Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, i cili ka çelur dyert në vitin 2004 dhe ka ndërtuar një biografi dinjitoze ndër vite, me mijëra studentë të arsimuar sipas programeve më bashkëkohore europiane.
Vizita në kampusin universitar u bë pas inspektimit që kryeministri Rama zhvilloi në strukturën ekselente spitalore “Zoja e këshillit të Mirë”, që do të hapë dyert pranverën e vitit të ardhshëm.
* * *
U informova që këtu janë rreth 2000 studentë shqiptarë dhe 800 studentë italianë dhe besoj që 2 mijë shqiptarët dinë italisht, por nuk ma ha mendja që 800 italianët dinë shqip ndaj pyeta se në çfarë gjuhe duhet të flisja, por këmbëngulja ishte që të flisja në shqip.
Për këtë universitet, për herë të parë, unë kam dëgjuar nga profesor Tritan Shehu. Isha kryetar i bashkisë, sapo isha zgjedhur dhe profesori erdhi në zyrë, më foli për projektin me shumë pasion dhe mesa më kujtohet, kërkoi dhe ndihmën e bashkisë për të mos u penguar projekti nga burokracia dhe pastaj më tutje, universiteti filloi jetën e tij.
Nuk e kam vizituar asnjëherë, më mirë vonë sesa kurrë, por emri i mirë i mori dhenë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që sot më erdhi mundësia të jem këtu me ju pasi më parë kemi vizituar edhe strukturën e re të spitalit.
Më kujtohet përsëri që profesori në atë kohë më pati bërë me dije që pikërisht kjo ishte ideja, që të fillohej me universitetin e më pas të ndërtohej një qendër spitalore ekselence.
Kanë kaluar shumë vite, Tritani vazhdon të ruajë disa prej flokëve që kishte atëherë, unë i kam humbur pothuajse të gjitha. Nga pikëpamja e ngjyrës së flokëve, të dy kemi humbur rreth plotësisht pigmentin, por punët e mira duan kohën e tyre dhe ja ku jemi sot këtu, ndërkohë që universiteti ka tanimë një biografi të shkëlqyer, le të themi, me mijëra e mijëra studentë që kanë dalë nga dyert e tij.
Spitali bëhet gati t’i hapë dyert në muajin prill dhe është vërtetë një tjetër xhevahir në kurorën e kësaj iniciative që vazhdon të zgjerohet dhe mesa unë dëgjova, ka ambicien për t’u zgjeruar dhe më tutje.
Para disa ditësh pata privilegjin ta vizitoja përsëri Atin e Shenjtë dhe dua t’iu them që “Zoja e Këshillit të Mirë” ishte pjesë e bisedës, qoftë kujtimi i tij për vizitën këtu, qoftë dhe përkujdesja e tij për vazhdimin e rritjes së kësaj infrastrukture fantastike dhe për përkatësisht, spitalin.
Më vjen shumë mirë që sot i dhashë dorën dhe Arqipeshkëve të rinj. Nuk ia kam thënë sepse nuk jemi takuar më parë, por e mora vesh, si sekret, nga Papa Francesku që Shqipëria do kishte një Arqipeshkv shqiptar, të cilin do e shpallte në ditët më pas, por meqë më porositi të mos ia thoja njeriu, nuk e përcolla dot lajmin e mirë tek Arqipeshkvët përpara se ai ta merrte atë zyrtarisht.
Po ashtu, me Papa Franceskun është e pamundur që të flasësh dhe të mos jetë në bisedë Nënë Tereza, e cila është edhe burimi i energjisë së këtij Universiteti, ashtu sikundër edhe lënësia e amanetit për spitalin që do të hapet së shpejti.
Me këtë rast, dua t’iu bëj me dije dhe përmes këtij rasti edhe të tjerëve, sepse nuk është diçka që është bërë publike, por së bashku me Selinë e Shenjtë dhe pastaj me bisedën me Papa Franceskun, kemi rënë dakord për të ndërtuar një pikë referimi në kryeqytet të Nënë Terezës, një hapësirë të dedikuar Shenjtores sonë dhe Shenjtores së të gjithë njerëzimit, e cila do shërbejë, jo thjeshtw për besimtarët katolikë, as thjesht për shqiptarët, por për të gjithë ata që në të gjithë botën e kanë admiruar dhe dëshirojnë të vazhdojnë ta admirojnë, duke e vizituar në një hapësirë të tillë shpirtin e Nënë Terezës.
Ka dhe një element tjetër, që më vjen mirë ta përmend këtu, sepse ky universitet, në një mënyrë të pavetëdijshme, më ka ndihmuar dhe mua në punën time. Kur po më shoqëronte presidenti i Fondacionit, më tha që Viola, që është asistentja e protokollit të Kryeministrisë, dhe që punon për vizitat e mia, ka qenë 3 vjet asistentja e tij.
Kështu që, Violës iu shtuan pikët sepse 3 vjet këtu është një arsye shumë e fortë për të respektuar të gjithë edukimin profesional. Po nuk është vetëm Viola. Është edhe Albana që ka kontribuar në këtë universitet dhe tani është zëvendësministre e arsimit, e cila është pikërisht e dedikuar për arsimin e lartë.
Në shenjë, jo hakmarrjeje, se katolikët nuk hakmerren thonë, por në shenjë revanshi, tani universiteti ka afruar Sandër Lleshaj, kështu që është një marrëdhënie jep e merr që shpresoj të vazhdojë.
Për të hyrë pak në pjesën më problematike, ndoshta, të vizitës dhe bisedës, Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” është një arsye më shumë për t’u vënë në pah në sytë e të gjithëve si një eksperiencë e parë, në fakt, e krijimit të kushteve për studentët shqiptarë, për nxënësit e mirë në Shqipëri që të mund të studiojnë në Shqipëri, pa qenë të detyruar të largohen, por duke marrë në Shqipëri dije dhe një diplomë, e cila vlen edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Kjo ka një vlerë të veçantë për ne, në kushtet kur jemi futur në një fazë të re në politikën tonë për arsimin e lartë, pikërisht për të mbështetur sa më shumë ndërkombëtarizimin e universiteteve tona publike dhe për tw krijuar sa më shumë hapësira të ngjashme me këtë, ku t’u jepet mundësi nxënësve shqiptarë që pa qenë të detyruar të largohen, për të kërkuar dyert e një universiteti më cilësor, sesa çfarë mund t’u ofrojë sistemi ynë universitar sot, të qëndrojë në Shqipëri dhe të mund që, në universitetet tona, të gjejnë programe të përbashkëta me universitetet e nivelit më të lartë në Europë dhe në botë, deri dhe në diploma të njehsuara që t’iu vlejnë si mundësi që nesër të mund të kthejnë investimin e tyre në dije, në një rrugë të sigurt karriere këtu apo kudoqoftë në botë.
Nga ana tjetër, kjo është një iniciativë, ku ne po bëjmë çmos edhe me Bashkimin Europian, që në ndërkohë që gjithë procesi i integrimit europian është ai që është për gjithë arsyet që dihen, procesi i integrimit të sistemit universitar europian me sistemin tonë universitar, dhe jo vetëm me tonin, por të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, të jetë shumë më i shpejtë sesa procesi i integrimit të plotë të vendit; që do të thotë që t’u krijojë mundësi universiteteve tona që të hyjnë në rrjetin e universiteteve europiane, i cili prej disa vitesh kaloi komplet në një fazë të re, me një mbështetje të drejtpërdrejtë dhe nga Bashkimi Europian, në krijimin e sinergjive mes universiteteve, duke bërë që gjithmonë e më shumë, universitetet në Europën e bashkuar të mos jenë më struktura më vete, por të jenë struktura që krijojnë sinergji me 2-3 struktura të tjera në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe kështu u jepet mundësia studentëve që në ndërkohë që janë në një universitet, të bëjnë eksperiencën e disa universiteteve njëkohësisht dhe në fund fare të marrin një diplomë, e cila patjetër është diploma e universitetit mëmë, por e cila vjen si rezultat i një shkëmbimi shumë intensiv eksperience me një vlerë të shtuar.
Futja e universiteteve tona në këtë sistem do të ishte vërtetë një hap shumë i madh përpara.
Në ndërkohë, ne kemi vendosur edhe një fond për herë të parë në buxhet, duke filluar nga viti i ardhshëm, për të mbështetur drejtpërdrejtë universitetet që do të angazhohen me hapa konkret për ndërkombëtarizimin. Natyrisht, ky është një fond që i dedikohet universiteteve tona publike, por në të njëjtën kohë, unë besoj që kjo është rruga e hapur prej shumë kohësh nga universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” që në krye të herës e kjo është rruga ku hap pas hapi, mund të përfshihen dhe universitet jo publike, term për të cilin, unë gjithnjë kam pasur rezervë sepse më duket e padrejtë që fjala vjen universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” të quhet një universitet jopublik përderisa është një universitet, i cili nuk financohet nga shteti, por i cili nuk është fitimprurës. Pra riinveston të gjithë ardhurat po këtu, që do të thotë është një universitet publik, por jo i financuar nga shteti, sipas meje, por kjo është një betejë që e kam humbur, jo vetëm me profesor Tritanin dhe me partinë e tij, por dhe me partinë time, kështu që mbetet për t’u parë në të ardhmen se çfarë mund të bëhet.
Ndërkohë ka një element tjetër dhe fola me rektorin, ka një element tjetër që është një tjetër risi në buxhetin tonë për arsimin, ku sigurisht mund të përfshihen edhe universitetet jopublike, që ka të bëjë me teknologjinë dhe me kërkimin shkencor dhe besoj që “Zoja e Këshillit të Mirë” mund ta konsiderojë hapjen e një dege tjetër të dedikuar teknologjisë dhe kërkimit shkencor, për të ndihmuar edhe në përpjekjen e përbashkët që të përfshimë sa më shumë vajza e djem shqiptarw, në procesin e njohjes dhe të vënies në përdorim të teknologjisë së re e ndërkohë për të fuqizuar sa më shumë kërkimin shkencor në universitetet tona.
Këtu do të bëja një vërejtje, por jo vërejtje në kuptimin e kritikës, por një tërheqje vëmendje, lidhur me programin e Bashkimit Europian “Horizon”, ku mund t’jua them besoj edhe universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” nuk ka shkëlqyer, siç nuk kanë shkëlqyer universitetet shqiptarë në tërësi, krahasuar me universitete të tjera të rajonit, në thithjen e fondeve në dispozicion të universiteteve. Ne jemi pjesë e programit “Horizon Europe” dhe kemi paguar dhe paguajnë edhe taksën e pjesëmarrjes në këtë program dhe është për të ardhur keq që në ndërkohë që të gjitha universitetet edhe publike, edhe private, kanë nevojë për më shumë fonde dhe sidomos publiket ankohen vazhdimisht se duan fonde e duan fonde, është një sasi e konsiderueshme fondesh, e aksesueshme edhe për ta dhe kapacitet thithës i tyre është në nivele minimale.
Kështu që, mbase vlen kjo tërheqje vëmendje këtu për të vendosur ndoshta më shumë forca dhe më shumë dije në dispozicion të kësaj rruge sepse jam i bindur që “Zoja e Këshillit të Mirë” i ka kapacitete e njohjes, e dijes, për të bërë projektet e duhura e për të arritur të marrë më shumë fonde nga programi “Horizon Europe” edhe duke pse jo krijuar sinergji me universitetet publike.
Pra nuk është e domosdoshme apo e thënë që një universitet të aplikojë i vetëm, mund të bëhen grupe të përbashkëta, me target të caktuar që mund të sjellin financimet plus për universitetin. E fundit, diçka që mbase nuk është gjëja e duhur që duhet të bëj sepse nuk e kam konsultuar me ministren e Arsimit, por është ndoshta rezultat i energjisë pozitive që mora këtu deri tani dhe që lidhet me idenë e ndryshimit të qasjes ndaj të ashtuquajturit fond të ekselencës, i cili prej shumë vitesh është një fond në dispozicion të studentëve shqiptarë që shkojnë në universitetet më të mira të botës, por ka një problem me atë fond, që paguajmë, dhe është një fond i krijuar tanimë prej më shumë se 10 vitesh dhe të gjitha qeveritë paguajnë për studentët shqiptarë në universitete shumë prestigjioze, natyrisht ideja fillestare e ideja në vazhdim e fondit ka qenë që ky investim për ta të kthehet në një investim i tyre për vendin, sigurisht me afate të caktuara dhe rezultati është që nuk kthehet në një investim për vendin sepse ata në ato universitet ku shkojnë e me ato diploma që marrin, janë të kërkuar nga tregu si uji i pakët edhe në Amerikë, kështu që preferojnë të vazhdojnë karrierën atje. Ideja është që ta kthejmë këtë fond ekselence, në një fond të brendshëm për studentë këtu dhe fjala vjen, tek “Zoja e Këshillit të Mirë” ka një fakultet mjekësie, tek “Zoja e Këshillit të Mirë” ka një spital që mbas disa muajsh do të jetë funksional.
Atëherë, duke bërë një përzgjedhje në bashkëpunim me rektoratin këtu të një numri studentësh që janë më të mirët, ne mund të financojmë ata studentë, por me marrëveshjen që investimi për studimet e tyre do të kthehet në shërbim në spitalin këtu, apo në spitalet e tjera të vendit tonë. E kështu, mjekët e rinj e mjeket e reja që dalin nga “Zoja e Këshillit të Mirë” e që janë siç dëgjoj aq të mirë sa që kërkohen shumë gjithandej, jo vetëm këtu, të mund të kontribuojnë këtu e kjo, jo vetëm për Zojën e Këshillit të Mirë, por edhe për fakultetin e mjekësisë publik, por edhe për disa profesione të tjera, që janë profesione për të cilat vendi ka nevojë, sepse besoj që është me vlerë të veçantë edhe në pikëpamje të gjithë predikimeve të Arqipeshkvit dhe gjithë treçerekut të këtyre që janë këtu që merren me terapitë shpirtërore, jo me këto terapitë mjekësore, që të marrësh por edhe të japësh.
Po e mbyll duke e përgëzuar vajzën që hapi këtë takim, për shqipen mbresëlënëse dhe për komunikimin mbresëlënës. Nëse do merret me politikë, adresën time ia jep profesor Tritani.