Kryeministri Rama u uron besimtarëve myslimanë Muajin e madhnuedhëm Ramazanit

Urimi i Kryeministrit Edi Rama për Muajin e madhnuedhëm të Ramazanit:

Fort të dashur vëllezër e motra!

Gjatë këtij fragmenti kohe të jashtëzakonshme, kur bota befas ka nisur të rrotullohet në të kundërt të vetvetes, duke ngadalësuar marramendshëm shpejtësinë e saj dhe kur njeriut i është urdhëruar si nga lart fare një ndalesë e papërfytyrueshme e jetës sociale, hyn sot ai që në fenë islame është pagëzuar si Muaji i madhnueshëm i Ramazanit.

Për kë e njeh sadopak praktikën islame dhe e ndjek sadopak fillin e arsyes që e veçon këtë muaj nga të tjerët, nuk është e vështirë ta çmojë potencialin e tij lehtësues, për shpirtin e për trupin e njeriut, nën dritën e Hilalit, “vetullës së ndritshme dhe të hollë e hënës”, siç quhet poetikisht në fenë islame shenja kozmike që prej qiellit ndriçon kalendarin shpirtëror të besimit tek paqja e brendshme e tek pajtimi mes njerëzve.

Paqe me veten pavarësisht vështirësive, pajtim me tjetrin pavarësisht kundërshtive. Tamam si bota që sot po rrotullohet mbrapsht me një ngadalësi të hatashme, duke na imponuar nën syrin e armikut të padukshëm përmbysjen e rregullave të jetës tonë të përditshme, edhe vështrimi i njeriut gjatë këtij muaji kthehet mbrapsht, brenda vetes, në kërkim të reflektimit të dritës që lidh brendinë e pafundme të qiellit me brendinë e pakufishme të qenies njerëzore.

Vetmia e izolimit të imponuar së jashtmi prej mësymjes së një fuqie armiqësore të aftë për t’i nënshtruar përkohësisht fuqitë tokësore, duke i bërë njësh të gjitha shtetet, popujt e mëdhenj e të vegjël, të pasurit e të varfrit, vjen e takohet sot e per një muaj në vazhdim, me imponimin për të kërkuar në vetminë e rrugëtimit brenda vetes njehsimin e qenies sonë të përveçme me shpirtin e ngjashëm që banon përkohësisht brenda nesh si qenie njerëzore.

Dhe ne këtë kohë kur jemi kyçur të gjithë brenda rrethit të ngushtë të familjes, teksa së jashtmi bashkë me transportuesit e zhurmshëm metalikë të të gjitha llojeve, janë kyçur edhe hapësirat e tempujve që transportojnë besimtarët në udhëtimin e tyre mes shpirtit e qiellit, ne shqiptarët, si rrallë kush, jemi vizituar tri herë dhe ngushëlluar po aq nga trokitjet e kalendarit të besimit.

Dy herë Pashkë dhe nga sot një Ramazan për të lehtësuar zemrat e shumëkujt në këtë vend, që siç thuhet në meshën e shenjtë, ngrihen lart, sapo ndjejnë mirësinë dhe dashurinë që ngjallin edhe në shpirtrat më të trazuar e zemërakë, të kremtet e bekuara.

“I bekuar Ai që vjen në emrin e Zotit”, thuhet në Ungjill.

I bekuar çdokush që në emrin e Zotit dhe të përkujdesjes për tjetrit, nën shenjën e kryqit, Hilalit, apo besimit tek pathyeshmëria e njeriut, vjen të çngrysë  vetullat e njeriut, të rrëfejë për dritën që gjendet pas çdo errësire, të lehtësojë barrën e të përditshmes me kumtin e të përjetshmes, i cili transmetohet nga njeriu tek njeriu si një përbashkësi pa kohë e pa territor.

“Drita shkëlqeu në errësirë dhe terri dritën nuk mundi ta kaplojë”, shkruan në fillimin e Ungjillit të tij, apostulli Gjon, i syrgjynosur në Patmosin e Egjeut, në një vetmi, në një karantinim mund të themi ne të vetëkarantinuarit e sotëm, e cila s’është pa shëmbëlltyrë me atë qe sot na mundon, por edhe na bashkon të gjithëve.

Nuk kam guximin ta them dot se po jetojmë në një kohë të bekuar, se vetëkufizimi i lirive tona është një xhenet, se karantinimi është një parajsë tokësore për vetvetet tona të përzhitura në ferrin e zhurmshëm të jetës së përditshme, se shtëpitë ku jemi mbyllur janë si kasollja e apostullit në plazhet më ujekaltërta e më rërëbardha të Egjeut. Por ama sot, kur e kremtja e tretë e besimit ka nisur në këtë vend, kam guximin t’ju them se e keqja e madhe për të gjithë ka ardhur me të mirat e saj dhe më e mira ndër to duket se është mundësia për të reflektuar me detyrim përcaktim të mbyllur sic jemi, mbi sa shumë kohë e mund na merr kotësia gërricëse e të përditshmes dhe sa pak merremi me brendinë e vetvetes e me atë të rrethit të bekuar të familjeve tona.

Ndërkohë që besimtaret katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë vijojnë sot, pas Javës së Madhe të vitit, “në hapat e të Ringjallurit”, i Madhnueshmi Muaj i Ramazanit, amanet i shekujve dhe shenjë kalendarike e zemërbardhësisë së Profetit Muhamet, paqja e Zotit qoftë mbi të, nis ripërtëritjen shpirtërore të besimtareve myslimanë, tri trokitje njëra pas tjetrës që dëgjohen brenda mureve të përbashkëta të një izolimi të paimagjinueshëm për të shpëtuar jetë e për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit, duke mbajtur distancë me njëri-tjetrin. Janë tri trokitje në dyert e mbyllura të tempujve, që pikërisht edhe për këtë jehojnë sadopak, edhe në brendinë e atyre që besimtarë nuk janë, por që kanë po njësoj nevojë për forcë që t’i rezistojnë presionit të rrotullimit të ngadaltë së prapthi të botës.

Më thoni çfarë të doni, po për mua që Zotin nuk e lidh me hyrjen domosdo në një tempull, apo me emrin e një profeti të vetëm a të një territori të mbyllur religjioz, ky ogur që i lidh në vazhdën e kalendarit të besimeve jetët e besimtarëve shqiptarë të të gjitha besimeve, në këtë kohë sa të mallkuar materialisht aq edhe të begatë shpirtërisht, është një ogur i mirë për të gjithë popullin tonë, pa përjashtim. Më kujton ata tri vizitorët e panjohur, qe i begenisën Abrahamin e Saren në çadrën e tyre të vetmuar, në mes të shkretëtirës.

E ky është momenti për ta falenderuar, një mijë herë nga zemra, klerin shqiptar e besimtarët e mësuar të mësyjnë tempujt në kohën e këtyre trokitjeve, për vetëdijen e lartë e për vendimin e dhimbshëm, po të fortë e të drejtë për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës sonë kombëtare, duke e lartësuar kësisoj e jo turpëruar Zotin e tyre me mbajtjen kyçur të tempujve.

Si në kohërat kur zbritej në katakombe apo gjendej prehje veç në oazet e Hixhazit, kleri shqiptar nuk iu përgjigj me karshillëkun e mendjes së mbyllur, por me njerëzillëkun e zemrës së hapur nevojës jetike të mbarë popullit dhe të Shqipërisë për të mos i hapur asnjë shteg armikut të padukshëm, duke u mbledhur në emër të Zotit mu sic i duhet armikut të padukshëm për të na prerë e për të vrarë. Me maturi e mirëkuptim në Zot e në shkencë, tempujt e u zëvendësuan me kishën shtëpiake, me mesxhidin e familjes, me teqenë e zemrës në lutjen sa vetmitare aq edhe universale të besimtarëve në profetë të ndryshëm, me Zotin e njëjtë.

Falë kësaj mençurie në vendimmarrjen e klerit shqiptar tempujt sot të kyçur do të rihapen nesër pa asnjë njollë gabimi njerëzor e asnjë gisht të njerëzve të Zotit në punët e liga të armikut të padukshëm. Sepse ditët e mira, paskëtaj do vijnë. Dhe kjo që bëri kleri shqiptar, do t’u mësojë edhe atyre që s’besojnë në Zot, se nga shtëpitë e Zotit këtu në Shqipëri vjen veç e mira edhe për ta, sepse kleri i këtij vendi e sheh dhe e do popullin shqiptar si një i tërë, mu si Zotin vetë mbi tokën ku sot ne banojmë përkohësisht.

Mund ta them me plot gojë të dashur miq e vëllezër klerikë, se sot ju jeni një shembull rrezatues e motivues për gjithë shoqërinë dhe se e gjithë shoqëria, çdo individ i kësaj shoqërie, duhet ta marrë shembullin tuaj e ta bëjë të vetin, duke respektuar pa dëngla e as qurravitje, siç bëtë edhe ju, rregullat e kësaj lufte botërore me armikun e padukshëm. Sepse shëndeti është mbi të gjitha, e mbi gjithçka jeta e secilit lidhet me shëndetin, me zemrën e me mendjen dhe pastaj, patjetër edhe me stomakun.

Ja kështu, të gjithë së bashku, besimtarë apo jo, si njerëz të arsyeshëm e të durueshëm, ne do t’ia dalim deri në fund kësaj luftë dhe Shqipëria që sot varet në jetë e në shëndet nga vendimet e veprimet e çdonjërit prej nesh, i madh a i vogël, i pasur a i varfër, i moshuar a i ri, nuk do të turpërohet nga vdekjet që mund të shmangen e nga plagët që mund të lehtësohen, falë forcës së durimit e të bashkimit tonë.

Mu siç thuhet në përkthimin e liturgjisë së Shën Joan Gojartit, ne do të rrimë deri në fund në llogoret tona duke menduar “për erëra të mira, për kohë me paqe, për të sëmurët, vuajtësit dhe robërit” e kësaj flame të verbër, e cila nuk do të na e qorrojë dritën e arsyes e as nuk do të na e djegë fillin e durimit, duke na sprovuar më të tëra hallet e mëdha që na ka sjellë si njerëz, si familjarë, si popull, si shtet.

Në një hadith thuhet: “Askush prej jush të mos ia drejtojë vëllait të vet armën! Djalli përmes dorës së tij mund të shkaktojë ndonjë bela e kështu do të përfundoni në zjarr”. E pra, ata që humbasin durimin e shfryjnë kundër rregullave, duke thënë se duhet të vazhdojmë jetën normalisht se e di Zoti këtë punë, sot mund ta mësojnë nga shembulli i klerikëve shqiptarë dhe mund ta shohin në dyert e mbyllura të të gjithë tempujve, ku trokiti tri herë rresht koha kulmore e kalendarit të besimit, se kush ia lë Zotit përgjegjësinë e tij ndaj të tjerëve, thjesht i kthen atij vetë kurrizin dhe shkon drejt zjarrit.

“Profeti”,- shkruan Ibn Halduni, “ka qenë i dërguar për të na mësuar ligjin e Zotit, jo mjekësinë e as ndonjë gjë tjetër!”. E pra, në ligjin e Zotit, klerikët shqiptarë po ju thonë të gjithëve, se mjekësinë sot nuk duhet ta dyshojmë e as ta diskutojmë, po duhet ta dëgjojmë e ta ndjekim deri në fund në këshillat e saj, për të shpëtuar jetë që pa ne mjekësia nuk i shpëton dot, për të lehtësuar plagë, që pa ne mjekësia nuk i kuron dot.

“Mos i bë tjetrit, atë që nuk do që të të bëjnë të tjerët”. Ky është refleksi në pasqyrë i thelbit të besimit në Zot.

“Duaje të afërmin tënd, si veten tënde”. Ky është refleksi në pasqyrën e kësaj luftë, i secilit prej nesh, që tek vetja duhet të shohim edhe tjetrin, prindin, fëmijën, fqinjin, edhe të panjohurin, në çdo cep të vendit a të globit.

Ju vëllezër e motra të besës islame, kështu dëshmuat përsëri, gatishmëri për t’u bërë refleksi në pasqyrën e luftës i të gjitha motrave e vëllezërve shqiptarë, duke u përulur përpara vendimit për mbylljen e tempujve e duke e pranuar tavanin e shtëpisë si një copëz të tavanit të tempullit të munguar.

Islami është një besë që mirë e di, se sa vlen një jetë, në brishtësinë e saj dhe çka vërtet është e rëndësishme.

“Nëse të ndaluarën nuk e bëni të lejuar dhe të lejuarën të ndaluar, nëse gaboheni në kuptim, s’ka gjë”, thotë Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të. Por e ndaluar përjetë, është të mbjellësh vdekjen dhe e lejuara që përjetë nuk mund të ndalohet, është të ruash jetën.

Prandaj sot, siç paralajmëronte Ebu Hurejaja: “O çun i vëllait tim! Kur të citohet një hadith, mos u fut kot në mendime”, dhe siç këshillonte Nëna e Besimtareve (Aishja): “Në këto çështje, mjaftohuni me Kur’anin”.

Prandaj edhe gjithashtu, sa më i thjeshtuar solemniteti i iftarit këtë vit, aq më e pranuar lutja e akshamit; sa më të heshtura hapat drejt xhamisë, aq më kumtues zëri i ezanit, pas të cilit shpirti i besimit do të mbushë shtëpitë tuaja me ngazëllim gjatë iftarit, si dikur temjani në pallatin e kristaltë të Sulejmanit.

85 vjet më parë, i përndershmi Hafiz Ali Kraja, bënte një konstatim të thjeshte, por që duhet të jehojë fort tek ne sot e gjithë ditën: “Do të ishte gabim të paramendohet kombi si një shoqërim ndërmjet individëve, të cilët nuk kanë ndjenjat e përgjegjësisë e të detyrimit”.

Këto ndjenja detyrimi e përgjegjësie, sidomos në kohë të vështira, në kohë luftë, i përjetoi deri në skamje, vuajtje dhe mungesë edhe i madhi Hafiz Ali Korça, patriot ndër më patriotët.

“Tufani i Nuhut (Noesë), n’ishte prej uji, ky është tufan i gjakut”, do të kishte profetizuar ai sot.

E në mbyllje fort të dashur miq, lejomëni që t’ju them të gjithëve fjalët e dikujt që nuk ishte as profet e as besimtar ritualist, po ishte shkencëtar dhe një ndër etërit themelues të Shteteve të Bashkuara, Benjamin Franklin. Ai thoshte ilaçi më i mirë për trupin e njeriut është agjërimi dhe pushimi. Por feja e sheh agjërimin edhe si frenim të gjuhës e korrigjim të veprimit, nën peshën e brendshme të reflektimit që lehtësohet pikërisht falë agjërimit.

Në këtë kohë të vështirë, kur ekonomia jonë kombëtarë e ajo familjare po goditet, agjërimi sado i vogël do të lehtësonte edhe gjuhëçartjen e atyre që ankohen e ankohen deri edhe se po vdesin për bukë apo më keq akoma, se populli po vdes për bukë, në facebook, sepse do tjua hollonte helmet në trup, lehtësonte mendimet dhe frenonte gjuhën nga këto shprehjet pa kuptim e as mbështetje në realitetin historik të shqiptarit, në shekuj e jo më sot. Shqiptari nuk ka vdekur e nuk vdes kurrë për bukë, për njëmijë e një arsye.

Por arsyeja sot pse e solla bukën në fund të fjalës, pasi ifatari lidhet me mirësinë fizike e shpirtërore e mendore që sjell agjërimi që nisin besimtarët myslimanë. Me pastrimin trupor e lehtësimin e të menduarit, që sjell porosia e profetit, paqja e zotit qoftë mbi të, si edhe e tërë praktika fetare e çdo besimi, për kapërcimin e vakteve të zakonshme në ditë të caktuara të muajit, apo edhe vetë praktika shkencore e mjekësisë në kohëra rëndesash për shëndetin trupor e mendor të njeriut.

Prej këtu ushqehet edhe drejtpërdrejtë në trupin e në mendjen e njeriut, burimi i çlirimit të energjive të ripërtërira pozitive të pas vuajtjes nga prishja e zakonshmërisë së të ngrënit, që gjendet edhe në fjalinë e madhe hyrëse të ditëve të Ramazanit, pas vuajtjes vjen lehtësimi.

Kjo nuk është një formulë politike, nuk është kurrsesi as një recetë qeveritare në ditë jo të lehta për ekonominë e familjes sonë shqiptare, por është një hyrje në urimin e kësaj ditë që po perëndon si një fillim i ri, për motrat e vëllezërit myslimanë, që ta kenë të lehtë e të pranuar agjërimin në këtë muaj të madhnuëshëm të Ramazanit – e po ashtu, edhe për të gjithë të tjerët, që pa qenë besimtarë, mund ta gjejnë individualisht e familjarisht, lehtësimin duke e kërkuar pikërisht aty ku buron edhe vuajtja e kësaj kohë të mbingarkuar!

Zoti e bekoftë Klerin Shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na dhëntë të gjithëve më shumë forcë e  kthjelltësi, nën dritën hyjnorë të Hilalit, përgjatë këtij muaji vendimtar që kemi përpara si shtet, si popull, si komunitet, si familje, si individ!