Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama priti sot në një takim Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të  Japonisë, zotin Bunmei Ibuki, i cili ndodhet për një vizitë  zyrtare në vendin tonë  së bashku me delegacionin parlamentar që e shoqëron.

Kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet shumë  të  mira që  ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Japonisë dhe  shprehu angazhimin e qeverisë  shqiptare që bashkëpunimi mes vendeve të  njohë  dimensione të  reja në  të  ardhmen. Duke ftuar investitorët japonezë të zbulojnë potencialet që Shqipëria ofron në sektorë si bujqësi, turizëm, etj, Kryeministri theksoi se interesi i investitorëve të huaj, për vendin tonë është rritur ndjeshëm së fundmi, si rezultat i politikave mbështetëse të qeverisë shqiptare dhe lehtësive që garantohen për ta.

Nga ana e tij, Kryeparlamentari japonez vlerësoi progresin  e bërë nga Shqipëria në  fusha të  rëndësishme dhe arritjet në konsolidimin e demokracisë e forcimin e shtetit ligjor.  Zoti  Ibuki  u shpreh se kjo vizitë dhe takimet  e përbashkëta do të shërbejnë për identifikimin dhe zhvillimin e hapësirave të reja bashkëpunuese në sektorë të ndryshëm.   Ai theksoi se Japonia është e gatshme  të  mbështesë përmes projekteve të  përbashkëta në  fusha me interes për të dy vendet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.