Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u vendos mbi hapjen e procesit gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillohet një kuvendim popullor, ku do të merret mendimin i qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.
Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me mediat pas mbledhjes së qeverisë:
Mirëdita të gjithëve!
Jam këtu sot pas mbledhjes së qeverisë, për një vendim shumë të posaçëm të qeverisë që e ka zanafillën në zotimin për ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm në drejtim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim, me besimin se ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë më shpejt përpara, nëse e dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, pa u ndarë në llogoret e vjetra politike që nxisin përçarje, sherr, konfuzion, kundër interesit të familjeve shqiptare.
Pikërisht në prag të një viti të ri, mundësish të reja, vjen dhe kjo nismë e re e qeverisë, për këshillimin kombëtar për Shqipërinë. Ne me një pyetësor të cilin do t’ia vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve, brenda apo jashtë vendit, do ti japim jetë një kuvendimi popullor ku do të thithim mendimin e tyre mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, për ekonominë, për shoqërinë tonë.
Është më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë, në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara, duke u këshilluar sëbashku për vendime që kanë rëndësi e që kanë impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë, me jashtë, në ekonominë e shtëpisë sonë, në gjendjen sociale brenda shtëpisë dhe patjetër edhe në përpjekjen jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe njëkohësisht adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi.
Po bëj një paraqitje të përmbledhur të temave.
Anëtarësimi i Shqipërisë për shembull, në Bashkimin Europian, sot është i lidhur drejtpërdrejtë me një veto të vendosur mbi Maqedoninë e Veriut nga një shtet i tretë dhe gjithmonë e më shumë ka një debat brenda vendit, një debat, i cili nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së qeverisë e mbi të gjitha, besoj që është një burim i rëndësishëm për të vendosur për më tej nga ana e qeverisë, sepse ka njerëz që thonë që aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që vendi ynë të vlerësohet drejtpërdrejtë individualisht, për meritat e tij.
Natyrisht, ka të tjerë që mendojnë se ne mund të presim dhe duhet të presim, në funksion të ruajtjes së këtij kohezioni brenda për brenda rajonit dhe në funksion të marrëdhënies shumë të veçantë që kemi me Maqedoninë e Veriut, për arsyet që dihen.
Sot jemi në kushtet kur praktikisht kemi përpara me hyrjen e vitit të ri, një gjashtë mujor i cili do të jetë me rëndësi të veçantë, ama ne duam t’i drejtojmë shqiptarëve një pyetje, për të formuluar një vendimmarrje strategjike. A duhet ne të vendosemi në pozitën e qartë në raport me të tjerët, për të filluar ta kërkojmë drejtpërdrejtë dhe hapur ndarjen nga Maqedonia e Veriut në gjykimin e Bashkimit Europian, në rast se edhe gjashtë mujori i parë i vitit ku sapo po hyjmë, do të rezultojë përsëri njësoj si koha e deritanishme dhe ne si Shqipëri do të mbetemi përsëri peng i vendimmarrjes me Maqedoninë e Veriut?
Ballkani i Hapur, pavarësisht bindjeve të mia, pavarësisht bindjeve tona si qeveri, ka njerëz që besojnë se krijimi i Ballkanit të Hapur dhe nisma për Ballkanin e Hapur në funksion të një hapësire të integruar rajonale është gjëja e duhur, por ka të tjerë që mendojnë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Edhe për këtë, ne do t’i drejtohemi të gjithë shqiptarëve, për të marrë dhe opinionin e tyre.
Më tutje, ne kemi hedhur një hap të parë për të adresuar problematikën e nënave me ndihmë ekonomike e me tre fëmijë e më shumë, por pyetja që lind është; a jemi të gatshëm ne si shtëpi e përbashkët të adresojmë më tej çështjen e mbrojtjes së nënave me tre apo më shumë fëmijë, edhe kur ato janë të punësuara? Sepse bëhet fjalë për dypunësim me kohë të plotë, nëse mund ta konsiderojmë kështu dhe a është e gatshme shoqëria që t’u japë një mbështetje, duke pasur parasysh se ky përbën dhe një diferencim?
Më tutje, kemi çështjen e situatës në të cilën u gjendëm dhe së fundmi. Krimet ekstreme të dhunës në familje dhe kundër fëmijëve. Atëherë, duke pasur parasysh se një pjesë e opinionit kërkon ashpërsim ekstrem në dënimin e autorëve përsëritës të krimeve kundër personit, por në të njëjtën kohë, kjo përbën edhe një sfidë në raport me standarde të caktuara, por dhe në raport me gjithë procesin tonë që është një proces i lidhur me botën ku jetojmë, ne duam nga qytetarët opinionin e tyre.
Një problem tjetër i madh është problemi i të punësuarve që janë viktima të metodave fiktive të pagave nga punëdhënësi. A duhet ne të angazhohemi për t’ju dhënë një mbrojtje të veçantë me një dëmshpërblim atyre që marrin përsëri të denoncojnë, por që njëkohësisht janë menjëherë dhe subjekt i largimit nga puna për hakmarrje, që do të thotë që ne si shtëpi e përbashkët të angazhohemi dhe financiarisht ndaj këtyre njerëzve, për t’i dhënë dhe një mbrojte financiare në një periudhë të caktuar kohe? Apo kjo është një barrë më shumë në shtëpinë e përbashkët e duhet adresuar në forma të tjera?
Natyrisht që në pamje të parë, duket se konsensusi i lidhur me këtë është logjik, por nga ana tjetër, së pari, duam të sigurohemi që këtu kemi, jo mbështetje të një shumice që na ka votuar për të qeverisur, por një shumice përtej saj, pa u ndarë tanët dhe të atyre, të majtë e të djathtë e me radhë dhe për këtë arsye, gjithë ky pyetësor shkon në këtë drejtim; për të kompaktësuar bashkërisht qëndrimet lidhur me të ardhmen e shtëpisë sonë të përbashkët dhe me mënyrën se si shtëpia jonë e përbashkët funksionon sot, duke pasur parasysh që kësaj shtëpie i vinë dëme të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme nga ndasia dhe sherri politik.
Një tjetër problematikë është problematika e statusit të pensionistit që vazhdon të punojë, pyetja është “A duhet që në ndërkohë që kontributet për pension janë domosdoshmëri jetike për të rritur bazën e mbështetjes për pensionistët dhe në të njëjtën kohë, për krijimin hap pas hapi të kësaj baze në zgjerim të rrisim pensionet, ndërkohë që nga ana tjetër, ka njerëz që thonë që pensionistëve që vazhdojnë punën nuk u duhen kërkuar më kontributet por ndërkohë që pensionisti që vazhdon punën, është shumë i respektuar por zë një vend pune dhe duke mos paguar kontribute, mungon një kontribut në arkë dhe në këtë mënyrë, mendojmë që është rruga e duhur për të adresuar përsëri qytetarët, të gjithë së bashku. Të gjithë janë kontributorë në një mënyrë a në një tjetër dhe të gjithë janë nevojtarë për të marrë më shumë nga arka e përbashkët e këtyre kontributeve.
Një tjetër temë shumë kontroverse, por njëkohësisht me një potencial të madh, qoftë për të marrë të mira të përbashkëta, por edhe për t’u futur në një zonë rrezikshmërie, siç është tema e amnistisë, e amnistisë së plotë për të gjithë emigrantët që duan të formalizojnë kursimet e tyre dhe këtu dihet që është një temë që përsëri përcakton pozicionin e shtëpisë sonë të përbashkët me të tjerët jashtë kësaj shtëpie, që do të thotë me partnerë, me komunitet ndërkombëtare.
Në ndërkohë, një përgjigje, cilado qoftë ajo nga shqiptarët përtej partive, përtej ndasive, përtej sherrit, por në funksion të shtëpisë të përbashkët ka një vlerë të posaçme për vendimmarrjen tonë dhe qëndrimin tonë me këdoqoftë.
Kultivimi dhe përpunimi i monitoruar i kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar përdorimin për arsye të tjera, është sot një instrument që shumë vende po e përdorin për të fuqizuar ekonomitë e tyre, ndërkohë që sot, në Shqipëri, ka njerëz që thonë që nuk është ende koha që Shqipëria të hyjë në këtë proces. Një ndër ta kam qenë edhe unë, deri në një moment të caktuar që e kam kundërshtuar se nuk është ende koha.
Në këndvështrimin tim dhe tonin duket se ne nuk mund të presim më. Sidoqoftë, është vendimmarrje që na duhet më shumë sesa bindja jonë dhe na duhet të kapërcejmë përtej kartonit, përtej shumicës dhe të marrim një opinion shumë më të gjerë, nga të gjithë shqiptarët.
Një temë tjetër është tema jonë e përditshme sot, që ka të bëjë me pandeminë. Ka një frustrim të madh të të gjithëve, në të gjithë botën, sepse kjo po zgjat, sepse po bëhet e lodhshme ndërkohë që rreziku është aty. Ka një lëvizje në të gjithë botën, edhe këtu në Shqipëri ka një lëvizje kundër vaksinimit. Këtu ka plot njerëz që thonë që, njësoj si gjithë vendet e botës, edhe Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit kudo ku ata aksesojnë hapësira publike apo të përbashkëta të mbyllura, qofshin hapësira qendrash tregtare, restorantesh, institucionesh e me radhë, qofshin tubime të mëdha. Ka një pjesë tjetër që thotë që është praktikë që kufizon liritë dhe të drejtat dhe nuk mund të jetë e detyrueshme. Natyrisht dhe këtu duan të shkojmë përtej bindjes sonë, përtej kartonit, përtej të drejtës për të nxjerrë akte dhe njëkohësisht, dua ta them, është një vullnet për të ndryshuar vetveten në një proces ku të gjithë mësojmë dhe në një mandat të tretë, që në mënyrë domethënëse, ndikon edhe mbi ne, edhe mbi mua për t’u hapur më shumë, për të kuptuar më shumë, duke dëgjuar më shumë dhe duke u dhënë akses njerëzve, përtej llogoreve të partive në vendimmarrje, por edhe në organizmin e përgjithshëm demokratik të vendit.
Le të vijmë tek biznesi i madh, i cili për shumë arsye, me të drejtë apo jo, është targetuar si një shfrytëzues, si gogol, duke mos e ndarë fare këtë pikëpamje, ashtu sikundër nuk e ndaj fare unë personalisht pikëpamjen që në Shqipëri janë një grusht oligarkësh që vendosin, por nuk është kjo tema. Tema është që biznesi madh është edhe aktori më i madh, në vite, i evazionit fiskal dhe pavarësisht të gjithë përmirësimeve të sistemit, pavarësisht fiskalizimit, kompjuterizimit të transaksioneve, që do vazhdojë ta ulë evazionin, janë jo pak njerëzit që kërkojnë që biznesi madh kur bën evazion të goditet pa mëshirë, që do të thotë ashpërsim i konsiderueshëm, qoftë i masave që çojnë në penalizime deri në humbje të lirisë të biznesmenëve të mëdhenj, qoftë dhe gjobat ndaj tyre.
Edhe për këtë ne duam të dëgjojmë gjithë shqiptarët.
Po ashtu sot, pasi kemi hyrë në një proces të ri, me një program të ri kombëtar për pastrimin, që po vazhdon përditë e përditë, ndërkohë që, sigurisht, Programi Kombëtar i Pastrimit nuk nënkupton vetëm që ne të nxjerrim njerëzit për të pastruar çdo ditë, por nënkupton që të krijojmë një sistem, i cili pastaj funksionon vetë.
Dëgjojmë shumë që thonë se duhet të tregohemi më të ashpër, qoftë me individët, qoftë me subjektet që ndotin hapësirën publike, por kjo nuk do të thotë që ata shumë që dëgjojmë ne, që janë të zëshëm, janë maxhorancë. Mund të jenë një minorancë e zëshme, siç ndodh rëndom që minorancat e zëshme krijojnë idenë që “Këtu të gjithë mendojnë kështu”, por në fakt ka një maxhorancë të heshtur që mund të ketë një mendim tjetër dhe ndërkohë, për këto masa, ne kemi nevojë të flasim më shumë se në emër të shumicës dhe të kartonit, por kemi nevojë të dimë çfarë mendon e gjithë shtëpia. Duam t’i japim zë të gjithëve, jo vetëm brenda, por edhe jashtë.
Është një Kuvendim, i cili nuk është as detyrues për askënd dhe në të njëjtën kohë, nuk është imponues mbi asgjë. Është një këshillim, është një odë e madhe shqiptare që duam ta themelojmë me hyrjen e vitit të ri dhe duam ta kthejmë në një institucion të marrëdhënieve mes nesh dhe shqiptarëve për të gjitha çështjet më sensitive.
Kemi një temë tjetër, me të cilën kemi hasur problematikë, dhe këtu përsëri hyn në mes, jo vetëm komponentët e brendshëm, por edhe komponentët e jashtëm dhe partnerët, ai që quhet komuniteti ndërkombëtar. Cila është problematika? Problematika është që, nga njëra anë, ne mendojmë që gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e kanë kaluar vettingun, por që marrin vendime haptazi të paligjshme duhet të pezullohen në vend nga sistemi i drejtësisë, nga të njëjtat organe që pezullimin e bëjnë pasi i hyjnë hetimeve.
Kemi pasur disa raste flagrante në kohë, që nga rastet flagrante të rishikimit të dënimeve të monstrave që kanë tronditur shoqërinë, deri në rastet flagrante të tjetërsimit të pronës. Po iu jap një rast sot si ilustrim.
Angazhohet vetë qeveria e Shqipërisë për të ndërtuar Qendrën Kombëtare të Fëmijëve, një qendër e standarteve më të mira europiane, me një teatër të ri kukullash, me skena të reja teatrore për fëmijët, përcaktojmë vendin, këtu tek ish Garda e Republikës, marrim të dhënat e pronës, prona është e jona, e shtetit, bëjmë projektin, i japim financimin dhe çfarë ndodh?
Në momentin që ne jemi gati të fillojmë punën, na del që një gjykatëse ka bërë sigurim padie mbi këtë pronë për një subjekt privat, i cili në të shkuarën i ka humbur të gjitha gjyqet, me pretendimin se kjo pronë, praktikisht në hyrje të liqenit, është e tija. Kjo gjykatëse e jep këtë vendim 1 javë përpara se të largohet nga vettingu.
E para, kjo gjykatëse, emrin e të cilës nuk më kujtohet, por edhe me emër do ta them dhe përsëris, duhet të thirret nga SPAK sot, jo nesër, siç duhet të thirren të gjithë ata që nuk e kanë kaluar vettingun, sepse kanë pasur mospërputhje të pasurisë e këta njerëz duhet të shkojnë përpara gjyqit, sepse kanë grabitur njerëzit duke shitur e blerë të drejta, por ama, në ndërkohë, ka të tjerë akoma që vazhdojnë e bëjnë akte të tilla. Atëherë, a duhet që ne ta shtyjmë dhe një herë përpara nismën që këta të pezullohen automatikisht kur janë vendime që marrin vëmendjen e të gjithëve dhe gjithë mediat skandalizohen, gjithë populli skandalizohet, e këta gjykatës rrinë atje sepse fillojnë hetimet, e historitë e kjo punë vazhdon pa fund apo duhet të mjaftohemi me kaq? Por nëse shtëpia e përbashkët jep opinionin që ne duhet të shtyjmë përpara, ne nuk jemi më thjesht qeveria dhe një shumicë relative, por jemi shqiptarët dhe përballja edhe me ndërkombëtarët është ndryshe.
Vazhdojmë më tutje me këtë proces.
Ju dhashë pak temat, natyrisht do të ketë një format. Formati do ti shkojë të gjithëve, do të jetë një format disponibël edhe online, për të gjithë që duan ta plotësojnë atë online. Do të jetë një format në letër për të cilin ne do bashkëpunojmë me institucionet dhe përmes postës, pa pasur nevojë që njerëzit të paguajnë për të na e kthyer mbrapsht opinionin e tyre, por do të jetë e parapaguar e njëkohësisht do të jetë një format që do të jetë disponibël edhe në qendrat urbane, në pika të caktuara ku njerëzit mund ta mbushin. Nuk kemi këtu çështje të le të themi, lidhur me atë që jemi mësuar si standard kur bëjmë votime. Këtu çështja është për të marrë një opinion e në këtë aspekt, këtu e rëndësishme është njohja nga të gjithë njerëzit e kësaj nisme, njohja me formularin, pastaj secili është i lirë ta japi ose jo opinionin e tij për të gjitha, për një pjesë apo hiç fare, por përpjekja lidhet me bindjen që ne duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe sherret mes tyre, për t’i ndarë llogoret dhe kacafytjet mes tyre, për t’i ndarë tymrat e përditshme nga e ardhmja, se gjithë këto bëhen në emër të të ardhmes, por vetëm me të ardhme nuk kanë lidhje. Luftëra për pushtet, beteja për brava, kërcënime me çelësa, qasje me shqelma dyerve, me kriminelë, këto nuk kanë lidhej me të ardhmen e Shqipërisë. Akuza, shpifje, konfuzion, gjysmë të vërteta, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, këto nuk kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.
Ne duam të bëjmë çmos që të unifikojmë sa më shumë tek shqiptarët e t’i unifikojmë shqiptarët me bindjen që ndahemi patjetër në çështje politike, ndahemi patjetër në simpatira, ndahemi patjetër në votime por në vendime të rëndësishme ne duhet të jemi bashkë e ne do bëjmë çmos në këtë drejtim. Natyrisht, është reagimi i të tjerëve që do të vendosë sa shumë do të shkojmë në këtë drejtim por ne këtë do ta bëjmë çdo vit. Ky do të jetë një institucion i ri në marrëdhëniet tona si qeveri e republikës së Shqipërisë, me të gjithë qytetarët, socialistë, demokratë, pa parti, votues, jo votues, të lumtur, të mërzitur, të zhgënjyer, vajza, djem, gra, burra, pensionistë, banorë të Shqipërisë, emigrantë, të gjithë! I gjithë ai thelb që ne na bën të themi ne jemi shqiptarë, të gjithë bashkë, pavarësisht se e përdorim gjuhën e përbashkët për të pasur dhe qëndrime të ndryshme apo për të bërë dhe sherr. Kjo është nisma.
-Zoti Kryeministër, në fakt kjo nuk është nisma juaj e parë që ju bëni përsa i përket ndërveprimit me qytetarët siç është dhe rasti i nismës “Shqipëria që duam”, përse jeni besimplotë që kjo nismë do të funksionojë dhe nuk do të dështojë si ajo nismë dhe a është parashikuar konkretisht një buxhet në inplementimin e saj dhe se si do të jetë ajo? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: “Shqipëria që duam” e para e punës është një histori suksesi, nuk është aspak dështim. “Shqipëria që duam” është një platformë, e cila u ka dhënë zgjidhje në 4 vite, 52 mijë qytetarëve në raport me administratën dhe është një nismë, e cila tanimë është e jetësuar dhe me ligjin e ri të bashkëqeverisjes që kaloi në Parlament, kalon në një nivel tjetër.
Së bashku me të gjithë shërbimet publike që kalojnë në një nivel komplet tjetër me mbylljen e sportelit. Pra këtu, nuk kemi të bëjmë fare me një dështim, kemi të bëjmë me një sukses. Kemi të bëjmë me një inovacion që është në proces patjetër dhe është baza e një Shqipërie moderne. E një Shqipërie që brenda kësaj dekade, do të jetë një vend ku shteti do të jetë në xhepin e të gjithë qytetarëve dhe nuk do të ketë nevojë absolutisht, duke filluar nga viti i ardhshëm për të bërë ecejake nëpër zyra për të marrë shërbime.
Kjo është një nismë përtej kësaj. Është futja e një shpirti referendar në mënyrën e marrjes së vendimeve të rëndësishme dhe të qeverisjes së vendit dhe ngritja e një ure ndërveprimi për veprime strategjike. Përmenda një sërë pikash. Kanë të bëjnë me marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët me të tjerët. Quajeni ndryshe marrëdhënie ndërkombëtare. Kanë të bëjnë me ekonominë e shtëpisë sonë të përbashkët. Kanë të bëjnë me familjen shqiptare dhe natyrisht kanë të bëjnë me përpjekjen e vazhdueshme që të ndërtojmë një Shqipëri të drejtë, jo vetëm në funksion të luftës kundër krimit, kundër të korruptuarëve, por edhe në funksion të një drejtësie që shkon përtej marrëdhënieve me ligjin që është një drejtësi e marrëdhënieve sociale. Kështu që është komplet tjetër. Natyrisht është një shprehje shumë kurajoze e asaj fryme që ka filluar të ndërtohet me bashkëqeverisjen.
-Pyetja e parë ka të bëjë me Open Ballkan, a nuk është vonë tashmë që të pyesni shqiptarët për këtë nismë duke qenë se disa nga marrëveshjet fillojnë në janar të implementohen dhe a nuk mendoni ju se duhet të kishit pyetur më parë shqiptarët dhe më pas të kishit bërë lobimin për t’u njohur kjo nismë nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,qoftë duke pyetur dhe opozitën shqiptare.
Pyetja e dytë lidhet me amnistinë, por jo me amnistinë që folët ju. Në fakt me një tjetër amnisti. A do të ketë një amnisti për të gjithë të dypunësuarit që tatohen me taksë progresive dhe aktualisht një pjesë e madhe e tyre rezultojnë debitorë në tatime, pasi në fund të vitit duhet të kthejnë gati të gjithë rrogën e dytë që kanë marrë për shkak të taksimit progresiv?
Kryeministri Edi Rama: Kjo e dyta mbase mund të jetë një pyetje për këshillimin e ardhëm kombëtar sepse përsëri është një nga ato vendime që janë përtej le të themi të interesit të një shumice të thjeshtë. Për të parën, nuk është asnjëherë vonë për të pyetur njerëzit nëse do ta kishim këtë instrument në dispozicion më parë, mbase mund ta kishim vënë në shfrytëzim më parë. Nuk diskutohet që unë i qëndroj të gjithë atyre që kam thënë për Open Ballkan dhe jam i bindur, por e kemi të nevojshëm ne, qeveria, ta dëgjojmë mendimin e të gjithëve në mënyrë komplet të lirshme pa na u drejtuar si i PS-së e i bravës, por duke na u drejtuar si shqiptarë. Kështu që, dhe me këtë mësojmë ne, mësojmë edhe të tjerët. Thashë, ne do këshillohemi me njerëzit, jo për t’u imponuar kujtdo qoftë, por për të marrë ne njëherë mendimin genuin të njerëzve dhe kjo për ne është shkuarjen në një burim të pashtershëm energjie, që është energjia e popullit. Ne kemi nevojë ta shfrytëzojmë këtë burim të pashtershëm energjie për vendimmarrjet tona. Të tjerët mund të thonë çfarë të duan, dhe kur them të tjerët nuk e kam fjalën për njerëzit, flas për përfaqësuesit e tyre që merren me brava dhe sfurqe. Ne nuk na duhet kjo. Këto nuk janë zgjedhje. Nuk është një referendum klasik. Është një këshillim kombëtar dhe ne duam që ta marrim këtë burim energjie dhe ta vëmë në dispozicion të qeverisjes së të gjithë shqiptarëve dhe duam t’i japim të gjithë shqiptarëve mundësinë që të jenë pjesë e këtyre vendimmarrjeve. Shumë e thjeshtë!
-Është një temë që prek drejtpërdrejtë shqiptarët dhe që lidhet me koncensionet dhe PPP-të, të cilët ju nuk e përmendët. A do jetë kjo temë pjesë e Këshillimit Publik që do bëhet dhe ky Këshillim Publik përse nuk bëhet në formën e një referendumi e t’u jepet e drejta shqiptarëve sërisht për referendum? Pyetja e dytë, ju sot folët për padrejtësisë që bëjnë gjyqtarët dhe kërkuat ndëshkimin e atyre që shkelin ligjin, por në fakt, prej disa ditësh, në Shqipëri, pas skandalit të data bazave, ende nuk ka një person, i cili të jetë përgjegjës dhe të mbajë përgjegjësi për këtë skandal. Pavarësisht të gjitha deklaratave dhe argumenteve që ju keni dhënë ditën e djeshme, ka një fakt që shteti ka dështuar të mbrojë të dhënat e qytetarëve. Në këtë rast, pse nuk është marrë asnjë përgjegjësi nga ana juaj, qoftë në rang drejtorësh apo gjithmonë qeveria do justifikohet duke thënë se këto gjëra ndodhin dhe në vendet e tjera dhe për këto gjëra bëhet edhe filma?
Kryeministri Edi Rama: Për të dhënat kam folur dje. Përsa i përket nismës, koncesionet dhe PPP-të janë instrumente të venë në dispozicion nga bota gjithë qeverive dhe nuk janë shfaqje të huaja, kështu që, nuk kemi çfarë konsultojmë lidhur me këto koncepte. Këto janë koncepte, janë instrumente, nuk kemi çfarë diskutojmë sepse jemi në një vend kapitalist ku të gjitha instrumentet janë në dispozicion dhe cila do ishte pyetja që do t’i bënim shqiptarëve?
Shqiptarët paguajnë, është e vërtetë. Shqiptarët paguajnë për efekt koncensionesh të caktuara, por ja që na del që shqiptarët paguajnë për koncensionet e shkuara. Për koncensionet dhe Partneritet Publike Private të ndërtuara gjatë qeverisjes sonë, ky është dallimi i madh, që shqiptarët i marrin shërbimet pa paguar.
Shqiptarët e bëjnë Check-up falas. Natyrisht paguan shteti që ata t’i bëjnë falas.
Shqiptarët i bëjnë analizat laboratorike mjekësore sot në një sistem laboratorësh falas, por natyrisht që për laboratorët dhe gjithë analizat, shteti ka marrë përsipër të paguajë Partnerin Privat, i cili ka bërë investimin bazë.
Shqiptarët po njohin Dibrën. Nuk e njihnin Dibrën një pjesë e madhe e shqiptarëve. Edhe unë, po të mos isha bërë kryetar i Partisë Socialiste, mbase nuk do kisha shkuar kurrë në Dibër, se për çfarë do shkoja në gjithë atë tmerr rrugë. Sot, shkoni shikojeni, pa u mbaruar e gjitha, sepse kemi akoma tunelit që do e bëjë Dibrën jastëkun e kryeqytetit. Shkojnë e vijnë studentët dibranë, që deri dje merrnin e jetonin me qera këtu. Shkojnë e vijnë në Dibër sot. Çfarë është kjo? Partneritet Publik Privat. Pse nuk u bë 30 vjet dhe pse u bë sot dhe ku është e keqja e këtij partneriteti?
Natyrisht që investon një privat për ta bërë sot sepse po ta merrte shteti përsipër do t’i duheshin vite të tëra, siç ka ndodhur me vepra të tjera publike, sepse është punë financiare.
Shqiptarët bëjnë dializa sot në kushte ultramoderne. Nuk paguajnë asnjë lek, ndërkohë që deri dje e bënin me lekë dhe e bënin me turne, në ferrin e një klinike këtu në Tiranë, demek ishte publike.
E rëndësishme nuk është a bën apo jo koncensioni.
Shqiptarët sot kanë kryeqytetin e tyre që nuk ka më tym me plehra.
Kanë Elbasanin që ishe gangrenë plehrash, nuk ka më tym. Kanë Fierin. Patjetër që këto janë koncensione, janë partneritete. Përfitojnë shqiptarët.
– Zoti kryeministër, duke nisur nga pyetja për referendumet, Partia Socialiste, së bashku me Partinë Demokratike u kanë hequr të drejtën shqiptarëve të japin opinionin e tyre me referendum, ndërkohë pse duhet t’iu besojnë qytetarët e t’iu përgjigjen juve për të gjitha këto pyetjeve në këtë platformë këtyre çështjeve shumë të rëndësishme, disa prej tyre, apo thjeshtë për ta përdorur si justifikim dhe për t’i përkthyer më pas në ligje?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka nevojë për justifikime sepse ne kemi votat, kemi kartonat dhe po të ishte për t’i bërë, të gjitha këto, ato që mendojmë që duhen dhe ato që mendojmë që nuk duhen, i kishim bërë, i kishim startuar.
E dyta, përsa i përket pjesës që ne i paskemi hequr të drejtën njerëzve për referendum, edhe kjo mund të jetë një temë e Këshillimit Kombëtar, nëse njerëzit duan që të ndryshojë ligji për referendumet dhe për të marrë mendimet e tyre.
E treta, ju flisni për dy parti. Sot nuk ka dy parti në Shqipëri, aktualisht. Sot ka një sistem komplet disfunksional bravash, klithmash, shkelmash dhe konfuzioni publik të përditshëm. Përsa më takon mua, unë nuk kam ndërmend të humbas më kohë asnjë minut me këtë sistem. Më kanë besuar mua dhe Partisë Socialiste një mandat të tretë dhe ne duam ta përdorim këtë mandat të tretë çdo minutë, çdo sekondë për të bërë më të mirën për shtëpinë e përbashkët dhe këtu le të thonë ç’të duan.
Kur ti merr përsipër të këshillohesh me një grup njerëzish, nuk pyet se çfarë do thonë të tjerë. Ne na duhet të këshillohemi dhe i ftojmë të gjithë të na japin opinionin e tyre lirisht. Nuk kanë asnjë detyrim dhe nuk është proces ku do futemi me parti e do fillojmë kontestimet dhe gjithë marrëzitë.
Një parti e vetme këtu nuk bën dot një proces, i vë bravën procesit dhe tjetri i nxjerr shkelmin për të thyer bravën. Imagjinoni tani të përfshijmë gjithë dynjanë e të fillojmë nga e para.
Nuk ka më nga këto.
Ne duam të lidhemi drejtpërdrejtë me të gjithë shqiptarët dhe do bëjmë çmos që ta çojmë përpara këtë proces. Disa instrumente të lidhjes së drejtpërdrejtë i kemi vendosur. Ky është instrument i ri. Shqiptarët le ta dëgjojnë, le të përfshihen, le ta shohin dhe të gjykojnë vetë. nuk detyrojmë askënd. Të gjithëve do i shkojë pyetësori.
Kush do ta marrë me postë, do ta kthejë me postë të parapaguar.
Kush do dojë ta plotësojë online do e plotësojë online.
Kush do të kalojë rrugës dhe do shohë pikën e Këshillimit Kombëtar, do ndalojë dhe do ta bëjë.
Kush nuk do të bëjë asgjë nga këto është shumë i respektuar, nuk ka asnjë problem.
-Zoti kryeministër, ju do pyesni shqiptarët për një sërë çështjesh, por a do pyesni qytetarët për skandalet e njëpasnjëshme që shoqërojnë një qeverisje, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të akuzuar për akuza të ndryshme? A do i pyesni qytetarët nëse këta individë duhet të qëndrojnë në pozicionet e tyre apo duhet të largohen?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam nevojë të pyes qytetarët për këtë sepse vija e kuqe është shumë e qartë dhe është shumë e përcaktuar. Cilidoqoftë që kërkohet nga drejtësia për t’u përballur me drejtësinë, është jashtë. Kaq e thjeshtë. Të tjerave ju vërini emrat që dëshironi.