Kryeministri Rama inspektoi sot situatën në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, ku ndodhi një rrëshqitje prej 150 metrash, që nuk kishte lidhje me punimet në kantierin e Korridorit VIII prej 35 kilometrash, dhe ku puna nuk është ndalur për asnjë ditë.
Së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar Ardian Bylyku, si dhe ekspertë të fushës, Kryeministri Rama vizitoi zonën dhe mori informacion të detajuar mbi situatën aktuale.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi shpjegoi se rrëshqitja ndodhi në zonën Arra të Gurrës gjatë muajit shkurt për shkak të rreth 70 mijë metër kub ton inerte. ARRSH dhe kontraktori punuan 24 orë për rreth 10 ditë, duke ndërtuar një rrugë provizore që tashmë ka hapur qarkullimin që në fillim të marsit, ndërsa asfaltimi pritet në javën në vazhdim. Përveç rrugës provizore, po ndërtohet një rrugë alternative 1.3 km buzë lumit Shkumbin, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të vijuar punimet në aksin kryesor.
“Këtu jemi në zonën Arra të Gurrës. Këtu është ajo ngjarja që patëm rrëshqitje dherash masive në muajin shkurt dhe për një periudhe të shkurtër patëm, ARRSH ishte e detyruar që të ndalonte qarkullimin këtu. Kjo ndodhi për shkak se rreth 70 mijë metër kub ton inerte, pati një rrëshqitje. Është punuar rreth 10 ditë 24 orë nga strukturat e autoritetit rrugor shqiptar dhe kontraktorit dhe sicc e shihni është ndërtuar dhe një rrugë provizore, e cila tashmë ka hapur qarkullimin në fillim të marsit dhe në fillim të javës tjetër do kemi dhe asfaltimin e saj. Sistemimi i kësaj zone parashikon dhe një ndërtim rruge alternative që fillon diku aty dhe do ketë rreth 1.3 kilometra buzë lumit Shkumbin ngjitur me hekurudhën dhe që kalon në krahun tjetër të rrugës. Me ndërtimin e kësaj rruge alternative do vazhdojë pastaj dhe ndërtimi dhe vijimi i punimeve në këtë aks rrugor. Dua të theksoj një element që patjetër gjithë korridori i 8 që është i kontraktuar tashmë, janë rreth 33 km. Vetëm në këtë aks që është diku te 150 m është ndaluar punimi. Në gjitha akset e tjera është duke u punuar me ritme të kënaqshme sipas dhe fazave kontraktore.” – u shpreh ndër të tjera Ministri Karakaçi, – ndërkohë që siguroi se qytetarët mund të qarkullojnë lirshëm dhe se po kryhen punime mbrojtëse për parandalimin e rrëshqitjeve të mëtejshme, duke përfshirë 60 sonda monitorimi dhe 17 mijë metër linear mbrojtje lumore për të gjithë Korridorin VIII.
Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi se rrëshqitja ka karakter natyror dhe nuk ka lidhje me punimet e kantierit të ri, ndërkohë që gjithë kantieri vazhdon të jetë një nga projektet më strategjike dhe të standardeve më të larta të vendit.
“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet është një manipulim i madh, një perversitet shumë i madh sepse faktikisht këtu jemi në aksin e vjetër dhe aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojmë për të ardhur deri këtu ndërkohë që këtu vazhdon puna këtej, nuk ka lidhje me atë atje dhe ajo atje eshte një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik për shkak të mbingarkesës se shirave. Mua më thoshte Taulanti që kjo ka qenë që shumë vite përpara gjithmonë një çështje e banoreve që ka rrëshqitje dhe ajo që është kriminale në raport me publikun, por që unë kam mësuar nga eksperienca, kur ka zhurma të mëdha të kësaj natyre duhet të presësh të bjeri fryrja e madhe e një plage për ta adresuar pastaj shkaqet, se ndryshe nuk të dëgjon njeri, – është që një plagë e kësaj natyre, ku mjafton të vish ta shohësh dhe e kupton menjëherë se ku je dhe e sheh menjëherë që këtu s’ka dorë njeriu që ta ketë shkaktuar nga paaftësia apo nga të tjera arsye, kthehet në një burim helmimi të vazhdueshëm të opinionit publik. Këtu jemi në një nga kantierët më të rëndësishëm, më strategjike të vendit, një nga veprat më të rëndësishme të programit tonë, gjithë pjesa e ndërtuar tanimë është spektakolare në çdo aspekt. Mbrojtja lumore që kemi folur disa herë është absolutisht e standardeve më të larta, por puna vazhdon dhe në një proces pune ndodhin dhe këto të papritura, që janë të papritura të natyrave të ndryshme. Në këtë rast është thjeshtë dhe vetëm natyrore. Fatkeqësi që ndodh për shkak të mbingarkesës që ka pasur dhe sic tha dhe drejtori, është vërtet ndjesë njerëzve që u mbytën me baltë dhe me llum nga gjithë llojet e drejtimeve, por e vërteta është kjo.
Ne diskutuam dhe pak me banorët që të shohim kalendarin dhe t’i japim një drejtim kësaj pune.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Në përfundim, Kryeministri dhe autoritetet biseduan edhe me banorët për të përcaktuar kalendarin e punimeve dhe për të dhënë drejtim të qartë vijimit të tyre.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje edhe në radhë të parë, falënderoj gjithë zonjat që punojnë çdo ditë në bashkinë e Përrenjasit këtu dhe të Librazhdit besoj dhe në ndërkohë edhe gjithë të tjerët që janë të pranishëm. Burrat shembullorë që ia kanë lënë radhën e parë grave.
Për të gjithë ata që na ndjekin, erdhëm sot së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe me zotin Demo, Ministrin e Pushtetit Vendor, i cili për ata që mund të mos e njohin akoma ka drejtuar për shumë vite Bashkinë e Beratit dhe tani më kujdeset edhe për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes qeverisë dhe bashkive, me Arbin Maznikun, deputetin edhe drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, me drejtorin e ARRSH-së dhe me drejtorin e Institutit të Gjeologjisë.
Falënderoj kryetarët e bashkive këtu të pranishëm, kryetarin e bashkisë Elbasanit, të Librazhdit dhe të Përrenjasit për mikpritjen. Qëllimi i kësaj vizite ishte e para të shikonim nga afër për t’ia treguar edhe publikut atë plagën e hapur prej 150 metrash, që ka shkaktuar gjithë këtë shqetësim, por që ka shkaktuar edhe një rrebesh balte të jashtëzakonshëm, të prodhuar nga makineria e baltës politike dhe mediatike që ka tundur të 700 tenxheret me gjithfarë lloj shpifjesh, akuzash, fantazish, se me demek u shemb rruga nga korrupsioni, ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është segmenti i vjetër dhe rrëshqitja, siç do ta shpjegoj edhe për ju dhe për publikun drejtori i Institutit lidhet me një fenomen tërësisht natyror.
Ju në këtë zonë keni edhe një përfaqësues legjendar tuajin që s’është i pranishëm, sepse tani ka marrë përsipër të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët jashtë vendit Taulant Ballën, i cili ma pat thënë qysh në krye të herës që të zona historikisht ka pasur problem të rrëshqitjeve për shkak të gjeologjisë së vet, por jetojmë në një kohë kur ajo fjala e popullit që “gënjeshtra ka bërë xhiron e botës më shpejt se sa e vërteta ngre pantallonat”, është eksperiencë e përditshme, e përnatshme, e përorëshme, e përminutshme dhe shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe se sa ishte kur e tha atëherë populli, ndërkohë që e vërteta është në një vështirësi shumë të madhe për shkak të gjithë vorbullave dhe uraganeve të gënjeshtrave që vijnë nga të katërt anët nëpër pasqyrat e telefonave dhe nëpër kanalet e medias.
Gjithsesi, e vërteta në fund, gjithmonë del dhe fiton, duhet vetëm durim, edhe duhet vetëm këmbëngulje për të vazhduar drejt. Mua më vjen keq që gjëja ka ndodhur dhe ka shkaktuar shumë shqetësime dhe ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por në të gjitha rastet, ne sot jemi këtu edhe për të për të bërë qartësi mbi një kalendar pune dhe mbi afatet e reja që i kemi vënë vetes dhe me ndihmën e Zotit në një periudhë kohe kur s’do kemi mbi kurriz gjithë gjymat e shiut të këtij dimri që po del më në fund.
Ju falënderoj edhe një herë dhe dua si fillim t’i jap fjalën drejtorit të ARRSH-së, pastaj drejtorit të Institutit të Gjeologjisë dhe pastaj ministri do të flasë për angazhimin e tij dhe për angazhimin e Ministrisë në një aspekt pak më të gjerë se sa thjesht ky problem, sepse Korridori 8 është një aks strategjik që më në fund po bëhet realitet. Është folur, është folur, është folur, po jemi duke e bërë realitet dhe që e vendos Shqipërinë në një tjetër pozicion, arsyet për të cilat do t’i themi në konkluzionet e këtij takimi dhe ndërkohë zoti Demo këtu është po ashtu edhe, siç thashë, ndërlidhësi ynë i besueshëm dhe i palodhur për të garantuar që gjithë komunikimi dhe gjithë ndërveprimi mes qeverisë dhe bashkive, edhe në këtë zonë, të jetë i pandërprerë.
Drejtor, të lutem, një paraqitje nga ana jote dhe pastaj drejtori i institutit.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli: Faleminderit kryeministër!
Atëherë, problemi në zonën e Arrat e Gurës në fakt u konstatua që në datën 19, kur ne pamë një degradim të krisjes së ndodhur në aksin rrugor, në aksin rrugor të vjetër, pra atë ekzistues dhe morëm masat menjëhershme për disiplinimin e trafikut nëpërmjet një semafori provizor.
Në të njëjtën kohë, ne hapëm pak edhe një korsi emergjente, pra që trafiku të vijonte me dy korsi. Ndërkohë, degradimi vazhdoi pasi ne mbanim në monitorim të vazhdueshëm 24 orë dhe në datën 23, ne bëmë mbylljen totale të trafikut.
Ishim në kushte emergjente dhe unë këtu gjej rastin të falënderoj gjithë stafin e Autoritetit Rrugor, pasi masa fillimisht u kritikua që – “çfarë po bëni me këtë bllokim”, por ajo ishte masa e duhur që ne morëm dhe e morëm në kohë. Menjëherë nisi puna për të çliruar trafikun, pra u morën masat me Autoritetin Rrugor, ku masa e parë ishte ajo e kufizimit, pra e devijimit të rrjedhës së lumit, që mos godiste më trupin poshtë hekurudhës.
Këtu gjej rastin të vazhdojmë edhe bisedën që nisëm më parë, që nuk ka pasur marrje inertesh në segmentin ku ka ndodhur rrëshqitja dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet pra, sepse kjo është e vërteta. Marrja e inerteve ka qenë më tutje, pra rrjedha e lumit ka qenë në rrjedhë natyrale në segmentin ku ka ndodhur rrëshqitja dhe kemi qenë përpara një erozioni të vazhdueshëm lumor. Kështu që një nga masat e para që mori Këshilli Teknik me Autoritetin Rrugor ishte ai i devijimit të rrjedhës së lumit. Më pas ne vijuam me lehtësimin e trupit të shkarë në aksin rrugor dhe janë hequr gjatë këtyre 10 ditëve që u punua 24 orë nga kontraktori, ku edhe unë personalisht me gjithë inxhinieret e autoritetit rrugor, kemi qenë prezent në kantier 2 herë në ditë, në mesditë dhe gjatë mbrëmjes. U vijua me largimin e 71 metër kub inerte nga zona e rrëshqitur. Paralelisht ne nën sugjerimit e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, vijuam edhe me sondimet, edhe ato na ndihmuan shumë në fakt, sepse ne arritëm të identifikonim disa pellgje nën ujore që ishin të formuar aty, me thellësi edhe të cekët, edhe të thellë dhe morëm masa sërish për drenimin dhe disiplinimin e këtyre ujerave nëntokësore. Ndërkohë kontraktori vijoi me punimet për disiplinimin e ujërave sipërfaqësore dhe në një hark kohor prej 10 ditësh, për të cilin falënderoj të gjithë qytetarët që e mirëkuptuan, që na panë që ne po punonim dhe ishim plotësisht të angazhuar për adresimin sa më parë të trafikut ne arritëm të marrim masa për çlirimin e trafikut. Kjo ne na shkaktoi edhe pezullimin e punimeve për Korridorin 8, vetëm në këtë segment, pra vetëm në 150 metra që mund të jenë edhe pak më shumë të shtrira në gjatësi, në lartësi ne kemi pezulluar punimet, ndërkohë që punimet në të gjithë fazat e tjera vazhdojnë normalisht sipas planit të punës.
Në të njëjtën kohë ne kemi filluar shkresat me Hekurudhën Shqiptare, me AMBU-në Autoriteti i Menaxhimit të Baseneve Ujore dhe me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të vijuar punimet, për aksin alternativ që do ndërtohet mbi lumin Shkumbin në krahë të hekurudhës shqiptare. Ky aks do jetë me gjatësi 1.3 km dhe një lartësi që do variojë nga 5 deri në mbi 10 metër në segmente të caktuar të tij. Ndërkohë që për realizimin e tij do të nevojiten rreth 98 mijë metër kub mbushje. I them këto detaje që të ndërgjegjësohemi se është një volum i madh pune, ndërkohë kahet për të punuar janë vetëm dy që është vetëm fillimi dhe fundi i këtij segmenti, nuk mund të punohet në fronte të tjera pune. Kështu që kjo do kërkojë kohën e vet, por që Autoriteti Rrugor është plotësisht i angazhuar për tu vijuar sa më parë punimet për këtë segment alternativ.
Drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Adrian Bylyku: Përshëndetje të gjithëve. Unë do bëj një përshkim të shkurtër ashtu siç me sugjeroi dhe kryeministri, për të bërë një shpjegim në lidhje me fenomenin që ka ndodhur dhe më pas ne do të japim dhe perspektivën e gjithë punimeve gjeologjike që kemi nisur me qëllim që të ofrojmë studimin e thelluar me të dhënat më të rëndësishme për vazhdimin e Korridorit 8 ashtu dhe për sugjerimet që do të jenë shumë të vlefshme për ARRSH. Me pak fjalë për pjesën më të madhe të banorëve që janë këtu, zona ku ne ndodhemi, zona e Librazhdit, e Përrenjasit është një zonë tipike e rrëshqitjeve. Elementi i gjeomorfologjisë, gjithë pjesa që na rrethon është një gjeomorfologji me shpate të pjerrëta, me një pjerrtësi pothuajse maksimale. Ky është elementi i parë, njëri prej faktorëve.
Faktor tjetër është litologjia, lloji i shkëmbit. Gjithë kjo pjesa me të verdhë që është e shënuar në këtë hartë janë formacione të reja, quhen formacione të neogjenit dhe nga pikëpamja e moshës gjeologjike. Këto kanë dhe në përbërjen e tyre zhavorre, inerte, copëza materiale të cilat nuk janë të çimentuara mirë, ky është faktori i dytë i kësaj zone që lidhet me rrëshqitjen. Kjo njollë e kuqe këtu në këtë hartë është njolla e rrëshqitjes në fjalë por zona e Librazhdit, e Përrenjasit, e Spatharës unë jam i bindur që për të gjithë banorët këtu është një problem historik. Më i hershmi është janari i vitit 2026 ku Spathara ka pasur intensitet rrëshqitjesh, nga ana e historikut të rrëshqitjeve vazhdon prej 14 vitesh dhe mund t’i shikojmë dhe të dokumentuara sot në kanalet e Youtube apo kudo. Nga pikëpamja gjeologjike historiku i rrëshqitjeve të kësaj zone fillon që nga vitet 60-70 ku shërbimi gjeologjik ka hartat me të cilat këto rrëshqitje të kësaj forme, të kësaj madhësie janë të dokumentuara prej kohësh.
Faktori i fundit që merret në konsideratë është dhe faktori i erozionit. Unë doja të thoja që në kuadrin e analizës së plotë sot ne jetojmë në një kohë ku gjithë këtyre komenteve që janë bërë është elementi i vetëm që nuk është marrë në konsideratë në mënyrën e duhur, edhe kundrejt shpjegimit që kemi dhënë për reshjet ky fenomen sot duhet marrë në konsideratë si një faktor determinues. Është ndryshimi klimatik. Sot periudhat e reshjeve dhe veçanërisht në 2,3 vitet e fundit janë fale ndryshimeve klimatike në një periudhë të shkurtër kohore 5, 6 ditë deri në 10 ditë ndodhin sasitë e reshjeve që janë shpeshherë më të mëdha seç kanë qenë gjatë një viti apo gjatë dy viteve. Ky është elementi kryesor, faktori kryesor për tu marrë në konsideratë me rrëshqitje siç ka ndodhur në Spatharë në janar, siç ka ndodhur në zonën e Librazhdit prej 30 vitesh, ashtu siç ndodhi dhe me këtë fenomen. Fenomeni i ndryshimeve klimaterike është një fenomen fondamental për tu marrë në konsideratë. Në lidhje me pjesën e asaj që po bën tashmë shërbimi gjeologjik për studimin e thelluar ne kemi paraqitur projektin ku janë llogaritur gati 480 deri në 500 metra linear shpime, në anën e vrojtimit gjeologjik veçanërisht në shtëpitë e banimit që kanë qenë afër zonës ne kemi vendosur sinjalizues të cilët japin të dhënat në lidhje me rrëshqitjet dhe kanë konfirmuar që rrëshqitja ka qenë pikërisht e kufizuar në këtë lloj zone. Shtëpia më e afërt që ndodhet në një distancë gati 80 m pavarësisht linjës intensive siç i kemi vendosur reverët nuk ka rezultuar me rrëshqitje
Përveç kësaj monitorimi i zonës përveç -reverëve ka sot rrjetin e shpimeve. Shpimet do fillojnë nga 30, 50 metra në thellësi deri në 70 m. Një element i rëndësishëm që po presim është studimi gjeofizik, që do të na japë të dhëna nëpërmjet elektrometrise sesi është struktura brenda dhe sesi e ka ajo të trajtuar anën e lagështisë dhe deri te sizmika sesi është pjesa e rrëshqitjes. Tek shpimet shërbimi gjeologjik do të japë rekomandimet për ARRSH ku do të vendosen inklinometra të cilët do të regjistrojnë prapë pjesën e rrëshqitjes në këtë zonë përveç kësaj do të vendosim dhe piezometrat të cilat do masin shkallën e lagështisë
Për informacionin e publikut unë do të jap një të dhënë, me këto që ka Shërbimi Gjeologjik ne kemi bërë në matjen e analizve fiziko mekanike matjen e lagështisë në gati 35% deri 50 % të kampioneve që kemi marrë rezulton sasia e lagështisë 33% e lagështisë. Do të thotë që e gjithë kjo strukturë në këtë periudhë që ne kemi marrë analizën ka pasur një shtim në anën e masës gati minimalisht me 1/3. Këto janë elementët kryesor që unë doja të thoja. Projekti i shpimit, projekti i gjeofizikes bashkë me gjithë elementet që ne do marrim në konsideratë do jetë një informacion i rëndësishëm që do i vlejë ARRSH për të vazhduar me gjurmën e duhur në Korridorin e 8.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi: Unë nuk doja të zgjatesha më shumë për sa i përket aspekteve teknike që i sqaruan në detaje drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar si dhe drejtori i shërbimit gjeologjik shqiptar. Patjetër sic e tha dhe kryeministri për sa më përket mua si përfaqësues dhe ministër i Infrastrukturës dhe energjisë unë e di që banorëve dhe juve konkretisht që jeni banor shumë afër të kësaj zone ju është krijuar një shqetësim për disa ditë të vazhdueshme. Ajo çfarë unë garantoj është që strukturat jo vetëm të ARRSH dhe të shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të Hekurudhës por edhe të Energjisë, ju e dini që është spostuar një linjë transmetimi e cila është transferuar në një në kohë rekord për të mos krijuar shqetësime të mëtejshme nga pikëpamja e energjisë elektrike.
Pra janë marrë të gjitha masat për vijuar në një mënyrë sa më shpejtë të kohës qarkullimi normal, por dhe çdolloj aktiviteti tjetër që lidhet me shërbimet utilitare siç është dhe energjia elektrike
Unë kam dëshirë vetëm të theksoj faktin që Korridori 8 që njohim ne sot është rreth 33 km i kontraktuar nga ARRSH. Ka faza dhe në të 8 fazat ka një ecuri krejtësisht normale dhe nuk ka pasur asnjë ndalese në punimet përkatëse të këtij korridori, madje në fillimet e tij që është segmenti i tretë, i dytë dhe i parë që është në dalje të Elbasanit qytetarët mund dhe të konstatojnë që janë shtruar dhe shtresat asfaltike të njërës korsi dhe po vijohet dhe me korsinë tjetër.
Gjithë ky korridor do jetë siç ju e shihni në dalje të Elbasanit. E vetmja ndalesë ka qenë në këtë aksin këtu, pra në këtë 150 metër dhe vetëm ky aks këtu do ketë ndalesë derisa ARRSH siç e njoftoi dhe drejtori i Autoritetit të bëjë dhe rrugën sekondare që është 1.3 km që do lejojë kalimin e automjeteve derisa kontraktori të vazhdojë punimet dhe në këtë segment. Ky është një korridor dhe ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë që e fut në një fazë tjetër zhvillimi jo vetëm të kalimeve të automjeteve e qytetarëve por dhe ekonomik sepse bën ndërlidhjen e Shqipërisë me gjithë pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit. Ajo farë unë mund të garantoj është e thjeshtë. Të gjitha segmentet e tjera janë ecur sipas fazave kontratore. Ne për aq sa kanë këto kontrata detyrë presim që brenda një viti përveç këtij segmentit këtu të kemi mbylljen e tyre sipas afateve kontraktore dhe do vazhdojmë me ritmet përkatëse të duhura siç dhe duke punuar tashmë në të gjitha pjesët e këtij korridori. Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Dua të vë theksin këtu te rëndësia e këtij korridori dhe dua ta sjell në vëmendjen e të gjithë atyre që mbase nuk e dinë, por ta risjell dhe në vëmendjen e atyre që e dinë këtë fakt, që Korridori 8 ka qenë një korridor prej kohësh i kuptuar edhe i deklaruar strategjik për vendin tonë, por nuk ka qenë i pranuar nga Bashkimi Europian, si një korridor europian dhe arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e Bashkimit Europian e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e Bashkimit Europian për ta përfshirë këtë korridor në korridoret europiane sepse përfshirja në korridoret europiane i jep një korridori vlerën si një aset i Bashkimit Europian dhe duke qenë një aset i Bashkimit Europian, korridori bëhet edhe i finacueshëm nga fondet europiane apo nga fondet që mund të merren nga organizmat financiare europiane dhe faktikisht ka qenë puna jonë, ka qenë diplomacia jonë, ka qenë këmbëngulja jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor disa vite më parë, ky Korridor u fut në rrjetin europian të korridoreve dhe natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por dhe u vulos rëndësia strategjike e korridorit, i cili faktikisht së bashku me portin e ri të Durrësit, garanton një aks tjetër lëvizje të mallrave dhe njerëzve nga lindja drejt perëndimit. Një aks të drejtpërdrejtë, më të shpejtë, me kosto më të ulët dhe patjetër edhe me efikasitet më të lartë në çdo aspekt.
Kini parasysh që paralelisht, Korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, praktikisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari dhe nuk e di a e keni ndjekur, por është ndërtuar një program bashkëpunimi katër palësh ku është e përfshirë dhe Italia pikërisht për rëndësinë strategjike të Korridorit 8.
Nga ana tjetër, Korridori 8, është një korridor i cili përpara pak kohësh është përfshirë edhe në korridoret e lëvizjes së forcave ushtarake të NATO-s, gjë që ja rrit edhe më shumë vlerën. Gjë që e bën edhe më të rëndësishëm si aset strategjik jo vetëm të Bashkimit Europian, por edhe të NATO-s. Përpjekja jonë për ndërtimin edhe të një krahu ushtarak të portit, do ta bëjë korridorin edhe më të rëndësishëm dhe patjetër që do të rrisë, në fund fare, vlerën e tij, por edhe vlerën e pronës përreth tij, dhe patjetër dhe impaktin e tij ekonomik dhe social. Kjo është një vepër shumë e madhe për tu zhytur në baltën e makinerisë që çdo ditë nuk bën asgjë tjetër, vetëm prodhon baltë, baltë, baltë.
Ndërkohë, në vendin fqinj, në Greqi ku është ndërtuar jo shumë vite më parë një nga autostradat më spektakolare, rrëshqitja që ka ndodhur është shumë e shumë e shumë herë më e madhe dhe më e gjatë nga pikëpamja lineare sesa kjo rrëshqitja këtu. nuk ka ndodhur në ndonjë aks të vjetër siç ka ndodhur këtu ku s’ka asnjë lidhje me impaktin e ndonjë punimi apo siç thoshin gjithologët e tenxhereve me marrjen e zhavorrit nga lumi, se duhet të jesh jo thjesht injorant, por duhet të jesh dhe një maskara shumë i madh që t’i frysh veshët njerëzve me të tilla broçkulla. Por, maskarallëku i atyre që bëjnë këtë punë përditë e përditë, përditë disa paguhen nga taksat e popullit si përfaqësues të popullit, por në fakt nuk janë përfaqësues të popullit, por janë përfaqësues vetëm të një të ikuri fare nga mendja e kokës. Disa të tjerë paguhen nën dorë, në të zezë për ta bërë këtë punë natën nëpër ato klubet mediatike, ndërkohë që faktet janë këto dhe rrëshqitja atje, në anën tjetër, ka ndodhur tek aksi i ri dhe ka ndodhur pikërisht për të njëjtin fenomen që e shpjegoi Drejtori i Shërbimit Gjeologjik dhe këto fenomene, gjithmonë e më të pranishme sot në jetën e vendeve, nuk mund të përdoren për të fajësuar dhe përbaltur dynjanë, dhe për të nxirë jetën e njerëzve që nuk hapin dot televizorin, nuk hapin dot pasqyrën e celularit për të marrë një haber se marrin vetëm baltë, ndërkohë që në anën tjetër, nuk shquhen për ndonjë qetësi e durim të madh se nuk janë suedezë, janë njëlloj si ne grekët, nuk kam parë unë të ngrihet ndonjë uturi balte ndaj qeverisë për atë rrëshqitje. Kjo është e vërteta në gjithë këtë histori.
Gjithsesi, ne jemi këtu për t’i garantuar të gjithë që jemi shumë të vetëdijshëm për dëmin që i shkaktohet njerëzve nga ndryshimi i ritmit të jetës. Jemi shumë të vetëdijshëm për pengesat që shkaktohen dhe për të garantuar që puna këtu nuk ndalet dhe vazhdon papushim, në mënyre që ta bëjmë sa më shpejt korrigjimin e këtij segmenti dhe mbylljen e kësaj plage, por ama, duhet ta bëjmë shpejt, por do ta bëjmë mirë! Drejtori i Shërbimit Gjeologjik shpjegoi proceset, janë procese që kërkojnë kohën e tyre në të gjitha rastet. Nuk mund të bëhen brenda ditës. Kështu që, do ta bëjmë sa më shpejt, por do ta bëjmë mirë në mënyrë që kjo plagë të mbyllet përfundimisht, dhe duke e mbyllur po ja kaloj fjalën për të bërë konkluzionet zotit Demo, edhe në funksion të koordinimit të mëtejshëm me bashkitë, ndërkohë që meqë kemi ardhur këtu, nuk kemi ardhur thjesht që t’iu mbajmë një fjalë dhe t’iu japim disa informacione dhe të ikim. Ndjehuni të lirë të bëni çdo pyetje që keni për këtë ose për çdo gjë tjetër që keni, se jemi këtu dhe është mirë ta shfrytëzojmë këtë rast edhe për çështje të tjera, nëse ju dëshironi të ngrini çështje të tjera.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo: Në fakt unë do shtoja që si rrjedhojë e shpjegimeve që dëgjuam nga drejtuesit e Institutit të Gjeologjisë, kjo zonë në fakt ka pasur problematika në rrëshqitje edhe në akset dytësore ku kryetarët e bashkive kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të qenë pranë qytetarëve. Unë besoj që roli i bashkive në këtë kontekst është shumë i rëndësishëm, jo thjesht përsa i përket mirëmbajtjes së infrastrukturës, por mbi të gjitha në të njëjtën kohë dhe informimin e qytetarëve sidomos kur flasim për avari të kësaj natyre të cilat janë për shkak të kushteve madhore. Unë jam i bindur që gjithë kryetarët e bashkive, jo thjesht të qarkut të Elbasanit po në fakt në gjithë territorin e Shqipërisë janë përballur me fenomene të cilat si rrjedhojë e reshjeve të fundit gjatë muajve sidomos nga muaji nëntor deri në muajin shkurt, kanë krijuar situata të vështira, por besoj që përgjigjja e tyre ka qenë e atillë që i ka mundësuar qytetarëve vazhdimin e jetës, së punës dhe patjetër përballimit të kësaj situate të gjithë bashkë, sepse këto janë situata ku ne duhet të bëhemi bashkë dhe kryetarët e bashkive këtë e kuptojnë më së miri të qenit pranë komunitetit. Unë doja të falenderoja ARRSH dhe gjithë institucionet e tjera përsa i përket ndihmës që i kanë dhënë bashkive në vend në përballimin e kësaj situate, dhe besoj që edhe me daljen e këtij dimri, planifikimi që vetë bashkitë do të bëjnë dhe përgatitjet për sa i përket vitit të mëpasshëm dhe në një farë mënyre edhe parashikimin deri diku për parandalimin e këtyre fenomeneve, do të jetë në fokusin e punës sonë. Dhe këtu unë do të doja të përmendja edhe një fakt që kryeministri ka tashmë mbështetur projektin përsa i përket alokimit të fondit të ardhur nga Emiratet e Bashkuara, në grant i cili do të fokusohet në fuqizimin e logjistikës që bashkitë kanë në dispozicion, jo thjesht për përballimin e situatave të tilla, por në tërësi për të krijuar kushte ku dhe fenomenet si përmbytjet, ne t’i kemi në minimizim në mënyrë progresive, por në të njëjtën kohë dhe përballimin e këtyre situatave me logjistikën e duhur nga të gjitha bashkitë në nivel kombëtar, të jetë i atillë që ne të përgatitemi për atë çfarë ne të gjithë jemi dëshmitarë, që moti është bërë shumë herë më i paparashikueshëm dhe situata të tilla dhe fenomene të tilla me probabilitet shumë të lartë, do të kenë dhe intensitet më të lartë me kalimin e viteve, prandaj unë do të doja dhe një herë të falenderoja gjithë kryetarët e bashkive të zonës dhe të gjithë institucionet shtetërore për përgjigjen që kanë marrë jo vetëm për rastin e rrëshqitjes në këtë segment nacional por edhe për të gjitha akset e tjera të cilat afektojnë jetën e banorëve të zonës. Faleminderit!
***
– Kemi një bujtinë familjare. Vitet e fundit kemi falenderuar për politikat e qeverisë për zhvillimin e turizmit të zonës por doja të paraqisja një problem. Fshatrat Dorëz dhe të tjerë përreth janë konsideruar si zona e mbrojtur. Janë shumë larg parkut të Shebenikut dhe do të doja të merrnit masa për të shqyrtuar dhe një herë hartën për zonën e mbrojtur pasi kjo na pengon shumë për zhvillimin e mëtejshëm.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen se ky është edhe një shqetësim që s’e keni vetëm ju por kini parasysh që ne kemi vendosur në legjislacionin e zonave sepse mbrojtja e zonave ka disa nivele, pra ka një nivel mbrojtjeje që është absolut, mbrojtje 100% le të themi parku që ju përmendet; ka një nivel që nuk është 100% rreth zonës së nivelit të parë ku ka banorë që janë aty prej shumë kohësh siç jeni dhe ju dhe ka një nivel tjetër që është niveli i tretë që është përgjithësisht në zona ku nuk inkurajohen ndërtimet, por ku është e pamundur të mos lejohen njerëzit që të zhvillojnë sipas parametrave të caktuar aktivitetin e tyre. Dhe, edhe në zonën e nivelit të dytë edhe në zonën e nivelit të tretë është e mundur që të ndërtohet me specifika të caktuara dhe pikërisht A-ja është nxitja e agroturizmit dhe nxitja e bujtinave apo e agropërpunimit, natyrisht e kategorive të caktuara duke lejuar zhvillimin e mëtejshëm. Pra nëse ju doni që bujtinën tuaj ta zgjeroni, këtë mund ta bëni. Është e mundur. Paketa e Maleve e krijon këtë mundësi por duhet të ndiqni një sërë parametrash që kanë të bëjnë me projektin, me materialet, me karakteristikat e nevojshme për ta pasuruar pozitivisht po themi zonën e mbrojtur ose zonën me mbrojtje relative. Domethënë juve mundet që të bëni direkt aplikimin tek programi i paketës së maleve dhe nuk ju pengon fare që të merrni lejen, apo jo?
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo: Një prej rrugëve është ajo por patjetër kryeministri e tha qartazi që vetë ligji i zonave të mbrojtura lë hapësira sipas vetë territorit apo për ndërtime të caktuara por për më shumë detaje, patjetër bashkë me kryetarin, në përfundim të takimit besoj që do ta vlerësojmë më shumë në detaje. Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është plotësisht e mundur . Ju mund të aplikoni drejtpërdrejt në Këshillin Komëbtar të Territorit, jo, Paketën e Maleve në rast se doni edhe mbështetje ekstra, në rregull pra. Tani, hajde të të japim edhe medalje me këtë rast se je shqiptari i pari që njoh unë që thotë nuk dua asnjë mbështetje. Po pra e kuptoj, të të japim dhe medalje për këtë punë se nuk e kisha takuar akoma shqiptarin e parë që thotë ‘’jo, mo në asnjë mënyrë nuk duam mbështetje përkundrazi’’, dhe po pyesja dhe veten pse je ulur dhe vetëm atje në tavolinë po ngaqë je e vetmja që s’do asnjë mbështetje. Nëqoftëse s’do asnjë mbështetje, aplikimi direkt tek Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit dhe do merrem unë personalisht që ta marësh lejen bashkë me medaljen.
-Përshëndetje. Jam nga fshati Librazhdi-Qendër dhe dua të falenderoj qeverinë sepse në çdo fshat të Librazhdit të paktën ka asfalt, është shtuar shumë sipërfaqja me asfalt. Unë kam një merak, bashkia ka bërë për të punuar për këto projekte dhe do të vazhdojë edhe ne vijim për shtrimin e fshatrave deri në fshatin tim, por dua që të mbështetet bashkia e Librazhdit për të vazhduar projektin e asfaltimit deri në fshatin Qerrishtë, sepse është zemra e parkut kombëtar, e para dhe e dyta, se Qerrishta ka dhe vlera historike. Përveçse të zhvillojmë turizmin, t’i japim dhe Qerrishtës një hov. Mund të bëhet edhe një muze. Faleminderit!
-Përsa i përket pyetjes, ne kemi përfunduar fazën e parë të shtrimit të asfaltit të Librazhd- Librazhd Qendër, kemi planifikuar me vendim të këshillit bashkiak këtë vit do financojmë fazën e dytë deri në Librazhd Katund.
Kryeministri Edi Rama: tani për hir të së vërtetës, nuk e shmangim dot prapë Taulantin sepse ka qenë një luftëtar i paepur nëpër korridoret e qeverisë dhe të institucioneve të FSHZH e kështu me radhë për gjithë këto punë që janë bërë por ajo që mua më vjen mirë, është që pasuesja e Taulantit e ardhur këtu në Librazhd edhe me bekimin e tij, Bora, është po ashtu shumë e përkushtuar, ndoshta jo aq e zëshme publikisht por të jeni të sigurtë që ndjek me shumë përkushtim punën e bashkisë dhe të bashkive këtu dhe sa herë e takoj, i them përveç Librazhdit ke ndonjë gjë tjetër sepse aty e di që do ma thuash, kështu që patjetër do ta shikojmë edhe këtë. ideja e muzeut më pëlqen shumë. Mbase, jo mbase po do lidhemi nëpërmjet zotit Demo, se këtë kemi ne urën tonë me ju, kjo ‘’urë’’ garanton gjithë qarkullimin e ideve dhe të projekteve. Do lidhemi me Agjencinë e Planifikimit për të bërë një projekt, edhe pastaj do ta gjejmë mënyrën ta financojmë. Kështu që të falënderoj për këtë ide, sepse ajo është një pjesë e artë e historisë tonë, është e artë ajo pjesë e historisë tonë edhe është një nga medaljet më të lavdishme që në radhë të parë muslimanët shqiptarë i kanë vënë vetes në gjoks që është një medalje që shkëlqen në të gjitha kohërat, edhe në këtë kohë.
Kështu që, duke filluar nga ata që agjërojnë, i uroj tu jetë i pranuar agjërimi, por edhe nga ata tjerë që nuk agjërojnë, paçin çdo të mirë dhe paçin dritë në shtëpitë e tyre, sepse ishin gjyshërit e tyre në radhë të parë që e bënë këtë medalje kaq të shkëlqyeshme, por edhe të tjerët, patjetër edhe të krishterët, edhe ata që nuk i përkasin asnjë komuniteti fetar, e bën Shqipërinë që të jetë krenare përjetë në atë histori.
Kështu që, ku kemi mundësi që atë histori ta nxjerrim në pah, do ta nxjerrim në pah, edhe për atë arsye që the, për të fuqizuar turizmin tonë, duke krijuar më shumë atraksione të natyrës së turizmit historik dhe kulturor, patjetër.
Edhe sepse kam mësuar që asnjëherë nuk ia vlen të tregosh si është e vërteta në momentin kur bien të gjitha llojet e daulleve, të rrenave, e të shpifjeve, e të poshtërsive, është e kotë, duhet durim, duhet vazhduar puna në këmbëngulje, siç kemi bërë këtu, se kemi dhe e di drejtori ishte shumë i shqetësuar, ishte shumë i ngarkuar psikologjikisht nga gjitha sulmet – më çonte mesazhe, edhe unë thosha, është i ri akoma dhe nuk e kam mësuar që në kohën kur tundet vendi nga daullet dhe nga balta duhet vetëm bërë puna, fokusuar te puna. Dhe kur bie zhurma, se fillon një zhurmë tjetër, një zhurmë tjetër thuhet e vërteta, tregohet e vërteta, ditën për diell dhe është fiks ajo që pastaj iu kthehet e gjitha surratit. Për turpin e tyre dhe njerëzit që akoma i besojnë atyre zallahive dhe atyre zallamaxhive, E kuptojnë përsëri, e përsëri, e përsëri që prit një herë se nuk është kështu. Nuk është kështu, nuk është “hap e rren”, “hap e rren”, “hap e rren”, “hap e rren”, “ditë e rren”, “ditë e rren”, “ditë e rren”, “natë e rren”, “natë e rren”, nuk është kështu.
E përsëris, ne kemi plot arsye për t’u kritikuar, unë vetë mendoj që jam socialisti më i pakënaqur dhe pakënaqësia te socialistët është virtyt, por është përtej gjërave që nuk shkojnë ose që mund të shkojnë më mirë, tërësia e gjërave flasin vetë, flasin vetë. Dhe ne nuk kemi për ta lejuar të na ndodhi përsëri ajo që i ka ndodhur shqiptarëve shumë herë në histori, që pikërisht kur janë afruar momentit për të marrë kthesën e madhe, janë ngatërruar me këmbët e tyre dhe janë ngatërruar me këmbët e tyre për shkak të shqiptarëve, jo për shkak të të tjerëve, as për shkak të armiqve, më të egërit armiq të shqiptarëve janë shqiptarët. Kjo është e vërteta në kohë të ndryshme, në pozita të ndryshme për arsye të ndryshme, po kjo është e vërteta. Siç është e vërteta, që gjithë çfarë bëhet, gjithë çfarë bëhet në ato pocaqi protesta që janë si “jashtë derdhje njerëzore” në bulevard, bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe nga dhuna për t’u çuar nëpër botë, për të thënë” – Ja, “kjo është Shqipëria”, “mos shkoni në Shqipëri”, “mos bëni turizëm në Shqipëri”, “mos investoni në Shqipëri”, “mos besoni tek Shqipëria, se Shqipëria është e zhytur në korrupsion”, e bla bla bla. Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion, kur korrupsioni në Shqipëri po luftohet më shumë se çdo herë tjetër dhe kur po të shikosh faktet, sot që flasim, edhe rastet që trajtohen dhe që janë trajtuar janë 85% raste që i përkasin mandatit të parë dhe mandatit të dytë dhe në të gjitha ato raste, 10 janë me akuzën e korrupsionit, domethënë, shumë më ndryshe e vërteta nga sa tregohet. A kemi ne problem me korrupsionin? Patjetër që kemi, kush nuk ka, por apo e lufton kush tjetër në këtë rajon korrupsioni që po luftojmë ne? Askush! Askush!
Nuk kemi pas në drejtësi të pavarur kurrë, se po të kishim pas, do ishte luftuar më parë në nivelet e larta problemi, s’është luftuar kurrë. A është gjithçka që thuhet ashtu siç thuhet? Absolutisht jo! Absolutisht jo!
Shumëçka që thuhet nuk është ashtu siç thuhet, edhe nuk është ashtu siç duket në proceset që nisin, dhe prandaj proceset kudo në botë dhe në drejtësinë demokratike kanë prokurorë, kanë dhe gjykatës, kanë të akuzuar kanë akuzues, kanë dhe arbitër, dhe është ajo që thotë arbitri në fund, që ka rëndësi. Nuk mundet dot që ne të bëhemi vendi ku rikthehet hija e komunizmit me fletë rrufera, edhe me degjenerim të çdo njeriu rrugëve pa gjyq. Ne s’mund të bëhemi dot ky vend, por për sa kohë kemi atë mallkimin komunizmi dhe të historisë tonë akoma vërdallë, si hije e zezë që sjell vërdallë një tufë qorrash, e kemi dhe këtë taksirat, s’kemi ç’a bëjmë. Nuk e zgjedhim ne në demokraci kundërshtarin, e zgjedhin të tjerët. S’ka problem do vazhdojmë përpara dhe ne do t’i bëjmë gjërat që kemi për të bërë, nuk diskutohet, të gjitha. Edhe Shqipëria nuk kthehet më mbrapa, Shqipëria do shkojë aty ku është e destinuar të shkojë dhe do ta çojmë ne nuk diskutohet bashkë me të gjithë demokratët që e gjejnë rrugën, rrugën që duhet t’ia u hapim ne, kështu që kemi shumë demokratë që kanë ardhur me ne. Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Rinisë ka qenë një nga udhëheqëset e rinisë të Partisë Demokratike, edhe sot thotë, ku paskam qenë.
Pse ku paskam qenë? Për asgjë tjetër përveçse për faktin që shikon që është mes njerëzish. Është mes njerëzish që kanë të mirat, kanë të metat e tyre, po mes njerëzish. Jo mes qorrësh, ushtarësh qorra. Ka ndonjë tjetër, ndonjë merak pa thënë, po jepja zonjës se ta mbyllim me një zonjë.
– Përshëndetje kryeministër, përshëndetje të gjithë. Atëherë unë jam Floreta Sula nga Bashkia e Përrenjas, bletare fermere. Bletarinë e kam trashëguar nga babai, ta dish, dhe e ruaj me shumë fanatizëm. E ruaj domethënë edhe pavarësisht se ka shumë vështirësi, sepse bletaria dihet që ka vite që ka prodhim, por ka vite që nuk ka prodhim. Vështirësitë e veta janë sepse bujqësia çdo ditë është në rënie. Nuk po punon njeri tokat, po ashtu si sot bë dhe ajo që i jepni në pjesë të natës, po tokat janë djerre. Ka ndikuar shumë në këto dy, dy, tre vitet e fundit për shembull, që është thatësira shumë e madhe. Ajo që doja thoja unë është kjo, që një prodhues nuk mund të bëjë domethënë edhe prodhimin, edhe shitjen vetë. Do ishte shumë mirë të mundësosh një pikë grumbullimi për produktin e bletëve.
Kryeministri Edi Rama: Ah, kryetar, e dëgjon? Pse i them më kryetarit më dëgjon?
Sepse më ka rënë goja dhe po më bie goja, po dhe kjo është një nga pikat që i ka në ngarkim, zoti Demo, që t’i ndjekë me kryetarët, sepse bashkitë duhet të bëhen ura midis prodhuesve dhe tregut për të mundësuar grumbullimin aty ku nuk mundësohet natyrshëm nga tregu dhe nga privati se ju thatë që tokat nuk po punohen, në fakt, e vërteta është që në disa zona, siç është zona juaj, ka problem për punimin e tokës për shkak të largimeve dhe për shkak të faktit që jo të gjithë e kuptojnë se sa më mirë është të punosh tokën tënde dhe sa më shumë nxjerr nga toka jote, sa të rish të punosh tokën në Greqi e në Itali, ku është gjithmonë e më vështirë të kapësh fundin e muajit. Sepse në zona të tjera, tokat punohen edhe prodhohen nga dy e nga tre herë në vit. Kështu që për këtë arsye, këtu është edhe më strategjike puna që do të bëjë bashkia.
Bashkia duhet të mbledhë bletarët, duhet të mbledhë bletarët, duhet tu thotë: – Së bashku do bëjmë një shoqëri të përbashkët, do bëjmë një projekt, ku duhet të jetë pika e grumbullimit. – Në filan vend, po në filan vend, do bëjmë projektin dhe me atë projekt do t’i shkojmë qeverisë, do i shkojmë AZHBR-së, etj., etj., dhe do financojmë. Kjo është gjëja që duhet bërë, kjo është shumë e qartë.
Kryetari i Bashkisë Përrenjas: Në lidhje me filmin e grumbullimit, ne si bashki kemi një operator që punon në Greqi, i cili ka kontratën me gjithë Europën. Ai çuni është nga Përrenjasi. Për fat të mirë, ka një vend të tij aty, janë magazinat e ish-minierës. Unë kam bërë 2-3 takime me të, bile kemi qenë edhe në Selanik, edhe bashkë me të do të bëjmë një pikë në Përrenjas. Nuk do të ketë një kapacitet shumë të madh. Ne fillimisht kemi për të dhënë mundësi këtyre që është Vlora, Fieri të tjerëve ta fillojmë me pakicë, bile ky djali na ka dhënë edhe një mundësi tjetër, e gjithë fushë e Domosdovës, e cila tani nuk është e gjitha e punësuar – Ai thotë do t’i orientojmë të gjithë ata fermerë. Unë bile s’kam filluar edhe me një grup pune të bashkisë për ti ndërgjegjësuar e grumbulluar të bashkojmë kokat që ato produkte që kanë më shumë vlerë dhe këtë do të shkojnë të gjitha për eksport.
Besoj që jemi në hapat e para, por shumë shpejt ne do të arrijmë ta bëjmë pikën.
Ndërsa për punimin e tokave që thotë zonja, bletarët në Përrenjas, neve kemi bërë shumë panaire që edhe t’i reklamojmë, jo vetëm i kemi shtet dhënë me buxhet nga bashkia, me aq sa kemi ne mundësi, por besoj që kjo pikë që do bëjmë Përrenjas. Thashë do ta bëjmë me kapacitet jo shumë të madh, pasi ai djali e ka bërë vendin dhe ka një eksperiencë të madhe.
Kryeministri Edi Rama: Të kesh një djalë si ky që the, apo dy djem, apo tre, apo pesë, që kanë këtë eksperiencë, është aset. Por duhet bashkia të marrë lidershipin dhe të ndërtoj gjënë, sepse kështu edhe djemtë e kanë më të lehtë që të bëhen pjesë, e kanë më të lehtë që të fusin kapitalin e tyre, aq sa do të fusin. Bashkia duhet të fusë kapitalin e vet, edhe bletarët t’i fusni një pjesë me një përqindje të vogël. S’ka nevojë të financojnë ata, po të jenë pjesë një për qind të vogël, dhe kështu bëhet një shoqëri e përbashkët, nga e cila përfitojnë të gjithë së bashku, siç e bën gjithë bota. Do ta bëjmë këtë gjë.
Unë kam besim te Nuriu, sepse është një burrë i urtë që i jep drejtim punëve pa zhurmë.
– Duke qënë se, siç thamë, bleta bën pjalmimin, Ke frutat, nuk do kishte prodhim. Për shembull, do ulej prodhimi 60% te fruta dhe te perimet. Mirëpo, fermeri këtë nuk e di. Domethënë, si duhet ta rregullojmë këtë pjesë? Ai më shikon si një armik, për shembull.
Kryeministri Edi Rama: Është grenz ai që sheh si armik. Si e shef greza bletën?
– E shikon, për shembull, nuk e ka kulturën e duhur që në vendet e zhvilluara, bletarët i paguan fermerit që unë ta çoj bletët tek parcelat e mollëve, për shembull, po e marr për shembull. Ndërsa këtu nuk është kjo gjë. Këtu ai të shikon si armik bletarin, për shembull ta sulmojë, t’ia helmojë, për shembull bletët dhe nuk e dimë se ku të drejtohemi, nuk dimë se çfarë, ne jemi në rrezik. Është një problem shumë i madh.
Kryeministri Edi Rama: Shiko edhe për këtë çështje, varet nga zonat, varet nga pikat, se për shembull Ka zona ku jo vetëm që kanë këto bashkëpunime, por ku po bëhen dhe disa inovacione me insektet që përdoren në funksion të prodhimit për ta çuar në zero përdorimin e kimikateve. Kështu që edhe për këtë, juve e keni Ministrin e Bujqësisë nga qarku, do të duhet që Arbi të organizojë një takim me kryetarët e bashkive, me gjithë bletarët e zonës, me Ministrin e Bujqësisë, për të parë si mund të bëjmë ndonjë projekt pilot. Ai me siguri është në dijeni edhe me siguri ka shumë gjëra për të thënë, kështu që do ta zgjidhim. Ke ndonjë gjë tjetër?
– Atëherë, në të gjitha produktet që blejmë për bletarinë, i marrim me çmim sa t’i dojë qejfi i atij magazinës që të na japin ne. Pse mos na njihet për shembull, neve që ta marrim pa TVSH për shembull, çdo lloj.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, duhet të dish një gjë, mua ministri i Financave më thotë gjithmonë, Kryeministër, ju jeni i lirë të premtoni çfarë të doni dhe bazuar në programin e tjerë e tjerë, po ju lutem shumë, vetëm TVSH-në mos guxoni ta prekni askund me askënd. Kështu, TVSH-ja nuk preket. Madje, madje, ne nga edhe ndërveprimet me Bankën Botërore, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Komisionin Europian, një nga detyrat që kemi në proces drejt anëtarësimit, kemi heqjen e përjashtimeve që i kemi aktualisht, kështu që ne për këtë po rezistojmë, po përjashtimet nga TVSH-ja janë shumë të rralla, do jenë gjithmonë e më të rralla derisa të hiqen fare.
Unë them që ishte të paktën për sa më takon kënaqësi. Shpresoj që të ketë qenë reciproke kënaqësia. Shpresoj po ashtu që kryetarët e bashkive t’i ndjekin gjërat deri në fund në të gjitha këto aspekte. Do organizoni takimin me ministrin e Bujqësisë, për sa thamë, për gjithçka tjetër kini besim që më e mira është e gjitha përpara, sepse siç thonte një miku im ndjesë pastë Kasem Trebeshina “qentë le të lehin, karvani të ecë përpara, rruga është ajo që mbetet”. Korridori 8 është ai që mbetet dhe do ndërtohet shpejt dhe do mbetet për shumë vite, kur grenzave t’i ketë humbur nami edhe nishani.
Shumë faleminderit!





