Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim, Ministren për Trafikun e Qenieve Njerëzore dhe Krimin e Organizuar në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Karen Bradley.

Në takim u shpreh bindja për nevojën e një bashkëveprimi më të ngushtë midis vendeve, pasi krimi i organizuar është një problem jo vetëm i një vendi, por po fiton një përmasë gjithnjë e më ndërkombëtare.

Qeveria shqiptare, u shpreh Kryeministri, po punon për reformimin e organeve ligjzbatuese dhe fuqizimit të procedurës së hetimit, edhe përmes ngritjes së një strukture të re, Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kryeministri u shpreh se në këtë drejtim, ndihma teknike dhe ekspertiza britanike do të ishte një garanci për sukses.

Kryeministri Rama dhe Ministrja Bradley shprehën angazhimin, për të shfrytëzuar çdo mundësi që rrit bashkëveprimin dhe suksesin në luftën kundër krimit të organizuar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.