Reagim i Kryeministrit Edi Rama lidhur me akuzat e opozitës:
Deputetja Orjola Pampuri: Rama nuk u dha përgjigje shqiptareve se kush e ka paguar qëndrimin në resortin luksoz në Wildbad Kreuth-in legjendar, dikur një perlë e familjes mbretërore bavareze Wittelsbach dhe një llixhë për carët rusë dhe perandoreshat austriake?
Kryeministri Edi Rama: Fakti qe kam dalë në fotografi pranë resortit legjendar bashkë me gazetaren e njohur gjermane Gisela Freisinger, nuk do të thotë se kam qëndruar aty. Jo, unë kam qëndruar me familjen në qytet, në Mynih dhe kam kaluar një orë në zonën e Tegernsee me gazetaren, për rubrikën e saj të njohur me personalitete të ftuara për një bashkëbisedim në natyre. Kështu që në vend se të shkoni deri tek llixhat e carëve e të perandoreshave, gjeni një përkthyes e mos shikoni vetëm fotografitë.
Deputetja Orjola Pampuri: Me batuta alla foltore, Edi Rama njoftoi dje shqiptarët se paratë e taksave të tyre i kishte shpenzuar për të udhëtuar drejt Mynihut, për të dhënë një intervistë për hallin e tij, për të pastruar imazhin e tij të nxirë nga krimi dhe korrupsioni.
Kryeministri Edi Rama: Jo, unë nuk njoftova këtë dje! Kush më dëgjoi dhe deshi të dëgjonte, dëgjoi qartë se shpjegova se kam udhëtuar në Mynih me një bilete ekonomike 345 euro të kompanisë Lufthana, së bashku me gruan dhe djalin e vogël.
Deputetja Orjola Pampuri: Rama nuk u dha përgjigje shqiptarëve, me paratë e kujt ka zhvilluar udhëtimin e fshehtë me charter që vetëm karburanti i kushton 120 mijë euro?
Kryeministri Edi Rama: Unë e thashë shumë qartë, edhe se si, edhe me kë kam udhëtuar. Madje shpjegova dhe aritmetikën e 120 mijë eurove karburant për një fluturim, në bazë të formulës 1958 karrige, për 5004 delegate të ulur me dorën lart.
Deputetja Orjola Pampuri: Sot po e pyesim përsëri Edi Ramën, a ka udhëtuar ditët e fundit me charter në drejtim të Suedisë? Kush i ka paguar paratë e këtij udhëtimi?
Kryeministri Edi Rama: Suedisë? Po tani Suedia ku hyn këtu? Çfarë lidhje ka një udhëtim në Suedi me një intervistë në Mynih? Jo, unë nuk kam udhëtuar në drejtim të Suedisë! Sidoqoftë, çështja e pagesës së këtij udhëtimi imagjinar nuk duhet lënë pa u zbardhur. Prandaj duhet pyetur urgjent ai qe uli 5004 delegatë imagjinarë në 1958 vendet reale të Pallatit te Kongreseve!
Deputetja Orjola Pampuri: Vetëm për luks, në 8 vite Rama ka shpenzuar 798.3 milionë euro nga paratë e shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama: 8 vite fluturime herë 5 humbje, shumëzim për 7 dyer të blinduara, herë 7 brava, pjesëtim për 42 vare, bëjnë një teneqe të ndarë në dysh që u duhet varur në qafë nga demokratët e arsyeshëm shqiptarë, të dy të marrëve që kanë marrë peng Partinë Demokratike për interesat e pazaret e tyre krejt personale.