Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vullnetin e palëkundur të mazhorancës për dialog, për të zgjidhur mosmarrëveshjet për Ligjin “Për Nëpunësin Civil”, Kryeministri Rama e ka shprehur edhe njëherë duke u dërguar një letër drejtuesve të opozitës, Basha, Mediu, Idrizi dhe Ndoka.

Ky fakt është bërë i ditur sot, në një deklaratë për mediat, nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. Harito theksoi se qëllimi i shumicës parlamentare dhe i Qeverisë së Shqipërisë është vetëm një: ta bëjë këtë ligj të votuar me konsensus, të zbatueshëm. Ajo shprehu bindjen e Qeverisë, se konsensusi nuk është vetëm çështje numrash dhe për këtë arsye, Kryeministri Rama ka propozuar takime me opozitën, në ditët në vijim të javës që vjen.

 

Më poshtë vijon deklarata e plotë për shtyp e Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito:

 

Ju konfirmoj që Kryeministri Rama u ka propozuar drejtuesve të nderuar të opozitës, pra, zotërinjve Basha, Mediu, Idrizi dhe Ndoka, t’i takojë për të zgjidhur mosmarrëveshjet për Ligjin “Për Nëpunësin Civil”, pra, Ligjin nr.152 të vitit 2013.

Shtyrja e efekteve të këtij ligji nuk është vetëm mendimi ynë. Pra, është vendosur nga ne, por ka qenë mendimi i Departamentit të Administratës Publike të qeverisë së mëparshme, që në muajin gusht dhe gjithashtu, ka qenë edhe ajo çka propozon Asistenca Teknike Evropiane SIGMA.

Përse e bëjmë ne këtë gjë? Është fare e thjeshtë. Sepse ligji, në gjendjen që është sot, nuk është i zbatueshëm. Ky ligj, në mungesë të akteve nënligjore më të domosdoshme, është krejtësisht i pazbatueshëm. Qëllimi i shumicës parlamentare dhe i Qeverisë së Shqipërisë është vetëm një: ta bëjë këtë ligj, të votuar me konsensus, të zbatueshëm.

Për këtë arsye, rruga që ne kemi gjetur është Akti Normativ për të cilin kemi marrë vendimin në Qeveri. Përveç kësaj, sigurisht ai duhet të votohet në Kuvend përsëri me 3/5-at, por konsensusi nuk është vetëm çështje numrash. Për këtë ne jemi të bindur dhe për këtë arsye, kemi kërkuar takime me opozitën. Me një pjesë të opozitës jemi takuar prej disa ditësh, por Kryeministri u ka propozuar të gjithë anëtarëve të opozitës të takohen me të, sipas mundësive dhe dëshirës së tyre, nëse ata duan të bashkëpunojnë, pra të takohen ditën e hënë, të martë ose të mërkurë, të javës që vjen.

Ju faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.