruese në BE.

Presidenti Fischer përgëzoi Kryeministrin Rama për punën e deritanishme dhe njoftoi vizitën e tij në Tiranë brenda vitit 2014.

Edi Rama ndodhet në Vjenë për një vizitë njëditore, i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj. Ditën e sotme, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalim edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.