Kryeministri Edi Rama inspektoi sërish sot, zonat e përmbytura dhe ku rreziku vazhdon të jetë prezent në Fier dhe Vlorë, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Vjosa.
Kryeministri Rama u ndal në zonat kritike të Fierit, pas një nate të rënduar nga reshjet e prurjet e lumit. I shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Armando Subashi dhe nga Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premci, Kryeministri pa nga afër problematikën e krijuar pas vërshimit të ujërave. 20 persona u evakuuan gjatë natës së mbrëmshëm, ndërkohë është shumë pozitive se në ndryshim nga përmbytjet e vitit 2015, nuk pati asnjë humbje të raportuar në bagëti. “Është pozitive kësaj radhe, që s’kemi asnjë humbje në gjënë e gjallë të raportuar nga fermerët në gjithë këto zona, ” – u shpreh kryetari i Bashkisë, Armando Subashi.
Kryeministri vlerësoi maksimalisht angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë strukturave operacionale në vend, për të përballuar këtë fatkeqësi, e cila, pavarësisht se ishte më e rëndë se ajo e 2015, solli më pak dëme për shkak të masave të marra paraprakisht nga gjithë strukturat e përballimit të situatave të tilla. “Ishte shumë e frikshme situata, sepse faktikisht tejkaloi 2015-n në mënyrë shumë tej parashikimit dhe ishte një sprovë e madhe për të gjithë ndërhyrjet që kemi bërë, por që treguan dobishmërinë e tyre. Tani, duke u nisur nga pikat e dobëta të kësaj situate, duhet që të vazhdojmë ndërhyrjet aty ku faktikisht identifikohet domosdoshmëria për krijimin e infrastrukturës së sigurisë dhe të mbrojtjes, në mënyrë që të kemi shumë më tepër imunitet kur të vijë tjetra, se tani këto janë bërë ciklike për shkak edhe të gjithë ndryshimeve të klimës”,– u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi informoi Kryeministrin se pavarësisht çarjeve të argjinaturave, investimet e kryera rishtazi dhe mirëmbajtja e hidrovoreve sollën për përballimin me sukses të kësaj situate. “Kanë ndikuar investimet e bëra gjatë vitit 2016-2017, por ajo çka qenë kryesore, ka qënë gatishmëria e hiodrovoreve me kapacitet të plotë që para 6 ditësh dhe sasia e ujit që ka ardhur e ka gjetur gjithë sistemin kullues të filtruar”, – tha Premçi.
* * *
Kryeministri inspektoi edhe zonën e Novoselës në Vlorë, një nga zonat më të prekura të Qarkut nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosë.
“Situata është nën kontroll. Forcat e rendit dhe forcat e armatosura kanë qenë gjithë natën në gatishmëri, dje edhe sot,” – informoi kryetari i njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli nënvizon gjithashtu se situata është më e qetë. “Pak para pak orësh, uji kalonte mbi nivelin e urës tani, është në një farë mënyre qetësuar, ka më pak prurje. Pritet që të ketë më tepër prurje, sipas informacioneve. Niveli i ujit është duke rënë.”
Në zonë, nga dje vazhdojnë operacionet e shpëtim-evakuimit nga Forcat e Armatosura. “Forcat e Armatosura janë në gatishmëri dhe në dispozicion për të përmbushur mision, për shpëtimin, evakuimin e popullsisë. Misioni ynë është që në këto momente të jemi afër çdo familje dhe jemi fat që nuk kemi asnjë humbje jetësh njerëzore,” – u shpreh një nga ushtaraket.
Kryeministri u përshëndet me ushtarakët e përfshirë në këto operacione, duke i falënderuar për përkushtimin e lartë profesional e njerëzor, duke qenë në vijën e parë të përpjekjeve për përballimin e situatës dhe shpëtimin e jetës njerëzore. “Keni bërë një punë shumë fantastike. Të gjithë e kanë parë dhe e gjithë Shqipëria ua di për nder. Jam shumë krenar për ju.”
Shakaj nënvizoi se falë investime të kryera, krahasuar me përmbytjet e vitit 2015, situata është shumë e ndryshme, ka më pak familje të evakuura, më pak shtëpi të dëmtuara dhe asnjë kokë bagëti e humbur. “Jemi shumë herë më mirë nga vitet e kaluar. Në vitet e kaluara kemi pasur rreth 560 familje që gati u arriti uji në katin e dytë. Kurse kësaj radhe jemi deri tani, rreth 86 familje. Mendoj që puna që u bë vitin e kaluar nga qeveria dhe nga PNUDI ka dhënë rezultatin e saj. Po të shikosh zonat poshtë, nga 7 mijë hektarë vitin e kaluar, tani jemi 1600 hektarë total, por jo me dëme të mëdha.”
Investimet e kryera në infrastrukturën mbrojtëse, furnizimi me dy linja i hidrovoreve, si dhe puna e mirëorganizuar në terren, nënvizoi Kryeministri, dhanë një aftësi mbrojtëse shumë më të madhe, krahasuar me 2015. “Investimet e bëra i kanë dhënë një avantazh të madh në këtë fazë, por duke qenë se ato ishin pikat më të dobëta në atë kohë, tani kemi mundësi të shikojmë ku janë pikat e dobëta të zinxhirit, në mënyrë që me vazhdimin e investimeve mbrojtëse të arrijmë që të përballojmë të përballueshmen, se nga përmbytjet në këtë kohë nga ndryshimet klimaterike po heq picërrin e gjithë bota. Edhe vendet shumë më të forta, shumë më të zhvilluara gjenden në situata që dalin jashtë kontrollit ndonjëherë. Por ajo që është e rëndësishme është që ne të rindërtojmë të gjithë atë rrjet që kemi nisur, edhe në funksion të këtyre momenteve të vështira. Themelore është edhe që investimet që ka bërë Ministria e Energjisë, bashkë me OSHEE-në, për linjat e dyta të hidrovoreve na kanë dhënë një dorë shumë të fortë, sepse përndryshe do të ishim prapë në një vështirësi të madh. Hidrovorët kanë funksionuar që të gjitha në 24 orë, prefekt, dhe kjo është gjë e madhe.”
***
Pallati i Sportit në qytetin e Vlorës është një tjetër qendër e mirëorganizuar për të pritur qytetarë, shtëpitë e të cilëve mund të rrezikohen nga përmbytjet. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, Kryetari i Bashkisë Dritan Leli, si dhe struktura të emergjencave, ishte atje për të parë nga afër këtë vendstrehim, në rast nevoje.
Gjithçka është gati, që nga shtretërit, veshmbathjet dhe ushqimi. Kryetari i Bashkisë Leli pohoi se falë bashkëpunimit shumë të mirë me bizneset vendase dhe solidaritetit qytetar, në qendrën e pritjes asgjë nuk mungon për t’ju ardhur në ndihmë familjeve, në rast të përkeqësimit të situatës. “Nga organizimi i deritanishëm dhe nga çdo gjë që kemi evidentuar në terren nuk kemi patur nevojë sepse i kemi zgjidhur në territoret ku ata janë. Ata kanë qëndruar në familjet e komshinjve të tyre ose në qendrën tjetër që ne kemi krijuar pranë shkollës industriale. Për të gjithë është menduar që çdokush që të ketë nevojë, e ka të siguruar një vend për të fjetur në pallatin e Sportit. Po ashtu kanë të siguruar edhe ushqimin dhe veshmbathjen. Ka shumë biznese të qytetit që kanë ofruar veshmbathje, kanë ofruar ushqim për të gjithë ata që do të kenë nevojë. Sapo ka shkuar në Novoselë një ngarkesë me ujë të pijshëm për të gjithë njerëzit që do të kenë nevojë për ujë të pijshëm. Bashkëpunimi me biznesin e qytetit ka qënë fantastik, jo vetëm në zonën e Novoselës, por edhe brenda qytetit për problematikat që kemi patur. Kanë qënë të gjithë prezent dhe bashkëpunues. Ka një solidaritet të madh, por pavarësisht sasisë së reshjeve dhe volumit të jashtëzakonshëm të tyre, situata në qytet është e qetë.
Kryeministri Rama theksoi se falë investimeve të domosdoshme në infrastrukturë, si dhe ndërhyrjeve në zonat problematike, situata e krijuar nga përmbytjet është lehtësisht më e menaxhueshme se sa ajo e krijuar 2 vjet më parë. “E vërteta është që krahasuar me 2015 reshjet janë shumë më tepër dhe Vlora si qytet, që në 2015 u bë Bulevardi, pjesa e Lungomares, etj, ska patur asnjë problem, zero, për shkak të investimeve që kemi bërë dhe ndërhyrjeve në infrastrukturën problematike që ishte në 2015. Ajo që është më e rëndësishme, është që jo vetëm asnjë jetë njeriu, por nuk ka asnjë kokë bagëti të humbur, as në Vlorë, as në Fier, asgjekundi si pasojë e organizimit që bëmë prej javësh me forcat e armatosura, me policinë, me emergjencat, me grupe të pesëfishuara forcash në krahasim me 2015, për ta përballuar situatën.”
Kryeministri vlerësoi të suksesshëm edhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe angazhimin në mënyrë të veçantë të deputetëve të Partisë Socialiste në zonat problematike. “E vërteta është që ka patur një superkoordinim dhe këtu një meritë të veçantë ka edhe ministrja e mbrojtjes. Gjithashtu edhe prefektët e rinj të ardhur nga forcat e armatosura me eksperiencë të madhe në këtë fushë, kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe shpresojmë që të mbyllet sipas parashikimeve të paktën. Parashikimet u tejkaluan negativisht sepse mendonim që ishte masa e prurjeve të 2015, por shkoi shumë më larg, aq sa në një moment të caktuar ata nuk e matnin dot më, pasi e kaloi 9-en. Ndërkohë që në 2015 ishte afro 8.2 ajo pika në Memaliaj ku bëjnë matjen e prurjeve nga Vjosa dhe megjithatë gjithë investimet e bëra në argjinatura, kanalizime na dhanë goxha dorë. Por më e rëndësishmja ishte që na dha shumë dorë mirëorganizimi sepse nuk janë as argjinaturat, as kanalizimet që mbrojnë jetët e njerëzve në fund të ditës. Kështu që unë i jam mirënjohës të gjithëve, i kemi falënderuar të gjithë dhe dua ta theksoj se edhe deputetët e Partisë Socialiste kanë bërë punë në terren dhe kanë qenë pranë njerëzve në të gjithë territorin dhe kjo është një vlerë e shtuar morale në radhë të parë, por patjetër edhe në funksion të gjithë punës së përbashkët.”